fbpx

Betejë e ashpër për vota në bllokun politik shqiptar

Sefer Tahiri

Politika

27.10.21

Прегледи

Sefer Tahiri

Sefer Tahiri 400x500BDI-ja është pjesë e një qeverie që pjesërisht për shkak të pandemisë dhe pjesërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për reformimin e sistemit dhe çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka krijuar pakënaqësi te qytetarët. Pakënaqësia në kuptimin politik për këto zgjedhje i “faturohet” Zaevit dhe socialdemokratëve.

Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor tregojnë se shqiptarët në vend janë të kënaqur me pushtetin lokal të udhëhequr nga BDI-ja.

BDI-ja ndihet si fituese në mesin e shqiptarëve

Pa mbajtur raundin e dytë të zgjedhjeve, fitorja e BDI-së është vetëm në nivel votash, por jo në nivel cilësor, pra në numrin e kryetarëve të zgjedhur. BDI-ja, sipas rezultateve përfundimtare të KSHZ-së në raundin e parë fitoi në Saraj, Likovë dhe Pllasnicë. Në raundin e dytë hyn me avantazh në Tetovë, Çair, Strugë, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë, Haraçinë, Dollnen, kurse në Çashkë dhe Kërçovë hyn në balotazh e pozicionuar si e dyta.

Ky rezultat i BDI-së në komuna të caktuara është marrë me mbështetjen e disa votave të anëtarëve dhe simpatizantëve të LSDM-së, me të cilët partia e Ahmetit ishte në koalicion parazgjedhor. Pavarësisht nga kjo mbështetje, ky rezultat është mbi pritshmëritë e vetë BDI-së, e cila në fakt në këto zgjedhje për herë të parë provoi formulën e “agjendës së gjelbër”, kurse më parë kishte një agjendë thjesht etnike, si parti e dalë nga konflikti i vitit 2001, e cila më pas mbrojti rreptësisht respektimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri i parë i BDI-së, Artan Grubi e konsideron fitoren e BDI-së spektakolare. “Fitorja e BDI-së mund të krahasohet me atë të vitit 2014, kur në zgjedhjet parlamentare fitoi 153 mijë vota. Të gjitha partitë e tjera shqiptare së bashku kanë 2/3 e mbështetjes së BDI-së në këto zgjedhje”, tha Grubi.

BDI-ja ka një histori të gjatë në skenën politike dhe duke qenë se elektorati në vend është i orientuar drejt klientelizmit, disa nga votat e kësaj partie janë marrë pikërisht për shkak të raporteve klienteliste të disa votuesve.

BDI-ja së bashku me LSDM-në merr pjesë në një qeveri, e cila pjesërisht për shkak të pandemisë, pjesërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik për reformimin e sistemit dhe zhdukjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka krijuar pakënaqësi te qytetarët. Pakënaqësia në kuptimin politik për këto zgjedhje i “faturohet” Zaevit dhe socialdemokratëve. Krahasuar me rezultatet e partnerit qeveritar LSDM-së, BDI-ja, e cila fitoi 105 mijë vota, ndjen dhe manifeston triumfalizëm tek elektorati shqiptar, edhe pse në zgjedhje kandidoi në koalicion ndëretnik-partiak.

Në raundin e dytë BDI-ja do të përballet me partnerin qeveritar Lëvizjen BESA dhe koalicionin mes Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativës. Në Haraçinë me LSDM-në, dhe në Kërçovë me VMRO-DPMNE-në. Në Tetovë, kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi do të përballet me liderin e BESA-s, Bilall Kasami. Në Zhelinë, ish-prefekti i BDI-së, Fatmir Izairi do të përballet me kryetarin aktual Blerim Sejdiu. Kurse në komunat e tjera do të përballet me kandidatët e Aleancës dhe Alternativës. Në shumicën e komunave, kandidatët e BDI-së hyjnë si fitues me numrin më të madh të votave.

Opozita me më pak vota se në zgjedhjet e kaluara

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kandidoi në këto zgjedhje si koalicion por edhe në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në dhe rezultati prej rreth 62 mijë votash është zhgënjyes në radhë të parë për anëtarësinë aktive. Përkundër pakënaqësisë së madhe të shprehur në mënyra të ndryshme ndaj kryetarëve të BDI-së, opozita shqiptare nuk arriti ta kapitalizojë dhe ta kthejë atë në një zë kundër pushtetit lokal të integruesve të Ahmetit.

Partitë e Zijadin Selës dhe Afrim Gashit do të tentojnë të amortizojnë rezultatin negativ të raundit të parë të zgjedhjeve në raundin e dytë duke fituar mandate për kryetar komune në Gostivar, Dibër dhe Vrapçisht, ku hyjnë si favorit. Kurse në Çair, Bogovinë dhe Tearcë, ky koalicion është prapa BDI-së.

Se razgoruva bitkata za glasovi vo albanskiot politicki blokBurimi: shutterstock.com (foto: Aleksandar Mijatovic)

Përpjekja e dytë është përmes bashkëpunimit me Lëvizjen BESA për të përkrahur kandidatin Bilall Kasami në Tetovë dhe si kompensim të marrin mbështetjen e tyre në komunat ku konkurrojnë me BDI-në. Një nga partnerët e koalicionit, partia Alternativa, e cila doli nga BESA për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin kreu i partisë, ishte kategorikisht kundër këtij bashkëpunimi. Por Alternativa njoftoi se nuk ka komunikim me BESËN, por çdo anëtar është i lirë të mbështesë kë të dojë në raundin e dytë, duke mos përjashtuar edhe Kasamin.

Fitorja në dy qytete, por edhe në komunën rurale të Vrapçishtit dhe/ose mundësisht në një tjetër nga tri komunat, do t'ia zbardhë fytyrën Selës dhe Gashit. Nëse ndodh e kundërta, ata do të përballen me përgjegjësi politike para anëtarësisë së partisë. Kjo mund të ndodhë sidomos nëse kandidati i koalicionit Idri Istrefi humbet në Strugë prej nga vjen Sela dhe nëse të njëjtin fat e ka edhe kandidati i koalicionit Bekim Sali në komunën e Çairit, të cilin partia e Gashit e konsideron bastion.

BESA befasoi me Kasamin në Tetovë

Lëvizja BESA në këto zgjedhje befasoi me Bilall Kasamin, i cili hyri në raundin e dytë të zgjedhjeve, njësoj si në zgjedhjet e kaluara lokale në vitin 2017, kur humbi në raundin e dytë pikërisht nga Teuta Arifi. Ky rezultat mund t’i atribuohet faktit se Kasami është lider i një partie në pushtet, e cila tërë potencialin e saj politik e kishte përqendruar në këtë qytet.

Faktori i dytë është kandidatura tepër e dobët dhe anonime e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Afaristi Vullnet Murseli në këtë qytet ishte promovuar në publik vetëm tri javë para zgjedhjeve dhe rezultati i tij i ka tejkaluar edhe parashikimet më pesimiste sa i përket rezultatit të këtij koalicioni.

Kasami hyn në raundin e dytë si kandidat i opozitës, i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe kjo i jep atij një favorizim elektoral, edhe pse partia e tij është në koalicion qeverisës. Fitorja eventuale e Kasamit në Tetovë, si qendër politike e shqiptarëve, do ta forcojë partinë e tij në skenën politike në vend.

Në komunat ku jetojnë shqiptarët, pjesëmarrja në zgjedhje është më e vogël se totali prej 50%, çka tregon se disa prej tyre kanë apati politike dhe mungesë vullneti për pjesëmarrje politiko-demokratike. Në këtë sigurisht ka kontribuar edhe qeverisja e dobët e pushtetit lokal në komunat ku ka një përqendrim të elektoratit etnik shqiptar.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, në bllokun politik shqiptar do të shohim një betejë interesante për vota, dhe në këtë rast secila votë do të jetë e rëndësishme. BDI-ja, nëse e konfirmon rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve, do të thërritet në legjitimitetin politik të shqiptarëve në vendin tonë, si një kapital politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare (të rregullta apo të parakohshme). Nga ana tjetër, dështimi eventual i BESËS në zgjedhjet në Tetovë do të çojë që kjo parti të rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj në qeverinë e Kryeministrit Zoran Zaev. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se sa i përket zgjedhjeve në Tetovë, do të vendosin në mënyrë të pavarur vetë mbështetësit e LSDM-së.

Dalja e partisë BESA nga qeveria do të çojë drejt formimit të një shumice të re parlamentare nga ana e VMRO-DPMNE-së, me Hristijan Mickoskin në detyrën e kryeministrit. Pavarësisht rezultatit të tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve, me shumë gjasë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do t’i jepnin mbështetje të pa rezervë kësaj shumice.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sefer Tahiri

Sefer Tahiri ka përfunduar studimet e doktoraturës me temën "Ndikimi i partive politike në politikën redaktuese të Shërbimit të Transmetimit Publik - Radio dhe Televizioni i Maqedonisë (1998-2006)". Ai jep leksione në lëndë nga fusha e medias dhe komunikimit në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe në Institutin për Studime të Komunikimit në Shkup. Tahiri ka 15 vjet përvojë gazetarie. Ai ka punuar si gazetar dhe redaktor në gazetën Fakti, në programin e gjuhës shqipe në MTV, ALSAT-M TV dhe ka qenë korrespondent i Radios Evropa e Lirë nga Shkupi - programi në gjuhën shqipe. Ka marrë pjesë në projekte të ndryshme studimore në fushën e mediave dhe komunikimit.