Çfarë fshihet pas protestave të udhëhequra nga opozita në Shqipëri?

Alice Taylor

Politika

09.03.26

Прегледи

Berisha ka njoftuar se protestat do të vijojnë me një tjetër të planifikuar për më 20 shkurt, e cila pritet të ketë një pjesëmarrje të gjerë. Se sa paqësore do të jetë ajo, ashtu siç ai deklaron, kjo mbetet për t’u parë. 

Që nga fillimi i dhjetorit, Adriatik Lapaj dhe grupi i tij i mbështetësve kanë ngritur kampin jashtë të njëjtës zyrë në bulevardin kryesor të Tiranës. Lideri i partisë së qendrës së djathtë Shqipëria Bëhet, Lapaj bëri emër si avokat, pastaj në shoqërinë civile, përpara se të kandidonte pa sukses në zgjedhjet e përgjithshme të majit 2025. Pasi fitoi vetëm një mandat në kuvendin prej 140 vendesh, Lapaj u është rikthyer protestave për të shprehur pakënaqësi me statukuonë: një qeveri e drejtuar nga Rama për katër mandate, rreth 12 vjet e në vazhdim. 

Duke mbajtur një megafon në shkallët e ndërtesës së qeverisë më 31 janar, Lapaj akuzoi Ramën për përfshirje në korrupsion, kriminalitet dhe një sërë skandalesh të dyshuara për abuzim shtetëror. “Çdo ditë që kalon forcon autokracinë e tyre, diktaturën e tyre, dhe çdo skandal që ndodh e bën edhe më të pamundur rrëzimin e atyre që po ju vjedhin jetën, të tashmen dhe të ardhmen sot, ndaj mendohuni mirë. Kjo është një betejë mes një pakice që ka pushtuar zyrat dhe ndan paratë e buxhetit dhe një shumice që vuan,” tha ai. 

Pavarësisht se policia e cilësoi si aksident një incident ku Lapaj përfundoi në spital pasi një ngrohëse e jashtme i ra në kokë, ai është i vendosur të qëndrojë deri në largimin e Ramës dhe qeverisë së tij nga pushteti. 

“Rezistenca jonë nuk ndalet… Koha është tani…”, shtoi ai gjatë tubimit. 

Por thirrjet e tij ranë në vesh të shurdhër pasi vetëm rreth 100 njerëz ishin mbledhur në mbështetje të tij. Ndërsa prania e tij vazhdon në kohën e shkrimit të këtij artikulli, mbështetësit e tij dhe ai po e “pushtojnë” me radhë hapësirën midis tubimeve sporadike, lëvizja e tij ka pak ndikim në opinionin publik. Për më tepër, ishin protestat e opozitës së Partisë Demokratike që bënë bujë në mediat ndërkombëtare, jo një herë, por tre herë. 

Në dhjetor, janar dhe shkurt, partia e cila ishte e para që u formua pas rënies së komunizmit në vitin 1991 dhe që udhëhiqet nga ish-kryeministri dhe presidenti gjaknxehtë Sali Berisha, mbajti protesta kombëtare në të njëjtin bulevard. Protestat degjeneruan shpejt në kaos teksa protestuesit hodhën molotovë drejt kryeministrisë, dhe një militant me maskë hodhi fishekzjarrë mbi kordonin e policisë nga një hedhës me sa duket i bërë me porosi. 

Përgjatë të tria protestave, mbetën të lënduar si protestuesit ashtu edhe policët, si dhe u arrestuan një numër pjesëmarrësish, përfshirë një të mitur, disa prej të cilëve do të përballen me akuza. Pamjet u bënë virale dhe nxitën turistë të shqetësuar të pyesnin në grupe në Facebook: “A është e sigurt ta vizitosh Shqipërinë në këtë moment?” 

Policia i mbrojti veprimet e saj si proporcionale përballë disa mijëra protestuesve, lëndëve piroteknike dhe personave me maska, ndërsa protestuesit dënuan përdorimin disproporcional të forcës. Ndërkohë që drejtësia nuk ka thënë ende fjalën e saj se kush kishte të drejtë apo gabim, teksa hetimet vazhdojnë, Berisha—i cili vetë është nën hetim për korrupsion dhe abuzim me detyrën—po planifikon raundin e tretë. 

“Unë kam deklaruar, dhe deklaroj, se tani kemi një objektiv: largimin e këtij armiku të egër të ekzistencës së shqiptarëve,” i tha Berisha mediave teksa njoftonte datën e protestës së radhës – 10 shkurt. Ai shtoi se opozita është në “fushëbetejë” për demokracinë dhe u bëri thirrje njerëzve të mobilizohen në një “kryengritje paqësore kundër qeverisë.” 

“Por çfarë fshihet pas intensifikimit të protestave të opozitës shqiptare dhe çfarë i ka revoltuar kaq shumë udhëheqësit e saj?” 

Што стои зад протестите предводени од албанската опозиција? Burimi: envato

Për Berishën, një rival i kahershëm i Ramës, prapaskena e këtij raundi protestash nis me zgjedhjet e majit 2025. Rama dhe Partia e tij Socialiste fituan bindshëm, gjë që shkaktoi mjaft pakënaqësi te opozita. Ende pa u numëruar mirë fletëvotimet, Berisha po denonconte blerjen masive të votave nga PS-ja, manipulimin e votës dhe “vjedhjen e zgjedhjeve”.  

Por organizatat ndërkombëtare kishin një qëndrim të ndryshëm, ku OSBE-ja deklaroi se zgjedhjet ishin “konkurruese dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale”, por vuri në dukje se kishte “raporte të shumta për presion ndaj punonjësve publikë” dhe se burimet publike dhe pushteti institucional u përdorën si armë në favor të PS-së. Ndërsa disa hetime janë ende duke vazhduar, autoritetet lokale ose ndërkombëtare nuk kanë gjetur raste të besueshme të blerjes së votave në shkallë të gjerë ose manipulimit zgjedhor. 

Pretendimet e tij për zgjedhje të blera vazhduan gjatë gjithë vitit, me disa demonstrata të mbajtura në kryeqytet. Por vetëm në vjeshtë gjërat u intensifikuan. 

Në tetor të vitit 2025, Zëvendëskryeministrja e Ramës dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u thirr  për t’u marrë në pyetje nga SPAK, prokuroria e posaçme e vendit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo u tha gazetarëve se po bashkëpunonte me hetimin, i cili përqendrohej në pretendimet se ajo kishte ndërhyrë në procesin e prokurimit publik për ndërtimin e një rruge. Deri në muajin nëntor, u shtua një tjetër akuzë, gjithashtu e lidhur me një rast të ndërtimit të rrugëve, dhe gjykata e pezulloi atë nga detyra dhe ia ndaloi udhëtimin jashtë shtetit. 

Rama i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shfuqizonte urdhrin, gjë të cilën ajo e pranoi, por vetëm derisa të merret një vendim përfundimtar. Prokurorët e apeluan sërish këtë, kurse çështja/lënda nuk është mbyllur akoma. 

Deri në muajin dhjetor, prokuroria i kishte kërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit të saj parlamentar për të mundësuar arrestimin e saj. Në ndërkohë, SPAK ka shpallur edhe shtatë akuza të tjera për raste të ngjashme të ndërtimit të rrugëve që ishin miratuar me firmën e Ballukut. Nga ana tjetër, Balluku ka mohuar çdo shkelje, ndërsa shumica e Partisë Socialiste ka refuzuar vazhdimisht të heqë imunitetin e saj. 

Problemet e fundit ligjore të Ballukut janë pjesë e një vargu më të gjatë hetimesh dhe arrestimesh të nivelit të lartë nga SPAK-u, ndonëse ajo mund të jetë zyrtarja e nivelit më të lartë deri më sot. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në burg në pritje të gjykimit për shpërdorim detyre që nga shkurti i vitit 2025, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati në Zvicër, gjithashtu i akuzuar për korrupsion. 

Kjo ka ofruar mjaft material për të nxitur protestat e opozitës, të cilat kërkojnë fundin e qeverisë aktuale, hetime ndaj kryeministrit dhe të tjerëve, e madje edhe zgjedhje të reja. 

Por SPAK-u nuk ka shënjestruar vetëm partinë në pushtet. Vetë Berisha ishte në arrest shtëpie për rreth një vit për korrupsion lidhur me abuzimet gjatë kohës që ishte në pushtet, madje është marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011, në kohën kur ai ishte kryeministër. Lapaj gjithashtu është akuzuar për korrupsion nga një tjetër lider i një partie opozitare, Agron Shehaj, i cili pretendon se ai ka kryer punë për një kompani që po hetohet nga SPAK-u për pastrim parash. Të gjitha hetimet janë në vazhdim, dhe si Berisha ashtu edhe Lapaj mohojnë çdo shkelje. 

Ndërkohë, Ilir Meta, ish-kryeministër dhe president, dikur krah Ramës, por së fundmi me Berishën, ndodhet në burg që nga tetori i vitit 2024, gjithashtu në pritje të gjyqit. 

Zyrtarë të niveleve më të ulëta, përfshirë ish-ministra, drejtorë dhe kryebashkiakë nga të dyja palët, të gjithë janë gjendur në shënjestër të drejtësisë në vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, publiku i beson më shumë se çdo institucioni tjetër, por duket i ndarë në mënyrë të barabartë se cila parti politike mendojnë se është më e korruptuar. 

Ndërkohë, Berisha ka njoftuar se protestat do të vijojnë me një tjetër të planifikuar për më 20 shkurt, e cila pritet të ketë një pjesëmarrje të gjerë. Se sa paqësore do të jetë ajo, ashtu siç ai deklaron, kjo mbetet për t’u parë, ashtu siç mbetet për t’u parë nëse ato do të arrijnë qëllimin e tyre. 

Rama dukshëm gëzon mbështetjen e më shumë se gjysmës së zgjedhësve, dhe me opozitën që po përballet me problemet e veta ligjore dhe pa asnjë figurë reale e të papërfolur ku votuesit mund të kenë besim, çdo ndryshim në qeverisje apo shpallja e zgjedhjeve të reja duket e pamundur. 

Çfarëdo që të sjellin protestat e 20 shkurtit, ka pak gjasa të ketë ndonjë ndikim pasi të shpërndahet gazi lotsjellës dhe tymi i molotovëve. 

Alice Taylor

Alice Taylor është një gazetare me origjinë britanike që jeton dhe punon në Tiranë, Shqipëri, që nga viti 2017. Ajo shkruan për Exit.al/en dhe është redaktore e lajmeve dhe korrespondente në Shqipëri dhe Kosovë për politikën dhe median politike të BE-së EURACTIV. Përveç kësaj, ajo mbulon rajonin për DW, BBC, dhe herë pas here The Times, si dhe media si The Lead, Vice, Open Democracy dhe Byline Times. Përveç krijimit të përmbajtjes, ajo u zgjodh në bordin e Aleancës Etike të Medias Shqiptare për një mandat të dytë në 2022 dhe flet rregullisht në panele vendase dhe ndërkombëtare dhe në institucione arsimore mbi median, etikën dhe gazetarinë në klimën aktuale. Ajo e filloi karrierën e saj në Maltë si një kolumniste politike dhe sociale përpara se të punonte me platformën investigative të vlerësuar me çmime The Shift News.