Në fillim të këtij muaji, zyra për luftimin e korrupsionit dhe menaxhimin e cilësisë së Kantonit të Sarajevës filloi procedurën për verifikimin e ekzistencës së konfliktit të interesit për bartësit e funksioneve publike, menjëherë pas ditës së parë të punës në vitin 2023, kur hyri në fuqi Ligji i ri për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kantonin e Sarajevës. Për momentin janë duke u zhvilluar hetime për gjithsej trembëdhjetë persona.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi, Ligji bëri shumë pluhur në opinion dhe në mesin e funksionarëve, sepse është në kundërshtim me ligjin në nivel entiteti të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Në fakt, ligji aktual federal, i cili ka juridiksion më të madh se ligji kantonal, lejon funksione të dyfishta.
Zgjidhje të ngjashme ligjore ka edhe në nëntë kantonet e tjera. Kantoni i Sarajevës bën përjashtim, sepse ligji i ri është miratuar nga pushteti kantonal, i cili është në opozitë në të gjitha kantonet e tjera dhe në nivel federal. Respektivisht, ligji i ri në nivel të kantonit të Sarajevës është dorëzuar në procedurë parlamentare një vit më parë, kështu që megjithëse komuniteti ndërkombëtar insiston në përmirësimin e zgjidhjeve ligjore në të gjithë vendin me qëllim të luftimit të korrupsionit, miratimi i tij nuk ndërlidhet me statusin e vendit kandidat të Bosnjës dhe Hercegovinës për anëtarësim në BE.
E thënë thjesht, në pjesën më të madhe të territorit të Bosnjë dhe Hercegovinës lejohen funksione të dyfishta, kurse zgjidhja më absurde ligjore është në entitetin e Republikës Sërpska, ku një person lejohet të jetë përfaqësues në njësinë ose parlamentin e qytetit dhe drejtor i një institucioni publik, siç janë spitalet, qendrat shëndetësore, qendrat kulturore etj. Megjithatë, është e ndaluar të jesh njëkohësisht përfaqësues dhe drejtor i një ndërmarrje publike.
Pavarësisht kësaj, për vite me radhë shumë përfaqësues ishin në konflikt interesi dhe Komisioni Republikan për përcaktimin e konfliktit të interesit e arsyetoi me faktin se këta persona ishin emëruar ushtrues detyre, e jo drejtorë. Sipas Komisionit, ushtruesi i detyrës drejtor nuk është drejtor me kapacitet të plotë.
Pavarësisht nga mospërputhja me ligjin federal, Zyra për luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimin e cilësisë të Kantonit të Sarajevës nuk heq dorë nga zbatimi i ligjit. Në mesin e 13 zyrtarëve publikë, subjekt i kontrollit është edhe Adnan Deliq, përfaqësuesi i Popullit dhe Drejtësisë (NiP) në Parlamentin e Federatës së Bosnjë Hercegovinës dhe ministër i ekonomisë i Kantonit të Sarajevës, i cili ua rikujtoi mediave qëndrimin e tij të mëhershëm mbi funksionet e dyfishta, të cilin ai e publikoi në llogaritë e tij zyrtare në Facebook dhe LinkedIn, se nuk ka ndërmend të kryejë më shumë se një funksion.
Rikujtojmë se në zgjedhjet e kaluara ka fituar mandat në Parlamentin e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe pas pranimit të mandatit ka paralajmëruar se zgjedhja e tij nëse do t'i ofrohet do të jetë një nga funksionet në pushtetin ekzekutiv. Më pas ai do të hiqte dorë nga mandati i tij në Parlamentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Përveç Deliqit, opinionit iu drejtua edhe Marijela Hashimbegoviq, përfaqësuese e Frontit Demokratik (DF) në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës, e cila pretendoi se ajo i ka paraqitur kërkesë me kohë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë dhe Hercegovinës për të përcaktuar përfundimin e mandatit në Këshillin Komunal të Novo Sarajevo dhe Këshillin e Qytetit të Sarajevës, dhe ka marrë vendime të KQZ-së që konfirmojnë ndërprerjen e mandatit në këshilla, si dhe se me vendim nga muaji i 11-të ajo nuk është e punësuar në IP Teatri Kombëtar dhe, për rrjedhojë, nuk kryen funksionin e drejtueses së shërbimit teknik.
Ndërkohë, më 26 janar, Hashimbegoviq në rrjetet e saj sociale ka njoftuar se ka marrë Vendimin e Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Menaxhimin e Cilësisë të Kantonit të Sarajevës, sipas të cilit nuk ka konflikt interesi. Bëhet e ditur se për një përfundim të tillë ajo ka theksuar edhe më herët, duke pretenduar se ajo nuk është dashur të jetë subjekt i verifikimit dhe se Zyra është dashur të jetë më e detajuar në përzgjedhjen e përfaqësuesve për verifikim.
“Në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2022, votuesit më dhanë një mandat për të përfaqësuar interesat e tyre në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës. E pranova këtë detyrë të përgjegjshme. Për një kohë të shkurtër mbajta njëkohësisht postin e presidentes së Bordit Turistik të Kantonit të Sarajevës. Në ditën e parë të punës në vitin 2023, dhashë dorëheqjen nga Bordi Turistik i Kantonit të Sarajevës, i cili është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Konfliktin e Interesit," kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, Kenan Magoda, anëtar i Partisë Social Demokrate të Bosnjës dhe Hercegovinës (SDP) dhe ish-drejtor i Bordit Turistik të Kantonit të Sarajevës.
Ai pretendon se nuk ka dhënë dorëheqje më herët, për të mos rrezikuar zbatimin e planit financiar dhe programit të punës për vitin 2023, gjë që do të rrezikonte edhe procesin e punës së të gjithë Bordit Turistik të Kantonit të Sarajevës.
Burimi: pixabay.com
Pas festave të suksesshme të Vitit të Ri, siç tha edhe vetë, në ditën e parë të punës të këtij viti ka dorëzuar dorëheqjen, por me krenari do të vazhdojë të promovojë bukurinë e Sarajevës dhe Bosnjë e Hercegovinës, pavarësisht nga vendi i tij i punës.
Çfarë parashikon ligji i ri në Kantonin e Sarajevës?
Ligji i ri për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kantonin e Sarajevës ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe më 4 janar kanë filluar kontrollet e përfaqësuesve individualë. Ligji i ri ndalon kryerjen e më shumë funksioneve në të njëjtën kohë, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe me një rregullore të veçantë.
Kontrollet për 13 bartës të funksioneve publike janë vetëm fillimi
Përveç tre përfaqësuesve të përmendur më parë të cilët iu drejtuan publikut në media dhe përmes llogarive të tyre zyrtare në rrjetet sociale, Erduan Kafedxhiq, shefi i Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Menaxhimin e Cilësisë të Kantonit të Sarajevës, konfirmoi për media në 4 janar se kontrollet po kryhen edhe për Aljosha Çampara, përfaqësues i Popullit dhe Drejtësisë në Asamblenë e Kantonit të Sarajevës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë dhe hercegovinës, Davor Çiçiç, përfaqësues i SDP-së në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës, i cili më parë ishte ministër i financave kantonale, Sebija Izetbegoviq, drejtore e përgjithshme e KCUS dhe përfaqësuese e SDA-së në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës, pastaj Nihad Uk, përfaqësues i Partisë Sonë në Kuvendin e KS dhe këshilltar në Komunën e Qendrës, Abel Baltiq, këshilltar i SDP-së në Komunën e Novi Gradit dhe drejtor i IP Shtëpia e Shëndetit KS, Aida Ozhegoviq, këshilltare e NIP-së në Komunën e Novi Gradit dhe drejtoreshë e Shkollës Fillore "Grbavica II", Hamdija Hasanoviq, përfaqësues i SDA në Komunën Qendër dhe anëtar i Këshillit Drejtues i IP "Fondi Memorial KS", Miomirka Melank, përfaqësuese e Partisë Sonë në Kuvendin e KS dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Liritë dhe Barazi Gjinore në Komunën e Novo Sarajevës, dhe Midhat Kerla nga NiP, i cili është drejtor i Qendrës Arsimore të KS dhe anëtar i Komisioni për Statut dhe Rregullore në Komunën e Vogoshçës dhe për Lejla Khattab e cila është këshilltare e pavarur në Komunën Qendër dhe drejtoreshë e Fondit të KS për ndërtimin e banesave.
Kafedxhiq tha për mediat se ky është vetëm fillimi, kur bëhet fjalë për kontrollet sipas dispozitave të Ligjit të ri për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kantonin e Sarajevës.
Dyshime për seriozitetin e procesit
Kur flasim për zgjidhje ligjore në Bosnjë dhe Hercegovinë, shpesh do të dëgjojmë fjalinë se ligjet janë të mira, por jo edhe zbatimi i tyre.
Marijela Hashimbegoviq, përfaqësuese e Frontit Demokratik në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës, mbështeti, si të tjerët nga lista kontrolluese që folën publikisht - duke mohuar konfliktin e interesit në rastin e tyre, përpjekjet në luftën kundër korrupsionit.
“Pa vënë në pikëpyetje Ligjin e ri për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kantonin e Sarajevës dhe mospërputhjen e tij me Ligjin për konfliktin e interesit në organet e pushtetit të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, ku e njëjta gjë trajtohet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme, ajo hedh dyshime për qasjen serioze ndaj cilitdo emër që dyshohet për konflikt interesi. Mjaftonte të kërkoheshin dokumente që konfirmojnë sa më sipër," shkroi Hashimbegović më herët në mohimin e saj.
Mbështetje dhe lëvdatë për punën e Zyrës kundër korrupsionit në Kantonin e Sarajevës, në mënyrë të parezervë, mes tjerash dha edhe Adnan Deliq, por vërejtja e tij është për shërbimet e informimit, duke u sugjeruar të kenë një qasje më të kujdesshme në transmetimin e informacioneve, të cilët në cilëndo mënyrë mund të ndikojnë në prishjen e imazhit të individit, të cilët kanë parime dhe integritet politik.
Lufta kundër korrupsionit është themeli i sigurisë kombëtare dhe sundimit të ligjit në shoqëritë me traditë të gjatë demokratikeBorba protiv korupcije temelj je nacionalne sigurnosti i vladavine prava društava sa dugom demokratskom tradicijom.
Duke marrë parasysh faktin se Bosnja dhe Hercegovina që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur edhe mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, një hapë më afër familjes evropiane, është e qartë se pikërisht në çështjen ndër më kryesoret në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të jetë në një fokus të posaçëm të bashkësisë ndërkombëtare.
Rezultatet e verifikimeve me siguri do të tregojnë nëse ndonjë nga 13 bartësit e funksioneve publike të përfshirë nga kontrollet është në konflikt interesi. Miratimi i një ligji të ri është një hap i rëndësishëm, sepse korrupsioni në Bosnjë dhe Hercegovinë është një nga çështjet më të hidhura, për të cilën bashkësia ndërkombëtare ka insistuar prej vitesh dhe qytetarët po humbasin besimin në sistem. Për vlerësimin e zbatimit të Ligjit do të presim rezultatet e para dhe fjalën e profesionit, si dhe zgjidhjet e reja ligjore në territorin e gjithë Bosnjës dhe Hercegovinës.
Duhet theksuar se edhe më herët Bashkimi Evropian ka mbajtur qëndrim se nuk do të negociojë me subjekte dhe kantone, por me shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Prandaj, qeveria e re pritet të rregullojë luftën ligjore kundër korrupsionit në nivel shtetëror dhe entitetesh dhe jo në nivele më të ulëta të qeverisjes.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.