fbpx

Bashkimi rreth “të vërtetave historike” apo rreth dallimeve? (II)

Politika

28.05.21

Прегледи

Teksti është një përgjigje ndaj blogut "Për bashkimin rreth historisë sonë të përbashkët – perandori Samoil erga omnes (II)" nga Naum Kajchev, botuar më 21 maj 2021.

 

Ognen Vangellov dhe Ljupço Risteski

Vangelov RisteskiNe konsiderojmë se tezat e përfaqësuara nga z. Naum Kajçev kontribuojnë pikërisht në rritjen dhe forcimin e konfliktit midis dy popujve dhe shteteve. Tezat dhe qasja e z. Naum Kajçev kontribuojnë në rritjen e dallimeve të reja dhe të vështira midis brezave të ardhshëm të bullgarëve dhe maqedonasve.

Zoti Naum Kajçev përsëri sjell diskutimin në një rreth sa i përket interpretimit të Mesjetës, duke dashur të paraqesë në media diskutimin material në lidhje me Perandorinë e Samoilit, madje, duke cituar studime perëndimore, dëshiron të lë përshtypjen se të gjithë studiuesit e Mesjetës në rajon dhe botë janë unanim në qëndrimin se perandoritë mesjetare, (Perandoria e Parë Bullgare, Perandoria e Dytë Bullgare dhe Perandoria e Samoilit) trajtohen si perandori bullgare në kuptimin kombëtar (etno-kombëtar).

Interpretim i studimeve, e jo i fakteve të padiskutueshme

Në fakt, në lidhje me interpretimin mbi karakterin e shteteve mesjetare bullgare dhe identitetin etnik të popullsisë në to, përfshi edhe popullsinë në Maqedoni, e cila ka qenë pjesë e tyre në disa raste, sipas anëtarëve të palës bullgare të Komisionit ka ndodhur një "proces i përhershëm homogjenizimi etnik", kurse në artikullin e tij kohë më parë z. Naum Kajçev ishte shprehur se ishte konsoliduar "kombi mesjetar bullgar". Le të jemi plotësisht të qartë. Ky është një interpretim i studimeve, e jo i fakteve të padiskutueshme.

Problemi me një qasje të tillë është se "kombi mesjetar bullgar" kuptohet si një paraardhës logjik dhe i drejtpërdrejtë i etno-kombit modern bullgar, pjesë e të cilit janë edhe maqedonasit. Z. Naum Kajçev thotë se ai kurrë nuk kishte pretenduar se bëhej fjalë për "një homogjenizim 10-shekullor etnik", por vetë këmbëngulja për "homogjenizim të përhershëm etnik" të popullit të konsoliduar bullgar është një pretendim i vazhdimësisë etno-kombëtare të popullsisë të quajtur bullgare në atë periudhë dhe gjatë gjithë Mesjetës deri në mesin e shekullit të XX. Atëherë, sipas kësaj, maqedonasit, rezulton se janë vetëm një derivat (i krijuar në vitin 1944) i atij identiteti të vetëm të përbashkët bullgar deri në vitin 1944. Në fakt, bashkëkryetari i Komisionit nga pala bullgare, z. Angel Dimitrov e ka deklaruar pikërisht këtë para mediave këto ditë— se ata mund ta njohin popullin dhe gjuhën maqedonase nga viti 1944 e këtej. Kjo do të thotë se e gjithë trashëgimia kulturore dhe historike nga e kaluara në territorin e Maqedonisë është trashëgimi e popullit bullgar nga shekulli IX deri në vitin 1944. Pikërisht kjo është teza e "homogjenizimit 10-shekullor etnik" të kombësisë në territoret e vendeve të sotme - Bullgarisë dhe Maqedonisë (dhe më gjerë).

Dhe kjo është arsyeja pse është e tepërt të flitet për mënyrën se si ato perandori mesjetare karakterizohen në literaturë, sepse të gjitha ato studime flasin për periudhën bizantine dhe perandoritë e ndryshme në një kontekst mesjetar, pa u marrë me ndërtimin e miteve për trashëgiminë historike etno-kombëtare të asaj periudhe e deri më sot. Emërtimi i perandorive si bullgare është me të vërtetë i një rëndësie dytësore dhe madje terciare. Ne, si anëtarë të Komisionit, nuk kontestojmë aspak me emërtimet e atyre perandorive në studimet e ndryshme.

As nuk konsiderojmë se kjo duhet të jetë një çështje që ne si Komision duhet ta përcaktojmë. Sidoqoftë, nuk mund të pajtohemi që një emërtim i tillë të shoqërohet me një vazhdimësi etno-kombëtare të popullit bullgar në Bullgari, Maqedoni dhe më gjerë nga shekulli i nëntë deri më sot, dhe veçanërisht kështu të paraqitet në librat shkollorë në Maqedoni. Sigurisht që rekomandojmë që në këtë mënyrë të mos paraqitet as në librat shkollorë në Bullgari. Z. Naum Kajçev dhe anëtarët e tjerë të palës bullgare tregojnë për citime si dëshmi të tezës që ata po ndërtojnë, me të cilën ne nuk pajtohemi dhe nuk do të jemi në gjendje të biem dakord në të ardhmen. Dhe kjo nuk është një mosmarrëveshje për shkak të disa tekave/kapriceve, por një qëndrim parimor i pjesës maqedonase të komisionit.

Ne theksojmë përsëri se ne nuk e shohim mandatin tonë si një "Komision për të vërtetën historike" por si një Komision që duhet t'u japë rekomandime qeverive të dy vendeve për përkujtimin e përbashkët të disa ngjarjeve dhe personaliteteve për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore, e jo për të konfirmuar historinë tonë të përbashkët "bullgare". Në procesin e ndërtimit të besimit të ndërsjellë në frymën e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë midis dy vendeve dhe frymës së vlerave evropiane, të dy palët duhet domosdo ta gjejnë veten. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ky proces humbet vlerën e tij evropiane, dhe siç kanë rekomanduar tashmë disa autoritete të shquara evropiane në fushën e studimit të politikës së përkujtimit, kjo do të nënkuptojë vetëm zëvendësimin e një mënyre kolektive të kujtesës me një tjetër që nuk do të zgjidhë problemet as brenda shoqërive tona dhe as më gjerë.

Të gjithë jemi dëshmitarë që ky proces nuk i ka përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, përkundrazi është bërë një pengesë, instrumentalizim dhe përkthim i pikëpamjeve politike në një ultimatum për një vend fqinj në një proces në të cilin kërkon mbështetje për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Edhe përmirësimi i librave shkollorë të historisë, në përputhje me të gjitha rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë, si dhe përvojën pozitive evropiane dhe botërore, duhet të bëhet në një mënyrë që të zvogëlojë konfliktet midis dy shoqërive sa i përket interpretimeve të së kaluarës, e jo të bëhet zëvendësim i ligjërimeve kombëtare, respektivisht nacionaliste, madje në të njëjtën kohë të kopjohet rrëfimi historik kombëtar i një kombi modern evropian ndaj një komb tjetër modern. Ne konsiderojmë se tezat e përfaqësuara nga z. Naum Kajçev kontribuojnë pikërisht në rritjen dhe forcimin e konfliktit midis dy popujve dhe shteteve. Tezat dhe qasja e z. Naum Kajçev kontribuojnë në rritjen e dallimeve të reja dhe të vështira midis brezave të ardhshëm të bullgarëve dhe maqedonasve.

Këtu është e rëndësishme të shpjegohet pse e konsiderojmë jashtëzakonisht të diskutueshme, kontroverze dhe të paqëndrueshme tezën për popullin bullgar, e cila u konsolidua nga shekulli IX-XI dhe është baza e një prej identiteteve tona të përbashkëta historike, e cila u nda me forcë në mes të shekullit XX për shkak të një komploti, pa marrë parasysh nga komunistët, Kominterna dhe Tito-ja, serbët apo të tjerë.

Në sociologjinë historike është pranuar pothuajse në mënyrë konsensuale se kombet janë produkt i proceseve shoqërore dhe politike për pjesën më të madhe nga fundi i shekullit të 18-të, pastaj në shekullin XIX dhe XX. Procese të ndërtimit të kombeve ekzistojnë edhe sot. Pak historianë dhe sociologë datojnë fillimin e kombeve diçka para asaj periudhe (shekulli i XVII), të paktën për disa kombe, por askush nuk flet për "kombe të konsoliduara mesjetare" sepse është pothuajse e pamundur të përcaktohet vazhdimësia etnike dhe identitare e popullsive të sotme me popullsitë e së kaluarës. Këtu është e rëndësishme të theksohet se kur z. Naum Kajçev flet për një "komb të konsoliduar", ai me vetëdije ose pa vetëdije përmend koncepte që përdoruren për të përcaktuar kombet. Madje edhe të kishte pasur ndonjë "kombë të konsoliduar bullgar" (e kjo është jashtëzakonisht e diskutueshme në çdo rast) në shekullin IX-XI, po çfarë me të? Duhet të nënkuptojë diçka dhe të ketë një kontekst. A është ai komb një paraardhës i drejtpërdrejtë i bullgarëve (dhe maqedonasve) të sotëm? Duke marrë parasysh që kolegët nga pala bullgare pohojnë se kombi maqedonas nuk ka ekzistuar para vitit 1944, ne duhet të konkludojmë se popujt tanë kanë një origjinë të përbashkët, dhe kjo është bullgarja që është krijuar në shekullin IX-XI.

Obedinuvanje okolu istoriski vistini ili okolu razlicnostiBurimi: mia.mk

Një pretendim i tillë nuk mund të mbështetet as gjuhësisht dhe as institucionalisht, dhe as sipas ndonjë shënjuesi tjetër etnik nuk mund të flasim për vazhdimësi të tilla kombëtare (respektivisht etno-kombëtare). Historia bëhet veçanërisht e komplikuar në botën sllave duke pasur parasysh afërsinë e gjuhëve dhe kulturave, si dhe vazhdimësinë dialektore në shumicën e zonave të banuara nga popuj që flasin gjuhë sllave. Nuk është shumë e ndryshme edhe te grupet e popujve gjermanë dhe romanë, natyrisht me kontekste specifike për secilin prej tyre.

Më shumë po flitet për ndërprerje dhe ndryshime rrënjësore, sesa për vazhdimësi, madje edhe për vendet me një traditë të vazhdueshme mesjetare shtetërore dhe institucionale siç është Franca (një shembull i shkëlqyeshëm i këtillë është libri i Eugen Weber, „Nga fshatarë në françezë“). E të mos flasim për vendet, paraardhësit e supozuar mesjetarë të të cilëve ishin në një pjesë të madhe në territore krejtësisht të ndryshme nga ato aktuale.

Shtetet moderne janë pikërisht veglat për krijimin dhe konsolidimin e identiteteve etno-kombëtare. Kjo do të thotë që ideja e identitetit të një kombi sipas disa karakteristikave që përcaktohen si autentike dhe autoktone është kryesisht rezultat i proceseve të vendosura nga shtetet, dhe jo anasjelltas. Ndonjëherë ka lëvizje për emancipim kombëtar në përgjigje të krijimit të shteteve të caktuara. Cilado qoftë situata specifike, është mjaft e qartë se identitetet etno-kombëtare bashkë-vendosen pikërisht në kontekstin e identiteteve etno-kombëtare të vendosura, shpesh të vendosura tashmë brenda kornizave të caktuara shtetërore, si modele për shtete të reja dhe vetëvendosje.

Autoritetet botërore që kanë studiuar dhe studiojnë krijimin e kombeve, nacionalizmave si dhe identiteteve etno-kombëtare përmes hulumtimeve të mëdha empirike dhe krahasuese na tregojnë bindshëm se identitetet e sotme etno-kombëtare janë një konstruksion i kohërave moderne. Sigurisht, ka ndryshime në ndërtimin e identiteteve kombëtare në rajone dhe kontekste të ndryshme për shkak të ndikimeve dhe faktorëve të ndryshëm. Kuptohet gjithashtu që shumica e identiteteve kombëtare mbështeten në disa tradita të mëparshme (qofshin ato shtetërore, kulturore, fetare, gojore, etj.).

Por të gjitha ato konstruksione për "historinë e origjinës" së kombit ndodhin brenda konteksteve shtetërore ose në kontekstin e aspiratave për shtete të reja ose aspiratave për autonomi kulturore dhe/ose territoriale. Edhe idetë e vazhdimësisë etno-kombëtare për mijëra vjet janë saktësisht ide të krijuara nga institucionet arsimore dhe kulturore të vendeve të reja, dhe jo anasjelltas. Ose këto janë ide të krijuara kundër narrativave ekzistuese dhe dominuese. Sipas parimit të efektit domino, kur një shtet buron vlera të caktuara për atë që do të thotë identiteti kombëtar dhe gjuhësor, shtetet që krijohen pas tij (dhe nganjëherë në përgjigje të tij) imitojnë parime të tilla të vendosjes së identiteteve të tyre kombëtare dhe standardet gjuhësore. Dhe kjo tashmë është mjaft mirë e përpunuar dhe e njohur në sociologjinë historike dhe shkencën politike në përgjithësi.

Ernest Gellner, tani i konsideruar si një nga teoricienët klasikë të kombit, thotë në kryeveprën e tij „Kombet dhe Nacionalzmi“ rreth subjekteve politike para-moderne (të cilat ai i quan shoqëri agrare në krahasim me ato moderne industriale) thotë se kanë qenë trans-etnike dhe trans-politike. Popullatat në shoqëri të tilla ishin kryesisht të lidhura me fenë, kishën ose dinastinë, jo me shtetin dhe kulturën e kudogjendur. Kështu, mbretëritë mesjetare të këtyre rajoneve (dhe jo vetëm këtyre) ishin shoqëri të tilla. Nuk mund të flitet as për K sa i përket kombësisë së konsoliduar mesjetare, as për H sa i përket homogjenizimit në mjedise të tilla shoqërore.

Nacionalizmi është ai që shpik kombet

Nëse tashmë ka kuptim të flasim për diferencimin kulturor në Mesjetë, ai më mirë do të vendosej në nivelin e diferencimit gjuhësor (sllavishtja kundrejt greqishtes, latinishtes dhe hebraishtes), sesa në ndonjë diferencimi etnik bullgar kundrejt atij maqedonas ose serb, kroat, slloven, polak ose sllovak, etj. Kategori të tilla etnike u zhvilluan shumë më vonë se shekulli IX-XI. Dhe madje edhe në shekujt e mëvonshëm nuk ka gjithmonë identifikime ose emërtime etnike të qarta dhe të vendosura si në Ballkan ashtu edhe në të gjithë Evropën deri në krijimin e shteteve-kombe. Kjo është arsyeja pse Gellner thotë se nacionalizmi nuk është "zgjimi i kombeve dhe vetë-ndërgjegjja e tyre" siç besohet shpesh, por nacionalizmi është ai që shpik kombet.

Benedikt Anderson (Benedict Anderson), i cili gjithashtu konsiderohet tashmë një teoricien klasik i kombeve dhe nacionalizmit, dhe në të njëjtën kohë një shkencëtar politik dhe historian, thotë në librin e tij „Komunitetet e imagjinuara“ se të gjitha komunitetet janë më të mëdha se fshatrat e lashtë (dhe nganjëherë edhe vetë ata) ku njerëzit kishin kontakti ballë për ballë, ata janë të imagjinuara, respektivisht të ndërtuara. Ai beson se një nga faktorët më të fortë në krijimin e vetëdijes kombëtare është zhvillimi i kapitalizmit dhe shtypshkronjave (ai e quan atë kapitalizëm të shtypit). Në fakt, ai beson se identitetet e para kombëtare nuk janë krijuar në tokën evropiane, por në bashkësitë kreole në vendet e Amerikës Latine.

Shkencëtarët ende janë duke debatuar se cilët janë faktorët kryesorë që çuan në zhvillimin e kombeve dhe nacionalizmave si dhe periudhën e saktë ose të ashtuquajturin "kombi i parë", dhe për këtë nuk ka një konsensus të përgjithshëm (ka pikëpamje dominuese dhe jo-dominante), por ekziston një konsensus pothuajse universal në sociologjinë historike se vetëdija dhe identitetet kombëtare janë konstrukte të kohëve moderne, dhe se identitetet para-moderne (nga mesjeta dhe në antikitet më parë) bazohen në marrëdhënie shoqërore krejt të ndryshme që janë të vështira për t’u krahasuar ose pothuajse të pakrahasueshme me të sotmet.

Edhe studimet e fundit mbi origjinën e kombeve dhe nacionalizmit nuk zbulojnë ndonjë gjë të re spektakolare, por ofrojnë më shumë njohuri dhe nuanca teorike bazuar në analiza më të gjera empirike dhe sasiore. Për shembull, një nga teoricienët kryesorë të sotëm të kombeve dhe nacionalizmit, Andreas Vimer (Andreas Wimmer), një profesor i sociologjisë në Universitetin Columbia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në librin e tij të botuar në vitin 2013, „Valët e luftës,“ thotë se para epokës së kombeve që fillonin të formoheshin nga fundi të shekullit të 18-të, njerëzit nuk kishin një koncept të veçantë për etninë e tyre ose etninë e sundimtarit të tyre. Njerëzit e identifikonin veten kryesisht me bashkësinë lokale - fshatin ose qytetin, klanin, kishën ose xhaminë.

Ai, ashtu si paraardhësit e tij, thotë se nacionalizmi është një parim i ri legjitimues i shteteve. Gjegjësisht, përqendrimi i shtuar i shtetit dhe mobilizimi ushtarak për shkak të modernizimit ka çuar në një marrëveshje të re shoqërore midis sundimtarëve dhe të sunduarve për rishpërndarjen e burimeve. Sipas tij, grupet etnike dhe kombet janë një rezultat ekuilibri i procesit të modernizimit. Ai e bazon teorinë e tij komplekse të marrëdhënies midis nacionalizmit dhe luftës në një analizë empirike të krijimit të lëvizjeve kombëtare në Francë nga Renesansa e deri në Republikën e Tretë dhe Perandorinë Osmane nga kohërat klasike deri në Revolucionin e Ri Turk.

Ka dhjetra sociologë dhe historianë të tjerë të lartë që kanë botuar dhe po botojnë akoma studime shkencore mbi shfaqjen e kombeve në të dy nivelet makro dhe mikro, dhe nuk ka vend për t'i renditur të gjithë këtu.

Sidoqoftë, duhet të theksojmë se duke pasur parasysh botën dominuese të shkencës moderne mbi shfaqjen e identiteteve etno-kombëtare dhe konsolidimin e tyre, ne nuk mund të pranojmë teza dhe teori të një "kombi të konsoliduar mesjetar bullgar" që duhet të jetë baza për "historinë tonë të përbashkët". Siç thamë më lart, ne nuk e bëjmë atë nga ndonjë tekë, por pikërisht në emër të shkencës moderne botërore.

Pikërisht një nga historianët dhe teoricienët politikë më të njohur evropianë, Miroslav Hroh (Miroslav Hroch) (profesor në Universitetin Charles në Pragë) në veprën e tij „Kombet Evropiane“ (botimi në anglisht është botuar në vitin 2015) thotë se çdo mbetje institucionale ose kulturore e lidhjeve politike midis kombit bashkëkohor bullgar dhe shteteve mesjetare në këto zona ishin shkatërruar ose harruar plotësisht. Prandaj, nuk mund të pranohet teoria se disa kombe gjoja të konsoliduara bullgare nga shekulli IX-XI mund të jenë baza për të kuptuar "historinë e përbashkët" të bullgarëve dhe maqedonasve të sotëm. E njëjta gjë mund të lexohet edhe në studimin e Ketrin Abazi (Catherine Abazi) e cila analizon krijimin e identitetit kombëtar të serbëve dhe bullgarëve.

Ajo thotë se identiteti kombëtar bullgar nuk i parapriu krijimit të shtetit modern bullgar, por se ishte shteti ai që krijoi një identitet të tillë. studimin. Koncepti i kombit duhej të përhapet në mesin e njerëzve të thjeshtë përmes mjeteve të komunikimit masiv, sistemit arsimor modern, institucioneve fetare si dhe përmes mobilizimit ushtarak. Përmes analizës së saj të plotë të krijimit të shteteve të Serbisë dhe Bullgarisë në shekullin e XIX, ajo arriti në përfundimin se kur ishte krijuar Principata e Bullgarisë në vitin 1878, një pjesë e madhe e popullsisë nuk kishte një ide të qartë të përkatësisë etno-kombëtare. Pastaj në vitin 1914 ndodh që identitetet kombëtare në Bullgari si dhe në Serbi të bashkë-vendosen dhe antagonizohen me njëri-tjetrin.

Këto janë sot pikëpamjet mbizotëruese në shkencën botërore për krijimin e identiteteve etno-kombëtare, madje as Maqedonia dhe as Bullgaria nuk bëjnë ndonjë përjashtim nga ato procese të përgjithshme. Kjo është ajo që na jep të drejtën të vazhdojmë të këmbëngulim në parimin dhe metodologjinë tonë të punës në Komision, dhe kjo është që, për mendimin tonë, e vetmja mënyrë për të dalë nga rrëfimet konfliktuale të identitetit për historinë e kësaj zone është të studiojmë historinë në mënyrë kritike dhe me më shumë perspektiva.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.