Vildan Drpljanin
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Punës, ia vlen të shqyrtojmë gjendjen e të drejtave të punëtorëve në vend, duke hedhur një vështrim të shkurtër të vitit të kaluar dhe të shohim se çfarë mund të bëhet për t'i bërë gjërat më mirë.
"Qytetarët mund të durojnë edhe për ndonjë muaj pa para..." – kjo deklaratë pasqyron plotësisht iluzionin që përfaqësuesit e popullit kanë për nevojat dhe mundësitë e punëtorëve. Përpjekja për të justifikuar bllokadën e Kuvendit për ligjet në lidhje me paketat që përfshijnë edhe pagat e punëtorëve tregon se deputetët maqedonas jetojnë në botë paralele në raport me punëtorët, të cilët mbijetojnë muaj për muaj dhe jetojnë nga paga në pagë. Kjo situatë ka bërë që të paktën 17.000 punëtorë të mos jenë në gjendje të marrin pagat e tyre të merituara për tre muajt e fundit. Lejimi që të ndodh kjo për më shumë se një muaj e gjysmë pasi u bë deklarata, tregon se ne si punëtorë nuk kemi përfaqësuesit tanë në pushtetin ligjvënës, prandaj edhe nuk do të dëgjohet zëri ynë.
Në fakt, si te „Gërmuesit“, duket se çdo agim i një dite të re sjell vështirësi të reja për punëtorët. Puna e tyre e investuar nuk vlerësohet si duhet nga ana e sistemit, gjë që tregon për çdo ditë nevojën për ndryshime urgjente dhe rrënjësore. Megjithëse pandemia ka treguar që kur punëtorët nuk janë në gjendje të bëjnë punën e tyre, industri të tëra shkatërrohen ose sillen në prag të kolapsit, qëndrimet ndaj çështjeve të lidhura me punën dhe mbijetesën e punëtorëve mbeten të pandryshuara. Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Punës, ia vlen të shqyrtojmë gjendjen e të drejtave të punëtorëve në vend, duke hedhur një vështrim të shkurtër të vitit të kaluar dhe të shohim se çfarë mund të bëhet për t'i bërë gjërat më mirë.
Dizajni: Agnes Saraçini
Zbardhet nata e errtë!
Pasojat e trajtimit të koronavirusit kanë goditur jashtëzakonisht rëndë punëtorët në të gjithë botën. Punonjësit dhe punënjoset maqedonase, të cilët përjetuan krizën shëndetësore, ekonomike dhe sociale si një nga më të varfrit në Evropë, u përballën me poshtërim shtesë, shkelje të përditshme të të drejtave themelore të punës dhe luftën për një ekzistencë të „zhveshur“. Të dhënat që tregojnë se vetëm në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në periudhën prej 1 majit 2020 deri më 31 mars 2021 janë regjistruar 415 raste të shkeljeve të të drejtave të punës, të cilat u referohen të paktën 2.387 punëtorëve, flasin mjaft për gjithëpërfshirjen e mosrespektimit të akteve juridike themelore nga sfera e punës. E gjithë kjo krijon përshtypjen se masat për t'u përballur me pasojat e pandemisë nuk pasqyruan nevojat e punëtorëve dhe nuk ofruan mbrojtje adekuate të të drejtave të punëtorëve vitin e kaluar.
Përkundrazi, të dhënat për shkeljet e masave të miratuara në sektorin privat, largimet nga puna, uljet dhe/ose mospagimi i pagave të punëtorëve, tregojnë se punëdhënësit përsëri kanë përfituar në kurrizin e punëtorëve. Këshillimet juridike dhe/ose informimet si më të zakonshmet për sa i përket shkeljeve të drejtave të punonjëseve në industrinë e tekstilit, tregojnë se kjo kategori e grave punëtore vazhdon të jetë më e rrezikuar dhe se situata më e keqe është në Shtip, Negotinë, Koçanë dhe Probishtip. Duke marrë parasysh faktin se gratë janë kryesisht mbi 80 përqind të fuqisë punëtore në fabrikat e tekstilit, e cila është larg industria më dobët e paguar, dhe gratë punëtore të tekstilit shpesh marrin paga jo më të larta se paga minimale, është e qartë se gratë punëtore janë të parat që ndjejnë pasojat e secilit dështim sistemik dhe se pasojat e trajtimit të pandemisë kanë në vetë një dimension gjinor.
Keqpërdorimi i legjislacionit të punës dhe pagesat e paligjshme të pagave më të ulëta për shkak të referimit të padrejtë në institutin e "pushimit të detyruar", rezultuan që disa nga gratë punëtore të tekstilit të merrnin një pagë në vlerë prej rreth 7.500 denarë. Në fakt, më shumë se 6.000 gra punëtore të tekstili janë aktualisht në pushim të detyruar pasi punëdhënësit presin ndihmën financiare të shtetit për të subvencionuar pagat. Një numër i madh i grave punëtore në industrinë e tekstilit ende nuk janë paguar për muajt shkurt, mars dhe prill, pavarësisht nga fakti se shpenzimet bazë të ushqimit dhe kostot e jetesës po rriten çdo ditë, dhe pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit nuk shtyhet, madje as nuk presin për pagat e grave punëtore.
Në situatë të ngjashme dhe veçanërisht të rrezikuar dhe të pambrojtur u gjetën edhe punonjësit në linjën e parë të luftës kundër virusit, punonjësit shëndetësorë, punonjësit e supermarketeve dhe higjienistët, të cilët nuk morën asnjë shpërblim për veprat heroike ose rritje të pagave në përpjesëtim me rrezikun në vendin e punës.
Burimi: servisea.mk
Situata është përkeqësuar edhe më shumë për grupe të tërë njerëzish, siç janë punëtorët - honoraristët, frilenserët, profesionistët e pavarur, etj, si dhe punëtorët me kontrata pune me kohë të caktuar. Të parët kanë mbetur jashtë mbrojtjes së supozuar që u ofrohet punëtorëve të tjerë nga Ligji për marrëdhëniet e punës, ndërsa grupi i dytë i punëtorëve është në pasiguri të vazhdueshme sa i përket statusit të tyre si të punësuar. Kur kësaj i shtojmë faktin se në periudhën nga marsi 2020 deri në mars 2021, numri i të papunëve u rrit me të paktën 37.595 persona, si dhe fakti që situata e përgjithshme në vend nuk tregon një qetësim të shpejtë nga kriza, bëhet e qartë se viti i kaluar ishte katastrofik për të drejtat e punëtorëve në çdo aspekt të mundshëm.
Edhe agimi agon –
Sindikatat, si mekanizmi i parë i supozuar i mbrojtjes, ishin të papërgatitur për pasojat e shkaktuara nga pandemia dhe dështuan të ofrojnë mekanizma që do të garantonin mbrojtjen ose rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e punëtorëve gjatë kësaj periudhe kritike. Në një masë të madhe, përçarjet midis sindikatave për arsye të ndryshme kanë vazhduar dhe ato sot nuk gëzojnë besim dhe nuk nxisin një shpresë të madhe midis punëtorëve. Në atë linjë, punonjësit dhe punonjëset të cilët nuk janë të kënaqur me punën e sindikatave sepse i konsiderojnë ato joefikase, të korruptuara dhe/ose në bashkëpunim me pronarët dhe partitë, presin dhe shpresojnë të shohin ndryshime dhe lëvizje në skenën sindikale. Pikërisht për shkak të kësaj, dhe duke pasur parasysh që organizata funksionale sindikale është një parakusht i rëndësishëm për një garanci afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, është me rëndësi të veçantë të shikohet pozicioni i organizatës sindikale në Maqedoni. Një lëvizje të rëndësishme në atë drejtim mund dhe duhet të ofrohet nga zgjidhja që do të sigurojë subjektivitetin ligjor për secilën sindikatë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një sindikatë në nivelin e punëdhënësit, profesionit, degës ose sindikatës së përgjithshme.
Zgjidhja aktuale ofron subjektivitet ligjor vetëm për sindikatën e nivelit më të lartë dhe vë në pikëpyetje formën themelore të organizatës së punëtorëve sepse nuk garanton autonominë dhe pavarësinë e sindikatave të tjera. Kjo do të thotë që sindikatat janë të kushtëzuara praktikisht të bashkohen për të fituar statusin e një personi juridik përmes një forme më të lartë të sindikatës, ose ata duhet t'ju bashkohen sindikatave ekzistuese në një nivel më të lartë në mënyrë që të jenë në gjendje të kryejnë funksionin e tyre themelor pa probleme.
Si pasojë, sindikatat e nivelit më të ulët nuk mund të disponojnë llogarinë e tyre të transaksionit dhe vulën dhe të veprojnë në transaksionet ligjore/juridike për të ushtruar mbrojtje gjyqësore, sepse sindikata në një situatë të mungesës së subjektivitetit juridik është e penguar si një person juridik të paraqesë një padi drejtpërdrejt në gjykatën kompetente. Kjo strukturë dhe pozicionim i sindikatave mbart rreziqe serioze të monopolizimit të organizimit dhe largon punëtorët nga sindikatat e tyre amë. Prandaj, zgjidhja ligjore në praktikë rezulton me një terr sindikal pa subjektivitet ligjor dhe me probleme të shumta për sindikatat në një nivel më të lartë sa i përket konsultimit dhe angazhimit të anëtarësisë. Ndryshimi në këtë segment nuk do të zgjidhë të gjitha problemet me të cilat përballen sindikatat, por sigurisht që do të lëvizë gjërat në drejtim të organizimit sindikal dhe do të sjellë shpresë të re për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve.
Prolongimi për kohë të gjatë i Ligjit të ri për marrëdhëniet e punës
Nga ana tjetër, Ligji i ri për marrëdhëniet e punës i shpallur prej kohësh, i cili kërkon të kapërcejë problemet që u bënë veçanërisht të dukshme gjatë kohës së krizës, po hyn në vitin e katërt të hartimit, pavarësisht nga fakti se qeveria e sapo zgjedhur atëherë premtoi një ligj të ri brenda gjashtë muajve nga zgjedhja e saj. Ligji aktual për marrëdhëniet e punës, si një ligj sistemik që përcakton kornizën e përgjithshme për të gjitha çështjet e ndërlidhura me fuqinë punëtore, ka pësuar gjithsej 25 ndryshimesh dhe plotësimesh dhe 13 vendimesh të kasacionit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo drejtpërdrejt tregon harmonizimin e lehtë të këtij ligji me nevojat e strukturës qeverisëse dhe rezulton me dispozita shumë të pakuptimta dhe të paqarta që rrisin pasigurinë në aspektin e mbrojtjes së punëtorëve.
Projekt-ligji në formën e tij aktuale ofron një dozë dukshëm më të madhe qartësie dhe kapërcimi të disa prej problemeve afatgjata, por ende nuk arrin të ofrojë mbrojtje gjithëpërfshirëse për punëtorët. Një shembull i tillë është vetë përkufizimi i gjithçkaje që konsiderohet si punëtor, e cila mbetet de facto e pasaktë dhe vetëm ata që kanë një kontratë pune të shkruar konsiderohen punëtorë. Kjo margjinalizon një numër të madh punëtorësh dhe grash punëtore që punojnë pa ose me një formë tjetër të kontratës (gojore, kontratë në vepër, etj.).
Për fat të keq, situata duket e pashpresë për sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, duke pasur parasysh që vitin e kaluar të paktën 25 bashkëqytetarë tanë vdiqën në vendin e punës, pa llogaritur të gjithë punonjësit që kanë vdekur si rezultat i pasojave nga KOVID-19. Burimet e problemit qëndrojnë në mungesën e të dhënave të harmonizuara mbi situatën reale në lidhje me regjistrat e sigurisë në punë, transferimin e përgjegjësisë se ku qëndrojnë dobësitë dhe ekzistencën e problemeve praktike me të cilat përballen punëtorët në rrezik. Problemet praktike pasqyrohen në shembujt e shumtë kur në rast të një dëmtimi në vendin e punës, punëdhënësit dekurajojnë punëtorët të raportojnë dëmtimet në vendin e punës përmes presionit ose pagesave të orëve shtesë. Sigurisht, zbatimi i duhur i ligjeve do të zgjidhte shumicën e këtyre problemeve, por për momentin mungon përgjegjësia dhe llogaridhënia për rezultatet e (pa) arritura, dhe mungesa e monitorimit të efekteve të programeve dhe përdorimit të tyre në procesin e hartimeve të politikave.
E lavdishme le t’jetë dita...
Në radhë të parë, punëtorët duhet të kenë më shumë guxim që t'i raportojnë dëmtimet/lëndimet e përditshme me të cilat përballen. Puna e Inspektoratit Shtetëror të Punës në disa raste gjatë vitit të kaluar dha sinjale pozitive dhe institucioni tregoi se ai e di dhe mund të sigurojë mbrojtjen e parë të nevojshme të drejtave të punëtorëve.
Më tej, në rastet kur na ndërpritet marrëdhënia e punës, ne duhet të përpiqemi të sigurojmë që secilit t'i respektohet garancia kushtetuese për sigurinë materiale gjatë kohës së papunësisë së përkohshme me ndryshime dhe plotësime në Ligjin për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë sa më shpejt të jetë e mundur. Periudha për të cilën paguhet kompensimi duhet të ketë të bëjë me kohëzgjatjen (stazhin) e shërbimit të punonjësit specifik. Një zgjidhje e tillë ligjore do të nënkuptojë realizimin e së drejtës së garantuar me kushtetutë të çdo punëtori, pavarësisht arsyes së largimit nga puna dhe do të sigurojë të papunët për periudhën gjatë kërkimit të një pune të re dhe në kohë të rregullta, e veçanërisht në kohë krize.
Për sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë dhe Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, përkundër zgjidhjeve të miratuara ligjore për mbajtjen e regjistrave në këtë fushë, është e nevojshme të miratohen akte nënligjore që do të përcaktojnë me saktësi të dhënat për regjistrim, të nevojshme për hetime më specifike, miratimin e konkluzioneve dhe propozimin e masave të duhura. Ky do të jetë hapi i parë i prezantimit dhe përcaktimin e përgjegjësisë së të gjithë pjesëmarrësve në proces, nga njerëzit që plotësojnë dokumentet e nevojshme, deri te ata që i përpunojnë të njëjtat. Pas miratimit të formularëve të nevojshëm, është e domosdoshme të trajnohen të gjithë ata që marrin pjesë në proces, sepse nuk është e pazakontë në praktikë që të hasin njohuri të pamjaftueshme të përgjegjësive të njerëzve që duhet të marrin pjesë në fazat e procesit. Punëtorët, si të fundit në këtë piramidë hierarkike të pushtetit, janë hallka më e dobët në procesin e mbikëqyrjes. Informimi i tyre i dobët, pozicioni i pafuqishëm, frika dhe bindja ndaj punëdhënësit i ndalon ata të raportojnë parregullsitë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë. Pikërisht për këtë arsye, ky proces duhet të zhvillohet së bashku me të gjithë palët e interesuara.
Së fundmi, ndryshimi tronditës për sa i përket dallimit klasor në Maqedoni, i cili thotë se nga gjithsej 100 denarë, afërsisht 80 denarë shkojnë për rreth 900 njerëz, dhe vetëm 20 denarë mbeten për rreth 899.100 njerëz duhet vazhdimisht të na përkujtojë se pothuajse të gjithë punëtorët maqedonas janë relativisht të varfër, ndërsa një numër i vogël i njerëzve, ose rreth 900 sosh, janë shumë, shumë të pasur. Kjo na tregon që më në fund duhet të mësojmë leksionin e procesit me dekada të gjatë të poshtërimit të punëtorëve dhe grave punëtore dhe shkeljen plotësisht të dinjitetit të tyre në një periudhë shpërthimi të vazhdueshëm të krimit politik dhe abuzimit ekonomik. Kjo është arsyeja pse ne duhet të organizojmë dhe kapërcejmë përçarjet sindikale dhe përçarjen e punëtorëve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të zgjidhim mosmarrëveshjet tona dhe të mundësojmë prezantimin dhe përfaqësimin e duhur. Për sa kohë që kërkesat tona për 1 Maj janë të ndara në marshime/protesta të ndryshme dhe të ndara, siç ka qenë rasti në vitet e fundit, ne vetëm po përkeqësojmë pozicionin tonë negociues, dhe organizata e punëtorëve mbetet një formalitet në kurriz të nevojave dhe problemeve thelbësore. Përpjekjet e deritanishme për të drejtat dhe liritë na tregojnë se sa e rëndësishme është të organizohemi në çdo nivel dhe të qëndrojmë hapur pas identitetit tonë primar - klasës punëtore, pas së cilës vijnë të gjitha të tjerat. Pavarësia ekonomike, të drejtat e punëtorëve, solidariteti, kapërcimi i punës së papaguar dhe fundi i eksploatimit janë parimet themelore për çdo betejë që të ketë sukses.
Të drejtat tona të patjetërsueshme të njeriut, ndjenjat, historitë e jetës dhe dinjiteti fillojnë dhe mbarojnë në vendin e punës ku bosët krijojnë ligje të veçanta, vendosin pushimin vjetor prej maksimum 10 ditë dhe detyrojnë punëtorët të nënshkruajnë marrëveshje në letër të zbrazët. Është koha që të gjithë të qëndrojmë për të drejtat e punëtorëve dhe në një periudhë afatgjatë të sigurojmë kërkesat e më shumë se një shekulli - një jetë dinjitoze për të gjithë, rregullimin e orëve të punës dhe punës jashtë orarit, sigurinë shoqërore dhe shëndetësore. Le të fillojmë që sot, duke kërkuar menjëherë një moratorium për largimet nga puna dhe shkurtimet e pagave, dhe kompensime të detyrueshme monetare për të gjithë punëtorët që kanë humbur vendin e punës gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donatorit.