fbpx

A do të sjellin zgjedhjet historike një të ardhme më të mirë?

Murat Aliu

Politika

17.05.24

Прегледи

Më 8 maj në Republikën e Maqedonisë së Veriut u realizuan zgjedhjet e rregullta të dyfishta, ata presidenciale dhe parlamentare. Fushata parazgjedhore dhe procesi zgjedhor në masë të madhe kaluan në një atmosferë të qetë dhe demokratike, me shumë pak incidente dhe parregullsi.

Sidoqoftë sipas rezultateve të para zyrtare të shpallura nga Komisioni shtetëror zgjedhor VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate, Fronti Europian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për İntegrim, 19, LSDM 18, koalicioni VLEN 13, partia e së majtës ekstreme LEVİCA 6 mandate dhe partia ZNAM po ashtu 6 mandate. Ndërkaq në garën presidenciale kandidatja Gordana Siljanvska-Davkova shënoj një fitore bindëse duke marrë 561 000 vota ose 65% kundrejt kundër kandidatit të saj, presidentit aktual, Stevo Pendarovski, kandidat i propozuar nga LSDM i cili fitoi vetëm 251 899 vota ose 29%.

Çka flasin numrat?

Pa asnjë diskutim surpriza më e madhe, thuajse e pabesueshme e këtyre zgjedhjeve ishte rënia drastike në vota dhe humbja spektakolare e LSDM-së e cila tanimë për më shumë se gjashtë vjet e gjysmë udhëhiqte me vendin. LSDM me 18 mandate të fituara bëri që për herë të parë në historinë e pluralizmit politik njëra nga dy partitë kryesore maqedonase në RMV të dalë si parti e tretë me radhë. Numri prej rreth 154 000 votash të fituara është rezultati më i dobët që ka shënuar kjo parti në historinë e saj.

Sigurisht shkaqet dhe arsyet për këtë rënie të votave mundë të jenë të shumta dhe ndryshme. Por në thelb janë dy arsye kryesore që LSDM-në sollë buzë greminës në këto zgjedhje: marrëveshjet e nënshkruara me Greqinë, Bullgarinë dhe “Propozimi Francez” të cilët u parashtruan si parakusht për integrimin e vendit në NATO dhe BE dhe keqqeverisja gjatë këtij mandati të fundit.

Marrëveshja e për Miqësi dhe Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë e nënshkruar në vitin 2017, Marrëveshja e Prespës e nënshkruar në vitin 2018 me të cilën parashihej ndryshimi i emrit të Maqedonisë, dhe së fundmi pranimi i të ashtuquajturit Propozimit Francez që në fakt ishte një lloj marrëveshjeje me të cilën Maqedonia obligohej që të ndryshoj kushtetutën e saj dhe të inkorporoj pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës me qëllim që RMV t’i filloj negociatat për anëtarësim të plotë në BE- të gjitha këto nga maqedonasit u përjetuan si një sulm ndaj shtetësisë dhe identitetit kombëtar maqedonas.

Të gjitha këto marrëveshje, të cilat në një farë mënyre ndërhyjnë në identitetin kombëtar, nga maqedonasit etnikë u perceptuan si përpjekje të LSDM-së, të ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, para së gjithash SHBA dhe BE dhe shqiptarët, për të shpërfytyruar identitetin kombëtar maqedonas.

Nga ana tjetër mandati i fundit i qeverisjes së LSDM-së u përshkrua me përplot skandale korruptive, papërgjegjësi politike dhe arrogancë politike. Kriza ekonomike, inflacioni, politizimi i administratës publik, rrënimi i sistemit gjyqësor e shumë  të tjera janë vetëm disa nga faktorët të cilët ndikuan në këtë rezultat të dobët të LSDM-së. LSDM dhe BDI me një arrogancë të paparë shpërfillën paralajmërimet dhe vërejtjet e ambasadorëve të huaj, opinionit publik dhe raporteve të shumta të institucioneve ndërkombëtare të cilët adresonin këto problematika.

Ndërkaq BDİ ka qenë një barrë e rëndë për LSDM në katërvjeçar të qeverisjes së tyre. Çmimi i shndërrimit të institucioneve shtetërore në zyra partiake nga funksionarët e BDİ-së, arroganca e disa zyrtarëve të tyre dhe folklorizmi politik iu faturua LSDM-së e cila nuk arriti të tregoj autoritet të mjaftueshëm të parandaloj koalicionin e saj të dytë në qeveri.

Qeverisja katwrvjecare e LSDM-së e cila u shënjua me skandale politike dhe afera korruptive, si fshehja e kontratës së nënshkruar me kompaninë Bechtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 10 dhe 8 nga publiku, mungesa e përgjegjësisë penale për djegia në spitalin modular në Tetovë, akti i urryer në spitalin onkologjik dhe kompromiset për “çështjen maqedonase” në emër të integrimit të vendit në BE, u kapitalizuan politikisht nga partia konservatore dhe nacionaliste VMRO-DPME.

VMRO DPMNE me një narrativ nacionalo-populist arriti që të bind elektoratin maqedonas që marrëveshjet e lartë përmenduara dhe veçmas i ashtuquajturi “Propozimi Francez” ishte një kapitullim i Maqedonisë, siç argumentuan ata para “diktatit bullgar” dhe se në fakt LSDM me vetëdije ka përligjur tezat bullgare sipas së cilave populli maqedonas dhe gjuha maqedone është një krijesë artificiale, shpikje jugosllave e pas vitit 1944. Pothuajse i gjithë diskursi politik i këtyre tri viteve të fundit i kësaj partie u reduktua në frazën e famshme “Jo diktatit bullgar”.

Arsyeja e dytë për këtë fitore absolute të VMRO DPMNE-së ka të bëj me retorikën e ashpër kundër BDİ-së. Pothuajse pjesën më të madhe të kohës nëpër tubimet lideri i  saj, Hristijan Mickovski fliste për korrupsionin e eksponentëve të BDİ-së në qeveri dhe për atë se si shteti udhëhiqet nga 100 politikan të BDI-së me qëllim për të grabitur qytetarët.

Burimi: vecer.press

Kjo narrative i VMRO DPMNE-së dhe liderit të saj krijoj bindjen në mesin e qytetarëve maqedonas që LSDM ua ka dorëzuar shtetin shqiptarëve dhe se ekziston një aparteid. Në këtë pikë motoja kryesor e kësaj partie ishte që LSDM është shndërruar në “shërbëtor” i BDI-së dhe në nëntekst i shqiptarëve. Narrativi kryesor i Mickovskit ishte që maqedonasit  kanë filluan të ndjehen si qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre. Kjo gjuhë domosdoshmërish rriti edhe sentimentin nacionalist në mesin e qytetarëve maqedonas, veçmas në qarqet konservatore.

Analizuar me terma ideologjik e politik numrat flasim për një fitore të forcave konservatore dhe nacionaliste përkundrejt liberaleve të majtë të udhëhequr nga LSDM dhe kandidati i tyre për president, Pendarovski. Kjo fitore e forcave konservatore dhe nacionaliste dëshmoj edhe njëherë që për maqedonasit etnik çështjet identitare janë më të rëndësishme se sa agjenda evropiane dhe liberale.

Tek spektri politik shqiptar rezultatet flasin për një balancim relativ të forcave politike. Fronti Europian i udhëhequr nga BDİ edhe përkundër faktit që arriti të siguroj 19 mandate dhe kështu të dal si forca e dytë politike në vend, duket që nuk është e kënaqur me këtë rezultat. Kjo ngase pritej një fitore akoma më të thellë përkundër VLEN, koalicionit opozitar shqiptar.

Megjithatë për dallim nga qytetarët maqedonas të cilët dënuan keqqeverisjen e LSDM-së, rezultatet flasin që shqiptarët janë të kënaqur me qeverisjen e BDİ-së. Raporti klientalist i votuesit me partinë, retorika nacionaliste e përdorur nga liderit Ali Ahmeti,  koalicionimi me 8 parti të tjera si dhe paorganizimi i koalicionit VLEN mundë të radhiten si arsyet kryesore të fitores së Frontit Europian.

Nga ana tjetër koalicioni VLEN edhe pse vetëm me 13 deputet, pas shumë kohësh në kampin politik shqiptar arriti të sjellë një dinmikë dhe imponoj konkurencën politike. VLEN me mbi 107 mij vota pas një kohë të gjatë arriti të imponohet si një oponencë e rëndësishmë dhe serioze përkarshi BDI-së e cila gati se 20 vjetë përbënte një forcë hegjemonë ndër shqiptarët e Maqedonisë.

Ndryshimet kushtetuese sfida kryesore e qeverisë së re!

Kontaktet e para ndërmjet partive politike për koalicionim vetëm më se kanë filluar. Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski në intervistën e dhënë për televizionin Kanal 5, “Samo Intervju” përsëriti qëndrimin e tij se partneri qeveritar nga kampi politik shqiptarë dëshiron të jetë VLEN. Ndërkaq të shtunën e kaluar lideri i VMRO DPMNE-së bashkë më bashkëpunëtorët e tij duke u takuar me liderët e partive politikë të koalicionit VLEN, në selinë e tyre, demonstroj simbolikisht dëshirën dhe vullnetin e tij dhe partisë për të bashkë qeverisur me VLEN.

Megjithatë kjo duket që është sfida më pak e rëndësishme. Para Mickovskit dhe qeverisë së re e udhëhequr nga ai do të përballet me sfida të rënda dhe shumta. Korrupsioni enorm, rrënimi i institucioneve shtetërore dhe sistemit gjyqësor, kriza ekonomike, marrëdhëniet ndëretnike, raporte me fqinjët tanë, Bullgarinë dhe Greqinë dhe sigurisht ndryshimet kushtetuese janë vetëm disa nga sfidat me të cilat do të përballet qeveria e re.

Nga të gjitha këto më sfiduesja dhe që realisht mundë të shkaktoj diferencime dhe përplasje edhe brenda partnerëve qeveritar por edhe presion ndërkombëtar është pa dyshim çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe integrimit të vendit në BE.  Duke që ndryshimet kushtetuese do të jetë kafshata me e vështirë e cila do duhet të gëlltitet nga qeveria konservatore e VMRO DPMNE-së përgjatë këtij mandati.

Për dallim nga LSDM, VMRO DPMNE përkarshi ndryshimeve kushtetuese është shumë më skeptike dhe e rezervuar. Nga ajo që dëgjojmë dhe shohim deri më tani VMRO DPMNE nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saja të ditura sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Mickovski në intervistën e lartëpërmendur deklaroj që “nëse Bullgaria nuk është gati për lëshime, ata do t'i drejtoheshin agjendës së brendshme dhe do të prisnin një garniturë të re qeveritare në Sofje.”

Këto qëndrime rigidë të VMRO DPMNE-së për faktorin shqiptar në vend dhe atë ndërkombëtar janë shqetësuese dhe “problematike.” Shqiptarët druajnë që mos VMRO DPMNE përsërit reprizën e qeverisjes dhjetëvjeçare të Gruevskit (2006-2016) dhe mban vendin larg integrimit evropian. Kjo pasi që për shqiptarët në Maqedoni alternativ tjetër për vendin nuk ekziston. Partitë politike shqiptare para dhe gjatë kampanjës zgjedhore premtuan që si kusht për koalicionim me VMRO DPMNE do të jenë ndryshimet kushtetuese.

Parë nga ky këndvështrim dhe duke ditur qëndrimet e VMRO DPMNE-së dhe partive politike shqiptare është evidente që çështja e ndryshimeve kushtetuese do të përbëjnë një problem serioz gjatë këtij mandatit të ardhshëm. Sado që për momentin VLEN e cila me shumë gjasa do të jetë partneri i VMRO DPMNE-së në qeverinë e re nën ndikimin e euforisë duket se ka harruar këtë premtim dhe ka filluar të reterojë nga qëndrimi që ndryshimet kushtetuese do t’i vendos si kusht për koalicionim, herët e vonë do të përballet me presionin e shqiptarëve, nëse këto ndryshime nuk ndodhin në një afat të “arsyeshëm.”

Nga ana tjetër duket shumë e vështirë që të ndodh çfarëdo ndryshimi të kornizës negociuese të RMV-së me BE, ashtu siç kërkon VMRO DPMNE. Në Prill të këtij viti Eurokomesari evropian për zgjerim dhe çështje të fqinjësisë, Oliver Varheji, konfirmoj qëndrimin e Brukselit zyrtar duke thënë se kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian janë shumë të qarta dhe se nuk pret ndonjë ndryshim në kornizën negociuese.

Ndërkaq, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni, më 9 maj, kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme bullgar, Dimitar Gllavçec, deklaroj që Bullgaria nuk do të bëj kompromise të tjera në lidhje me “problemin maqedonaso-bullgar”.

A do të sjellë shpresë qeveria e re?

Është evidente që fitorja e VMRO DPMNE tek qytetarët etnik maqedonas ka sjellë një entuziazëm dhe shpresë që ndërlidhet kryesisht me rikthimin e krenarisë kombëtare. Jo rastësisht motoja dhe slogani kryesor i VMRO DPMNE-së në këto zgjedhje ishte “Maqedonia sërish e juaja”. Duket qartë që kjo narrativ tek qytetarët etnik maqedonas ka ngjallur shpresën për “rikthimin e shtetit dhe krenarisë kombëtare”, pasi që gjatë këtyre viteve u krijua percepcioni që shteti ju dhurua dikujt “tjetër” dhe se kombi maqedonas humbi dinjitetin dhe krenarin kombëtare.

Tek shqiptarët etnik situata duket se është më e komplikuar dhe shqiptarët gjenden në një situatë të paqartë: shqiptarët akoma nuk e kanë të qartë se çfarë i pret ato në të ardhmen. Nga njëra anë ekziston një drojë dhe frikë se si VMRO DPMNE do të trajtoj partnerin e tyre shqiptar në qeveri dhe siç u argumentua më lartë ekziston dyshimi a mos vallë rikthehet periudha e qeverisjes dhjetëvjeçare të Gruevskit, e cila në kujtesën kolektive të shqiptarëve ngjall frik dhe dëshpërim.

Gjithashtu çështja e integrimit evropian përbën një shqetësim për shqiptarët duke pasur parasysh legjitimitetin e fuqishëm të VMRO DPMNE-së dhe qëndrimet e tyre përkarshi kësaj çështjeje.

Ndërkaq nga ana tjetër, përderisa votuesit e BDİ-së duken të zhgënjyer nga fakti që ajo mundë të ngel në opozitë, pjesa tjetër e shqiptarëve, pra kampi opozitar duket më me shpresë dhe të entuziazmuar për faktin që pas 22 vitesh pushtet të BDİ-së, ajo përfundimisht shkon në opozitë.

Parë në përgjithësi tek qytetarët megjithatë ekziston një shpresë sa do e vogël që të jetë ajo që përfundimisht ky shtet do të bëhet njëherë e përgjithmonë. Pritjet e qytetarëve janë të fokusuara veçmas në luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e cilësisë së jetesës.

Me e rëndësishmja nga të gjitha këto është se të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare dëshirojnë të jetojnë së bashku në këtë shtet.

 
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Murat Aliu

Murat Aliu u lind në vitin 1990 në Prilep. Studimet universitare i kreu në Universitetin Shtetëror në Tetovë në Fakultetin Juridik. Ai vazhdoi studimet pasuniversitare në Universitetin e Stambollit në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në të njëjtin vit, ai filloi studimet e doktoraturës në Universitetin e Stambollit në Departamentin e Studimeve Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Aktualisht punon në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup si asistent profesor në Departamentin e Studimeve Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Fushat shkencore në të cilat ai hulumton janë: Nacionalizmi, identiteti, ideologjitë politike, teoritë politike moderne, teoritë postmoderne.