Implementimi i teknologjisë së mbikëqyrjes zhvillohet në një kontekst ku besimi në institucione është i brishtë, transparenca është e kufizuar dhe kapacitetet e kontrollit demokratik janë të dobëta.
Qyteti modern nuk po ndërtohet më vetëm me beton, asfalt dhe drita, por edhe me algoritme, kamera dhe premtime për siguri. Në këtë kontekst, në Maqedoninë e Veriut, “Safe City” po prezantohet si një hap i domosdoshëm drejt rritjes së sigurisë publike, përmes teknologjive të avancuara të vëzhgimit dhe analizës së të dhënave.
Por nën këtë diskurs qetësues fshihet një transformim më i thellë ndërmjet qytetarit dhe pushtetit. Kur siguria bëhet justifikim universal, megjithëse jemi të mbrojtur, të njëjtën kohë jemi edhe të vëzhguar, të regjistruar dhe të kushtëzuar. Pa synim për të propozuar zgjidhje normative apo për të përcaktuar se si duhet vepruar ndaj këtij fenomeni.
Shumë mendimtarë dhe historianë të interesuar për sistemet e reformave ishin të vetëdijshëm për panoptikonin, por njoftimi më i gjerë me të erdhi pas hulumtimeve të studiuesit francez Michel Foucault. Modelin e panoptikonit për të analizuar procesin e transformimit nga pushteti monarkik në pushtetin disiplinor, Foucault, ishte ai që e përdori dhe e analizoj. Panoptikoni është një analogji që lejon një kuptim më të mirë të përdorimit të gjerë të mbikëqyrjes në shtetet kombe. Me panoptikonin, Foucault thekson se jeta e një individi i nënshtrohet shqyrtimit dhe mbikëqyrjes brenda të gjitha institucioneve në të cilat ai është i mbyllur. Përmes mbikëqyrjes, pushteti duke vëzhguar, klasifikuar, regjistruar dhe kryer analiza krahasuese, merr informacione rreth individit. Në këtë mënyrë, individët reformohen, transformohen dhe disiplinohen.
Patjetër që duhet të përmendet arkitekti i këtij instrumenti. Bentham krijoi “Panoptikonin” i cili është një model arkitektonik i projektuar për shumë institucione shoqërore (burgje, shkolla, fabrika, spitale, ushtri, etj) si një instrument i disiplinës shoqërore. Ky instrument ishte ideal për të ndëshkuar të burgosurit, kontrolluar të çmendurit, riformuar të pamoralshmit, shëruar sa më shpejtë të sëmurët dhe edukuar brezat e rinj.
“Panoptikoni përbëhet nga qeliza që rrethojnë një zonë të hapur me një kullë vrojtimi në qendër. Roja në kullë vëzhgon vazhdimisht qelitë, por ata që janë brenda nuk mund ta shohin atë. As vetë qelitë, as rojet ndihmëse dhe zyrtarët e rangut të ulët që veprojnë si roje, nuk janë të vetëdijshëm kur po vëzhgohen apo jo. Prandaj, vetëm prania e një personi në kullë, ose përshtypja e një të tilli, është e mjaftueshme për të krijuar një efekt të përgjithshëm mbikëqyrjeje”. (Foucault, 2010)
Nëse “Safe City” lexohet përmes kornizës foucaultiane, atëherë mbikëqyrja nuk shfaqet thjesht si mjet teknik për parandalimin e kriminalitetit, por si një mekanizëm disiplinor që vepron përmes prodhimit të dukshmërisë së vazhdueshme. Ashtu si në panoptikon, fuqia e sistemit nuk qëndron vetëm te vëzhgimi aktual, por te mundësia e përhershme e vëzhgimit, e cila i shtyn individët të vetërregullojnë sjelljen e tyre. Në këtë kuptim, pyetja qendrore nuk është vetëm nëse “Safe City” rrit sigurinë, por se çfarë lloj marrëdhënie pushteti prodhon dhe normalizon.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, rreziqet konkrete të këtij sistemi lidhen drejtpërdrejt me të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Kushtetuta garanton sigurinë dhe fshehtësinë e të dhënave personale dhe mbron integritetin personal të qytetarëve nga përpunimi arbitrar i informatave që lidhen me ta (neni 18), si dhe respektimin e jetës private dhe familjare, dinjitetit dhe autoritetit personal (neni 25). Këto garanci kushtetuese krijojnë një kornizë formale mbrojtjeje, por, në praktikë, zgjerimi i sistemeve të video-mbikëqyrjes e vë këtë mbrojtje nën presion të vazhdueshëm.
Nga ky këndvështrim, problemi nuk është vetëm mbledhja e të dhënave, por mënyra se si ato klasifikohen, krahasohen dhe përdoren për të ndërtuar profile sjelljeje. Kamerat nuk regjistrojnë thjesht imazhe, ato njëkohësisht prodhojnë njohuri mbi lëvizjet, rutinat dhe prirjet e qytetarëve. Kjo njohuri, e centralizuar dhe e kontrolluar nga autoritetet shtetërore, krijon një asimetri të thellë pushteti ndërmjet atyre që vëzhgojnë dhe atyre që vëzhgohen.
Burimi: envato.com
Ligjërisht, e drejta për privatësi në Maqedoninë e Veriut mbrohet jo vetëm nga legjislacioni kombëtar, por edhe nga instrumente ndërkombëtare si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa 108 e Këshillit të Evropës dhe kuadri i Bashkimit Evropian, përfshirë GDPR-në. Megjithatë, këto instrumente pranojnë se privatësia nuk është një e drejtë absolute dhe se ajo mund të kufizohet vetëm nëse përmbushen njëkohësisht tri kushte: kufizimi të jetë i parashikuar me ligj, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë i domosdoshëm në një shoqëri demokratike.
Pikërisht këtu hapet hapësira problematike për “Safe City”. Në kushtet reale të funksionimit, mbeten të paqarta kufijtë e saktë të përdorimit të të dhënave, mekanizmat e mbikëqyrjes institucionale dhe format e llogaridhënies. Kush ka qasje në të dhënat e grumbulluara? Për sa kohë ruhen ato? Si parandalohet keqpërdorimi apo përdorimi selektiv i sistemit? Këto paqartësi e shndërrojnë mbikëqyrjen nga një masë sigurie në një instrument potencial të normalizimit të kontrollit shoqëror, ashtu siç e përshkruan Foucault.
Një dimension veçanërisht problematik është edhe çështja e zbatimit selektiv të sistemit. Debatet mbi përqendrimin e kamerave në zona të caktuara, përfshirë territore me përbërje etnike të veçantë, ngrenë shqetësime serioze mbi parimin kushtetues të mosdiskriminimit. Në këtë rast, mbikëqyrja rrezikon të mos funksionojë si mekanizëm neutral sigurie, por si praktikë që prodhon kategorizim, dyshim dhe stigmatizim kolektiv.
Në shoqëritë moderne, pushteti nuk vepron më kryesisht përmes ndalimit të drejtpërdrejtë, por përmes krijimit të një mjedisi ku vëzhgimi normalizohet dhe pranohet si i natyrshëm. Në këtë kuptim, “Safe City” nuk është vetëm një projekt teknologjik, por një formë e re e racionalitetit qeverisës, ku siguria shndërrohet në argument për zgjerimin e mbikëqyrjes dhe ku kufijtë e privatësisë rishikohen vazhdimisht, shpesh pa debat të mjaftueshëm publik. Pikërisht këtu shfaqen dallimet thelbësore midis mënyrës se si ky model zbatohet në Bashkimin Europian dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në dekadat e fundit, qytetet europiane kanë hyrë në një epokë të re të menaxhimit të sigurisë urbane, ku teknologjia digjitale është shndërruar në instrument kryesor të rendit publik. Koncepti i ashtuquajtur “Safe City” nuk është një projekt unik me një emër zyrtar në Bashkimin Europian, por një model i gjerë politik dhe teknologjik që ndërthur mbikëqyrjen digjitale, menaxhimin inteligjent të trafikut, reagimin ndaj emergjencave dhe administrimin e të dhënave urbane.
Zanafilla e këtij modeli në Europë lidhet me periudhën pas vitit 2001, kur kërcënimet terroriste nxitën shtetet të forconin mbikëqyrjen urbane dhe infrastrukturën e sigurisë. Më pas, rreth vitit 2010, koncepti u integrua me filozofinë e “Smart City”, duke e zhvendosur fokusin nga siguria e thjeshtë fizike drejt menaxhimit inteligjent të qytetit përmes algoritmeve, sensorëve dhe analizës së të dhënave.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave (GDPR) në vitin 2018, Bashkimi Europian vendosi një kornizë të fortë ligjore që synon të kufizojë mbikëqyrjen e tepruar dhe të mbrojë privatësinë e qytetarëve.
Në teori, Maqedonia e Veriut synon të adoptojë modelin europian të “Safe City”, por në praktikë dallimet janë thelbësore. Në Bashkimin Europian, sistemi i sigurisë urbane është pjesë e një arkitekture institucionale të konsoliduar, ku përdorimi i teknologjisë shoqërohet me mekanizma të fortë kontrolli ligjor dhe institucional. Mbikëqyrja digjitale justifikohet si mjet për mbrojtjen e rendit publik, por i nënshtrohet debateve publike dhe kufizimeve të qarta juridike.
Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i “Safe City” shfaqet më shumë si projekt teknik dhe politik sesa si model i ndërtuar mbi një debat të gjerë shoqëror dhe një kornizë të qëndrueshme institucionale. Implementimi i teknologjisë së mbikëqyrjes zhvillohet në një kontekst ku besimi në institucione është i brishtë, transparenca është e kufizuar dhe kapacitetet e kontrollit demokratik janë të dobëta. Si rezultat, sistemi i sigurisë urbane rrezikon të perceptohet jo si instrument i mbrojtjes së qytetarëve, por si mekanizëm i zgjerimit të kontrollit shtetëror mbi hapësirën publike dhe private.
