fbpx

Vazhdon gjuha e urrejtjes edhe pas muajit të krenarisë

Elena Gagovska

Media

20.07.22

Прегледи

E gjithë kjo na çon në pyetjen: a mund të ndihen personat LGBT të sigurt dhe të mbrojtur nga autoritetet shtetërore në Maqedoni?

Fatkeqësisht, ashtu si në vitet e kaluara, edhe kjo paradë e tretë e krenarisë u prit me gjuhë shumë të shprehur urrejtjeje në rrjetet sociale. Nën postimet e mediave që kishin raportuar për Paradën, shpesh mund të vëreheshin dhjetëra komente sesi homoseksualiteti është "i panatyrshëm", thirrje për dhunë ndaj komunitetit LGBT dhe gjuhë nënçmuese.

Në Shkup dhe Manastir, madje u mbajtën edhe kundërparada, të cilat kundërshtonin pikërisht eventin Skopje Pride. Ndonëse kundërparada në Shkup praktikisht nuk mund të cilësohet si ndonjë paradë sepse nuk numëronte më shumë se disa dhjetëra pjesëmarrës, në Manastir kundërparada pati një jehonë dhe prezencë më të madhe, që është një tregues domethënës se sa shumë komuniteti LGBT nuk është ende i pranuar nga shumë njerëz në mjedisin tonë mjaft konservator.

Sipas Bitola News, Dragana Spasovska, në emër të organizatorëve të paradës, në manifestimin e Manastirit kishte thënë:

[Qëllimi është që] të ngremë zërin tonë qartë dhe fuqishëm kundër vlerave të çoroditura njerëzore që na imponohen përmes mediave, rrjeteve sociale, legjislacionit dhe rrjedhimisht edukimit, e më vonë edhe për arsimin, për tekstet shkollore, për edukimin seksual, pyetësorët...

Pasi që kjo ngjarje kishte ndodhur në Manastir si reagim ndaj paradës Skopje Pride, është shumë e qartë se Spasovska beson se këto janë “vlera të çoroditura”. Kjo do të thotë, këto parada ndoshta paraqiten si një lloj mënyre për të mbrojtur familjet dhe fëmijët, por në fakt janë manifestime fizike të homofobisë, bifobisë dhe transfobisë. Personat që organizojnë kundërparada të tilla flasin sesi po kërcënohen “vlerat familjare” nga komuniteti LGBT dhe ky “shqetësim” shumë lehtë mund të shndërrohet në gjuhë urrejtjeje. Ky “shqetësim” çon në një panik moral sesi komuniteti LGBT “kërcënon” familjen tradicionale, martesën, rrit promiskuitetin, ul natalitetin dhe me gjithë këtë shkatërron shoqërinë. Ky koncept i të menduarit shtrembëron pozicionet e pushtetit, respektivisht komuniteti LGBT portretizohet si një pakicë e fuqishme që i imponon vlerat e saj shumicës heteroseksuale - një narrativë që i ngjan stereotipave antisemite ku hebrenjtë janë ata që kontrollojnë shoqërinë "fshehurazi", ndonëse si grup fetar dhe etnik historikisht kanë qenë të shtypur, margjinalizuar dhe madje vrarë nga shumica dominuese në shumë vende të ndryshme.

Realiteti është se komuniteti LGBT nuk është një pakicë e fuqishme por një grup i margjinalizuar që nuk gëzon shumë të drejta elementare në Maqedoni. Çiftet e të njëjtit seks nuk kanë të drejtë të martohen (gjë që mohon të drejta të tjera si trashëgimia e pasurisë, vizita në spital etj.), madje as të drejtën për të krijuar familjen e tyre përmes birësimit të fëmijëve. Personat transgjinorë janë veçanërisht të margjinalizuar sepse ne nuk kemi një ligj për njohjen e gjinisë përmes të cilit njerëzit transgjinorë mund të ndryshojnë shenjën e tyre gjinore dhe të harmonizojnë dokumentet e tyre të identitetit – aktualisht personat transgjinorë janë të ekspozuar ndaj diskriminimit, ngacmimit dhe ndonjëherë edhe dhunës për shkak të dokumenteve që nuk përputhen.

Të gjitha këto janë vetëm pengesat ligjore me të cilat përballet komuniteti LGBT, domethënë, shumë prej tyre janë të izoluar nga shoqëria, të refuzuar nga familjet e tyre, objektiv të gjuhës dhe akteve të urrejtjes, diskriminimi në vendin e punës dhe një sërë problemesh të tjera sociale që janë rezultat i queerfobisë.

Lëvizjet anti-gjinore

Me akses më të madh në internet, mund të thuhet se sulmet ndaj komunitetit LGBT janë edhe më të zakonshme në hapësirat digjitale të rrjeteve sociale sesa në vendet fizike. Në disa prej viteve të fundit, disa faqe dhe grupe në Facebook kanë përhapur në mënyrë aktive queerfobinë përmes plasimit të dezinformatave rreth edukimit gjithëpërfshirës seksual (CSE), komunitetit LGBT dhe personave transgjinorë në veçanti.

Disa nga këto grupe janë në një masë të njohura për publikun, sidomos shoqata “Nga ne për ne” (Od nas za nas) e cila drejtohet nga Gordana Goxho. Shoqata "Nga ne për ne" prezantohet si "Shoqatë e Qytetarëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut" dhe shpesh si një grup "prindërish të shqetësuar" që organizohen në mënyrë të pavarur, por në masën më të madhe përhap gjuhën e urrejtjes kundër komunitetit LGBT, dhe propagandë kundër vaksinimit, dizinformata rreth edukimit gjithëpërfshirës seksual dhe organizatave të shoqërisë civile që përfaqësojnë dhe angazhohen për edukimin gjithëpërfshirës seksual dhe të drejtat e komunitetit LGBT.

Burimi: pixabay.com

“Nga ne për ne” është pjesë e të ashtuquajturës „lëvizje anti-gjinore“ – një term akademik që u referohet lëvizjeve në të gjithë Evropën dhe botën që kundërshtojnë konceptin e gjinisë dhe besojnë vetëm në “seksin biologjik”.

Kjo do të thotë, duke argumentuar se nuk ka role gjinore të ndërtuara shoqërisht, por ekzistojnë vetëm gjini të bazuara biologjikisht, lëvizjet kundër gjinive kundërshtojnë grupet e njerëzve dhe aktivitetet që ata i konsiderojnë "të panatyrshme", siç janë për shembull marrëdhëniet e të njëjtit seks dhe njerëzit transgjinorë.

Së fundmi, u shfaq një faqe interneti që duket se bashkon organizata të ndryshme që ndajnë disa vlera të krahut të djathtë: Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve. Shoqata „Nga ne për ne“ është në listën e organizatave, shoqatave dhe faqeve të rrjeteve sociale që janë pjesë e këtij koalicioni.

Në listë janë edhe faqja transfobike e Facebookut „Merrni përgjegjësinë“, partia politike „Rodina Maqedoni“ dhe "Lidija srce shto çuka", një organizatë që kundërshton të drejtën e abortit. Ky Koalicion padyshim që përhap homo/bi/transfobi dhe demonizon komunitetin LGBT, duke e paraqitur atë si një komunitet të rrezikshëm për fëmijët. Por sigurisht, Koalicioni paraqitet thjesht si një organizatë e “shqetësuar” për fëmijët.

Duhet theksuar se ka shumë pak gjasa që pas këtij Koalicioni të qëndrojnë "prindër të shqetësuar" të zakonshëm, pasi në vetë faqen e internetit shkruan se partneri kryesor i Koalicionit është Family Watch International (FWI), një organizatë amerikane që kundërshton edukimin gjithëpërfshirës seksual, të drejtat e komunitetit LGBT dhe të drejtën e abortit. Koalicioni mbështetet gjithashtu edhe nga organizata transfobike skandinave Gender Identity Challenge Skandinavia. Edhe pse është ende e paqartë nëse ky Koalicion merr drejtpërdrejt financime nga këto dy organizata shumë më me ndikim, veçanërisht FWI e cila ekziston vetëm që nga viti 1999, këto lidhje të mundshme nuk duhet të injorohen.

Retorika e përdorur nga Koalicioni është shumë e ngjashme me atë që përdorin këto dy organizatave të huaja. Për shembull, Koalicioni shkruan si më poshtë:

Ne besojmë se çdo fëmijë meriton një fëmijëri të sigurt dhe pa shqetësime. (...) Fatkeqësisht, ajo fëmijëri paqësore filloi të trazohej nga futja e ideologjive të ndryshme në arsim, më e frikshme prej të cilave është ideologjia (trans)gjinore, e cila promovon idenë se gjinia është e ndryshueshme dhe burrat mund të bëhen gra dhe gratë mund të bëhen burra.

Gjuhë urrejtjeje për shkak të një stoli shumëngjyrësh?

Lëvizja antigjinore e deritanishme dhe veçanërisht ky Koalicion ka krijuar një rrëfim që frikëson prindërit sesi fëmijët e tyre do të "indoktrinohen" në sistemin shkollor përmes "propagandës LGBT" dhe kështu do të bëhen të pasigurt dhe do të humbasin pafajësinë e tyre. Pikërisht kjo frikë nga “indoktrinimi LGBT” në arsim mund të shihet në një situatë shumë absurde në rrjetet sociale që ka ndodhur javën e kaluar. Dejan Slamkov ishte shënjestër e gjuhës së urrejtjes për shkak të një stoli të lyer me ngjyrat e ylberit në fshatin e tij të lindjes, Stojakovë. Ishte Slamkov ai që u sulmua për këtë stol, me shumë gjasa sepse ai është "out" publikisht si homoseksual, është një aktivist i ri për të drejtat e komunitetit LGBT dhe drejton podcast-in e fokusuar te LGBT, Save Our Children.

Edhe pse nuk është e qartë nëse këto lëvizje e kishin shkaktuar incidentin me Slamkovin, ne nuk duhet të nënvlerësojmë narrativat antigjinore dhe efektet e tyre të mundshme.

“Stereotipet e shoqëruara nga teoritë konspirative, këtë stol e lidhën me mua. Në njëfarë mënyre, një stol shumëngjyrësh në shkollë u vendos nga banori i rëndomtë i Stojakovës që të lidhej me flamurin e Krenarisë LGBT. Ai vendosi ta ndajë atë “përfundim” në profilin e tij në Facebook, në mënyrë që në komente njerëzit të më shpallin “kryetar i komunitetit Lgbt” që i bëri të gjitha këto dhe se “u bëj thirrje të rinjve të bëhen anëtarë të komunitetit”. Sinqerisht nuk e dija nëse të qeshja apo të qaja me këtë gjë, shpjegoi Slamkov incidentin për Res Publica.

“Ky postim dhe të gjitha komentet që pasuan tregojnë se njerëzit nuk kanë njohuri se çfarë do të thotë të jesh pjesë e komunitetit LGBT+, e lëre më të kuptojnë ndjenjat dhe përvojat tona. Kam marrë kërcënime të drejtpërdrejta për jetën dhe ofendime nga persona që janë fqinjë të mi, d.m.th. ne vijmë nga i njëjti vend i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe ato fjalë tani më bëjnë të ndihem i pasigurt kur vizitoj Stojakovën”, shtoi Slamkov.

Slamkov e raportoi këtë incident në polici për gjuhë të urrejtjes për shkak të orientimit seksual. Fatkeqësisht, kjo lloj gjuhe sanksionohet rrallë nga autoritetet përgjegjëse. Meqenëse lëvizja kundër gjinisë rrallëherë është dënuar për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, ka shumë gjasa që kërcënimet ndaj Dejan Slamkovit të mbeten gjithashtu të pandëshkuara.

E gjithë kjo na çon në pyetjen: a mund të ndihen personat LGBT të sigurt dhe të mbrojtur nga autoritetet shtetërore në Maqedoni?

Elena Gagovska

Elena Gagovska është shkrimtare, studiuese dhe gazetare e cila ka diplomuar në Bard College Berlin, ndërsa aktualisht jeton në Shkup. Ajo është e interesuar dhe shkruan për tema të ndryshme politike si feminizmi ndërsektorial, politika majtiste, antiracizmi, të drejtat e punëtorëve dhe LGBTI- komunitetit. Ajo publikon rregullisht artikuj në platformën feministe "Meduza" ndërkaq është publikuar edhe në shumë media të tjera vendase dhe të huaja si Women's Media Center, Summer of Solidarity dhe Jacobin.