Gazetaria maqedonase është përballur me sfida të shumta ndër vite, por sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet ende është pikërisht vazhdimi i saj si profesion dhe zanat që dikur njihej si një nga më të vlerësuarit dhe më të dëshiruarit në këtë rajon.
Të moshuarit kujtojnë me nostalgji kohët kur mëngjeset fillonin me gazetat dikur më të shitura të blera në stendat e gazetave. Gazetat, radiot, televizionet... u besonim të gjithë.
Kohët kanë ndryshuar, dhe bashkë me të edhe zakonet e leximit, të dëgjuarit dhe të shikimit. Nëse dikur shtypi, radioja apo televizioni kishin primatin mes audiencës, sot, kryesisht televizioni dhe media dixhitale kanë mbajtur ritmin e tyre për të kënaqur shijet e rafinuara të qytetarëve. Në një garë me kohën, shumica e audiencës i është dorëzuar “të vërtetës” së menjëhershme të servirur përmes rrjeteve sociale.
Sipas „Udhëzimeve për qeverisjen e platformave dixhitale – Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion me angazhimin e shumë palëve“ nga UNESCO dhe Këshilli i Etikës në Media të Maqedonisë, “në vitin 2023, 60% e popullsisë së botës, ose 4,75 miliardë njerëz, përdorën platformat e mediave sociale për t'u shprehur, për t'u informuar dhe afirmuar veten. Kjo analizë arrin në përfundimin se “hapësira dixhitale, si një hapësirë për liri dhe një forum i ri për shprehje dhe debat, është i ndërthurur me lidhjet, identitetet dhe jetët tona sociale”.
Rrjetet sociale i lejojnë qytetarit të rëndomtë të jetojë në një dimension krejtësisht të ri, një botë virtuale, ku takohen shpresat, frika, pritshmëritë e tyre... Në këtë botë të re dixhitale çdo gjë është e mundur, e vërteta bëhet gënjeshtër dhe gënjeshtra kthehet në të vërtetë.
Vërshimi i informacionit që ndryshon dhe përditësohet nga sekonda në sekondë nuk i lë lexuesit/dëgjuesit/shikuesit kohë të mjaftueshme për të menduar në mënyrë kritike dhe për të kontrolluar informacionin, i cili “gëlltitet” përnjëherë, ashtu siç ofrohet – në formën e tij origjinale.
Për fuqinë e mediumit flet edhe një nga teoricienët më të njohur të medias, filozofi i famshëm kanadez, Marshall McLuhan, i cili në librin e tij “Mediumi është Mesazh” parashikoi ndikimin e botës dixhitale dhe mediave në përgjithësi në formimin e opinionit publik.
“Mediat po na sulmojnë tërësisht. Ata janë aq bindës në pasojat e tyre personale, politike, ekonomike, estetike, psikologjike, morale, etnike dhe sociale, saqë nuk lënë asnjë pjesë tonën të paprekur, të pandikuar apo të pandryshuar. Mediumi është mesazhi. Çdo kuptim i ndryshimit social dhe kulturor është i pamundur pa njohuri mbi mënyrat në të cilat media funksionon si mjedis”, thotë McLuhan në librin e tij.
Informim i shpejtë, kandidatë të pamotivuar për gazetarë të ardhshëm
Në një botë dixhitale me ritme të shpejta, ku informacioni është në pëllëmbë të dorës suaj, interesi për profesionin e gazetarisë pritet të rritet, duke pasur parasysh lehtësinë e aksesit në informacionin e dëshiruar në internet. Megjithatë, po ndodh e kundërta.
Vendi ynë nuk është i imunizuar nga zhvillimet globale në sferën mediatike, ku interesi për studimet e gazetarisë është në rënie nga viti në vit. Nga ana tjetër, tregjet botërore kanë imponuar nevojën për profilizimin e personelit në fushën e PR-it dhe komunikologjisë, të cilët janë dëshmuar të jenë shumë më tërheqës dhe më fitimprurës si profesion.
Krahas tendencës së përgjithshme të uljes së numrit të studentëve në vendin tonë si pasojë e flukseve emigruese, trendi i rënies së numrit të studentëve të gazetarisë së ardhshme është shqetësues.
Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Sh. Qirili dhe Metodi“ në Shkup ka një numër rekord të ulët të studentëve të sapo regjistruar në departamentin e gazetarisë këtë vit akademik, me vetëm gjashtë studentë të regjistruar (në vitin 1977, kur ishte hap departamenti, kishte gjithsej 125 studentë).
Sipas profesoreshës Jasna Baçovska-Nediç, vendi ynë renditet i fundit për nga numri i studentëve të regjistruar në rajon.
Burimi: unsplash.com
“Përafërsisht numri i studentëve në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnje, Vojvodinë, Serbi në përgjithësi është nga 60 deri në 100. Të gjithë kanë një numër më të madh studentësh të gazetarisë. Ne mezi regjistrojmë rreth 10 studentë. Kështu ka qenë për katër, pesë vitet e fundit," thotë profesoresha Baçovska-Nediç, duke dhënë alarmin se studimet e gazetarisë nuk janë tërheqëse për të rinjtë.
I dobët është edhe interesimi për regjistrim në fakultetet tjera që kanë drejtime për gazetari.
Numri i studentëve të regjistruar në drejtimin e gazetarisë në vitin akademik 2015/16 në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “St. Qirili dhe Metodi” (UKIM) në Shkup, në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD) në Shtip dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës (DUT) kanë qenë gjithsej 59 studentë. Ndërsa, në vitin akademik 2021/22 është reduktuar në gjithsej 36 studentë, që është një rënie prej 23 studentësh në 7 vite.
Cilat janë arsyet e tendencave të tilla shqetësuese?
Profesoresha Jasna Baçovska-Nediç sqaron se gazetaria nuk është profesion i rregulluar, ku gazetar mund të bëhet kushdo, pavarësisht nga shkollimi, e për më tepër, situatës së keqe i kontribuojnë edhe pagat e ulëta dhe kushtet e këqija të punës, zhvillimi i shpejtë i rrjeteve sociale që ndikojnë në ngritjen e mediave tradicionale dhe mbijetesën e tyre ekonomike, si dhe pabarazia ekonomike ndërmjet gazetarëve.
Sipas gjetjeve të hulumtimit të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias për Statusin Profesional dhe të Drejtat e Punës së Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias, i realizuar gjatë vitit 2023, problemet kryesore në media janë pagat e ulëta, stresi në punë dhe mosrespektimi i disa të drejtave elementare të punës të garantuara me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. Një nga problemet më të mëdha në mediat online të zbuluar në hulumtim është, për shembull, punësimi i gazetarëve në baza honoraresh ose me kontrata pune me kohë të caktuar.
Një nga gjetjet më shqetësuese në hulumtimin e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias është se rreth gjysma e gazetarëve dhe 70% e punëtorëve mediatikë kanë të ardhura nën pagën mesatare mujore (37.065 denarë, maj-tetor 2023), gjë që i bën gazetarët të cenueshëm dhe të ndjeshëm ndaj ndikimeve të ndryshme. Hulumtimi gjithashtu konstaton se “kjo do të thotë se, pavarësisht garancive ligjore për lirinë e mediave dhe gazetarëve, pa statusin e tyre të qëndrueshëm dhe të favorshëm socio-ekonomik, gazetaria profesionale dhe objektive do të jetë e vështirë të arrihet”.
Rreze të vogla shprese në sferën mediatike
Megjithatë, jo gjithçka është aq e zymtë në gazetarinë akademike. Optimizmi është rrënjosur nga përpjekjet e një pjese të komunitetit ndërkombëtar që e njeh nevojën për të krijuar një staf gazetaresk të freskët dhe profesional, i cili do të jetë në gjendje t'u bëjë ballë sfidave bashkëkohore dhe do të jetë në gjendje t'u përgjigjet në mënyrë adekuate nevojave të lexuesve, dëgjuesve dhe shikuesve.
Në tetor të vitit të kaluar, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në vend, u hap Laboratori Mediatik në kuadër të Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Sh. Qirili dhe Metodi” në Shkup, me shpresën se do të ngrihet profili i gazetarisë.
Qendra e re për Inovacion në Media është e vendosur në një studio televizive profesionale ku studentët mund të përdorin kamera, drita, një "dhomë të shurdhër", miksera regjistrimi dhe ofrohet gjithashtu transmetim i drejtpërdrejtë.
Ky Laborator Mediatik, sipas shembullit të universiteteve me famë botërore, është rrezja e re e shpresës që krijon mundësinë për të nxjerrë në pah gazetarë të rinj premtues, me pikëpamje kritike ndaj botës, të cilët do të kenë hapësirën për të imponuar sfida të reja profesionale të gazetarisë autoriale, objektive, të pavarur, që do të lënë në hije gazetarinë “copy-paste”.
Janë pikërisht qendra të tilla që mund të shërbejnë si shembull për universitetet e tjera, për të krijuar praktikë pozitive dhe për të stimuluar kështu “puplat” e ardhshme gazetareske që do të kenë për synim zhvillimin e karrierës së tyre në të ardhmen.
Sepse praktika që aktualisht mungon në disa programe studimi është gjithashtu një nga arsyet pse disa nga ato programe janë jo tërheqëse dhe të vjetruara dhe si rrjedhim jo tërheqëse për studentët e ardhshëm.
Nuk duhet të shkojmë më tej, kur dihet që shpesh kandidatët për gazetarë të ardhshëm vendosin të studiojnë gazetari në rajon pikërisht për shkak të mundësive për praktika gjatë studimeve, gjë që u siguron studentëve të gazetarisë një punë të sigurt në të ardhmen, por gjithashtu dhe paga konkurruese.
Gazetaria në fund do të gjykohet nga gazetarët
Jemi dëshmitarë se arsimi i lartë ka pësuar një sërë ndryshimesh në dekadat e fundit, por shtrohet pyetja nëse ato ndryshime u përgjigjen sfidave bashkëkohore dhe nevojave të tregut.
Mungojnë analizat dhe strategjitë serioze për përmirësimin e arsimit të lartë të gazetarëve, ofrimin e aftësive praktike të punës dhe të mësuarit, si dhe ndërtimin e frymës sipërmarrëse gjatë studimeve të tyre. Motivimi për të studiuar gazetari është gjithashtu një problem i madh. Prandaj, nevojitet njëfarë stimulimi ose mbështetje në universitete për të përmirësuar studimet e gazetarisë, si dhe vullnet politik për të mbështetur gazetarinë investigative që tërheq dhe motivon të rinjtë për të studiuar gazetari.
Derisa të miratohet një strategji e shëndoshë për nevojën e profileve të duhura në arsimin e lartë, mediave nuk u mohohet mundësia të mendojnë se si mund t'i ndihmojnë gazetarët e ardhshëm të gjejnë rrugën e tyre në hapësirën mediatike, dhe kështu të ndihmojnë në ruajtjen e kondicionit të tyre, por edhe të të gjitha mediave të tjera në vendin tonë, në rritjen e standardeve profesionale në gazetari dhe ruajtjen e esnafit gazetaresk.
Mjafton të identifikohet dëshira e pashtershme për dije tek gazetarët e rinj, dëshirën e fortë për të provuar aftësitë e tyre dhe nevojën për të eksploruar dhe pushtuar hapësira të reja në qiellin gazetaresk.