Iva Conevska
Përveç përmirësimit të efikasitetit të gjyqësorit maqedonas në drejtim të zgjidhjes së lëndëve të vjetra dhe shkallës së zgjidhjes së lëndëve gjyqësore, nevojiten përpjekje shtesë për të përmirësuar sistematikisht efikasitetin për të pasur një drejtësi efikase dhe cilësore.
Efikasiteti i gjyqësorit është një nga nën-fushat që janë pjesë e Kapitullit 23 - Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, i cili bazohet në nenin 2 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian i cili i referohet parimeve të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Këto parime janë të përbashkëta për vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe gjithashtu janë të detyrueshme për vendet kandidate. Rëndësia e Kapitullit 23 është që, së bashku me Kapitullin 24, fillimisht hapet dhe në fund mbyllet me procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Kjo qasje sigurisht do të vazhdojë edhe me metodologjinë e re për zgjerim, respektivisht negociatat do të fillojnë me grupin e sundimit të ligjit dhe do të mbyllen me të. Një nga sfidat kryesore në harmonizimin me BE-në në Kapitullin e 23-të është se për pjesën më të madhe të përmbajtjes së tij, kryesisht në drejtim të krijimit të institucioneve, nuk ka akte juridike të BE-së ose "modele" të unifikuara. Bëhet fjalë për standarde demokratike dhe praktikat më të mira të shteteve anëtare të BE-së, të formuluara shpesh përmes "ligjit të butë" të Këshillit të Evropës, në dokumentet e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht po evoluojnë dhe përparojnë.
Parametrat e matjes së efikasitetit - deri ku jemi?
Sa i përket efikasitetit të sistemeve gjyqësore të vendeve, Komisioni Evropian për efikasitetin e drejtësisë (CEPEJ) niset nga disa parametra për matjen e efikasitetit. CEPEJ nuk shikon efikasitetin e sistemeve gjyqësore në kuptimin më të ngushtë, por thekson cilësinë dhe efektivitetin e drejtësisë. Në këtë drejtim, kur flasim për efikasitetin e drejtësisë, në praktikën gjyqësore kohëzgjatja mesatare e çështjeve gjyqësore, prapambetja e çështjeve, si dhe numri i çështjeve që mbahen për një kohë të gjatë, burimet njerëzore dhe materiale, buxheti i alokuar për gjyqësorin, teknologjitë e TI dhe aksesi elektronik janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Lista e treguesve të efikasitetit është paraqitur gjithashtu edhe në EU Justice Scoreboard.
Analiza e Raporteve të Komsionit Evropian nga viti 2016 deri në vitin 2019, konstaton se gjykatat tregojnë efikasitet të vazhdueshëm, një shkallë zgjidhjeje 100 për qind ose më shumë. Në raportet për vitin 2016 dhe 2018, është dhënë vërejtje vetëm në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave që zhvillohen sipas rregullave të vjetra procedurale. Nga kjo rrjedh se gjykatat maqedonase, megjithë kufizimet e kuadrove dhe ato materiale, ende janë efikase.
Sipas raportit të vjetshëm të Komisionit Evropian për vendin tonë, pothuajse të gjitha gjykatat mbajnë një normë zgjidhjeje 100 për qind ose më shumë, duke treguar efikasitet të vazhdueshëm. Kjo gjendje e efikasitetit të gjyqësorit për vitin 2018 është vlerësuar edhe në raportin vjetor të Këshillit Gjyqësor për vitin 2018. Sidoqoftë, në raportin e fundit të Këshillit Gjyqësor citohet se në nivelin kombëtar, gjykatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut si tërësi nuk kanë punuar si duhet në vitin 2019, ndryshe nga viti 2018 kur ato arritën të kapërcejnë fluksin e çështjeve të reja të pranuara dhe të zvogëlojnë numrin e çështjeve të prapambetura. Në raportin e fundit të vitit 2019, u arrit në përfundimin se, në përgjithësi, gjykatat nuk arritën të kontrollojnë fluksin dhe e rritën numrin e çështjeve të prapambetura.
Sidoqoftë, nëse vërtet duam të kemi një drejtësi efikase dhe cilësore, është e nevojshme të shikojmë parametrat e tjerë që i ndjek CEPEJ.
Kur flasim për efikasitetin, duhet të merren parasysh, burimet e kufizuara, kryesisht materiale dhe njerëzore të disponueshme për gjyqësorin në vend. Sipas statistikave të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, vendi është mbi mesataren evropiane përsa i përket numrit të të punësuarve në gjykata që nuk janë gjyqtarë. Megjithatë, vite më parë Këshilli Gjyqësor në raportet e tij vjetore konkludoi se gjykatave u mungojnë nëpunësit profesionalë. Sipas raportit të fundit në hije të Kapitullit 23, nuk është bërë asnjë përpjekje për të rritur numrin e nëpunësve profesionistë në gjykata dhe nuk është përmirësuar as situata me nëpunësit në pozicionet drejtuese të gjykatave të cilët janë një ose asnjë në pjesën më të madhe të gjykatave. Sipas të dhënave nga CEPEJ, Republika e Maqedonisë së Veriut është mbi mesataren evropiane, në numrin e gjyqtarëve për 100,000 banorë.
Buxheti për frymë për gjyqësorin, sipas të dhënave të CEPEJ, është më i ulëti në krahasim me 32 vendet e tjera të Evropës. Në vendin tonë, gjyqësori merr më shumë se dy herë më pak fonde (0.3 për qind të PBB-së) sesa parashikohet me ligj (0.8 për qind të PBB-së). Gjykatësit konsiderojnë se gjyqësori duhet të ketë sistemin e vet të buxhetit dhe të thesarit me një organ që do të vendosë për punësimin dhe nevojat në gjyqësor.
Figura 1 - numri i gjyqtarëve profesionistë, prokurorëve, avokatëve, stafi jo gjyqësor, personeli që nuk janë prokurorë për 100,000 banorë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut; Buxheti i aprovuar (në euro) për banor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave nga CEPEJ, vendi ynë është nën mesataren evropiane, në numrin e prokurorëve për 100,000 banorë, dhe mbi mesataren evropiane për sa i përket stafit që nuk janë prokurorë. Sidoqoftë, në prokuroritë publike mungojnë gjithashtu prokurorët publikë dhe bashkëpunëtorët e prokurorisë publike. Buxheti i alokuar për prokuroritë publike në vendin tonë është gjithashtu nën mesataren evropiane.
Një nga rekomandimet e përcaktuara në Prioritetet Urgjente Reformatore është të sigurohet që të gjitha vendimet gjyqësore të publikohen brenda afateve të qarta të përcaktuara me ligj (si dhe të sigurojnë mundësi kërkimi dhe qasje të lehtësuar). Për këtë qëllim, u krijua portali gjyqësor - sud.mk me qëllim të përmirësimit të qasjes në praktikën gjyqësore dhe në përgjithësi për të përmirësuar transparencën e gjyqësorit, por është ende i vështirë që të përdoret për kërkim. Ai ka një strukturë identike për sa i përket informacionit që duhet të publikohet nga të gjitha gjykatat në vend, por, sipas hulumtimit më të fundit të “Metamorfozis” ka dallime të mëdha në të dhënat e publikuara nga gjykatat.
Cili është planifikimi i shtetit?
Nevoja për të përmirësuar efikasitetin e gjyqësorit është parashikuar në Strategjinë për Reformimin e Sektorit Gjyqësor 2017-2020 me Plan Veprim dhe në Planin Strategjik të Ministrisë së Drejtësisë 2020-2022. Edhe pse planifikimi i këtyre dokumenteve është afatshkurtër dhe afatmesëm, reformat gjyqësore po ndodhin në planin afatgjatë. Duke parë përvojën e vendeve të tjera, ato mund të zgjasin për dekada.
Me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjyqësorit dhe zbatimit të disa prej masave të përcaktuara në Strategjinë për Reformimin e Sektorit Gjyqësor, Këshilli Gjyqësor dhe kryetarët e gjykatave në vitin 2019 morën masa konkrete për të zvogëluar prapambetjen e çështjeve të vjetra në gjyqësor, më të vjetër prej tre, shtatë dhe dhjetë vjet. Këto masa kanë rezultuar në zgjidhjen e një numri të çështjeve të vjetra në të gjitha gjykatat.
Nevoja për personel në gjykata dhe prokurori përcaktohet gjithashtu Strategjinë për Reformën e Sektorit Gjyqësor. Edhe pse Strategjia parashikon ndryshimet e para ligjore në Ligjin për Shërbimin Gjyqësor dhe Ligjin për Shërbimin e Prokurorisë Publike, i cili sipas Planit të Veprimit të rishikuar duhej të aprovohej në prill 2020, ende këto ndryshime nuk janë miratuar.
Burimi: prizma.mk
Raporti i fundit i Komisionit Evropian identifikon nevojën për të përgatitur një strategji për burimet njerëzore në gjyqësor. Brenda Ministrisë së Drejtësisë është bërë një Analizë për optimizimin e rrjetit gjyqësor, e cila është një pikë fillimi për planifikimin e ardhshëm në gjyqësor. Po përgatitet një strategji për burimet njerëzore në gjyqësor, e cila pritet të përcaktojë realisht nevojat e burimeve njerëzore dhe të përcaktojë numrin optimal të gjyqtarëve, që është mbi mesataren evropiane, si parakusht për përmirësimin e efikasitetit të gjyqësorit.
Për të përmirësuar cilësinë e drejtësisë penale, është e nevojshme që personeli të bëhet në prokuroritë publike. Vendi gjithashtu ka mungesë të prokurorëve publik dhe bashkëpunëtorë të prokurorëve publik. Për dallim nga Zyra e Prokurorit Publik Special, i cili kishte staf, pavarësi financiare dhe një buxhet të madh të vetin, Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përballet me mungesë të personelit dhe burimeve materiale, gjë që kërkon promovimin e saj me burime njerëzore dhe kuadër të prokurorëve publikë, si dhe sigurimin e mbështetjes financiare nga buxheti. Edhe pse Ligji për Procedurën Penale, në fuqi që nga viti 2014, parashikon krijimin e qendrave të hetimit, katër qendrat e para të hetimit u krijuan në shkurt 2019, dhe filluan të funksionojnë në 1 Mars 2020. Është përgatitur gjithashtu një analizë funksionale e prokurorisë publike.
Rritja e buxhetit gjyqësor, sigurimi i pavarësisë financiare të gjyqësorit dhe liria për të vendosur për shpenzimet, aktivitetet në vazhdim dhe prokurimi është një kusht për pavarësinë e gjyqësorit dhe do të kontribuojë në një efikasitet më të madh. Gjyqësori duhet të marrë miratimin nga Ministria e Financave për të gjitha prokurimet dhe punësimet. Megjithëse Strategjia për Reformë në Sektorin e Gjyqësorit parashikon rritjen e buxhetit gjyqësor dhe kështu edhe zbatimin e vazhdueshëm të shumës së parashikuar me ligj për buxhetin gjyqësor (0.8 për qind të PBB-së), prapë gjyqësori në vendin tonë në vitin 2019 dhe vite më parë është i financuar 0.3 për qind të PBB-së. Strategjia parashikon që buxheti i gjykatës për vitin 2019 të jetë 0.6 për qind e PBB-së dhe për vitin 2021 prej 0.8 për qind të PBB-së. Në të njëjtën kohë, rritja e buxhetit të Prokurorisë Publike padyshim që do të kontribuojë në ekzekutimin efikas të kompetencave të Prokurorive Publike dhe kështu edhe në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë penale.
Në të njëjtën kohë, nevoja për të përmirësuar kushtet materiale dhe teknike të punës në gjykata dhe prokurori është e padiskutueshme. Kështu, Ligji i ri për Mosmarrëveshjet Administrative, i cili ka hyrë në fuqi që nga maji i vitit 2020, parashikon detyrime më të mëdha për Gjyqësorin Administrativ. Kjo do të thotë që seancat dëgjimore publike do të mbahen para Gjykatës Administrative. Duke marrë parasysh kushtet e kufizuara të hapësirës në ndërtesën ku ndodhet Gjykata Administrative, është e nevojshme të sigurohet një ndërtesë e re. Në këtë kuptim, është filluar një procedurë për sigurimin e një ndërtese të re në të cilën do të vendoset Gjykata Administrative.
Përveç përmirësimit të efikasitetit të gjyqësorit maqedonas në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të vjetra gjyqësore dhe shkallës së zgjidhjes së çështjeve, nevojiten përpjekje shtesë për të përmirësuar sistematikisht efikasitetin dhe për të pasur një drejtësi efikase dhe cilësore. Duke marrë parasysh parametrat evropianë për efikasitetin dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor maqedonas, është e nevojshme, mbi të gjitha, ekipimi i personelit të gjyqësorit dhe prokurorisë, përmirësimi i kushteve të punës, si dhe rritja e buxhetit gjyqësor dhe buxhetit të prokurorisë publike . Për sa i përket qasjes dhe disponueshmërisë së praktikës gjyqësore, është e nevojshme të përmirësohet funksionaliteti i portalit gjyqësor sud.mk. Qendra për Teknologji Informatike në Gjykatën Supreme të RMV duhet të bëjë përpjekje shtesë për të përmirësuar publikimin e azhurnuar dhe uniform të informacionit nga të gjitha gjykatat.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni apo shkarkoni
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose të dhuruesit.