Sipas ekspertëve, sot e djathta ekstreme po bëhet e nevojshme në krijimin e qeverive. Këto parti nuk mund të shpërfillen më.
E mbani mend vitin 1999, kur shefi i atëhershëm i diplomacisë belge, Louis Michel kishte thënë se nuk do të shkonte më për ski në Austri? Arsyeja - në këtë vend kishte fituar e djathta ekstreme e udhëhequr nga Jörg Haider, udhëheqësi karizmatik i partisë FPO.
Në vitin 2000, Haider kishte vota të mjaftueshme për t'u bërë kryeministër i Austrisë, por pas reagimeve të ashpra të BE-së me kërcënime për sanksione të mundshme, ai nuk arriti të bëhet njeriu i parë i qeverisë. Në zgjedhjet e vitit 2017, FPO-ja u rikthye në skenën politike me mbi 40 për qind të votave të fituara Një qeveri legjitime nuk mund të formohej pa to, kështu që kristiandemokrati Sebastian Kurz i mori në pushtet.
Në BE, këtë herë askush nuk u emocionua. Për BE-në, qeveria Kurz ishte pro-evropiane dhe Jean-Claude Juncker, atëherë president i Komisionit Evropian (KE), tha se Austria do të vlerësohej nga veprat e saj.
Harta e zezë e Evropës
Gjashtë vjet më vonë, në hartën politike të BE-së, nuancat e zeza filluan të dominojnë. Ngritja e ekstremit të djathtë është evidente në Francë, Belgjikë, Holandë, Austri, Suedi, Finlandë, Danimarkë dhe në Itali ata udhëheqin shtetin.
Në Itali, një vit e gjysmë më parë, Giorgia Meloni erdhi në pushtet me partinë e saj Vëllezërit e Italisë. Gjatë fushatës zgjedhore, BE-ja dërgoi kërcënime dhe shpalli sanksione ndaj Melonit.
Por pas vetëm një viti, nga një “populiste” dhe “post-fashiste”, Meloni u shndërrua në një partner normal. Ajo pretendon se i ka kthyer faqen trashëgimisë fashiste, por revizionizmi historik është i pranishëm. Në fillim të janarit në Romë, qindra njerëz përdorën përshëndetjen fashiste pavarësisht simboleve të ndaluara fashiste. Maloni nuk e dënoi këtë grup. Gjykata e Lartë e Italisë vendosi më 19 janar 2024 se "kryerja e përshëndetjes fashiste nuk është një krim në Itali".
Deklaratat e ashpra elektorale të Melonit kundër komunitetit LGBT, migracionit, abortit dhe burokratëve në Bruksel duket se janë zbehur për momentin. Të harruara? Apo po presin kohë më të mira në të cilat njerëzit e njëjtë me Melonin do të sundojnë në vendet më të mëdha të BE-së? Sondazhet tregojnë se kjo mund të ndodhë këtë vit pas zgjedhjeve të BE-së në qershor.
Në Francë, partia e Marine Le Pen, e kryesuar nga presidenti i ri Jordan Bardela, është forca e dytë politike në vend. Shanset e Le Pen për t'u ulur në Pallatin Elysee janë vazhdimisht në rritje. Një sondazh i dhjetorit të vitit 2023 zbuloi se 45 përqind e francezëve mendojnë se Le Pen dhe partia nuk janë kërcënim për demokracinë.
Sondazhet në Belgjikë parashikojnë një fitore të gjerë për të djathtën ekstreme Vlaams Belang. Në Gjermani ekstremistët e Alternativës për Gjermaninë janë forca e dytë politike sipas sondazheve. Në Holandë, në nëntor, zgjedhjet fitoi ekstremisti Geert Wilders. Pikëpamjet e tij janë një prej më ekstremeve në Bashkimin Evropian.
Wilder do të donte që Holanda të largohej nga BE-ja. Nën ndikimin e një partneri ultra të djathtë, qeveria finlandeze ndjek një politikë anti-migrante pavarësisht hulumtimeve ekonomike që pretendojnë se Finlanda duhet të trefishojë numrin e saj të emigrantëve. Në Suedi, ekstremistët nuk janë në qeveri, por ndikimi i tyre është i pamohueshëm.
Evropa po braktis vlerat e saj themelore
Në fakt, partitë e ekstremit të djathtë në BE nuk e kanë më problem zbatimin e politikave të tyre populiste dhe raciste. Fjalori i tyre ka hyrë në diskursin e kristiandemokratëve, por edhe të liberalëve.
Disa analistë janë të bindur se partitë tradicionale demokratike duhet të marrin pozicione të së djathtës ekstreme për të fituar mbi votuesit. Por Blanca Garces nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Barcelonë beson se po ndodh e kundërta:
“Kur këto parti miratojnë postulate të ekstremit të djathtë, automatikisht u japin atyre legjitimitet në proceset zgjedhore. Përgjigja duhet të përbëhet mbi të gjitha nga propozimet për politika alternative që ofrojnë një të ardhme të besueshme”, konsideron Garcez.
Fajtori kryesor për ngritjen e së djathtës ekstreme, sipas saj, janë krizat e njëpasnjëshme dhe politika shtrënguese.
“Recesioni i shkaktuar nga politikat shtrënguese ka rritur mosbesimin ndaj forcave tradicionale politike dhe ka rritur mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë. Ne kemi nevojë për një shtet që do të vazhdojë funksionin e tij të rishpërndarjes dhe të garantojë drejtësi sociale dhe akses të barabartë në të mirat e përbashkëta”.
Një pikëpamje të ngjashme ka edhe analisti belg David Van Reybrouck. Kthesa drejt ekstremit të djathtë në Evropë filloi në vitet '80, thotë ai në një debat në televizionin kombëtar belg.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, u shfaq kapitalizmi demokratik. Por ne duhej t'i jepnim kapitalizmit një ekuilibër demokratik si sindikatat dhe një dimension social", thotë ai. Dhe shton se ky ekuilibër mes punëtorit dhe punëdhënësit ka pësuar ndryshime të forta në dekadat e fundit. Sot punëtori ka frikë se do të humbasë punën. Në skenë, thotë ai, doli neoliberalizmi, globalizimi, robotizimi... Për qytetarin këto koncepte janë abstrakte dhe për këtë arsye ai kthehet kundër të huajit, emigrantit të cilin mund ta shohë dhe të fajësojë për të gjitha frustrimet në shoqëri.
Burimi: freepik.com
Frika është gjithashtu një armik i madh i demokracisë dhe Evropa i frikësohet një krize të re migracioni dhe frika nga e djathta ekstreme përdoret për të justifikuar shumë reagime politike.
Frika nuk është kurrë një këshilltar i mirë, dhe për këtë arsye Evropa përballet me rrezikun e braktisjes së vlerave të saj më themelore, që përfaqëson një tjetër fitore për të djathtën ekstreme," thotë Garces.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Francë këto ditë. Partia Liberale e Emmanuel Macron miratoi një ligj të diskutueshëm të imigracionit, pa konsensus me forcat e tjera politike në Parlament. Ose, siç do të thoshte VMRO-DPMNE-ja jonë, në mënyrë “kontrabandiste”.
Qeveria miratoi ligjin duke përdorur nenin 49-3 të Kushtetutës që i lejon Kryeministrit të miratojë legjislacionin pa votim në Kuvend. Pas miratimit të ligjit, partia e Le Pen shpalli një fitore ideologjike ndaj pushtetit.
Emigrantët si kërcënim për mënyrën evropiane të jetesës
E djathta ekstreme dëshiron të sigurojë dhe mbrojë demokracinë, ndër të tjera, nga Islami dhe emigracioni, të cilat, sipas tyre, janë një kërcënim për identitetin evropian. Ky trend u forcua veçanërisht pas valës së refugjatëve nga Siria në vitin 2015.
Suedia, nën presionin e ekstremit të djathtë, dëshiron të vendosë kushte të reja që do të lejojnë azilkërkuesit dhe emigrantët të dëbohen për varësinë nga droga, shoqërim me grupe kriminale ose deklarata që kërcënojnë vlerat suedeze dhe mënyrën e jetesës suedeze.
Në tezën e tij të doktoraturës kushtuar ngritjes së këtyre partive, profesori belg në Universitetin e Lièges, Francois Dabras, vëren se për kreun austriak të FPO-së, Herbert Kickl, "emigrantët janë injorantë dhe kriminelë" dhe nëse "nuk janë të integruar në tregun e punës, kjo është për shkak të nivelit të tyre të ulët arsimor”. Emigracioni përdoret si sinonim për pasigurinë në rritje, shkruan Debras.
Fjalori i Le Pen dhe anëtarëve të partisë së saj është i ngjashëm, shkruan Debras. “Në fjalimet e kësaj partie, identiteti francez dallon popullin dhe elitat, por edhe një grup individësh të huaj për kombin francez. Në fjalimet e partisë, nuk shohim një kontradiktë të drejtpërdrejtë midis termit "demokraci" dhe çështjes së emigracionit, por mund të shohim një ndryshim të rëndësishëm midis francezëve dhe emigrantëve dhe midis traditave franceze dhe multikulturalizmit.
Normaliteti i ri
Idetë e së djathtës ekstreme nuk janë më tabu sot dhe ndahen edhe nga partitë tradicionale.
Në tezën e doktoraturës së Debras shkruhet se në vitet 90 partitë e ekstremit të djathtë nisën një fushatë për normalizimin. Fjalimet e tyre nuk përmendin më "racën", por kulturën ose fenë.
“Evoluimi i retorikës së partive të ekstremit të djathtë drejt mbrojtjes së dallimeve kulturore nuk do të thotë se racizmi është zhdukur, por që sot ai shprehet përmes një fjalori tjetër. Përmes një fjalori që nuk është i sanksionuar ligjërisht dhe që flet për të drejtën e diversitetit, lirisë dhe sekularizmit (….). Me pak fjalë, pavarësisht nëse është brenda një hierarkie racash apo kulturash, urrejtje ndaj hebrenjve apo myslimanëve, lufta kundër emigracionit apo kundër Islamit, ideologjia e së djathtës ekstreme mbetet pabarazia dhe racizmi”, thotë Debras. Ai thotë se sot mund të dëgjohen fjalë si “decivilizim” apo “egërsim”, terma të ekstremit të djathtë që hyjnë në diskursin publik. Pothuajse në të gjitha vendet e BE-së nuk ka asnjë tabu për ndërtimin e mureve kufitare apo qendrave të mbyllura për emigrantët. Gjërat që ishin të paimagjinueshme vetëm 20 vjet më parë. Sot ata janë pjesë e normalitetit të ri.
Ligjërimi publik dhe politik në Evropë dominohet nga mohimi ose minimizimi i racizmit. Por Agjencia për të Drejtat Themelore të BE-së (FRA) në vitin 2019 - "Të jesh zezak/e në BE", arrin në përfundimin se "racizmi në Evropë është i pranishëm në të gjitha nivelet e shoqërisë, në masën që pothuajse një në tre të anketuar të hulumtimit deklaruan se kishin qenë viktimë e ngacmimeve raciste. në pesë vitet e fundit, ndërsa 25% kishin deklaruar se ndjeheshin të diskriminuar kur kërkonin një punë."
Normaliteti i ri i së djathtës ekstreme në Evropë
Raporti i fundit i OJQ-së Këshilli Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (ESMO) ofron parashikime të qarta për rezultatet e zgjedhjeve evropiane të pranverës. Dy grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian (PE), EPP (Kristian Demokratët) dhe S&D (Socialistët), do të humbasin mandate, si në dy proceset e fundit zgjedhore. Parashikimet janë të këqija si për Liberalët ashtu edhe për të Gjelbërit.
Dy grupet fituese janë e djathta ekstreme - grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (ID).
Sipas ekspertëve, sot e djathta ekstreme po bëhet e nevojshme në krijimin e qeverive. Këto parti nuk mund të shpërfillen më. Dhe pika më e dobët e presioneve të ekstremit të djathtë janë pikërisht kristiandemokratët, të cilët promovojnë ide ekstreme, veçanërisht në lidhje me migracionin dhe ndryshimet klimatike.
Sipas autorëve të raportit, shumica e ardhshme në PE do të jetë skeptike ndaj klimës. Dhe “për çështje si mjedisi dhe emigracioni, kristiandemokratët do të jenë në grup me të djathtën ekstreme. Krahu i ekstremit të djathtë të PPE do të kërkojë aleatë midis ID ose ECR-së”, thotë Hicks.
Me pak fjalë, e djathta radikale evropiane mund të bëhet forca kryesore politike me 183 deputetë. Sipas parashikimeve të ESMO-s, viti 2024 do të jetë viti i ekstremit të djathtë.