fbpx

Diplomacia e Paqes dhe Paqja Diplomatike

Gëzim Visoka

Politika

22.11.18

Прегледи
МК   ALB

Gëzim Visoka

Gzim Visoka 200x250Përderisa Kosova ka të drejtë të argumentojë se përmes dialogut me Serbinë ka dëshmuar karakterin paqedashës – që është parakusht për pranim në OKB – Serbia është duke bërë të kundërtën. Njohja e Kosovës konsiderohet akt që fuqizon stabilitetin e rajonit, ndërsa fushata për çnjohjen e Kosovës në esencë është akt agresioni dhe ndërhyrje në sovranitet të Kosovës.

Në kohë paqeje qëllimi i diplomacisë është tejkalimi i dallimeve mes popujve. Në kohë lufte qëllimi i diplomacisë është arsyetimi i zgjerimit të dallimeve mes popujve. Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur marrëveshje paqeje dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se për çfarë qëllimi përdoret diplomacia dhe instrumentalizohet paqja. Kjo në veçanti tregon shumë për fushatën e fundit të Serbisë, për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Që nga humbja e luftës në Kosovë, Serbia është munduar të rindërtojë identitetin shtetëror dhe të tejkalojë poshtërimin që i ka përcjellë vendit ndërhyrja e NATO-s, kapitullimi ushtarak dhe tërheqja nga Kosova, dënimet për krime lufte dhe akte gjenocidale, si dhe imponimet e vazhdueshme nga jashtë. Serbia edhepse është pranuar sërish në OKB pas përjashtimit në vitet e 1990-ta – me pretekstin që është vend paqedashës – ajo kurrë nuk ka vepruar si e tillë. Që nga viti 1999, Serbia është munduar që t’i zhbëjë përpjekjet vendore dhe ndërkombëtare për paqe-ndërtim dhe shtet-ndërtim në Kosovë: fillimisht përmes krijimit të strukturave paralele dhe enklavave etnike, pastaj përmes decentralizimit dhe kthimit të kolektivitetit, bojkotit institucional, dhe së fundi përmes kontrollimit të partive serbe në Kosovë. Ngjashëm ka vepruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë ku ka punuar vazhdimisht kundër paqes lokale dhe asaj rajonale. Bashkësia ndërkombëtare e ka rehabilituar dhe pranuar Serbinë për kundër faktit që ka qenë dhe mbetet faktori kryesor në destabilizimin e rajonit. Logjika e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë rast është bazuar më shumë në përafrimin e shteteve problematike – si Serbia – sesa kultivimin e përkrahjes ndaj vendeve bashkëpunuese. Është logjikë e idealizmit pragmatik, ku qëllimet dhe veprimet diplomatike vazhdimisht t’u përshtaten rrethanave. Kjo logjikë e bashkëpunimit e ka trimëruar Serbinë që të prodhojë rrethana që do të detyronte vendet e BE-së dhe fuqitë e tjera euroatlantike të pranojnë në heshtje rritjen e autoritarizmit në Serbi, të mos e ndëshkojnë Serbinë për përafrim me Rusinë dhe rehabilitim të kriminelëve të luftës, të mos reagojnë për ndërhyrjet në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit, si dhe të tolerojnë mosgatishmërinë e Serbisë për të përafruar politikën e jashtme me atë të BE-së. Pra, sipas kësaj logjike, krizë-prodhuesit duhet mbajtur më afër sesa vendet paqe-ndërtuese. Kjo ka krijuar një ambient të tensionimit të marrëdhënieve mes shteteve në rajon.

Serbia që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka punuar vazhdimisht për ta parandaluar njohjen diplomatike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo ka përdorur diplomacinë e saj jo për paqe por për agresion ndaj Kosovës. Fakti që Kosova ka gëzuar përkrahje të madhe diplomatike dhe ka punuar zellshëm në sigurimin e njohjeve, e ka bërë fushatën serbe kundër njohjeve gati të padukshme. Kosova në dekadën e parë të shtetësisë së pavarur ka siguruar numër të konsiderueshëm të njohjeve krahasuar me vendet e tjera që nuk kanë siguruar njohje kolektive dhe kanë shpallur pavarësinë pa pëlqimin e shtetit bazë. Pra kritika që i bëhet qeverisë së Kosovës për dështimin e sigurimit të 100 njohjeve në vitin e parë, siç ishte premtuar, është e pavend, sepse njohja bilaterale është shumë më komplekse sesa ç’mendohet shpesh. Përderisa në vitin 2008 Kosova është njohur nga 53 shtete, në vitet pasuese dhe gjer në 2014 Kosova është njohur nga rreth 10 deri në 12 shtete në vit. Por pas kësaj kohe, numri i njohjeve ka rënë dukshëm. Gjatë dekatës së parë të shtetësisë së Kosovës, Serbia vazhdimisht ka provuar që ta parandalojë njohjen e Kosovës. Fillimisht duke i frikuar shtetet se pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikon të vendosë precedent të rrezikshëm për rajonet e tjera që kërkojnë vetëvendosje. Më vonë, kur ka humbur betejën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka fokusuar diskursin diplomatik në paraqitjen e Kosovës si faktor destabiliteti në rajon dhe më gjerë. Por, kjo fushatë që shpesh është përkrahur nga Rusia dhe vendet e tjera jomike të perëndimit, nuk ka arritur shumë suksese për faktin se Kosova siguronte njohje të vazhdueshme. Tani që rrethanat kanë ndryshuar, Serbia i është rikthyer fushatës së saj për të dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Fushata e fundit e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nuk ka të bëjë tërësisht me qasjen ofensive ose fuqinë e Serbisë, por më shumë me plogështinë e përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën si dhe humbjen e momentumit diplomatik të vetë Kosovës si pasojë e ndërrimit të shpeshtë të qeverive dhe ngërçeve politike, ku bashkëpërgjegjës është i tërë spektri politik në vend. Pra, zgjedhjet e njëpasnjëshme lokale dhe qendrore ndërmjet viteve 2014 dhe 2017, i kanë detyruar përgjegjësit e politikës së jashtme të Kosovës të ndërpresin fushatën pro-aktive për lobim për njohje dhe t’i kthehen odave dhe fushatave elektorale. Në rrafshin ndërkombëtar, shtetet mike të Kosovës disi e kanë humbur interesimin mbi Kosovën si pasojë e ndryshimeve në qeveritë e tyre dhe dështimeve të vazhdueshme të Kosovës, si dhe shfaqja e krizave tjera ndërkombëtare. Këtu duhet përmendur sa paradoksale është funksionimi i bashkësisë ndërkombëtare. Diplomacia parandaluese zakonisht është e pasuksesshme, dhe vetëm prodhimi i krizave tërheq vëmendjen ndërkombëtare. Meqë Kosova është më stabile tani dhe është dëshmuar që ka diplomaci paqedashëse, duket që kjo po merret si e mirëqenë nga partnerët ndërkombëtarë dhe nuk janë duke shtyrë përpara proceset shtet-konsoliduese për vendin. Në të kaluarën, Kosovës i është dashur punë intensive disavjeçare për të siguruar secilën njohje, dhe kur ky intensitet ka rënë, kemi vërejtur po ashtu rënie të numrit të njohjeve. Një tjetër gabim që është bërë, ka të bëjë me vonesën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet që na kanë njohur, si dhe mospërmbushjen e premtimeve të dhëna për bashkëpunim politik dhe ekonomik ndaj shumë vendeve në kuadër të lobimit për njohje. Serbia tani duket që po përdor këtë boshllëk të krijuar dhe po u ofron disa vendeve të varfra postkoloniale premtime për ndihma ekonomike dhe të sigurisë. Kosova është duke e adresuar këtë problem, mirëpo kthimi në binar i diplomacisë pro-aktive do të marrë kohë.

Diplomacia serbe sikurse ajo kosovare ka vite që e përdorin dialogun si pretekst për të parandaluar, respektivisht zgjeruar njohjen diplomatike të Kosovës. Duhet rikujtuar se Egjipti, Omani, dhe Togo në mënyrë eksplicite e kanë arsyetuar njohjen e Kosovës mbi të arriturat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Tani Serbia është duke bërë të njëjtën gjë, por për qëllime të kundërta. Të gjitha letrat e çnjohjes – që duket se janë shkruar nga vetë diplomacia serbe ngase kanë ngjashmëri të shumta - kanë potencuar suspendimin apo tërheqjen e njohjes derisa të arrihet një marrëveshje e pajtueshme për dy palët. Tanimë është e qartë se Serbia është duke bërë përpjekje që ta rrisë fuqinë e saj negociuese karshi Kosovës duke dëshmuar se mund ta dëmtojë dhe bllokojë Kosovën në nivel ndërkombëtar nëse nuk bënë koncesione. Çnjohjet lidhen direkt po ashtu edhe me pamundësinë e Serbisë për ta shtyrë përpara themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovës, pamundësinë për ta bllokuar tutje formimin e Ushtrisë së Kosovës, si dhe pamundësinë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Në veçanti, formimi i ushtrisë dhe anëtarësimi në INTERPOL e kompletojnë sovranitetin e Kosovës në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit.

Përderisa Kosova ka të drejtë të argumentojë se përmes dialogut me Serbinë ka dëshmuar karakterin paqedashës – që është parakusht për pranim në OKB – Serbia është duke bërë të kundërtën. Njohja e Kosovës konsiderohet akt që fuqizon stabilitetin e rajonit, ndërsa fushata për çnjohjen e Kosovës në esencë është akt agresioni dhe ndërhyrje në sovranitet të Kosovës. Pra, këto vende që po arsyetojnë çnjohjen e Kosovën për shkak të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës janë duke rrezikuar paqen rajonale dhe ndërkombëtare dhe si e tillë çnjohja është ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës në kundërshtim me normat dhe ligjet themelore ndërkombëtare. Pra, diplomacia e paqes e Serbisë nuk është duke u përdorur për paqe-ndërtim, por për paqe-shkatërrim. Sa më herët që e kuptojmë dhe e pranojmë këtë aq më efektive do të jetë kundërpërgjigjja e Kosovës. Duhet sqaruar se çnjohjet nuk janë lajme të rreme, por janë veprim destruktiv politike që kanë ndodhur edhe në disa raste tjera. Një vend kur tërheq njohjen në efekt ndërpret komunikimin zyrtar diplomatik me vendin që çnjeh, prandaj edhe nuk duhet pritur që ai vend të dërgojë letër zyrtare për të konfirmuar tërheqjen e njohjes. Për shembull, në instancë të parë disa vende që e kanë njohur Kosovën, notën verbale nuk e kanë dërguar tek autoritetet kosovare por tek një vend i tretë, dhe kjo është konsideruar si njohje valide. Mirëpo pritja që një vend që të çnjeh të të dërgojë notë verbale do të simbolizonte vazhdimin e njohjes implicite.

Kundërpërgjigjja e institucioneve të Kosovës, së pari duke pranuar së çnjohjet janë akt agresioni që synojnë dëmtimin e Kosovës ,dhe pastaj duke vendosur masa ekonomike është hapi i parë i duhur për të zbuluar sa armiqësore është diplomacia serbe. Efektet e taksës doganore të Kosovës janë duke u vërejtur menjëherë, dhe ka gjasa që presioni i brendshëm në Serbi të ndikojë në zmbrapsjen diplomatike të Serbisë ndaj Kosovës. Kundërpërgjigjja e Kosovës është në frymën evropiane dhe në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së në fushën e politikës se jashtme dhe të sigurisë. Pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja dhe përfshirë këtu edhe Kosovën, kanë ndërmarrë masa sanksionuese ekonomike dhe politike ndaj Rusisë. Reagimi i BE-së ndaj masave kosovare ishte i pritshëm. Mirëpo, reagime të tilla publike BE duhet të bëjë edhe ndaj sjelljeve destruktive të Serbisë, përfshirë këtu fushatën agresive për të tërhequr njohjet e Kosovës. Pas takimit të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë me 8 nëntor, BE-ja në mënyrë implicite e pranoi se çnjohja është veprim në kundërshtim me frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të demaskojnë fuqishëm diplomacinë dashakeqëse të Serbisë dhe të fitojnë simpati ndërkombëtare për njohje të reja diplomatike dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Për këtë Kosova duhet të dëshmojë që ka diplomaci të vërtetë të paqes, por të kushtëzojë paqen diplomatike me Serbinë vetëm nëse ajo heq dorë nga veprimet ndërhyrëse në punët e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Është momenti i fundit për unitet partiak mbi politikën e jashtme të Kosovës dhe mobilizim i të gjithë akterëve për të mbrojtur dhe fuqizuar shtetësinë e Kosovës. Është e pamundur që vetëm Ministria e Punëve të Jashtme ta kryejë këtë detyrë të vështirë. Njohja ndërkombëtare e Kosovës është njohje e sakrificës së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Është njohje e kulturës, identitetit, dhe arritjeve shoqërore të Kosovës. Prandaj, ky proces është përgjegjësi e të gjithëve.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker
www.sbunker.net

Gëzim Visoka

Gëzim Visoka është pedagog i shkencave politike në Universitetin e Dublinit, Irlandë, ku ai jep mësim për paqen dhe konfliktin. Ai mbaroi studimet e doktoratës në të njëjtin universitet në fushën e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai është autori i tre librave dhe dhjetëra artikujve shkencorë mbi ndërhyrjen, paqen dhe shtetin. Puna e tij akademike mund të lexohet në www.gezimvisoka.com.