fbpx

Lufta në Ukrainë, liria e shprehjes dhe gjuha e urrejtjes

Mirçe Adamçevski

Media

09.06.22

Прегледи

Tani e tutje mund të flitet për zhdukjen e lirisë së fjalës, por gjuha e urrejtjes nuk po zhduket kurrë.

Banorët e kohës së Jugosllavisë Socialiste e mbajnë mend shumë mirë luftën mediatike që i parapriu dhe pasoi katastrofën e madhe ushtarake në të cilën vdiqën qindra mijëra njerëz. Një luftë që ende mbetet në mendjet e disa propaganduesve të gjuhës së urrejtjes. Në të gjitha ish republikat e vendit. Tani po zhvillohet luftë në një vend tjetër - në Ukrainë. Edhe atje mbillet dhe përhapet urrejtja.

Gazetari Boris Dezhuloviç, duke shprehur qëndrimin e tij për luftën në Ukrainë me titull “Lufta Botërore e Atdheut” do të shkruajë: “30 vjet më parë Kroacia nuk ishte në dhjetë vendet e para në botë për një bashkëjetesë të bukur dhe të këndshme. Vukovari kishte rënë, Dubrovniku ishte djegur, mbi Osijek, Zarë, Shibenik dhe qytete të tjera kishin rënë shumë granata, kurse kroatët në zemërim hakmarrjeje dëbuan gjysmën e serbëve nga bizneset dhe banesat, duke detyruar gjysmën tjetër të nënshkruajnë deklarata besnikërie ndaj shtetit kroat dhe të shprehen qartë se "kush është agresori dhe kush është viktima”. Viktimat më pas hoqën të gjitha gjurmët e literaturës serbe nga shkollat ​​dhe universitetet, dogjën të gjitha librat serbe, ndaluan gjuhën serbe, hoqën dhe larguan nga repertoari muzikën serbe në radio dhe dëbuan serbët nga teatri, kurse gjuha primordiale e urrejtjes vërshoi shoqërinë, mediat dhe fasadat e qytetit”.

Kjo gjuhë, po të shikoni rrjetet sociale në Kroaci, nuk ka ikur gjëkundi. Në rrjetet sociale, tashmë po përdoret edhe për përballje ndërpersonale për zhvillimet e ngjarjeve në Ukrainë, ku është mbushur dhe vërshuar plot me “ustashë” dhe “çetnikë”.

Përvoja kroate duket se është pasqyruar në luftën ruso-ukrainase. Gjuha e urrejtjes, mbi të gjitha kryesisht diskriminimi, po lulëzon pikërisht ashtu siç analizohej atje në të kaluarën. Prej kohësh ishte ky i pranishëm në të dyja këto vende.

Por autoritetet nuk lejuan që kjo të çonte në një urrejtje të hapur, e cila do të provokonte dhunë. E mbajtën nën një qilim. Por pas vitit 2014, gjërat ndryshuan dhe filloi mbjellja dhe përhapja tifoze dhe e hapur e gjuhës së urrejtjes që nuk premtoi asgjë të mirë. Ashtu si në Jugosllavi para shpërbërjes së saj. Në gusht të vitit 2021, në konferencën “Problemi i gjuhës së urrejtjes në mediat ukrainase” ishin prezantuar rezultatet e një hulumtimi në të cilin u shpallën termat e publikuara në media, të cilat mund të vlerësohen dhe quhen si gjuhë urrejtjeje.

Nofka "vatnik" ishte përdorur më së shumti, siç quhet në Rusi një xhaketë me tegela, por mbështetësit e Maidan-it e përdorin atë për të përçmuar kundërshtarët e tyre nga Ukraina dhe rusët. Pastaj vjen fjala "moskal", nënçmuese për rusët, pastaj "rashizëm dhe rashistë", pastaj "Mordor" për Rusinë. Dhe gjithashtu nofka "Lugandon" për banorët e Luhanskut dhe Donjetskut, pastaj "kolorad", i cili përdoret si një pseudonim nënçmues për njerëzit që mbajnë "shiritin Georgiev" gjatë festave në Rusi, për shembull siç është 9 maji, Dita e Fitores.

Më tej nofka "kacap", dikur në letërsinë për njerëzit nga provinca ruse, por sot në përgjithësi për rusët. Konkluzioni i konferencës ishte se nga 941 mijë informacione të shikuara vetëm në 4746 sosh kishte gjuhë urrejtjeje, e cila tregonte se fotografia nuk ishte aq komplekse sa prezantohej fillimisht. Normalisht, nuk mund të jetë e komplikuar kur bëhet fjalë për mediat tradicionale, ku profesionalizmi është në një nivel më të lartë.

Materiale ekstremiste

Të gjitha këto shprehje vërshuan mediat dhe sferën online pas fillimit të luftës. Sidomos rrjetet sociale. Por me shtesa. Kështu kemi nofkën “Putler” për Putinin apo shprehje të tjera për të që nuk tolerojnë shkrime. Ose "Pidorusia" (Pederusia). Ja disa, nga qindra mijëra komentet në Facebook, ku në mediat online ishin publikuar tekste të disa ditëve më parë. “Të gjithë moskovitët janë thërija, të gjithë e mbështesin Putlerin. Jo çdo gjë do të jetë në rregull me moskovitët. Ata duhet të izolohen nga bota”.

Ose: “Fashistët dhe nazistët janë në Ukrainë? Por çfarë janë ata? "Nazizmi, shovinizmi perandorak, spiritualiteti dhe religjioni janë tronditur mirë nga skizofrenia e vërtetë klinike dhe diagnoza të tjera psikiatrike."

Ose: "OK, është mirë që vrasësi Putin nuk është i sëmurë nga asgjë. Ne jemi çmendurisht të lumtur që ai është i sëmurë nga brutaliteti i pleqërisë për të vrarë dhe përdhunuar njerëz ... por pavarësisht gëzimit dhe lumturisë sonë, kjo qenie çnjerëzore megjithatë do të vdesë në onkologji." Më tej: “Të gjithë rashistët sillen në mënyrë të ngjashme. Duke bërë një luftë fashiste me Ukrainën, ata akuzojnë ukrainasit për fashizëm. Duke vrarë civilë, fajin ua mveshin ukrainasve”. Dhe një shembull tjetër: "Zonjë, është e pamundur që ata t'ju lexojnë, marrëzia juaj është plot me mbeturina naziste, ju jeni thjesht një naziste ruse...".

Por edhe në Rusi nuk qëndruan duarkryq dhe për vite me radhë u përgjigjën ose sulmonin me gjuhë urrejtjeje. Para fillimit të luftës, në rrjetet sociale ruse u bë një analizë ukrainase e gjuhës së urrejtjes në dëm të ukrainasve. Shkak ishte bërë ndalimi i rrjetit social rus “VKontakte” në Ukrainë gjatë mandatit të presidentit Petar Poroshenko.

Vetë ndalimi ishte shkak për urrejtje. Sipas një analize të realizuar nga UkraineWorld dhe Internews Ukraine, pavarësisht ndalimit, VKontakte mbetet një platformë ku vazhdon të lulëzojë gjuha e urrejtjes. Kushtet e përdorimit të VKontakte ndalojnë përmbajtjen që promovon "urrejtje etnike, raciste, fetare, armiqësi ose keqdashje", ose promovon idetë e "fashizmit ose superioritetit" ose shpërndan materiale ekstremiste.

Autorët e analizës argumentojnë se rregullativa është pasojë, e jo shkak i përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Lydia Smola thekson se në Rusi gjuha e urrejtjes mbështetet nga zyrtarë të lartë. Për shembull, Presidenti Vladimir Putin me disa nga deklaratat e tij. Ekspertja e komunikimit Tatiana Matichak shpjegon më tej për UkraineWorld: "Rusia ka një makinë të madhe komunikimi të drejtuar nga shteti që prodhon, ndër të tjera, mesazhe propagandistike që përfshijnë edhe gjuhën e urrejtjes. Në Ukrainë, gjuha e urrejtjes kundër Rusisë prodhohet kryesisht nga njerëzit e zakonshëm."

Disa ekspertë besojnë se nxitja e urrejtjes kundër Ukrainës është një mjet dhe instrument i luftës hibride ruse.

Propaganda e urrejtjes

Ekspertët bëjnë dallimin midis gjuhës së urrejtjes kundër popullit ukrainas dhe gjuhës së urrejtjes kundër Ukrainës si një komunitet politik. Sipas tyre, propaganda e urrejtjes ruse duket mjaft "tërheqëse" në VKontakte: përdoruesit kryesisht përfshijnë mallkime dhe fyerje në këngë, përdorin lojëra fjalësh dhe alegori.

Burimi: depositphotos.com

Duke i quajtur ukrainasit "ukami" ose "uke" (shkurtore nënçmuese për "ukrainasit"), në literaturë gjendet shprehja origjinale "hohli" ose "ukrop" (kopër), përmes së cilës disa përdorues rusë përpiqen të shprehin "mosnjohjen" e tyre të kombësisë ukrainase. Përdoruesit pro-rus të rrjetit shpesh kombinojnë shprehjen "uki" me fjalë të tjera fyese si krijesa abnormale (Hohlovirodok), të poshtër (Hohlomraz) dhe të çmendur (Hohlodurka).

Për më tepër, përshëndetja ose slogani i njohur ukrainas "Lavdi Ukrainës, lavdi heronjve!" shpesh përkthehet dhe shtrembërohet në disa forma fyese, si "Lavdi dhjamit" ("Slava Salu", ku salo është një proshutë e tharë shumë e njohur në kuzhinën ukrainase).

Ukraina quhet gjithashtu "vendi 404" (faqe 404). Ose e shkruajnë me thonjëza dhe shkronjë të vogël “ukrainë”. Pavarësisht narrativës ruse se "Ukraina është një shtet i dështuar", përdoruesit e VKontakte janë ashpër kritikë ndaj të gjitha reformave. Ata shpesh krijojnë lidhje midis autoriteteve ukrainase dhe atyre naziste, duke i quajtur "nazistë", "fashistë", "junta naziste", "neonatë" (neo-nazistë).

Ka shumë referenca për Bandera dhe Shukevich (politikanë nacionalistë ukrainas të shekullit të 20-të). Përdoruesit shpesh i quajnë „Banderovci“ ose „Shukeviçi“ njerëzit që mbështesin gjuhën dhe traditën ukrainase. Por, për të qenë i sinqertë, ata janë gjithashtu kundër mbështetësve rusishtfolës dhe rusëve që jetojnë në Ukrainë. Për përdoruesit e rrjetit, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e Euromaidan janë të vonuar mendërisht. Për shembull, "Maidauni" (një kombinim i fjalëve "Maidan" dhe "i sëmurë me Sindromën Down") ose "Maidanuti" (një kombinim i një fjale jashtëzakonisht vulgare).

Përsëri një citim nga Dezhuloviç: "Gjuha primitive e urrejtjes. kompania „Meta“ tha se Facebook dhe Instagram do të lejojnë gjuhën e urrejtjes dhe do të nxisin dhunën kundër rusëve dhe ushtrisë ruse "në kontekstin e pushtimit të Ukrainës" dhe do të lejojnë glorifikimin e regjimentitet neo-nazist Azov "në kontekstin e rolit të tij mbrojtës". Armiku, siç mund ta shihni, është konteksti. Komisioni Evropian, për shembull, ndaloi mediat shtetërore ruse RT dhe Sputnik pikërisht për të njëjtin kontekst."

METApo përfshihet në luftë

Veprimi i kompanisë Meta (Facebook dhe Instagram) në mars ngjalli shumë pikëpamje kontradiktore për mbrojtjen e fjalës së lirë dhe rrezikun që gjigantët e teknologjisë mund të tregojnë më shumë fuqi se shtetet. U ngritën shumë pyetje. Kush janë ata që të diktojnë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të publikohet?

Sipas cilave kritere lejohet gjuha e urrejtjes për disa, kurse për disa ndalohet? Në mes të muajit mars, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Facebook po lejonte postime në lidhje me luftën në Ukrainë, duke bërë thirrje për dhunë kundër pushtuesve rusë. Rrjeti social lejoi përkohësisht disa postime që bënin thirrje për vdekjen e presidentëve të Rusisë dhe Bjellorusisë, Vladimir Putin dhe Aleksandar Lukashenko.

“Si pasojë e pushtimit rus, ne kemi korrigjuar përkohësisht format e shprehjes politike, të cilat zakonisht shkelin rregullat tona, shprehjet agresive, si “vdekja e pushtuesve rusë”. “Si më parë, ne nuk do të lejojmë gjuhën e urrejtjes kundër qytetarëve rusë”, citon Reuters një pjesë të komunikatës së kompanisë Meta.

Ambasada ruse në Uashington u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës t'i japin fund “veprimtarisë ekstremiste” të kompanisë Meta. “Përdoruesit e Facebook dhe Instagram nuk u kanë dhënë të drejtën pronarëve të këtyre platformave të vendosin kriteret e së vërtetës dhe të kundërshtojnë kombet kundër njëri-tjetrit”, kishte shkruar ambasada ruse në Twitter. 12 vende, ish-republika sovjetike ose anëtarë të Paktit të Varshavës: Armenia, Azerbajxhani, Estonia, Gjeorgjia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Rusia, Sllovakia kanë të drejtën e gjuhës së urrejtjes aktualisht në platformat e kompanisë Meta.

Një zëdhënës i kompanisë Meta deklaroi se kompania "aktualisht po bën një përjashtim të vogël për glorifikimin e Regjimentit Azov vetëm në kontekstin e mbrojtjes së Ukrainës ose rolit të tyre në kuadër të Gardës Kombëtare të Ukrainës".

Rrjetet më të mëdha sociale e ndoqën kompaninë “Meta”. Thirrjet për censurë tashmë kishin filluar. Si BE-ja ashtu edhe Rusia kishin filluar të bllokojnë mediat dhe rrjetet sociale. Të gjithë kishin justifikimet e tyre për hapat e ndërmarrë. Askush nuk përmendte gjuhën e urrejtjes. Tani të gjithë flasin për një luftë propagandistike. Profesori Gjorgje Obradoviç, Doktor i Shkencave të Komunikimit dhe profesor në Universitetin e Dubrovnikut, theksoi për Al Jazeera se "rrjetet sociale janë bërë mjeti më i fortë për përhapjen e propagandës, por ato mund të jenë gjithashtu mjeti më i fortë për të luftuar propagandën, nëse dikush dëshiron të mundësojë që të dëgjohen të gjithë argumentet nga të dyja palët”.

Sipas Obradoviqit, rrjetet sociale do të fitojnë më shumë dhe në konflikte do t'i bashkohen atyre qendrave të pushtetit, veprimet e të cilave do t'u sjellin më shumë fitime. "Me lëvizjet kundër Moskës, gjigantët e teknologjisë kanë hedhur poshtë pretendimet e mëparshme për lirinë e fjalës dhe kanë miratuar politika të kompanive që mund të jenë një normalitet i ri në konfliktet e ardhshme," pohoi Obradoviç.

Rrjetet sociale – një poligon ushtarak

Me masat e kompanisë “Meta” dhe rrjeteve të tjera sociale janë zhvendosur kufijtë e lirisë së fjalës, censurës, gjuhës së urrejtjes. Gjuha e lejuar e urrejtjes ndaj rusëve tregoi standardet e dyfishta të kompanisë “Meta” dhe rrjeteve të tjera.

Tani e tutje mund të flitet për zhdukjen e lirisë së fjalës, por gjuha e urrejtjes nuk do të zhduket. Përkundrazi, ajo duket se është motivuar edhe më shumë nga hapat dhe veprimet e rrjeteve sociale. Poligon ushtarak. Megjithatë, pasojat e kësaj i ndjejnë edhe shumë qytetarë që jetojnë në Perëndim.

Elena Brezhneva është presidente e Dhomës Ruse të Tregtisë në Las Vegas. Ajo thotë se pushtimi rus i Ukrainës ka sjellë nxitjen e gjuhës e urrejtjes dhe diskriminimit sa i përket rusëve në Amerikë. Ajo kishte marrë mesazhe në Facebook gjatë javëve të fundit.

Në njërën prej tyre e thërrisnin: “Ti je një pjesë ruse, që nuk e meriton të jesh në këtë vend”. “A duhet të ketë krime të vërteta në bazë të urrejtjes, që njerëzit të fillojnë të flasin për këtë...”, thotë Brezhneva. Ajo ka lindur në Rusi, por është gjithashtu pjesërisht ukrainase. Ajo ka jetuar në Las Vegas për 25 vjet.

Tema e gjuhës së urrejtjes dhe luftës ishte trajtuar edhe nga revista Time, e cila shkruante se rusët në mbarë botën po përballeshin me persekutim dhe fyerje për shkak të konfliktit në Ukrainë. Ata treguan për historinë e pronarëve të një restoranti rus, për telefonatat fyese, për xhamat e thyer. Dhe ata janë bashkëshortë, njëri prej të cilëve është armen, kurse bashkëshortja është nga Yakutia.

Burri i saj është nga Azerbajxhani, i cili kishte ikur për shkak të masakrës së armenëve. Së pari në Uzbekistan, pastaj në Rusi dhe më pas të arrijë në Amerikë. Dhe tani ai përballet me urrejtje atje.

Lufta në Ukrainë do të vazhdojë. Gjuha e urrejtjes gjithashtu. E kemi prezente edhe te ne kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën. Por askush nuk e di se sa do të zgjasë legalizimi i gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale. Një gjë është e qartë, tani ata dhe "Meta" dhe "Google" dhe "TikTok" e të tjerë, do të përdorin precedentin që do të bëhet rregull. Por një rregull sipas modelit të tyre.

Standardet e dyfishta po zbatohen me të madhe. A do t'i interesojë dikujt sesi pronarët respektojnë normat etike të rrjeteve sociale? Ose do të vlejë thënia - "vetë shef, vetë pasha".

Por normat etike janë vetëm një pjesë e vogël. Rrjetet sociale po bëhen tani një faktor i luftërave. Paralelisht me shtetet.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni  Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Mirçe Adamçevski

Mirçe Adamçevski është gazetar dhe profesionist mediatik i vjetër. Ka diplomuar në Fakultetin Teknologjik në Shkup. Pjesën më të madhe të jetës së tij të punës (1979-2004) e kaloi në "Nova Makedonija" si gazetar, redaktor, korrespondent nga Moska (në periudhën 1993-1999) si dhe kryeredaktor (nga viti 2002 deri në 2004). Është autor i botimit “Bashkëpunimi maqedono-rus” (janar 2003). Një nga themeluesit dhe kryeredaktori i parë i revistës për ndërtim, arkitekturë, ekologji dhe investime "Porta 3". Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ishte kryetar i Këshillit për radiodifuzion të Republikës së Maqedonisë. Ai është anëtar i Komisionit për Ankesa në Këshillin e Etikës në Media të Maqedonisë.