fbpx

Kujt i duhet BE-ja, nëse nuk do të jemi

Gjorgi Haxhi Vasilev

Politika

26.07.23

Прегледи
Të rinjtë largohen nga Maqedonia sepse e humbin ndeshjen në një stadium ku as nuk kanë hyrë, ndërsa poltronët sistematikë luajnë pa kundërshtar dhe gjuajnë në portë të zbrazët.

Që kur isha i vogël i kisha të ditura disa gjëra. Për të hyrë në shoqërinë e "peshkopëve" është e dëshirueshme të jesh nxënës i mirë. Për t'u përshtatur në një shoqëri që është e fiksuar me krijimin e muzikës, duhet të paktën të keni pak njohuri nga fusha e tyre e interesit. Për t'u ulur në tavolinë me njerëz të pasur dhe të fuqishëm, mbase duhet të kesh një histori pas vetes. Pra, ku jemi nisur kështu? Cila është kjo pikë e përbashkët e interesit që na lidh me Unionin dhe vlerat e tij? Ne do të donim të uleshim për një darkë luksoze me borgjezinë evropiane, por me opinga të pista nën tavolinë. Ne e dimë rendin, së pari reformat dhe stabilitetin, pastaj BE-në, dhe nga reformat as edhe "R" nga (r)etorika dhe vizioni ynë. Unë jam një përkrahës i përfshirjes sociale, por plebs dhe patricët të jenë në të njëjtën tryezë, sikur nuk ma ha mendja.

Literalisht, në çdo sondazh të opinionit publik në vend, qytetarët japin karton të kuq për çdo qeveri aktuale dhe të gjithë poltronët e tyre. Politikanët duket se nuk janë në gjendje të kuptojnë se populli nuk i beson më askujt, dhe veçanërisht jo atyre, dhe madje edhe me përpjekjet e tyre të fundit ata përpiqen të na bindin se BE po na pret krahë hapur.

Le të ndryshojmë flamurin, pastaj BE-në. Të bëjmë Marrëveshjen Kornizë, pastaj në BE. Ndryshimet Kushtetuese Vol. 1&2 dhe pastaj BE. Muhabet pesë parash, si leximi i përrallave për fëmijët e vegjël para se të shkojnë në shtrat, me këmbëngulje detyrojnë dhe propagandojnë idenë se gjithçka do të rregullohet në mënyrë magjike sapo të bëhemi anëtar i plotë i BE-së, thua se korrupsioni dhe kaosi do t'ia lagin, shushunjat e sistemit do të heqin duart nga mjalti, dhe të rinjtë që u larguan, me një çarter linjë, do të na kthehen menjëherë.

Fenomeni Brain-drain

Korrupsioni si fenomenologji sociale ekziston kudo dhe asnjë shoqëri nuk është imune, por sisteme të caktuara, me kalimin e viteve, kanë arritur të krijojnë mekanizma për ta minimizuar atë. Në disa popuj, vlerat morale janë të një rëndësie të madhe, kështu që vetë morali i mban ata larg nga ky fenomen. Në vendin tonë, as morali i popullit nuk është në ndonjë nivel të lakmueshëm, as mekanizmat e minimizimit nuk funksionojnë. Këtu hyn populli, “hajduti thotë kapeni hajnin”, ose parimi “Kadiu të padit, kadiu të gjykon”.

Duke ecur në këtë drejtim, së shpejti korrupsioni do të bëhet një faktor i margjinalizuar për dështimin e funksionimit të shoqërisë sonë, dhe deficiti i stafit cilësor do të na shkatërrojë më tej, veçanërisht në fushat që janë vendimtare për funksionimin e shoqërisë.

Pas asaj që shohim, një numër i madh studentësh, veçanërisht ata të fakulteteve të mjekësisë, paralelisht me studimet, ndjekin edhe kurse gjuhësore që menjëherë pas diplomimit, në terma popullorë, t'ia lagin nga këtu. Një statistikë tjetër tregon se deri në 10% e studentëve maqedonas vazhdojnë studimet jashtë vendit, që është një faktor mbizotërues për sistemin tonë arsimor në tërësi.

Burim: Kanal77.mk

Nëse tani, në vitin 2023, gabimet mjekësore janë pjesë e jetës sonë të përditshme, imagjinoni se çfarë do të ndodhë në dhjetë vjet nga tani. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shëndetësinë, mendoni për këtë - kush do të ishte gjyqtar, prokuror, profesor universiteti apo funksionar shtetëror... Flukset e reja të emigracionit nuk janë më për arsye financiare, por për shkak të mosfunksionimit të institucioneve, ngecja në vend, paaftësia për t'i treguar dhe përdorur cilësitë, kompetencat, vizionet e tyre... Të rinjtë largohen nga shkaku se e humbin ndeshjen në një stadium ku as nuk kanë hyrë, ndërsa poltronët sistematikë luajnë pa kundërshtar dhe gjuajnë në portë të zbrazët.

Politika 30-vjeçare e sot për sot tani po na godet hapur në kokë. Me një gurin tënd pas kokës, thënë ndryshe. Për tridhjetë vjet, elita politike është tundur me hartën e nacionalizmit sa herë që vlon nën këmbët e tyre, duke shkelmuar njerëzit, majtas dhe djathtas. Jo fajin e kanë maqedonasit, jo shqiptarët, pastaj grekët dhe tani bullgarët, dhe reformat e brendshme dhe sistemike, pu, pu, zoti mos e dhëntë... Bashkëmoshatarëve të mi në Evropë gjithmonë i duken jashtëzakonisht komike problemet me të cilat përballemi këtu në Ballkan, ku edhe pse të gjithë jemi të mbërthyer në të njëjtën gropë septike, ndihmojmë njëri-tjetrin të zhytemi më thellë në regres.

Përvojat evropiane. “Çfarë do të ishte, nëse do të ishte…”

Shpesh kur mendoj për temën - integrimi evropian i Maqedonisë, mendoj për dy skenarë të mundshëm para dhe pas. Njëra është ajo kroate, tjetra është rumune dhe bullgare. Duke pasur parasysh se në disa raste kam jetuar dhe banuar në Republikën e Kroacisë, kur bëj një krahasim të sistemeve, institucioneve, si dhe kulturës së popullsisë në vendin tonë dhe tek ata, dallimet janë dëshpëruese.

Shikuar historikisht, ndërsa ne po kalbeshim në një perandori krejtësisht jo-progresive, Kroacia e sotme u sundua nga një fuqi evropiane. Prandaj, është e pashmangshme që Kroacia dhe Sllovenia kanë qenë gjithmonë më progresive dhe liberale se republikat e tjera jugosllave dhe pothuajse gjithmonë kanë pasur një këmbë në pragun evropian. Këtu kam parasysh kulturën politike, pjesëmarrjen politike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, ekzistencën e qoftë ndonjë rendi apo organizmi në shoqëri... Shoqëria kroate, në fakt, edhe para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, funksiononte shumë më mirë se kushdo tjetër në Ballkan.

Nga ana tjetër, në dy vendet e tjera, Rumani dhe Bullgari, procesi i tranzicionit shkatërroi plotësisht sistemet dhe ashtu jofunksionale dhe me pothuajse me asnjë funksionalitet institucional ata u bënë pjesë e shoqërisë evropiane. Dallimi në dy përvojat është më se i dukshëm, duke pasur parasysh faktin se edhe pas 16 vjetësh si anëtarë të BE-së, Rumanisë dhe Bullgarisë nuk iu dha drita jeshile për të hyrë në zonën Shengen, ndërsa Kroacia u mirëprit krahë hapur që në mundësinë e parë. Sot, Rumania dhe Bullgaria janë një shembull negativ i korrupsionit sistemik, për sistemet e dështuara dhe pa vizion për të ardhmen brenda shoqërisë evropiane. Nëse do të zgjidhja, gjithmonë do të mbështesja skenarin e parë. Reformat, pastaj BE. Gjithçka tjetër do të jetë një hap historikisht shkatërrues për Maqedoninë.

Nga ana tjetër, statistikisht, migrimi i trurit në të gjitha vendet e Ballkanit është zhgënjyes. Në 16 vjet që nga hyrja në Union, Bullgaria ka një deficit popullsie prej pothuajse 17%, ndërsa Rumania 9%, e cila e shprehur në numra është rreth një milion në Bullgari dhe pothuajse një Maqedoni e tërë në rastin rumun. Kroacia, nga ana tjetër, ka një deficit popullsie prej pothuajse 9% në 10 vjet. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se deficiti i popullsisë nuk varet vetëm nga zhvendosja e popullsisë, por edhe nga mirëqenia e përgjithshme socio-ekonomike, veçanërisht e të rinjve.

Përafërsisht, në rastin e Maqedonisë, tendenca e emigrimit është pak a shumë e njëjtë, por duke pasur parasysh faktin se ne nuk jemi as në rrugën tonë për t'u bërë anëtar i BE-së dhe se procesi i zhvendosjes së qytetarëve është një procedurë e madhe burokratike, numrat janë shkatërrues. Megjithëse kemi një numër të kufizuar të burimeve statistikore, si rezultat i dështimit të gjatë për të kryer një regjistrim të popullsisë, shifrat thonë se gjatë një periudhe prej 20 vjetësh, popullsia është ulur me 10%, ose afërsisht 200,000 qytetarë.

Sondazhi i fundit i opinionit, i kryer nga IPIS, tregon se deri në 45% e të rinjve nën 29 vjeç po mendojnë të largohen nga vendi. Dhe tani mendoni, çfarë është ajo që i mban ata 45 për qind këtu? Shpresa për përmirësim, besimi në institucione, standardi i mirë i jetesës apo cilësia e jetesës? Për fat të keq, asnjë nga më sipër. E vetmja arsye që ata nuk e kanë përfunduar punën deri më tani, sipas mendimit tim, është mungesa e dokumentacionit të duhur.

Së fundi, në mënyrë që paradoksi të arrijë pikën e vlimit, le të kujtojmë ata që linin këpucët dhe atletet para Qeverisë, dhe se si ata, në një periudhë prej dy mandatesh, nuk bënë asgjë për të parandaluar migrimin e trurit të të rinjve. Aktorët kanë ndryshuar, telenovela maqedonase mbetet e njëjtë.

Nëse së shpejti nuk arrijmë të krijojmë një agjendë shtetërore vizionare, me konsensus të gjerë politik, për të zhvendosur fokusin nga akuzat reciproke, ndryshimet kushtetuese dhe përhapja e urrejtjes në zbatimin e politikave që do të zvogëlojnë, ose në rastin më të mirë do të likuidojnë plotësisht, trendin e migrimit të trurit, ne do të hyjmë në BE si një mollë e krimbur. Nga jashtë është e bukur, nga brenda është e krimbur.

Një mendje politike dikur më tha se “amerikanët ndjekin një politikë pragmatizmi, gjermanët një politikë logjike dhe maqedonasit një politikë inati”.

Pra, le të shohim se ku do të na çojë inati.

Quo vadis Maqedoni?

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Gjorgi Haxhi Vasilev

Gjorgi Haxhi Vasilev është i diplomuar për shkenca politike dhe student i ciklit të dytë të studimeve në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare, Diplomaci dhe Integrim në BE në Fakultetin Juridik "Justijiina Prvi" në Shkup.