Një plumb qorr nga një darkë gjuetie përfundoi direkt në zemër të shtetit ligjor/juridik. Plumbi çaktivizoi përpjekjet për të çliruar shtetin nga ndikimi i partive.
Kjo metaforë e vogël përshkruan në mënyrë të përsosur rastin e fundit të zgjedhjes së kryeprokurorit të ri për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhja e prokurorit Islam Abazi, i cili fitoi garën, rezultoi i suksesshëm nga pikëpamja procedurale, por nga pikëpamja shoqërore ishte një dështim (fiasko). Vetëm pak orë pasi u bë publik lajmi se ai do të ulet në sediljen e nxehtë të prokurorisë më të rëndësishme, mediat filluan të publikojnë foto nga një darkë gjuetie, në të cilat prokurori shihet në shoqërinë e ish-kryetarit të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe Fekri Ahmeti, vëllait të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Një personazh publik, siç është prokurori, mund të ketë në albumin e tij foto politikanësh, biznesmenësh, artistësh etj. dhe do të ishte një spin i lirë të ndërtoheshin teori për përkatësinë partiake vetëm për shkak të disa fotografive. Por fitorja befasuese e Islam Abazit, deri tani një person anonim në garën për prokuror, ngjalli shumë pikëpyetje - a mori erë në shpinë nga partitë në pushtet. Dhe sigurisht, mohimi i tij se ishte i afërt me partinë më të madhe të kampit politik shqiptar, përballë fotografive që vërtetonin të kundërtën, jepte një pamje krejtësisht të ndryshme në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Siç thotë populli, një foto vlen sa një mijë fjalë.
Në këtë mënyrë u shuan të gjitha shpresat për pavarësinë e prokurorisë, jo vetëm gjatë procesit të zgjedhjes, por edhe gjatë ushtrimit të funksionit, që është dashur të sigurohen me ndryshimet në Ligjin për prokurorët publik nga viti 2020. Pikërisht për këtë shkak u bënë ndryshime në atë ligj, sipas të cilit prokurori zgjidhet nga të gjithë prokurorët me votim. Të paktën kështu thuhet në nenin 66 të këtij ligji.
Natyrisht, ky nuk është shembulli i vetëm për të ilustruar partizimin e rrënjosur thellë në të gjitha funksionet e shoqërisë. Këtë varg mund ta vazhdojmë me konkursin për trajnimin e kontrollorëve të trafikut ajror që shkatoi shumë zhurmë në opinion, pasi u zbulua se anëtarëve të Bordit Drejtues të M-NAV nuk u kanë pëlqyer tetë kandidatët e përzgjedhur nga komisioni i ekspertëve të huaj nga jashtë, sepse në atë listë nuk kanë figuruar emrat e "fëmijëve të tyre".
Dhe rasti i fundit, që mund të ketë një efekt domino të mëtejshëm në shërbimet e sigurisë, është dhënia e nënshtetësisë për Oleksandr Onishchenko, përtej të gjitha kritereve të sigurisë, strategjike dhe profesionale, që çoi në një "tërmet" në strukturat politike dhe strukturat e sigurisë së vendit.
Nuk ka dyshim se për secilin prej këtyre rasteve mund të gjenden argumente të kundërta: se prokurori Abazi do të tregohet në nivelin e duhur në ushtrimin e detyrës, se menaxhimi i shoqërisë aksionare shtetërore për ofrimin e shërbimeve të navigacionit ajror M -NAV kishte kundërshtime legjitime ndaj procesit të përzgjedhjes së kontrollorëve të ardhshëm të trafikut ajror, ose se në rastin e Onishchenkos, fuqia e partisë në pushtet në duart e së cilës është qeveria dhe të gjitha autoritetet që kanë kompetencë për dhënien e shtetësisë personave nga jashtë vendit nuk ishte vendimtare.
Konstatime në vend të përgjegjësisë
Megjithatë, emëruesi i përbashkët i tre rasteve flagrante është se ndikimi dhe ndërhyrja partiake i ka lënë jashtë loje procedurat dhe kriteret që janë një mekanizëm mbrojtës kundër arbitraritetit dhe proteksioneve partiake. Dhe të shtojmë menjëherë se heqja e shtetësisë së Onishcenkos, të cilën e ka inicuar Qeveria, nuk mund të jetë një dëshmi e funksionimit të shtetit, por është vetëm kontroll i dëmit të bërë dhe një lëvizje e detyruar e qeverisë për të shpëtuar veten nga përgjegjësia politike.
Burimi: prizma.mk
Fakti që zyrtarë të lartë politikë shkëmbejnë hapur akuza për partizimin ose që e konstatojnë atë, bëjnë sikur të jenë vetëm vëzhgues të proceseve dhe jo aktorët kryesorë, të paktën është dekurajuese sepse tregon mungesën e përgjegjësisë. Më poshtë janë vetëm disa nga shembujt e shumtë që tregojnë se si përgjegjësit vetëm po i drejtojnë gishtat njëri-tjetrit, në vend që të marrin përgjegjësi dhe t'i japin fund partizimit.
“Shteti dhe ligji kanë bërë gjithçka që duhej që të mos kishte ndikime partiake, por doli që nuk ka asnjë ligj dhe asnjë reformë që partitë nuk mund të depërtojnë apo të fusin hundët. Pra, nuk e ka fajin as ligji, as reforma, por vetëdija dhe mungesa e vullnetit për të ndërtuar një shtet të vërtetë ligjor/juridik”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në Kuvend në përgjigje të pyetjes parlamentare për zgjedhjen e kryeprokurorit Abazi.
„Kryetarja Arsovska do të mbahet mend për 109 punësime në baza partiake në Qytetin e Shkupit, pas partizimit të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve nën kompetencën e qytetit”, ka akuzuar partia LSDM në një komunikatë partiake.
Drejtori i “Ujësjellësit” kishte punësuar mbi 100 persona, mbi 100 ushtarë partiakë”, deklaroi kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska.
Qytetarët maqedonas po shpërngulen për shkak të partizimit të tepruar dhe të pamasë, tha presidenti Stevo Pendarovski tre vjet më parë. Pendarovski shprehu shqetësimin për të dhënat e Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore se më shumë se 500 mijë njerëz kishin emigruar tashmë nga Maqedonia e Veriut në dekadat e fundit. Sipas Pendarovskit, “të gjithë politikanët janë fajtorë për shpërnguljen, duhet t'i kërkojmë falje popullit maqedonas për politikat e këqija në këtë fushë”.
Por nëse ata që duhet të thyejnë spiralen e partizimit vetëm e deklarojnë atë, atëherë kush duhet të mbajë përgjegjësi për ndikimet partiake që po ndodhin? Dhe a do të guxojë dikush më në fund të marrë përgjegjësinë, në vend që vetëm të premtojë se palët do të largohen nga ky terren, atje ku duhet të jenë profesionistët dhe ekspertët.
Si bëhet divorci mes partive dhe administratës?
Edhe gati një dekadë e gjysmë më parë, kemi dëgjuar premtime se ndërhyrjet partiake do të merrnin fund. Në vitin 2008 u hartuan dhe më pas u miratuan zgjidhje ligjore, të cilat supozohej se do të ishin në funksion të çlirimit të shtetit nga kthetrat partiake. “Zgjidhjet e reja ligjore do të jenë bazë për departizimin dhe depolitizimin e administratës shtetërore dhe për ristrukturimin e saj në një shërbim publik profesional dhe efikas për qytetarët”, thuhej në faqen e internetit të Transparency.
Megjithatë, edhe kjo, si dhe të gjitha zgjidhjet e mëtejshme ligjore, mbetën vetëm në suaza të dëshirës. Divorci mes partive dhe administratës nuk ndodhi kurrë. Jo vetëm që nuk duket “divorci”, por partneriteti po forcohet edhe më shumë, kurse Maqedonisë tashmë mund t’i jepet “titulli” i kampionit edhe sa i përket punësimeve fantazmë.
Raportet e mediave zbuluan faktin befasues se shteti ndante mbi tetë milionë euro çdo vit për 1349 administratorë të punësuar sipas Marrëveshjes Kornizë, të cilët nuk kishin ardhur fare në vendet e tyre të punës. Punësimet ishin kryer në periudhën 2008-2015 dhe vetëm në vitin 2021 është marrë vendimi për caktimin e tyre në vende pune – proces për të cilin ende nuk ka vëzhgime përfundimtare nëse ka qenë i suksesshëm apo thjesht tema është larguar me sukses nga publiku.
Jo më pak zhgënjyes ishte edhe informacioni se në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë ishin rreth 600 punonjës të cilët po ashtu merrnin paga pa ardhur në punë, apo lajmi se kryetari i komunës së Çashkës u ka dhënë vendime punësimi 40 personave që askush nuk i ka parë të vijnë në punë, kurse kontratat e tyre u vazhdoheshin për çdo muaj dhe u paguante kompensim nga buxheti i komunës.
E gjithë kjo do të thotë se drejtuesit politikisht neutralë, drejtorët e kompanive publike, gjyqtarët, prokurorët do të jenë ende në mungesë në vendin tonë. Ndërsa neutraliteti dhe kultura profesionale përfaqësojnë vlerën kryesore në administratën shtetërore në vendet e zhvilluara.
Mbetet shpresa se negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëse vazhdojnë të shqyrtojnë kushtin e shtimit të pakicës etnike bullgare në Kushtetutë, do të neutralizojnë ndikimin e partive politike. Rezistenca padyshim do të jetë e madhe, sepse klientelizmi partiak dhe “blerja” e afërsisë politike përmes aranzhimeve partiake ka qenë pjesë e përditshmërisë sonë, jo prej ditësh, por me vite të tëra. Dhe kjo e bën të vetën. Për kuadrot partiake nuk është imperativ profesionalizmi, por mbrojtja e interesave personale apo partiake, madje kryesisht në dëm të interesit publik dhe gazetarëve që e përfaqësojnë.
I tillë është rasti edhe me sjelljen e pahijshme të drejtorit të Ngrohtores së Shkupit - Veri, i cili përtej të gjitha normave dhe standardeve profesionale sulmoi verbalisht gazetaren e cila ishte e interesuar mbi funksionimin e këtij objekti të rëndësishëm për qytetarët.
Ky është vetëm një segment që ilustron rrezikun se në cilin drejtim mund të lëvizë Maqedonia nëse palët nuk tregojnë vullnet për ta çliruar shtetin dhe institucionet e tij nga robëria partiake. Sigurisht që nuk duhet të jetë e varur nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian, por duhet të vijë si shprehje e pjekurisë së shtetit, por fatkeqësisht sjellja në këtë aspekt është një sjellje e “adoleshentit” duke mbrojtur interesat personale dhe partiake, në vend të interesit publik.
Për më tepër, kjo lëvizje kundër vlerave evropiane nuk krijon bazë për optimizëm se rruga për në BE do të jetë e lehtë. Për këtë nuk mund të fajësojmë asnjë shtet fqinj apo papërcaktueshmëri historike, por adresa është në shtëpi, në orekset për të konsumuar pushtetin sipas dëshirës së tyre dhe jo sipas kritereve dhe standardeve të vendosura profesionale.
Është me të vërtetë për të ardhur keq, në një epokë të tillë përparimesh teknologjike, politike, ekonomike e të gjithë botës, që në Maqedoni të vazhdojmë të lutemi për favore nga perënditë e partive politike.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.