fbpx

Një shuplakë për gazetarët grekë

Eleni Stamatoukou

Media

17.02.24

Прегледи
Mediat dhe gazetarët grekë që ekspozuan skandalin e përgjimeve ishin dëshmitarë në një seancë gjyqësore të 25 janarit në një padi të ngritur nga SLAPP nga nipi dhe ish-sekretari i kryeministrit grek.

Gazetarët dhe mediat greke që raportuan për skandalin e përgjimeve dëshmuan në një seancë gjyqësore të mbajtur më 25 janar, në Athinë, Greqi, në lidhje me Padinë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) të ngritur nga Grigoris Dimitriadis, ish-sekretar dhe nipi i kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Dimitriadis ka ngritur dy padi SLAPP deri më tani, kundër gazetës greke Efimerida ton Syntakton, EFSYN dhe gazetës që merret me çështje investigative Reporters United dhe reporterëve të saj Nicholas Leontopoulos dhe Todoris Hondroyanos, por edhe kundër gazetarit Thanasis Koukakis, i cili është viktima e parë e konfirmuar e përdorimit të paligjshëm të softuerit të spiunazhit Predator.

Në seancën e parë të mbajtur më 25 janar, Dimitriadis akuzoi mediat dhe gazetarët për shkaktimin e dëmit moral sepse raportet e tyre të publikuara në gusht të vitit 2022 zbuluan përfshirjen e tij të supozuar me Intellexa, një kompani izraelite që shet softuerin e spiunazhit Predator në Greqi. Grigoris Dimitriadis kërkon dëmshpërblim prej 250,000 euro nga gazeta EFSYN, 150,000 euro nga Reporters United dhe gazetarët e saj dhe 150,000 euro nga Koukakis. Shuma totale e kërkuar është 550.000 euro

Skandali i përgjimeve i njohur si Predator Gate ka pushtuar vëmendjen e opinionit publik në Greqi që nga viti 2022 dhe ka të bëjë me përdorimin e softuerit të paligjshëm Predator nga shërbimet sekrete greke, EYP, për të monitoruar gazetarë, politikanë, njerëz të biznesit dhe individë të tjerë.

Gjykimi i parë për skandalin e përgjimeve

Balkan Insight raportoi se një numër i madh njerëzish, përfshirë deputetë nga partitë opozitare SYRIZA, PASOK, E Majta e Re dhe Partia Komuniste Greke KKE, pastaj gazetarë, anëtarë të shoqërisë civile dhe lexues, erdhën në seancën gjyqësore të caktuar për 25 janar për të mbështetur mediat dhe gazetarët.

Është e nevojshme të shtohet se z. Dimitriadis nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Dëshmitarët nga ana e mediave greke, avokati dhe akademiku grek Nikos Alevizatos dhe gazetari investigativ Tasos Teloglu, dokumentuan se botimet jo vetëm që nuk ishin shpifëse, por krejt e kundërta – i shërbenin interesit publik.

Kjo ishte hera e parë që skandali i përgjimeve analizohej në sallën e gjyqit.

Burimi: pixabay.com

"Për herë të parë, njerëz nga profesioni dhe fusha ligjore/juridike dhe gazetarët që hetuan skandalin mund të dëshmojnë në gjykatë se çfarë ka ndodhur saktësisht me softuerin Predator dhe të gjitha do të regjistrohen në procesverbalin e gjykimit," tha Koukakis për Balkan Insight.

Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në muajt në vijim ose pas katër vitesh, në varësi të ritmit të ngadaltë të sistemit të drejtësisë greke.

SLAPPs: një përpjekje për të frikësuar dhe heshtur gazetarët

Pas publikimit të informacionit nga gazetarët në gusht të vitit 2022, Dimitriadis dha dorëheqjen dhe nisi padinë e tij të parë kundër mediave dhe gazetarëve. Në fund të nëntorit të vitit 2023, ai nisi edhe një seri të re padish kundër tyre duke pretenduar 3.3 milionë euro në total dhe duke i akuzuar për shpifje ndaj imazhit moral sepse ka një hetim të ri që e implikon atë në skandalin e përgjimeve.

Në një deklaratë zyrtare të muajit dhjetor, Unioni i Gazetarëve të Gazetave Ditore të Athinës (ESIEA) njoftoi se paditë e Dimitriadis kishin për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe kufizimin e aksesit në informacion.

SLAPP, të quajtura edhe Padi Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike, i referohen veprimeve ligjore që përdoren zakonisht nga korporata të mëdha ose individë të fuqishëm për të ngacmuar, frikësuar dhe lodhur financiarisht ose psikologjikisht gazetarët, aktivistët, akademikët dhe avokatët.

Organizatat ndërkombëtare të medias si Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), ARTICLE 19 Europe (A19), Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), OBC Transeuropa (OBCT), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata Mediale e Evropës Juglindore (SEEMO) dënuan padinë e Dimitriadis, të cilën ata e përshkruan si "një përpjekje rrëqethëse për të penguar gazetarinë investigative në lidhje me lidhjet që ka Dimitriadis me skandalin e softuerit të spiunazhit në Greqi”.

Në një deklaratë të lëshuar më 18 janar 2024, ata përsëritën "dënimin e tyre të padisë së pabazë për shpifje të ngritur kundër gazetarëve dhe mediave greke" nga Grigoris Dimitriadis, nipi i kryeministrit, dhe i bënë thirrje paditësit që "të tërheqë menjëherë padinë përpara datës së ardhshme të seancës gjyqësore.”

Rregullorja e BE-së për SLAPP-të dhe zbatimi problematik i saj

Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje politike në nëntor mbi një direktivë për të mbrojtur gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga SLAPP.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare në Këshill (Coreper) duhet ta mbështesin direktivën e re. Nëse miratohet, teksti i direktivës do të duhet të miratohet zyrtarisht nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian.

Gazetarët grekë kanë frikë se fenomeni SLAPP do të përshkallëzohet në vitin 2024. Mediat greke dhe gazetarët që folën për Balkan Insight thanë se ishte e paqartë se si do të zbatohej ligji i ri në Greqi, ku zyrtarët e qeverisë dhe kompanitë e mëdha shpesh përdorin SLAPP për të frikësuar dhe heshtur gazetarët.

"Fatkeqësisht, mënyra se si formulohen dispozitat në direktivë u lë diskrecionin shteteve anëtare se si do të miratojnë ligjet," deklaroi për Balkan Insight Yanis Kimpuropoulos, redaktor dhe drejtor i medias greke Efimerida ton Syntakton, EFSYN.

Fondacioni Daphne Caruana Galicia, i cili është një organizatë joqeveritare në Maltë e krijuar pas vrasjes së gazetarit investigativ me të njëjtin emër në Maltë, deklaroi se direktiva e propozuar antiSLAPP duhet të ketë një tekst që përmban një mekanizëm efektiv në lidhje me shkarkimin e parakohshëm dhe një definim gjerësisht gjithëpërfshirës të rasteve ndërkufitare dhe vendosjen e standardeve për kompensimin e viktimave të SLAPP.

Gjithashtu, ky Fondacion theksoi se “90% e rasteve të identifikuara #SLAPP nuk do të mbulohen nga propozimi i përgjithshëm për akses të paraqitur nga Këshilli. Statistikat e tilla mund dhe duhet të ndryshohen. Përfundimi i SLAPP-it është një çështje e interesit publik. Kur abuzohet ligji, kemi fshehje të informacionit kyç, që cenon të drejtën e secilit për t'u informuar”.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Eleni Stamatoukou

Eleni Stamatoukou është një gazetare e njohur për punën e saj në tema të ndryshme, duke përfshirë migrimin, politikat e kontrollit kufitar dhe ngjarjet aktuale. Ajo ka kontribuar në botime të tilla si Balkan Insight dhe Solomon. Artikujt e saj mbulojnë një gamë të gjerë temash, duke përfshirë çështjet që lidhen me sigurinë, mbikëqyrjen, sigurinë kibernetike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.