fbpx

A jemi realisht të përgatitur për numërim?

Bllagica Novkovska

Politika

23.11.20

Прегледи

Blagica Novkovska

Blagica NovkovskaMe regullativën ligjore të propozuar, institucionet përkatëse tregojnë mos përgatitje të realizojnë regjistrimin e shumëpritur të popullsisë.

Dekada më parë, aktiviteti statistikor më i diskutuar është regjistrimi i popullatës. Temat më të ndjeshme në secilin prej këtyre diskutimeve janë vërtetësia e të dhënave të regjistrimit dhe besimi në to, ndërkaq kjo mund të arrihet vetëm përmes numërimit real. Vetëm numërimi realist mund të garantojë vlerën e përdorimit të rezultateve të kësaj veprimtarie statistikore më të gjerë dhe më të shtrenjtë. Së këndejmi, në këtë fazë të përgatitjeve të regjistrimit, pyetja më e rëndësishme është nëse jemi të gatshëm për numërim real.

Kjo pyetje gjithashtu u referohet atyre që janë përgjegjës për përgatitjet për kryerjen e Regjistrimit, por edhe atyre që kanë detyrim për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit - popullsisë.

Për të siguruar përgjigje në këtë pyetje, duhet të bëhet një vlerësim i kujdesshëm i punës së bërë deri më tani nga institucionet përkatëse përgjegjëse për procesin e regjistrimit (përmbajtja e pyetësorëve të regjistrimit, shkallën e gatishmërisë dhe nivelin e kompabilitetit të grupeve të të dhënave me metodologjinë e regjistrimit, metodat e vlerësimit të cilësisë së e rezultateve të regjistrimit, etj.), si dhe të Propozim-ligjit për regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2020.

Nga njëra anë, vetëm regjistrim i realizuar përmes procedurave transparente dhe të qarta për secilën fazë të procesit të regjistrimit mund të sigurojë besim në të dhënat e regjistrimit. Prandaj, projektligji për regjistrimin duhet të shqyrtohetnë detaje dhe me kujdes nga publiku i gjerë dhe profesional dhe nuk duhet të mbetet çfarëdo dyshimi në rregulloren e propozuar.

Kush do të regjistrohet?

Për të fituar besimin e popullatës në procesin e regjistrimit, përmbajtja e metodologjisë së regjistrimit dhe mënyra e zbatimit të tij janë më të rëndësishme.

Regjistrimi real i popullsisë dhe familjeve në Republikën e Maqedonisë varet nga përkufizimi i popullsisë së përgjithshme dhe më e rëndësishmja nga respektimi i plotë i saj. Rastësisht ose jo, ky përkufizim mungon në përmbajtjen e Propozim - ligjit për regjistrimin, por mungojnë edhe të dhëna të tjera të nevojshme (nëse regjistrimi do të jetë de jure apo de facto, cilat të dhëna do të përdoren nga grupet e të dhënave, mënyra e transferimit dhe kontrollit të të dhënave gjatë regjistrimit, afatet për publikimin e rezultateve, etj.) të cilat duhet të jenë pjesë përbërëse e legjislacionit të regjistrimit.

Sfida kryesore demografike me të cilën përballemi është të dimë realisht se sa jemi dhe kush jemi. Regjistrimi i ardhshëm duhet të bëhet pa mëdyshje mbi bazën më profesionale të mundshme për të siguruar të dhëna të besueshme dhe besim të plotë në to. Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) është i vetmi përgjegjës, i cili përballet me një sfidë historike për të mbrojtur profesionalizmin e statisticienëve dhe mos lejojë përzierje politike në asnjë fazë të aktiviteteve të regjistrimit. Faza e paraqitjes së propozim - ligjit për regjistrimin tregon se ESHS-ja, hyn në proces të humbjes së pavarësisë dhe integritetit profesional.

Përkufizime të pa kompletuara

Në nenin 5 të propozim - ligjit për regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2020, përcaktohet se cilët persona do të përfshihen në regjistrim. Ky nen i projektligjit informon se kush do të regjistrohet, por pa përcaktim se cilët persona nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve do të përbëjnë kontigjentin e popullsisë së përgjithshme, menjëherë krijohen dyshime serioze në rezultatet e regjistrimit dhe vlerën e tyre të përdorimit. Regjistrimi i të gjithë qytetarëve të RSM-së, pavarësisht nëse ata për momentin gjenden në vend apo jashtë vendit në kohën e Regjistrimit, hap shumë dilema për përfshirjen, besueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave për personat që do të regjistrohen.

Për personat që janë shtetas të RMV-së dhe të cilët do të mungojnë në kohën e regjistrimit, nuk është e qartë se kush do t'i sigurojë të dhënat, veçanërisht nëse mungojnë familje të tëra. Në raste të tilla të dhënat nuk mund të pritet të jenë të besueshme dhe të relevante.

Në të gjitha regjistrimet e mëparshme, pjesa më e ndjeshme ishin pyetjet në lidhje me karakteristikat etnike-fetare të popullsisë. Përgjigjet për këto pyetje merren ekskluzivisht nga deklarata personale e personave të regjistruar. Këto pyetje janë shumë të ndjeshme sepse ato hyjnë brenda privatësisë personave, prandaj është shumë e rëndësishme se si këto çështje do të organizohen në formularët e regjistrimit.

Formulimi i këtyre pyetjeve gjithashtu mund të ndikojë shumë në shprehjen e personave dhe duhet të respektohen rekomandimet ndërkombëtare që përgjigjet të merren përmes vetë-shprehjes së lirë (pyetje të hapura). Këtu, me gjithë peshën imponohet problemi i jo relevancës së pritshme të të dhënave të mbledhura për karakteristikat etnike-fetare.

Për personat për të cilët persona të tjerë do të japin të dhëna, nuk është e qartë se si ata mund të dinë të gjitha të dhënat që ata do t'i referohen veçanërisht karakteristikave etno-fetare të personave që mungojnë, sepse ato të dhëna janë me privatësi të garantuar. Në mungesë të specifikimit të kohëzgjatjes së punës ose qëndrimit të përkohshëm, mund të pritet që ata që janë shtetas të RMV-së dhe që punojnë dhe jetojnë jashtë për disa vjet, do të regjistrohen si persona që përkohësisht mungojnë.

Në atë rast, duhet të bëhet një dallim i qartë midis personave të përfshirë në popullsinë totale dhe personave që janë shtetas maqedonas me qëndrim të përhershëm jashtë vendit. Për ta mund të parashihet grup i veçantë pyetjesh përmes të cilave do të sigurohet informacioni përkatës mbi karakteristikat e tyre.

Dali sme podgotveni za realno prebrojuvanjeBurimi: faktor.mk

Përfshirja e mundshme e disa kategorive të personave në popullsinë totale (personat që me vite nuk janë të pranishëm në RMV, personat që do të gjenden gjatë regjistrimit në RMV, personat që punojnë përkohësisht ose banojnë jashtë vendit) mund të pritet të fitohet ndryshim thelbësor i paraqitjes dhe strukturës etnike-fetare, pas zbatimit të Regjistrimit.

Si do të zhvillohet regjistrimi?

Metoda e regjistrimit nuk është specifikuar në propozim - ligjin për regjistrimin, ndërkaq është përmendur vetëm mbledhjen e informacionit të regjistrimit duke përdorur kompjuter portativ dhe përdorimin e njëkohshëm të përmbledhjeve të të dhënave. Në mungesë të përcaktimeve të qarta dhe të sakta të procedurave të numërimit, lindin shumë dilema metodologjike dhe mosbesimi në vlefshmërinë e të dhënave që do të mblidhen.

Theksohet se do të ketë në të njëjtën kohë duke përdorur përmbledhjen e të dhënave dhe regjistrimin në terren. Mirëpo, askund nuk është specifikuar nga cilat përmbledhje të të dhënave dhe cilat të dhëna për personat, familjet dhe banesat do të përdoren dhe si do të kombinohen me të dhënat që do të mblidhen njëkohësisht përmes regjistrimit në terren.

Duke marrë parasysh që do të regjistrohen qytetarët e RMV-së që kanë vendbanime në shtet, një pyetje shumë serioze është në cilat përmbledhje të të dhënaveka të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të azhurnuara për të gjithë qytetarët?! Për shembull, për karakteristikat ekonomike, karakteristikat etno-fetare, statusin e invaliditetit, etj.

Duhet të shënohen mbajtësit e përmbledhjeve të të dhënave për të cilat janë përfunduar kontrollet për disponueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave dhe përputhshmërinë e tyre me metodologjinë e regjistrimit. Përndryshe, kjo mbart një rrezik serioz për të shkaktuar mosbesim të madh në të gjithë procesin.

Së fundmi, një precedent shqetësues rrit mosbesimin ndaj metodologjisë së propozuar. Gjegjësisht, në propozim - ligjin për regjistrimin nuk parashihet zbatimi i hulumtimit pas regjistrimit si instrument për vlerësimin e fushës dhe cilësisë së regjistrimit të kryer. Mungon edhe dinamika kohore për sqarimin e rezultateve të para dhe të përkufizuara të regjistrimit.

A jemi gati për numërimin në prill të vitit 2021?

Përgjigja për këtë pyetje është shumë e thjeshtë: nuk jemi gati.

Nuk jemi gati për numërimin për shumë arsye, por ato kryesore që mund të veçohen janë: rregullativa e paqartë e regjistrimit dhe situata me pandeminë COVID-19.

Me legjislacionin e propozuar, institucionet përkatëse tregojnë mos përgatitje për të kryer regjistrimin e shumëpritur vetëm dhe vetëm si aktivitet statistikor, sepse nuk është përcaktuar: cilët janë personat e regjistruar gjithsej; popullsia totale; cilat grupe të dhënash do të përdoren, për cilat të dhëna dhe për cilët nga personat që do të regjistrohen do të përdoren dhe; nuk parashikohet asnjë hulumtim pas regjistrimit. Publiku profesionist nuk është i gatshëm të nënvlerësohet me injorim në këtë fazë, as të pranojë rezultate të pa besueshme të regjistrimit të cilat mund të kenë pasoja negative shumë të mëdha.

Para së gjithash, legjislacioni i paqartë dhe i pasaktë mund të shkaktojë pasoja serioze për regjistrimin real të popullsisë së përgjithshme në RVM dhe pasqyrimin e karakteristikave të tij demografike, arsimore, ekonomike dhe të tjera.

Përveç kësaj, përmasat serioze, pasojat dhe pa parashikueshmëria e pandemisë duhet të merren parasysh dhe të riorganizohen aktivitetet kryesore të regjistrimit. Duke pasur parasysh këto rrethana, mund të thuhet me siguri se regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave nuk mund të kryhet në prill të vitit 2021.

Në favor të kësaj shkojnë edhe rekomandimet e Njësisë për Statistika të OKB-së (UNSD) dhe Fondi i OKB-së për Popullsinë (UNFPA) të cilat në kontekstin e ndikimit negativ të pandemisë aktuale, në shtator të vitit 2020 lëshuan një sërë rekomandimesh në të cilat zgjidhja më e arsyeshme propozohet shtyrja e regjistrimeve në vendet të cilat intensifikojnë aktivitetet përgatitore.

Shumë paqartësi

Legjislacioni i propozuar i regjistrimit nuk ofron përgjigje të qarta se si të sigurojmë të dhëna të besueshme, cilësore dhe relevante për popullsinë e RMV-së dhe profilin e saj demografik. Më poshtë është argumenti mbi të cilin mbështetet ky pohim i imi.

Problemi më serioz është neni 5 i projektligjit i cili specifikon se shtetasit e Republikës së Maqedonisë do të numërohen pavarësisht nëse janë në vend apo jashtë vendit, që do të thotë numërim i personave (dhe pastaj familjeve dhe banesave të tyre) të cilët as nuk janë dhe as nuk do të jenë pjesë e popullsisë së zakonshme totale të Maqedonisë. Kjo do të thotë rritje joreale e popullsisë me njerëz që jetojnë dhe punojnë në vende të tjera.

Pa përkufizim të qartë kush do të regjistrohet, kush do të hyjë në kategorinë e përgjithshme të regjistruar dhe kush në kategorinë e popullsisë totale të vendit, kjo veprimtari më e shtrenjtë statistikore do të jetë veprimtaria statistikore më e rrezikshme për të siguruar të dhëna reale dhe të besueshme për situatën demografike në vend.

Regjistrimi i të gjithë qytetarëve nënkupton identifikimin e regjistrimit me listën e votuesve, që nga aspekti i nevojës të dihet popullsia e përgjithshme e Maqedonisë, për të cilën në vitet e ardhshme do të vlejnë të gjitha planet, politikat dhe strategjitë është krijimi i një baze të të dhënave politike, dhe jo statistikore.

Regjistrimi i personave pa shtetësi të cilët janë të pranishëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut në momentin e kryerjes së Regjistrimit është legjitime sipas standardeve të regjistrimit, por vetëm nga aspekti i rekomandimeve të regjistrohen të gjithë personat që do të jenë në territorin e Maqedonisë në kohën e regjistrimit. Pa specifikuar qartë se ata do të jenë pjesë vetëm e kategorisë së personave të regjistruar gjithsej, por jo për numrin e përgjithshëm të popullsisë, bëhet më se e qartë se bëhet fjalë për shënjestrim të vetëdijshëm drejt një numri të shtuar të popullsisë në Maqedoni, por edhe për strukturë tjetër demografike nga ajo reale.

Rishikimi i nevojshëm i rregullativës së regjistrimit

Nga e gjitha që u tha më lartë, mund të konkludojmë se për të siguruar numërim real është e nevojshme të formulohet një legjislacion krejtësisht i ndryshëm i regjistrimit përmes një rishikimi të plotë ose përgatitjes së një Ligji të ri mbi regjistrimin, thelbësisht i ndryshëm nga ai i propozuar, i cili do të sigurojë përshkrim të qartë dhe të saktë të metodologjisë së regjistrimit, i cili do të përmbajë të gjitha elementet e nevojshme që u diskutuan në këtë tekst, të cilat mungojnë.

Për numërim real dhe sigurimin e besimit në procesin e regjistrimit dhe mbështetje nga popullsia, nevojiten përgatitje cilësore dhe transparentë për regjistrimin. Duke pasur parasysh ndikimin e të gjithë faktorëve, data më e përshtatshme për kryerjen e Regjistrimit të ardhshëm do të ishte prilli i vitit 2022.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Bllagica Novkovska

Bllagica Novkovska është profesoreshë universiteti, me titull Doktor i Ekonomisë dhe Master i Politikave Sociale. Ajo ka punuar për 27 vjet në Zyrën e Statistikave Shtetërore, prej të cilave dhjetë vjet si drejtoreshë e institucionit. Si eksperte, ajo ka punuar në shumë projekte të institucioneve ndërkombëtare, më të rëndësishmet nga të cilat janë: projekte të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, UNICEF-it, Komisionit Evropian, si në Maqedoni, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor dhe në Afrikë. Ajo është bashkëautore e disa librave dhe autore e disa punimeve shkencore të botuara në revista kombëtare dhe ndërkombëtare.