Votuesit janë shpesh më pak të prirur për të votuar për gratë. Votat janë më shumë për figurat “e njohura” dhe “të dukshme”, të cilët kanë më shumë fuqi për fushata në terren dhe kontakte me votuesit, dhe këta janë kryesisht meshkuj.
Ndër barrierat kryesore për pjesëmarrjen e grave në politikë, përveç stereotipeve gjinore dhe skepticizmit ndaj aftësive të grave, është edhe modeli i sistemit zgjedhor. Ekziston një korrelacion ndërmjet sistemeve zgjedhore dhe përqindjes së grave të përfaqësuara dhe të zgjedhura në zgjedhjet kombëtare dhe lokale.
Përfaqësimi gjinor në modelin zgjedhor proporcional dhe mazhoritar
Dy sistemet kryesore zgjedhore janë sistemet zgjedhore proporcionale dhe ato mazhoritare. Pjesa më e madhe e vendeve evropiane kanë sisteme zgjedhore proporcionale me përjashtim të disa vendeve si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania që kanë miratuar një sistem zgjedhor mazhoritar ose të kombinuar. Pothuajse në të gjitha vendet me sistem zgjedhor proporcional, përfaqësimi i grave është mbi 40%. Vendet me sisteme zgjedhore të kombinuar dhe/ose mazhoritar kanë një përqindje më të vogël të grave në parlamentet kombëtare.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve përdoret modeli zgjedhor proporcional me kuotë gjinore prej 40%. Përqindja e grave të zgjedhura në Kuvend është 42% dhe është përqindja më e lartë ndonjëherë.
Me rastin e zgjedhjes së kryetarëve të komunave dhe me rastin e zgjedhjes së presidentit të shtetit në Maqedoninë e Veriut, zbatohet modeli i mazhoritar i zgjedhjeve. Rezultatet e të gjitha zgjedhjeve të mëparshme për kryetar komune tregojnë një përqindje të vogël të kandidateve gra dhe kryetareve të zgjedhura. Zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2021 rezultoi me 2 kryetare komunash femra dhe 79 kryetarë të zgjedhur meshkuj.
Listat e mbyllura kundrejt atyre të hapura në sistemin proporcional
Nga vendet e BE-së që aplikojnë një model zgjedhor proporcional, 17 kanë një sistem zgjedhor proporcional me lista të hapura. Shumica e tyre nuk kanë një prag ligjor votash.
Modeli zgjedhor proporcional, përveçse një model i hapur, karakterizohet edhe nga lista fleksibël dhe të mbyllura. Listat e mbyllura kanë në qendër partinë dhe i japin më shumë pushtet lidershipit të partisë në emërimin e kandidatëve. Më shumë ngjajnë me lista të elitave partiake dhe të pasardhësve të partisë sesa të përqendruara në cilësitë e kandidatëve.
Në modelin e zgjedhjeve proporcionale me lista të hapura, ka një përfshirje dhe diversitet më të madh në zgjedhje. Mund të promovojë demokracinë brendapartiake dhe të kufizojë pushtetin e liderëve partiakë. Mund të inkurajojë gjithashtu konkurrencën brenda partisë dhe luftën për epërsi ndërmjet kandidatëve.
Në varësi të rregullave, votuesit mund të votojnë për listën dhe/ose për një ose më shumë kandidatë. Në Luksemburg dhe Zvicër ekziston mundësia për të votuar kundër kandidatit. Votuesit mund të shtojnë kandidatët e tyre, domethënë të formojnë një listë të re të kandidatëve të preferuar. Disa lista të hapura lejojnë edhe kandidatë jopartiakë.
Përfaqësimi gjinor në një model proporcional me listë të mbyllur
Në modelin proporcional me lista të mbyllura, partitë, para miratimit të kuotës gjinore të detyrueshme, shpeshherë i vendosnin gratë në vendet jofituese, duke i renditur më ulët në listë. Kjo praktikohej rëndom në shoqëritë më tradicionale dhe më pak në shoqëritë që promovojnë barazinë gjinore.
Kuota e detyrueshme gjinore dhe ,,zip system’’, pra renditja e alternuar e kandidatëve të të dy gjinive, rriti përqindjen e femrave në politikë. Para miratimit të kuotës në Maqedoninë e Veriut, përqindja e femrave të zgjedhura në Kuvend sillej ndërmjet 3-5%. Me miratimin e kuotës gjinore prej 30% në vitin 2002, përqindja nga viti 2002 deri në vitin 2014 ishte midis 19-34%, ose 23-42 gra të zgjedhura në Kuvend. Në vitin 2015 u miratua kuota gjinore prej 40%, e cila rriti përqindjen e grave të zgjedhura në mbi 35%.
Nga shembujt në Maqedoninë e Veriut, është evidente se modeli zgjedhor proporcional me lista të mbyllura, kuota dhe sistem zip është një variant i mirë për një nivel më të lartë të përfaqësimit gjinor.
Përfaqësimi gjinor në listat e hapura
Në listat e mbyllura, me kuotën e detyrueshme gjinore dhe renditjen e alternuar të kandidatëve të të dy gjinive, një vend kanë siguruar femrat. Në listat e hapura, kandidatet femra duhet të jenë më të dukshme, të kenë kontakt më të drejtpërdrejtë me elektoratin, të lobojnë për veten e tyre dhe të zhvillojnë fushata individuale për të fituar vota.
Burimi: usu.edu
Mungesa e kuotës gjinore në listat e hapura zvogëlon mundësinë e përfaqësimit adekuat të grave në listë. Dhe në atë rast, ashtu si në listat e mbyllura pa kuotë, do të pozicionoheshin në gjysmën e poshtme të listës. Kjo paraqet një rrezik të dyfishtë sepse votat e elektoratit mund të jenë ose shpërblim ose ndëshkim. Nëse elektorati mbështet gratë, ka një mundësi më të madhe për zgjedhje pavarësisht pozicionimit të ulët në listë.
Në një sistem zgjedhor proporcional me lista të hapura, hulumtimet e mëparshme kanë ardhur në përfundim se ka një nxitje më të madhe për kandidatët që të realizojnë kontakte më të drejtpërdrejta me elektoratin. Fushatat individuale të kandidatëve mund t'i ndihmojnë ata në mënyrë të konsiderueshme për t'u zgjedhur. Por, gratë kanë më pak burime, më pak trajnime dhe njohuri për fushatat personale.
Shembujt nga vendet fqinje që aplikojnë lista të hapura me kuota gjinore, si Kosova dhe Shqipëria tregojnë një përqindje më pak të përfaqësimit të grave në parlamente sesa përfaqësimi i grave në Maqedoninë e Veriut.
Sistemi zgjedhor në Kosovë është proporcional me lista të hapura me kuotë gjinore 30% ku votuesit kanë mundësi të votojnë për pesë kandidatë të preferuar. Në të njëjtën kohë, Kosova përdor konceptin e “humbësit”, sipas të cilit nëse nuk ka numër të mjaftueshëm femrash të zgjedhura, atëherë femrat me votat më të larta në listë zëvendësojnë meshkujt me më pak vota. Shembuj të tillë janë më pak të këndshëm sepse kandidatet femra hyjnë me më pak vota se sa kandidatët meshkuj vetëm për shkak të kuotës gjinore.
Nga viti 2020 në Shqipëri aplikohen listat e hapura me kuotë gjinore 30% dhe prag 1%. Me votim preferencial, votuesit mund të ndikojnë në renditjen e kandidatëve në listë. Por përqindja e grave të zgjedhura është 34.3%.
A do të votonin votuesit për gratë në listat e hapura?
Një pyetje kyçe që lind është nëse votuesit do të mbështesin gratë në listat e hapura. Analizat nga vendet evropiane dhe nga vendet e Ballkanit japin rezultate kontradiktore. Edhe pse tregojnë se gjinia e kandidatit nuk është faktor vendimtar, praktika tregon se meshkujt kanë përparësi gjatë votimit.
Rezultatet në Estoni, sistemi zgjedhor i së cilës kombinon lista të hapura dhe të mbyllura, japin pak prova se votuesit kujdesen për gjininë e një kandidati. Në mesin e viteve '90, janë rreth 10% gra të zgjedhura me lista të hapura. Në periudhën 2007-2011 përqindja rritet në 22%. Kjo është më shumë për shkak të ndryshimit të të kuptuarit tradicional të rolit dhe vendit të gruas në shoqëri.
Në Kroaci, në vitin 2016 disa kandidatë të pozicionuar më poshtë në listë u zgjodhën me vota preferenciale pavarësisht renditjes së tyre të ulët. Por ka edhe rezultate të kundërta. Gratë e pozicionuara më lart në listë për shkak të votave preferenciale për burrat u imponuan të dalin në fund të listës.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, me futjen e listave të hapura në vitin 2002, edhe përkundër kuotës gjinore, numri i femrave të zgjedhura është ulur në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Votuesit janë shpesh më pak të prirur për të votuar për gratë. Votat janë më shumë për figurat “e njohura” dhe “të dukshme”, të cilët kanë më shumë fuqi për fushata në terren dhe kontakte me votuesit, dhe këta janë kryesisht meshkuj.
Në Maqedoninë e Veriut, hulumtimi i kryer nga Reaktor, thotë se elektorati nuk është i paragjykuar ndaj kandidateve femra. Shumica mbështet gratë dhe gjinia nuk është një faktor vendimtar gjatë zgjedhjeve.
Në analizën e IFES, të anketuarit e kanë renditur gjininë e kandidatit madje në vendin e shtatë. Faktorët më prioritar janë; arritjet e kaluara të kandidatëve, prejardhja sociale, niveli i arsimimit dhe përvoja profesionale.
A ia vlen t'i jepet një shans listave të hapura në Maqedoninë e Veriut?
Vitet e fundit ka pasur disa debate për futjen e listave të hapura. Listat e hapura janë një koncept me variante të shumta që funksionojnë ndryshe në vende të ndryshme. Në Raportin e ВKomisionit të Venecias theksohet se ekziston “rreziku” që të zgjidhen më pak femra në lista të hapura.
Gjithçka varet nga konteksti i vendeve, nga aftësia për të kryer fushata, nga organizimi i grave dhe organizatave të grave për të lobuar, nga përvoja e mëparshme e grave.
Listat e hapura janë një opsion i mirë për uljen e fuqisë së elitave partiake, për përfshirje më të madhe të kandidatëve dhe për një rol më të madh të qytetarëve në përzgjedhjen e kandidatëve. Por ato nuk ofrojnë rezultate dukshëm më të mira për përfaqësimin gjinor.
Modelet proporcionale me lista kuotash të mbyllura mbeten një opsion më i mirë për një përqindje më të lartë të përfaqësimit të grave. Në një shoqëri ku politika konsiderohet ende një profesion mashkullor, megjithëse elektorati është neutral gjinor, është ende e pamundur të parashikohet nëse do të votohet për një burrë apo një grua.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.