Në Mal të Zi ka ndodhur që shteti të shpronësojë tokën që përfundimisht do të mbetej jashtë brezit të autostradës, kurse në Maqedoni janë rreth 500 procedura për caktimin e kompensimit për pasuritë e paluajtshme të shpronësuara, sepse një pjesë e qytetarëve që kanë pronë në trasenë e autostradës janë duke paditur - janë të pakënaqur me fondet e marra.
Akset e autostradave të ndërtuara me anë të kredive kineze në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi janë në faza të ndryshme të përfundimit.
Pas përvojës me kredinë dhe kontraktorin nga Kina, Mali i Zi synon të ndërtojë pjesën e mbetur të autostradës Bar-Boljare në një marrëveshje tjetër, të mbështetur nga kredi dhe grante nga Bashkimi Evropian. Kjo ndër të tjera kërkon zbatimin dhe respektimin e standardeve të BE-së në përzgjedhjen e financuesve, projektuesve dhe kontraktorëve.
Në mesin e muajit korrik, ishte konfirmuar se Komisioni Evropian ka miratuar një grant prej 100 milionë euro për Malin e Zi për të mbështetur ndërtimin e aksit të ardhshëm të autostradës Bar-Boljare, midis Mateshevës dhe Andrijevicës, kostot e ndërtimit të së cilës janë vlerësuar rreth 600 milionë euro. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë bëri të ditur se kontributi prej 100 milionë eurosh nga fondet IPA III paraqet këstin e parë të mbështetjes së BE-së, i cili do të pasohet nga kësti i dytë me vlerë deri në 100 milionë euro, si kësti i radhës i fondeve të BE-së. "Mali i Zi do të zbatojë procedura konkurruese për prokurimin publik dhe procese transparente për zbatimin e punës që janë në përputhje me standardet evropiane," njoftuan nga Delegacioni.
Rrëshqitje dheu dhe gurësh
Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut është ndërtuar vetëm njëra nga dy autostradat kineze dhe ajo është autostrada Miladinovci-Shtip, 47 kilometra e gjatë, e cila është vënë në përdorim në korrik të vitit 2019. Ndërtimi ka kushtuar 177.3 milionë euro, ndaj nuk janë shfrytëzuar të gjitha fondet e vëna në dispozicion të vendit, konform kontratës së nënshkruar me bankën kineze “Exim”.
Por edhe pas pesë vitesh nga hapja zyrtare e autostradës, vozitja në këtë pjesë është një rrezik, sidomos pas reshjeve të dendura. Në pjesë të aksit të autostradës ka “ujëvara” që bien drejtpërdrejt në rrugë, ndërsa gjatë reshjeve të dendura, dheu bie edhe në rrugë. Ajo që është më e rrezikshme janë rrëshqitjet e dherave në autostradë, të cilat janë aktive edhe sot.
Fidanët e akacies janë mbjellë në një pjesë të magjistrales Miladinovci-Shtip për të reduktuar rrezikun nga rrëshqitja e dheut, por mbjellja nuk ka ndihmuar në të gjitha vendet. Në shpatet ngjitur me autostradën ku po shfaqej problemi, rrëshqitjet u riparuan me ndërtime shtesë të mureve mbajtëse, si dhe duke grumbulluar gurë të mëdhenj mbi këto vende ku rrëshqitej dheu për të parandaluar aktivizimin e mëtejshëm të rrëshqitjes.
Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore informon se për punët ndërtimore në autostradën Miladinovci-Shtip janë shpenzuar 272.680.747 denarë ose pak më shumë se 4,4 milionë euro, për punë të cilat nuk janë përfunduar nga kompania kineze “Sinohydro”. Këto fonde nuk mbulohen nga kredia e marrë nga banka kineze Exim, për shkak të skadimit të kredisë në janar të vitit 2019. Në faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe në Programin e Punës për vitin 2024 të kësaj ndërmarrje publike thuhet se këtë vit do të sigurohen mjete për “përfundimin e punimeve të papërfunduara ndërtimore” në pjesë të kësaj autostrade. Kjo ndërmarrje publike sqaron se bëhet fjalë për punime ndërtimore jashtë autostradës që nevojiten për komunikimin e popullatës lokale në Shën Nikollë, punë që nuk janë përfunduar nga ana e “Sinohydro” për shkak të skadimit të kredisë kineze.
Problem me rrëshqitje të dheut ka edhe në magjistralen Kërçovë-Ohër, e cila deri më sot nuk është vënë në përdorim. Edhe pse fillimisht ishte menduar të përfundonte në vitin 2018, afati i fundit për përfundimin e aksit të autostradës prej 57 km është 31 dhjetor 2026. Aneksi i gjashtë për zgjatjen e afatit të ndërtimit është miratuar në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbajtur më 1 prill 2024.
Burimi: faktor.mk
Çmimi fillestar me të cilin kompania kineze “Sinohydro” është dashur të ndërtojë autostradën Kërçovë-Ohër është rritur nga 374 milionë euro fillestare në 598 milionë euro aktuale. Përkundër faktit se Qeveria e LSDM-së ka huazuar edhe 180 milionë dollarë shtesë për t'i përfunduar punët ndërtimore gjatë vitit 2019, ministri i mëparshëm i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, para largimit të tij nga detyra në pranverë të vitit 2024, deklaroi se në këtë autostradë janë paraqitur edhe 13 rrëshqitje të reja, të cilat do të kërkojnë projektim shtesë dhe zgjidhje të reja teknike për të përfunduar projektin.
Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore nuk ka mundur të përgjigjet se cilat do të jenë fondet shtesë që do të ndahen për rehabilitimin e rrëshqitjeve të reja dhe punimet shtesë të ndërtimit dhe as nëse fondet shtesë të nevojshme do të merren sërish nga banka kineze Exim.
“Analiza financiare do të bëhet pas përgatitjes së projekteve bazë për stabilizimin dhe mbrojtjen e shpateve”, u përgjigjën shkurtimisht nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore, duke shtuar se riprojektimi i rrëshqitjeve të reja duhet të përfundojë brenda muajit maj të vitit 2025.
Kjo do të thotë se shuma prej 598 milionë euro për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër mund të mos mjaftojë për të gjitha punët ndërtimore, ndërsa negociatat shtesë me kontraktuesin dhe kreditorin duhet t'i përfundojë Qeveria e re e udhëhequr nga partia VMRO-DPMNE.
Mungesë e dokumentacionit projektues
Profesori nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodiu”, Zoran Krakutovski sqaron se kolegët e tij nga fakulteti janë duke punuar në gjetjen e zgjidhjeve teknike për rrëshqitjet e tokës në magjistralen Kërçovë-Ohër, por shton se në të ardhmen gjatë ndërtimit të projekteve tjera infrastrukturore përveç përfundimit dhe dokumentacionit teknik të përgatitur mirë, të gjitha projektet më të mëdha duhet të përmbajnë edhe analiza të rreziqeve dhe masa për parandalimin e tyre.
“Mungesa e dokumentacionit të projektit daton që nga fillimi i ndërtimit, por struktura politike në pushtet në atë kohë vendosi të nisë ndërtimin, gjë që rezultoi me një mangësi në realizimin e projektit”, thotë ai.
Profesori nga Fakulteti i Ndërtimtarisë shton se është ende një lëvizje e mirë që nuk është ndërprerë kontrata për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër me kompaninë kineze “Sinohydro”.
“Kemi shembuj me kontraktorë që janë përzgjedhur dhe pas disa vitesh janë ndërprerë kontratat me ta në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore. Këto projekte janë ende të papërfunduara, dhe ka kaluar shumë kohë e gjatë që nga fillimi i këtyre projekteve”, sqaron profesor Krakutovski.
Se ky nuk është vetëm problem maqedonas, dëshmon edhe shembulli i Malit të Zi: Pas 45 muajsh ndërtim zyrtar dhe më pak se tre muaj para përfundimit të planifikuar fillimisht të punimeve të autostradës (maj 2019), nuk kishte asnjë projekt të plotë kryesor, por është plotësuar “në përqindje 98 për qind”, siç njoftuan nga Qeveria. Më vonë doli se ky nuk ishte problem për kontraktorin dhe nënkontraktorët - puna ishte kryer pa projektin kryesor, madje ndonjëherë edhe jashtë asaj që ka qenë e specifikuar.
Ndodhi që shteti të shpronësonte tokën, e cila përfundimisht do të mbetej jashtë brezit të autostradës. Janë vërejtur situata edhe më absurde: ndërsa Ministria e Transportit po përgatitej për shpronësimin e tokës në kryqëzimin e Smokovcit, Ministria e Bujqësisë jepte subvencione për mbjelljen e vreshtave në të njëjtin vend.... Kur të përfundojë kryqëzimi (së bashku me daljen ekzistuese për në Podgoricë, një pjesë e unazës rreth Podgoricës dhe një kryqëzim me autostradën e ardhshme Adriatiko-Joniane që është planifikuar), ai vend do të mbetet një djerrinë në periferitë veriore të kryeqytetit të Malit të Zi.
Probleme të ngjashme ndodhin edhe në Maqedoninë e Veriut. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore thotë se deri në dhjetor të vitit 2023 janë kryer 78,73% e gjithsej punëve ndërtimore dhe për to janë ndarë dhe shpenzuar 470,908,086 euro.
Megjithatë, ajo që e vështirëson kryerjen e punimeve të ndërtimit në terren janë çështjet e shumta të hapura. Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore njofton se procedura për shpronësimin e tokës ka përfunduar plotësisht, me përjashtim të procedurave të shpronësimit për rrugët paralele të hyrjes. Mirëpo, në gjykatat themelore në Kërçovë dhe Ohër janë duke u zhvilluar rreth 500 procedura për caktimin e kompensimit për patundshmërinë e shpronësuar, për shkak se disa nga qytetarët që kanë pronë në trasenë e autostradës janë duke paditur - janë të pakënaqur me mjetet e marra. Në përputhje me marrëveshjen e lidhur me kontraktorin kinez “Sinohydro”, zgjidhja e plotë e shpronësimit të tokës është përgjegjësi e shtetit maqedonas dhe institucioneve të tij.
Jemi në pritje të vazhdimit të tregimit. Fundi i lumtur është ende shumë larg.