Jona Koprencka
Është e frikshme të mendosh që dikush ka vite që pyet, heton, të ndjek, të përgjon, si në jetën reale, ashtu edhe në rrjetet sociale. Patronazhisti përvec se e di ku jeton, me kë jeton, çfarë bën në kohën tënde të lirë, kush janë miqtë, partneri yt, është i informuar dhe të kontrollon rrjetet sociale si facebook ku i bën “screenshot” posteve ose mesazheve, me qëllim që t’i ketë si provë.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri nxorri në pah një nga skandalet më të mëdha politike të një shteti. Partia Socialiste që mban pushtetin, me kryeministër Edi Ramën, kanë hartuar një bazë të dhënash ku janë vendosur të dhënat personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të dinë përafërsisht numrin e qytetarëve që i mbështesin, por edhe për të mësuar se kë kanë kundërshtarë. Nga ky sistem nuk kanë munguar kontrollet as për deputetë dhe politikanë të vetë Partisë Socialiste. Jo vetëm kaq, por ky sistem disponon të dhëna personale dhe të ndjeshme të qytetarëve të cilat në një kohë të dytë mund të përdoren edhe kundër tyre.
Çdo parti politike tenton që të hartojë një regjistër sa më real të votuesve të saj potencialë, për të krijuar një ide të përafërt mbi rezultatin. Me këtë qëllim krijohen lista me emra votuesish që kanë lidhje me strukturat partiake. Këto lista organizohen sipas Qendrave të Votimit dhe në bazë të llogaritjeve krijohet një objektiv i përafërt i rezultatit.
“Patronazhistë” quhen ndryshe anëtarët e PS-së që përmes kontakteve, telefonatave apo të njohurve krijojnë një ide të bindjeve politike të secilit prej nesh. Sistemi i patronazhimit është përdorur edhe në zgjedhje të kaluara, por diferenca për “mandatin e tretë” është se, dikur të dhënat për votuesit potencialë mblidheshin në mënyrë vullnetare, kurse në bazën e të dhënave që përdor sot Partia Socialiste ka informacione tona të ndjeshme, që u keqpërdorën për fushatën zgjedhore dhe vazhdojnë të keqpërdoren.
Në këtë bazë të dhënash përfshihen informacione në lidhje me historikun e punësimit të votuesve, besimet e tyre fetare, deklaratat e taksave, numrat e telefonit, adresat e postës elektronike, numrat e sigurimeve shoqërore, orientimin seksual dhe të dhënat mjekësore, si dhe komente të tilla si: ‘Ky votues kohët e fundit pyeti nëse mund të punësoje motrën ose gruan në një institucion shtetëror(…) është një mik i (…) nuk ka marrëdhenie të mira me (….) komenton dhe bën like në facebook.
Kryeminstri Edi Rama, fillimisht e injoroi si lajm, më pas e pranoi se ky sistem patronazhimishtë projektuar nga Partia Socialiste për të pasur informacion mbi mbështetësit e saj. Ndërsa pas zgjedhjeve, kur u bë e qartë se partia që ai drejton fitoi zgjedhjet, Rama u shpreh: “Patronazhistët kanë bërë një punë shumë të mirë, i ftoj të dalin në sheshin Skënderbej për të festuar të gjithë së bashku fitoren”, duke i dhënë fund të gjitha zërave nëse qeveria po monitoronte ose jo jetën sociale dhe politike të qytetare. Edi Rama, i cili u konfirmua në postin e kryeministrit për herë të tretë dhe mbështetësit kryesorë të tij brenda partisë, i lavdëruan dhe i falënderuan publikisht patronazhistët duke thënë se kanë bërë një punë më të mirë sesa fushata e partive opozitare dhe duke deklaruar se patronazhistët e Partisë Socialiste janë më efikasë se komisionerët dhe të deleguarit e Partisë Demokratike në qarqet e Shqipërisë.
Burimi: balkaninsight.com
Vjedhja e të dhënave personale për arsye politike ka ngjallë zemërim tek qytetarët të cilët ndjehen të vjedhur nga shteti i tyre. Në një sistem demokratik, në rast mbrojtje dhe rreziku, qytetarët gjejnë siguri dhe mbështetje në institucionet shtetërore, institucione të cilat në fakt treguan që e shohin qytetarin thjesht si një numër statistikor. Informacionet rezultojnë të jenë vjedhur nga portali E-Albania, i cili shërben si një portë dixhitale, nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.
Portali ofron gjithashtu informacion të detajuar në lidhje me shërbimet me karakter publik, (licenca, leje, autorizime, certifikata, vërtetime apo shërbime të tjera të ngjashme), dokumentacionin e nevojshëm, procedurën që duhet të ndjekë, oraret e funksionimit dhe vendndodhjen e zyrave të administratës, kontaktet, si dhe adresën e faqes zyrtare të institucionit që ofron shërbimin përkatës. Në këtë mënyrë kuptojmë se nëse dikush ka akses në këtë portal, në mënyrë të drejtpërdretë ka akses edhe në të dhënat kryesore të çdo qytetari. Vlen të theksohet se vetë kryeministri Edi Rama ishte ai që e ka nxitur përdorimin masiv të këtij portali, duke e reklamuar krijimin e tij si një nga arritjet më të mëdha për lehtësimin e procedurave administrative të shqiptarëve.
Ekzistenca e kësaj baze të dhënash me kaq shumë të dhëna është një krim politik. Në Shqipëri e kaluara nën regjimin komunist është ende e freskët. Sigurimi i Shtetit në atë kohë, mbikëqyrte të gjithë qytetarët, kërkonte informacion për marrëdhëniet e tyre me familjarët, me kushërinjtë, me kolegët dhe me banorët e zonës ku jetonin. Sigurimi i Shtetit bënte një punë aq të mirë saqë qytetarët kishin frikë dhe nga mendimet e tyre. Të njëjtën situatë e përjetojmë edhe sot, ku nuk je i lirë të shprehësh opinionin tënd sepse është dikush që të patronazhon, të mban nën mbikëqyrje, nën vëzhgim, dhe informohet për gjithcka që ndodh me ty. Të gjitha këto të dhëna një ditë do t’i shërbejnë shtetit për t’u siguruar në mund të të ndihmojë, por vetëm nëse nuk ke shprehur asnjë pakënaqësi ndaj shtetit.
Biznesmeni Erion Mane, nuk e mori ndihmën nga shteti për shkak se gjatë gjithë kohës e kishin patronazhuar me qëllim që një ditë t’i kujtonin orientimin e tij politik dhe ta mbanin nën kotroll. Fermerët e tjerë, të cilët janë vërtetuar nga ky sistem monintorimi që nuk janë mbështetës të qeverisë, nuk kanë marrë subvencionet nga shteti, ose janë gjobitur padrejtësisht. Këto janë disa nga rastet e shumta, ku tregohet se si biznesmenët që nuk e mbështesin qeverinë, gjobiten në mënyrë që të falimentojnë.
Është e frikshme të mendosh që dikush ka vite që pyet, heton, të ndjek, të përgjon, si në jetën reale, ashtu edhe në rrjetet sociale. Patronazhisti përvec se e di ku jeton, me kë jeton, çfarë bën në kohën tënde të lirë, kush janë miqtë, partneri yt, është i informuar dhe të kontrollon rrjetet sociale si facebook ku i bën “screenshot” posteve ose mesazheve, me qëllim që t’i ketë si provë.
Ky sistem është krijuar fillimisht në vitin 2012, si përgatitje për zgjedhjet e vitit 2013. Në këtë kohë, sistemi kishte vetëm të dhëna të mbledhura nga organizatat socialiste dhe listat e zgjedhësve që merreshin nga Ministria e Brendshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vitit 2013, kjo bazë të dhënash u popullua me të dhëna të ndryshme shtetërore deri sa arriti gjendjen që është sot. Aktualisht sistemi funksionon me dy nivele. Në nivelin e parë mblidhen të dhënat e vetë politikanëve të Partisë Socialiste, ndërsa në nivelin e dytë, që është më lehtë për t’u aplikuar grumbullohen të dhënat e qytetetarëve të Republikës së Shqipërisë.
E gjitha kjo histori më kujton tregimet e gjyshit tim mbi centralizimin e jetës socio-politike të partisë-shtet, ku gjithkush dinte gjithçka për të gjithë, dhe pushoheshe nga puna ose të fusnin në burg për arsye politike, ndërsa në ditët e sotme shteti të gjobit, të mbyll biznesin po për arsye politike.
Duke mos pasur asnjë inistucion ku të ankohen, qytetarë të shumtë e kanë denoncuar fenomenin e patronazhimit në rrjetet e tyre sociale, madje disa prej tyre dhe i kanë ftuar patronazhistët të takohen me qëllim që të njohin nga afër personin që për vite e ka kontrolluar. Asnjë nga patronazhistët nuk ka kthyer përgjigje. Protestat kanë munguar për shkak se qytetarët ndjehen aq të lodhur sa nuk besojnë se do të zgjidhin situatën duke protestuar. Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare i janë drejtuar gjykatës dhe prokurorisë duke kërkuar ta ndjekin këtë çështje në rrugë ligjore. Vjedhja e të dhënave personale nga shteti nuk mund të lihet vetëm me denoncime në rrjetet sociale për më tepër kur qeveria në pushtet e pranon dhe i falënderon publikisht patronazhistët për punën e kryer.
Ekzistenca e kësaj baze të dhënash do të ndikojë negativisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesit e misionit të OSBE-së në Shqipëri kanë deklaruar se kërkojnë nga prokuroria hetim të ngjarjes, duke e konisderuar si një veprim negativ përdorimin e administratës shtetërore në fushatë elektorale dhe vjedhjen e të dhënave personale, duke përmeduar se disa nga patronazhistët janë të punësuar në administratën e shtetit. Hetim mbi këtë bazë të dhënash ka kërkuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Ambasada e Holandës të vendosura në Tiranë. Se si do të vijojnë ngjarjet, pritet të shohim në javët dhe muajt në vijim.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.