fbpx

Kriza e përfaqësimit sjell kërcënim nga e djathta ekstreme, por edhe mundësi për lëvizje të re progresive

Ivo Bosilkov

Politika

20.03.19

Прегледи

m-r Ivo Bosilkov

ivo bosilkov2Kur dimë se si funksionon kriza e përfaqësimit, mund ta ndërpresim përsëritjen e historisë, e cila këtë herë do të kishte pasur pasoja edhe shumë më të këqija ndaj shoqërisë demokratike.

Në çdo krizë ekziston një mundësi, ka deklaruar asokohë i madhi Albert Ajnshtajn. Se çfarë do të jetë ajo mundësi varet nga natyra e krizës. Kriza e fundit e cila e ka goditur Maqedoninë ende vazhdon, edhe pse shumë vetë menduan se me rënien e Nikolla Gruevskit ajo do të përfundojë. Çfarë implikacione mund të ketë kjo krizë ndaj skenës politike në shtet? Sipas përvojave të shteteve tjera të cilat kanë qenë në gjendje krize me karakteristika pothuajse identike, është absolutisht i mundur gatimi në skenën tonë politike, pas së cilës, lëvizje dhe organizata të reja do të bëhen mjaftë të fuqishme për ta rrëzuar monopolin e partive të etabluara.

Ngritja e së djathtës ekstreme si rezultat i krizës së përfaqësimit

Kriza maqedonase është krizë e përfaqësimit. Kriza e atillë zakonisht gjen rrënjë në rrënimin ekonomik, por ajo është vetëm kushti fillestar. Drama e vërtetë fillon kur pakënaqësia nga ajo se si shteti menaxhon me vështirësitë ekonomike i jep problemit dimension politiko-ideologjik. Kur shumica e qytetarëve e perceptojnë shtetin si të paaftë për të amortizuar efektet e krizës dhe për ti plotësuar obligimet nga marrëveshja sociale (e cila është në fakt arsyeja themelore për ekzistimin e tij), atëherë jo vetëm partitë e mëdha por edhe tërë sistemi e humb legjitimitetin e tij.

Rezultati i një dinamike të këtillë është humbja e besimit tek aktorët shoqërorë dhe kolaps vijues i ekuilibrimit partiak. Sipas organizatave si Banka Botërore dhe Transparenca, niveli i krizës së përfaqësimit matet në mënyrë të tërthortë përmes katër indikatorëve: besimi në institucionet, pajtueshmëria me politikën e përgjithshme të pushtetit, perceptimi i sundimit të së drejtës dhe keqpërdorimit të fuqisë, dhe niveli i klientelizmit. Nëse mungesa e aprovimit të veprimeve në lidhje me ndryshimin e emrit nuk ishte e mjaftueshme, atëherë pas skandaleve të fundit për punësime nepotiste në ndërmarrje shtetërore-publike (si praktikë të cilën LSDM e trashëgoi nga VMRO-DPMNE-ja), duket se tani më është mbushur kupa në opinionin publik, dhe është koha të pranojmë se kriza e përfaqësimit është në zenitin e saj.

Politologët Dafne Halikiopulu dhe Sofija Vasilopulu paralajmërojnë se në një situatë të këtillë ekziston mundësi e madhe për konsolidim të së djathtës ekstreme. Në këtë kontekst, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet dallimi midis partive të djathta ekstreme dhe atyre radikale. Për dallim nga partitë radikale, të cilat refuzojnë çfarë do asocimi me fashizmin dhe racizmin, dhe kryesisht përdorin retorikë populiste rreth homogjenitetit kulturor të kombit, e djathta ekstreme mund të definohet si antitezë e parimeve demokratike. Ajo kultivon ideale fashiste si totalitaritet, dhunë dhe pastrim etnik. Shembull të këtillë pamë në Greqi, ku pas krizës së thellë ekonomike, e cila i lëkundi shtyllat e shoqërisë, kriza e përfaqësimit solli deri në përkrahje të gjerë të Agimit të Artë që de fakto është fashiste; parti e dedikuar ndaj transformimit të plotë të regjimit në një të tillë i cili do ta institucionalizojë superioritetin racor të grekëve mbi të gjithë të tjerëve.

Mobilizimi populist i majtë i ndjenjës së padrejtësisë

Edhe për analistët më me renome elementet psikologjike të ngritjes së Agimit të Artë në këto kushte mbeten një mister. Disa teorik pohojnë se mentaliteti i rrethimit në situatën “të vetëm kundër të gjithëve” rreth politikës së kursimit solli deri në këtë zhvillim të ngjarjeve. Nëse bëhet paralelizmi me situatën tek ne, ndryshimi me forcë dhe poshtërues i emrit krijon terren për rezultat të ngjashëm, posaçërisht në kombinim me indikatorët e lartë përmendur të krizës së përfaqësimit. Zanafilla të tendencave të këtilla tashmë shohim në figurat e ndryshme të margjinalistëve të ashpër të tipit të Janko Baçev apo Filip Petrovski. Megjithatë, nga gabimet e të tjerëve mësohet, ndërsa historia nuk është një proces linear, prandaj e mira është që katastrofat e këtilla mund të anashkalohen. Shembulli më i mirë për këtë është që edhe vetë Greqia, ku edhe përkrah përparimit të Agimit të Artë, goditjen e vërtetë dinozaurëve të sistemit dypartiak (i ashtuquajturi “pasokizim”) ua dha e majta populiste Siriza.

Burim: narodenglas.com

Duke lënë anësh faktin që gjatë viteve të fundit partia e Aleksis Cipras ishte e “zbutur”, qëllimi është se mundësia e cila del nga kriza ka potencial edhe për tu shfrytëzuar në mënyrë pozitive përmes formimit të lëvizjeve të reja të majta. Struktura dhe karakteri i Siriza-s në zanafillat e saj e zbulojnë recetën për fitore ndaj establishmentit: koalicion i gjerë progresiv përmbajtja heterogjene e së cilës ndryshon nga individë me prapavijë të fortë ideologjike, deri në anëtarë të shoqërisë civile, të gjithë të bashkuar në aversionin ndaj mbajtësve të pushtetit të korruptuar të cilët ia vodhën shtetin popullit të ndershëm.

Ky është thelbi i lëvizjeve populiste me parashenjë të majtë, për aktivitetet e të cilave nuk është shembull vetëm Siriza, por edhe më tepër Podemos-i spanjol në krye me Pablo Iglesijas. Qëllimi i tyre është që ta mobilizojnë ndjenjën e padrejtësisë, duke krijuar momentum të bazuar në bindjen se ata që kanë fuqi politike qëllimisht dështojnë në shërbimin ndaj qytetarëve të cilët duhet ti përfaqësojnë. Llojet e ndryshme të pakënaqësisë – nga punësimet partiake, te mosfunksionimi i shëndetësisë dhe menaxhimi dëshpërues me ndotjen, deri tek mospasje të shqisës së dëgjimit dhe të injorimi i rezultateve nga referendumi për emrin – ndërlidhen mes vete, me rezultatin e fundit kristalizimin e një identiteti të ri si kundërpeshë të tërë asaj që e përfaqësojnë elitat e harxhuara partiake.

Si të ndërtohet koalicion i gjerë progresiv?

Është e qartë se Revolucioni i larmë dhe epilogu i tij dëshpërues harxhoi një pjesë të madhe të energjisë për aktivizëm politik dhe luftë për drejtësi sociale dhe drejtësi të çdo lloji tjetër. Megjithatë, në Maqedoni ende ekziston nukleus autentik i veteranëve të Revolucionit të larmë, kidnapimi i të cilëve nga qendrat elitare të fuqisë nuk arriti ti rrënojë idealet e tij. Nëse ka për qëllim ta rrisë kredibilitetin e vet, ky nukleus duhet qartë ta përkufizojë kundërvënien parimore të erozionit të sovranitetit mbarë qytetar ndaj nacionalizmit dhe shovinizmit. Kjo do ti kishte mundësuar ti absorbojë elementet e nevojshme nga shoqëria civile të cilat do ta shndërrojnë nga një rreth i ngushtë donkishotësh në koalicion të vërtetë populist progresiv. Vetëm koalicioni i atillë, i cili do ta lërë mënjanë egon dhe krenarinë/kotësinë, mund ta ripërtërijë entuziazmin e shuar për ndryshim, përmes artikulimit të qartë të kërkesave për rehabilitim të mjedisit jetësor, arsimit dhe shëndetësisë – çështje të cilat mund të bashkë-ekzistojnë me rezistencën ndaj zgjidhjeve të imponuara nga lartë për emrin, por assesi nuk guxojnë ti nënshtrohen.

Parakushti kyç për lançimin e kësaj lëvizjeje populiste është platformë vetanake vizuale mediatike (e jo vetëm postime tekstuale nëpër rrjetet sociale), agjendën e së cilës do ta vendosë vetë ai koalicion progresiv, në vend se të jetë e definuar nga narrativet e medieve të kontrolluara nga njëri apo tjetri opsion i establishmentit. Sipas Iglesijas, kjo lëvizje, e përfytyruar në shou emisionin debativ “La Turka” udhëheqës i së cilit ishte vetë ai, është depërtimi zgjedhor i Podemos. Nëse shoqëria maqedonase nuk arrin të ndërtojë një lëvizje të këtillë, apatia e cila i mundëson teka të pandërprera kastës qeverisëse do të jetë ndoshta edhe skenari më i mirë, pasi që alternativa është që hapësira e papërfaqësuar ti lihet së djathtës ekstreme, ku ajo do ti rekrutojë qytetarët e dëshpëruar përmes manipulimit emotiv për tema simbolike boshe. Kur dimë se si funksionon kriza e përfaqësimit, mund ta ndërpresim përsëritjen e historisë, e cila këtë herë do të kishte pasur pasoja edhe shumë më të këqija ndaj shoqërisë demokratike.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donatorit.

Ivo Bosilkov

Ivo Bosilkov është Doktor i Shkencave Politike nga Universiteti i Milanos, i specializuar në fushën e efekteve mediatike në opinionin publik. Ai ka një diplomë master në komunikim politik nga Universiteti i Amsterdamit si pjesë e programit Erasmus Mundus për gazetari, media dhe globalizim. Ai punon si studiues në Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Grac dhe ka botuar punime në disa revista shkencore ndërkombëtare.