fbpx

Hapësira kibernetike: Një fushë e re beteje?

Vesna Poposka

Politika

18.01.23

Прегледи

Shpesh shtrohet pyetja: a mund të jetë hapësira virtuale “skena e krimit” apo thjesht një mjet për ekzekutimin e tij. Për fat të keq, të dy opsionet janë të mundshme.

Përparimet teknologjike kanë lejuar akumulimin e pushtetit në duart e individëve me qëllim keqdashës. (Keq)përdorimi i hapësirës kibernetike dhe përfitimet e teknologjisë moderne lejojnë një shtrirje të madhe dhe përfitim të shpejtë për të arritur qëllime të ndryshme politike. Aktorët jo-shtetërorë përfitojnë nga teknologjia moderne për të shumëfishuar pushtetin çdo ditë.

Shpesh, vetë shtetet, duke vepruar haptas apo fshehurazi, abuzojnë me të njëjtën hapësirë, duke u futur në luftëra proxy, duke përdorur të gjithë elementët e pushtetit kombëtar për të fituar një avantazh të caktuar ose për të arritur një qëllim që mbështet interesin e tyre kombëtar. Rasti Stuxnet arriti ta kthejë shumë prapa programin bërthamor iranian, një numër vendesh në botë akuzuan Rusinë për sulme kibernetike të synuara, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve në Gjeorgji dhe Estoni, kurse Bitcoin u bë një lojtar serioz, veçanërisht në kontekstin e krizës energjetike.

Shpesh shtrohet pyetja: a mund të jetë hapësira virtuale “skena e krimit” apo thjesht një mjet për ekzekutimin e tij. Për fat të keq, të dy opsionet janë të mundshme.

Aq sa e ka bërë jetën më të lehtë dhe përshpejtuar proceset ekonomike dhe globalizimin, përparimi jashtëzakonisht i shpejtë teknologjik e ka bërë botën në të cilën jetojmë më vulnerabël. Nga pikëpamja e sigurisë, hapësira kibernetike është thembra e re e Akilit - ose më mirë, hic sunt leones ("këtu fshihen luanët" - figurativisht, një proverb latin). Nga vjedhja e të dhënave dhe keqpërdorimet financiare në mënyrë elektronike te ndërprerja e shërbimit, spiunazhi, komprometimi i infrastrukturës kritike dhe sulmi i drejtpërdrejtë ndaj një programi bërthamor... Gama është vërtet e gjerë.

Prandaj është shumë e vështirë të japësh përgjigje konkrete dhe adekuate ligjore, të cilat do të plotësonin kërkesat e sfidave të ndryshme. Struktura e hapësirës kibernetike, dhe sidomos natyra e internetit, është në kundërshtim me nevojën për t'u kontrolluar.

Kërcënim virtual, efekte reale

Kompleksiteti i hapësirës virtuale dhe kërcënimet e sigurisë që rrjedhin prej saj, shkaktojnë efekte reale në të gjitha aspektet e jetës së përditshme. Në periudhën e fundit, ndërkohë që jemi dëshmitarë të luftës ruso-ukrainase, intensiteti në hapësirën virtuale nuk është më i vogël se intensiteti në fushën e betejës.

Në fund të fundit, luftërat proxy janë një fenomen që është intensifikuar veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit dhe nënkupton veprimtari armiqësore pa konfrontim të drejtpërdrejtë ose të paktën të dukshëm, zakonisht nëpërmjet aktorëve joshtetërorë ose aktorëve, veprimtaria e të cilëve nuk mund t'i atribuohet shtetit në kapacitetin e tij zyrtar.

Kontekstin e epokës së re e ka kuptuar më së miri ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, kur ai deklaroi se: "Prosperiteti ekonomik i Amerikës, siguria kombëtare, liritë tona individuale, varen nga angazhimi ynë për sigurimin e hapësirës kibernetike dhe mirëmbajtjen e një interneti të hapur, të ndërveprueshëm, të mbrojtur dhe të sigurt.

Burimi: pixabay.com

Infrastruktura jonë kritike vazhdon të jetë në rrezik nga kërcënimet kibernetike dhe ekonomia jonë është e dëmtuar nga vjedhja e pronës sonë intelektuale. Ndërsa kërcënimet janë serioze dhe vazhdimisht në zhvillim, unë besoj se nëse i trajtojmë ato në mënyrë efektive, ne mund të sigurojmë që interneti të mbetet një motor për rritjen ekonomike dhe një platformë për shkëmbimin e lirë të ideve."

Siguria kibernetike si koncept

Strategjia e Sigurisë e Bashkimit Evropian e vitit 2013 thotë se "Siguria kibernetike në përgjithësi i referohet masave mbrojtëse dhe veprimeve që mund të përdoren për të mbrojtur domenin kibernetik, si në fushën civile ashtu edhe në atë ushtarake, nga ato pika që lidhen ose nëpërmjet të cilave mund të dëmtohen rrjetet e pavarura, informacioni dhe infrastruktura e tyre”.

Kjo nënkupton se edhe korniza ligjore do të jetë, thënë kushtimisht, edhe "civile" dhe "ushtarake" - si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare.

Hapat pionierë në këtë fushë Republika e Maqedonisë së Veriut i bëri mjaft vonë, menjëherë në kuadër të reformave të nevojshme për të fituar anëtarësimin në NATO. Kështu, u miratua Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike 2018-2022 dhe Plani i Veprimit për të njëjtën periudhë, si dhe Strategjia e Mbrojtjes Kibernetike, të gjitha nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sfidat juridike

Siguria kibernetike ngre shumë dilema, por ndoshta pyetja e parë do të ishte: juridiksioni i kujt është? Përgjigja do të nënkuptojë si kuadrin ligjor ashtu edhe veprimin specifik. Por si mundet hapësira kibernetike të binte nën juridiksionin e dikujt? Ndoshta mund të flitet për juridiksion mbi infrastrukturën që mundëson ekzistencën e hapësirës kibernetike, por në thelb nuk është një kategori fikse.

Bota e përbërë nga bit dhe bajt nuk mund të matet, lokalizohet dhe shpërndahet në kuptimin klasik të termave. Nga ana tjetër, hapësira kibernetike është vendi ku më së shumti “thyhen shtizat” në përplasjen mes kërkesave për siguri dhe privatësi, kurse të drejtat e njeriut konceptualisht janë nën sulm të vazhdueshëm.

Në mes të inkriminimit dhe luftës

Lufta kibernetike (cyber warfare) është një term hibrid që ka për qëllim të mbulojë një spektër më të gjerë veprimesh agresive. Ndryshe nga lufta apo krimet, termi "luftë" nuk përbën një kategori juridike. Kjo është pikërisht arsyeja pse përdoret në një përmasë aqë të madhe - mbulon një gamë më të gjerë veprimesh, veçanërisht në kontekstin e kërcënimeve moderne hibride dhe asimetrike të sigurisë, të cilat shpesh shtrihen në kryqëzimin midis krimit dhe luftës.

Edhe pse më i kufizuar, termi luftë elektronike përdoret gjithashtu si sinonim, të cilin Manuali i Talinit e definon si "Përdorimi i fushave elektromagnetike (EM) ose energjia e drejtuar për të shfrytëzuar spektrin elektromagnetik". Mund të përfshijë përgjimin ose identifikimin e emetimeve, përfshirjen e energjisë, parandalimin e përdorimit armiqësor të spektrit elektromagnetik nga një palë kundërshtare dhe veprimet për të siguruar përfshirjen efektive të spektrit elektromagnetik nga shteti përdorues."

Manuali i Talinit, me dy botimet e tij dhe të tretin që do të dalë në dritë, përfaqëson, megjithëse në një formë të butë dhe jo detyruese, një kodifikim të rregullave ligjore ekzistuese në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare për konfliktet e armatosura. Parimet e tij, të paktën në pjesën e dokumenteve që janë publike dhe të aksesueshme, nuk janë përfshirë ende në rregullat ligjore të zbatueshme për forcat ushtarake kombëtare.

Ndoshta, ndërtimi i një doktrine ushtarake në fushën e hapësirës kibernetike është një nga hapat e radhës që duhet ndërmarrë. Aktivitetet intensive në këtë segment nuk shkojnë përtej vendeve tradicionalisht të paangazhuara ushtarakisht.

Kështu, për shembull, Kanadaja, e udhëhequr nga një qeveri konservatore, në vitin 2015 miratoi legjislacionin e ri kundër terrorizmit, në vitin 2017, e udhëhequr nga një qeveri liberale, vendosi kompetenca të reja për agjencinë kombëtare të mbikëqyrjes elektronike, duke i dhënë asaj mundësinë për të punuar ngushtë me ushtrinë dhe të kryejë veprime ofensive kundër aktorëve të huaj dhe të përjashtojë sulmet e mundshme kibernetike për të mbrojtur Kanadanë dhe infrastrukturën e saj kritike.

Me pak fjalë, kjo legalizon jo vetëm vetëmbrojtjen paraprake, por edhe parandaluese në një kontekst kibernetik, e cila mund të jetë një praktikë jashtëzakonisht e rrezikshme – pra, përdorimi i forcës ushtarake kundër një sulmi që nuk ka ndodhur ende.

Në çdo rast, mund të flasim kushtimisht për dy korniza ligjore: atë kombëtare si kornizë parësore dhe më e ngushtë dhe ndërkombëtare si më të përgjithshme dhe më të gjerë.

Pjesa maqedonase e tregimit

Kur është fjala për kornizën ligjore kombëtare, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siguria kibernetike trajtohet si çështje penale, para së gjithash në fushën e krimit kibernetik. Kjo do të thotë, bëhet fjalë për veprat klasike të krimit kompjuterik ose përdorimin e sistemeve dhe rrjeteve kompjuterike për kryerjen e veprave të krimit "klasik" - mashtrim (kompjuterik), falsifikim (kompjuterik), vjedhje (e të dhënave personale) dhe të ngjashme. Kuadri ligjor kombëtar lëviz kryesisht përmes prizmit të së drejtës penale substanciale - kodit penal.

Maqedonia është anëtare e Konventës për krimin kibernetik të Këshillit të Evropës. Me ratifikimin e Konventës, ajo bëhet pjesë e rendit juridik të brendshëm sipas Kushtetutës. Duke marrë parasysh të gjitha gjërat, 'në letër' situata mund të mos jetë aq e keqe, por megjithëse nuk ka të dhëna ose kërkime të disponueshme publikisht për shkallën e cenueshmërisë, probabiliteti i rrezikut është i lartë.

Sulmi ndaj faqes së internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është ndoshta shembulli më flagrant për këtë.

Megjithatë, problemi më serioz është ndoshta ndërgjegjësimi, për të cilin duhet punuar intensivisht, paralelisht me zhvillimin e shkrim-leximit mediatik dhe zhvillimin e rezistencës, pra elasticitetit (resilience) si koncept. Në mungesë të një kuadri ligjor të saktë dhe me një konsensus realisht të vështirë për t'u arritur rreth tij, aktorët kryesorë në botë fokusohen shumë më tepër në zhvillimin e "politikave" (policy) si një modus operandi për veprim dhe reagim.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Vesna Poposka

Doc. dr. Vesna Poposka është profesoreshë universitare, eksperte e pavarur dhe aktiviste shumëvjeçare. Ajo mbrojti disertacionin e doktoratës me titull "Aspektet juridike ndërkombëtare për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga kërcënimet moderne të sigurisë" në Akademinë Ushtarake në Shkup në vitin 2019. Ajo mban një diplomë Master në të Drejtën Ndërkombëtare nga Fakulteti Juridik "Justiniani i Parë" dhe është autore e disa punimeve shkencore dhe profesionale në fushën e saj. Ajo është një alumni e Shkollës së Politikës të Këshillit të Evropës. Ajo punon në Universitetin Ndërkombëtar Vizion që nga themelimi i tij në vitin 2015, ku në muajin mars 2021 u zgjodh Dekane e Fakultetit të Drejtësisë