fbpx

Gazetaria në Greqi: dy universe paralele

Eleni Stamatoukou

Media

18.12.23

Прегледи

Mediat greke janë të polarizuara. Në varësi të lidhjeve të tyre me "pushtetin", ata zgjedhin të raportojnë më pak ose të mos raportojnë fare për një çështje. Kushdo që jeton në Greqi ose merret me aktualitetin grek mund të perceptojë lehtësisht dy realitete, gjegjësisht dy universe paralele që ekzistojnë në tokë.

Zbulimi i skandalit të përgjimeve, i njohur edhe si Porta e Grabitqarit ose Greek Watergate, u iniciua nga media të pavarura greke si „Inside Story“, „Reporters United“ media pro SYRIZA (opozita kryesore në Greqi, ndryshe partia e majtë), media si „Efimerida ton Syntakton“ dhe „Documento“. Këto media prej shumë muajsh po përpiqen ta nxjerrin në pah problemin duke raportuar vazhdimisht për të. Megjithatë, kjo nuk përfaqëson të gjithë shtypin ekzistues në Greqi.

Mediat e tjera, veçanërisht ato të afërta me qeverinë, raportuan shumë pak ose shmangën plotësisht të shkruanin/thonin ndonjë gjë. Kjo kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si lexuesit, respektivisht opinioni grek në përgjithësi e kuptoi rëndësinë e kësaj teme. Një numër i madh qytetarësh grekë, mes tyre edhe gazetarë, e merrnin si të mirëqenë se ishin/janë nën vëzhgim dhe se kjo ishte diçka që po ndodhte dhe që të gjitha qeveritë e/po e bëjnë.

Porta e Grabitqarit

Skandali i përgjimeve, i cili ka qenë një temë kryesore në mediat greke që nga pranvera e vitit 2022, ka të bëjë me përdorimin e softuerit të paligjshëm grabitqar nga ana e Shërbimit Sekret Grek (EYP) për të gjurmuar ose tentuar të gjurmojë gazetarë, politikanë, personel ushtarak, njerëz të biznesit, persona nga sektori i drejtësisë dhe bartës të funksioneve shtetërore.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, pas fitores së partisë së tij konservatore Demokracia e Re në vitin 2019, e vendosi EYP-në nën mbikëqyrjen e tij të drejtpërdrejtë dhe nën autoritetin e nipit të tij dhe Sekretarit të Përgjithshëm Grigoris Dimitriadis.

Thanasis Koukakis, gazetar në CNN Greece që mbulon çështje financiare dhe korrespondent i mediave të huaja si CNBC dhe The Financial Times, është viktima e parë e konfirmuar e këtij skandali. Koukakis raportoi për ndryshimet e diskutueshme në Kodin Penal të Greqisë të iniciuara nga qeveria, në lidhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave që rregullon çështjet tatimore. Ai ishte gjurmuar dhe përgjuar nga shërbimet sekrete greke për arsye të “sigurisë kombëtare”, por edhe përmes një grabitqari që i ishte instaluar në mënyrë të paligjshme në celularin e tij pasi fillimisht kishte klikuar në një lidhje të papërshtatshme që i ishte dërguar.

Në një intervistë për Balkan Insight, Koukakis theksoi se "pyetjet që duhen bërë janë: sa gazetarë të tjerë ka si unë?" Sa politikanë të tjerë ka si unë? Nuk jemi vetëm unë dhe Androulakis”.

Pas zbulimeve të Koukakis në prill të vitit 2022, Nikos Androulakis, kreu i partisë së tretë më të madhe në parlamentin grek PASOK dhe një eurodeputet, është "viktima" e dytë pothuajse e konfirmuar e këtij softueri grabitqar. Në korrik të vitit 2022, ai raportoi se kishte marrë një mesazh me një lidhje në telefonin e tij celular, të cilin ai nuk e klikoi kurrë.

Vetëm atëherë mediat kryesore në Greqi filluan të raportojnë mbi skandalin.

Burimi: pixabay.com

Në fillim të gushtit të vitit 2020, nipi i Mitsotakis, Dimitriadis dhe kreu i EYP Panagiotis Kontoleon dhanë dorëheqjen pas presionit të madh.

Në një mesazh televiziv në lidhje me ndjekjen e Androulakis, Mitsotakis tha se nuk dinte asgjë për të: "Ajo që u bë mund të ketë qenë në përputhje me shkronjën e ligjit, por ishte e gabuar. Nuk kam qenë në dijeni për këtë dhe, padyshim, nuk do ta lejoja kurrë një gjë të tillë!”.

Edhe sot e kësaj dite hetimet për këtë rast nuk janë mbyllur dhe nuk është ngritur asnjë akuzë.

Mediat në Greqi: botë paralele

Mediat e huaja si Balkan Insight, organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shtypit, si dhe organi kompetent i BE-së [Komiteti PEGA i krijuar për të hetuar shkeljet ose abuzimet e supozuara të zbatimit të ligjit të BE-së në lidhje me përdorimin e Pegasus dhe softuerit ekuivalent për mbikëqyrjen e spiunazhit] nëpërmjet raportimeve dhe hetimeve të vazhdueshme, luajti një rol të rëndësishëm në zbardhjen e skandalit të përgjimeve në Greqi.

Porta e Grabitqarit (Predator Gate) u bë një temë "popullore" në mediat kryesore greke vetëm pasi Androlakis njoftoi se kishte një përpjekje për t'u gjurmuar dhe përgjuar.

Alexis Papakelas, kryeredaktor aktual i gazetës greke "Kathimerini" pranoi më 22 tetor se media greke dhe "Kathimerini" ishin "të ngadalta" në hetimin e skandalit. Megjithatë, ai shtoi se, pasi gazeta e tij u përfshi, "mbulimi nuk është i paplotë".

Kjo nuk është hera e parë që një çështje raportohet pak ose nuk raportohet fare nga mediat greke. Kushdo që jeton në Greqi ose merret me aktualitetin grek, mund të kuptojë lehtësisht se në vend ka dy realitete, respektivisht dy universe paralele. Në njërën anë është narrativa e qeverisë dhe në anën tjetër janë “të pavarurit” dhe mediat që janë kundër pushtetit. Por a është gazetari kjo? Lexuesit, në bazë të bindjeve të tyre politike, do të zgjedhin të informohen nga media që përfaqëson pikëpamjet e tyre. Por a është ky informacion i vërtetë?

Shtypi grek është thellësisht i ndarë, ashtu si bota gazetareske – jo vetë gazetarët, por gazetaria. Gazetarët, në varësi të medias me të cilën punojnë, e dinë se për çfarë duhet apo nuk duhet të shkruajnë ose, konkretisht, nëse duhet të vetëcensurohen apo jo. Aktualisht, temat nuk janë të ndaluara apo siç themi në zhargonin gazetaresk grek, “të futura në rigorifer” nga ana e drejtorëve ekzekutivë, por nga vetë gazetarët. Për sa kohë që kjo ndarje do të vazhdojë të jetë e pranishme në mediat greke, aq do të jetë e përçarë edhe shoqëria greke.

Teksa shkruajmë këtë tekst, hetimi i gazetares për skandalin e përgjimeve vijon.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Eleni Stamatoukou

Eleni Stamatoukou është një gazetare e njohur për punën e saj në tema të ndryshme, duke përfshirë migrimin, politikat e kontrollit kufitar dhe ngjarjet aktuale. Ajo ka kontribuar në botime të tilla si Balkan Insight dhe Solomon. Artikujt e saj mbulojnë një gamë të gjerë temash, duke përfshirë çështjet që lidhen me sigurinë, mbikëqyrjen, sigurinë kibernetike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.