fbpx

Kur mosveprimi është vrasje

Bojana Jovanovska

Politika

06.01.23

Прегледи

Mosndëshkimi për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore rrit mosbesimin ndaj institucioneve dhe inkurajon përsëritjen e dhunës dhe kulminacionin e saj në femicid.

“Shteti që nuk vepron është shtet që vret” është një nga parullat që dëgjohet në kryeqytet gjatë dy viteve të fundit në marshimet e 8 marsit. Në këtë mënyrë, organizatorët e protestave - anëtarë të Platformës për Barazi Gjinore, e cila përbëhet nga 28 organizata qytetare në Maqedoninë e Veriut që punojnë në fushën e barazisë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore, shprehën revoltën e tyre për mosveprimin e institucioneve në rastet e dhunës me bazë gjinore, e cila rezultoi në disa femicide në periudhën e kaluar.

Femicidi është vrasja e një gruaje për shkak se ajo është grua dhe është manifestimi më ekstrem i dhunës ndaj grave, i cili zakonisht është rezultat i ekspozimit të vazhdueshëm ndaj dhunës, dhe autorët janë zakonisht partnerë intimë, anëtarë të familjes ose persona të tjerë të njohur të viktimës. Edhe pse femicidi përfaqëson një problem që është i përhapur në nivel global dhe prek gjysmën e popullsisë së botës, ne ende përballemi me vullnet të pamjaftueshëm politik për ta parandaluar atë.

Dëshmi për këtë është fakti se ende nuk ka një përkufizim të pranuar botërisht të femicidit, i cili do të ishte bazë për mbledhjen e mëtejshme të të dhënave bazë mbi fenomenologjinë e tij, si dhe për një vlerësim të përhapjes së tij.

Çfarë është femicidi?

Përdorimi i termit femicid është dokumentuar fillimisht në librin A Satirical View of London at the Commencement of the Nineteenth Century e John Corey nga 1801 ku përdoret për t'iu referuar vrasjes së një gruaje. Shumë më vonë, në vitin 1976, termi femicid për herë të parë u përdor publikisht nga feministja Diana Russell në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet kundër Grave në Bruksel, për të tërhequr vëmendjen ndaj diskriminimit dhe dhunës ndaj grave.

Russell së bashku me Jill Radford në 1992 e përkufizuan femicidin si vrasja mizogjene e grave nga burrat, që disa vite më vonë ta përdorë përkufizimin vrasja e një ose më shumë grave nga një ose më shumë burra për faktin se janë gra.

Instituti Evropian për Barazi Gjinore e përkufizon femicidin si vrasja e një gruaje nga një partner intim dhe vdekja e një gruaje si rezultat i një praktike që është e dëmshme për gratë, ku partneri intim nënkupton bashkëshortin apo partnerin e mëparshëm apo aktual, pavarësisht nëse me dhunuesin e kanë ndarë apo e ndajnë shtëpinë. Për më tepër, që një rast të konsiderohet femicid, duhet të ketë një qëllim të nënkuptuar për të kryer vrasjen dhe një lidhje të demonstruar midis veprës dhe gjinisë së viktimës.

Përkufizimi i femicidit ndryshon, sepse në një masë të madhe kryesisht varet nga konteksti social dhe kulturor, pra nga sistemi patriarkal në të cilin bazohen rolet tradicionale gjinore, të cilat mbështeten në pozitën inferiore të gruas në shoqëri. Shoqëria maqedonase karakterizohet me tolerancë të lartë ndaj dhunës dhe normalizim të saj në sfera të ndryshme të jetës, kështu, duke kontribuar në vazhdimësinë e kulturës së dhunës.

Kështu, për shembull, një nga format më të dukshme të përjetësimit të kulturës së dhunës, veçanërisht ndaj grave, është përmes krijimtarisë së folklorit maqedonas. Këngët popullore jo vetëm që normalizojnë bindjen e femrës ndaj anëtarëve meshkuj të familjes, por edhe shumë shpesh romantizojnë forma të ndryshme të dhunës ndaj grave. Kjo ndiqet nga normalizimi i vrasjes së grave, duke marrë parasysh vlerën e tyre më të ulët shoqërore, dhe për këtë arsye vrasja e një gruaje nuk ka të njëjtën peshë si vrasja e një burri.

Përhapja e femicideve

Sipas të dhënave më të fundit, vlerësohet se në vitin 2020 në mbarë botën janë vrarë 47 mijë gra dhe vajza nga partnerët e tyre intim ose anëtarë të tjerë të familjes, që do të thotë se mesatarisht çdo 11 minuta një grua apo vajzë vritet në familjen e saj, duke vërtetuar se shtëpia është vendi më i pasigurt për gratë. Shumica e viktimave të vrasjeve të kryera nga një partner intim ose i afërm, d.m.th. njerëz të afërt të cilëve u besojnë, janë gra, dhe këto vrasje janë zakonisht kulmi i një përvoje të mëparshme të një forme tjetër të dhunës me bazë gjinore, të tilla si psikologjike, seksuale ose fizike.

Në Maqedoninë e Veriut, shumica e grave (60%) konsiderojnë se dhuna ndaj grave është një dukuri e zakonshme dhe një çështje private (48%), e cila rezulton në normalizimin e saj dhe kontribuon në shkallën dukshëm të ulët të raportimit të saj e cila është vlerësuar në 2%.

Burimi: pixabay.com

Në vendin tonë nuk ekziston një sistem i regjistrimit të femicideve, ndaj sipas të dhënave të vetme për femicidet në vend të Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, në periudhën 2001-2016 janë regjistruar 32 femicide, ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2020 22 femicide.

Sipas analizave të fundit, në më shumë se 75% për qind të rasteve të analizuara të vrasjeve të grave, krimi është kryer nga partneri aktual ose ish-bashkëshorti ose partneri jashtëmartesor me të cilin gruaja jetonte në bashkësi, dhe në më shumë se 80% të rasteve, edhe pse paraprakisht ka pasur dhunë, të cilën më vonë gjatë procedurës e kanë dëshmuar familjarët e viktimës, asnjëra nga viktimat nuk ka raportuar në institucionet kompetente. Përsëri të dhënat konfirmojnë se edhe në vendin tonë gratë vriten më shpesh në shtëpitë e tyre.

Me rëndësi të veçantë për përdorimin e terminologjisë lidhur me femicidet është lëvizja feministe në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Si rezultat i përhapjes së femicideve në këtë territor, dhe veçanërisht në qytetin Ciudad Juárez në Meksikë, që tërhoqi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, termi feminicid që përdoret në këto hapësira, ndër të tjera përfshihet edhe mosreagimi i shtetit në lidhje me vrasjet e grave. Pikërisht në këto vende, femicidi përshkruhet si një vepër penale e veçantë.

Nga ana tjetër, në asnjë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk ka një përkufizim specifik të femicidit, pasi përkufizimi bazë i vrasjes përdoret si pikënisje, duke marrë parasysh elementet që secili prej vendeve i përdor për përkufizim më specifik ndaj vrasjes së grave me bazë gjinore, kryesisht si rrethana rënduese gjatëkualifikimit të veprës.

E nxitur nga femicidi i fundit në Bruksel, muajin e kaluar Qeveria e Belgjikës miratoi një projektligj që bën dallimin midis formave të ndryshme të femicidit dhe i cili, nëse miratohet, do të jetë ligji i parë i qartë që rregullon femicidin në tokën evropiane.

Femicidi nuk njihet si vepër penale e veçantë në Kodin Penal të Maqedonisë dhe është e regjistruar si çdo vrasje tjetër, ndërsa si rrethanë rënduese në procedurë gjyqësore merret dhuna në familje që i ka paraprirë vrasjes. Për momentin janë duke u bërë ndryshime në Kodin Penal me qëllim që të përputhet me Konventën e Stambollit dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, i cili është miratuar në vitin 2021, por ajo që mbetet si problemi më i madh është zbatimi i ligjeve nga institucionet përkatëse.

Për zbatimin problematik të ligjeve flet dhe rasti i fundit i femicidit që ka ndodhur në gusht të këtij viti në Negotinë, për të cilën ka reaguar edhe Platforma për barazi gjinore.

Sipas deklaratave të avokatëve të të dëmtuarve, ata konsiderojnë se Prokuroria themelore publike e Kavadarit ka bërë lëshime të mëdha në procedurën hetimore, përkatësisht se prokurori nuk ka treguar interes dhe është bërë përpjekje minimale për sigurimin e provave nga të cilat ata mund të përcaktohet qëllimi për të ndërmarrë veprime të tilla nga ana e të akuzuarit.

Në të njëjtën kohë, prokurori nuk ka hetuar se çfarë sjelljeje ka pasur autori para kryerjes së krimit dhe se ai ka qenë një person me sjellje një histori të një sjellje të dhunshme serioze, i cili ka shfaqur një shkallë të lartë xhelozie ndaj viktimës dhe vazhdimisht ka deklaruar një javë para ngjarjes se një ditë do ta vras. Me të gjitha lëshimet e përmendura, prokurori bën edhe kualifikim të gabuar të veprës në Lëndim i rëndë trupor në vend të Vrasje gjatë ushtrimit të dhunës në familje nga neni123 të KP, me çka nuk ndikohet në parandalimin e këtyre veprave penale, sepse një kualifikim i përcaktuar në këtë mënyrë lë hapësirë për shqiptimin e një sanksioni më të lehtë.

Politika ndëshkuese në fushën e dhunës me bazë gjinore është e një rëndësie të veçantë për parandalimin e femicidit. Mosndëshkimi dhe ndëshkimi joadekuat i të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht femicidit si forma më e rëndë e saj, ndikon edhe më tej në rritjen e mosbesimit në institucione dhe mos raportimin nga viktimat, gjë që nga ana tjetër nxit përsëritjen e dhunës dhe kulminacionin e saj në femicid.

Prandaj, është e nevojshme që institucionet përfundimisht të kuptojnë se janë ato që kanë përgjegjësinë dhe fuqinë për të thyer rrethin vicioz të dhunës.

Teksti është përpiluar me mbështetjen e projektit Rrjeti për diversitet 2.0, i financuar nga Bashkimi Evropian.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Bojana Jovanovska

Bojana Jovanovska është feministe dhe studiuese. Ajo ka një diplomë master në politika sociale dhe prej më shumë se 10 vitesh është aktive në fushën e barazisë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore.