fbpx

Presidenti i shtetit i legjitimuar nga një pjesë e shqiptarëve

Sefer Tahiri

Politika

10.05.24

Прегледи

A është arritur censusi për president me votat e shqiptarëve? Cilat ishin skenarët e realizuar nga partitë dhe koalicionet politike shqiptare për zgjedhjen e presidentit? Si e mori legjitimitetin nga shqiptarët kryetarja e re e shtetit Siljanovska Davkova?

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, përveç zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, beteja do të jetë edhe për censusin, pra për një pjesëmarrje prej 40%, ose 726 mijë vota, që është kategori kushtetuese.

Krahasuar me rezultatet e raundit të parë, pjesëmarrja do të jetë shumë e vështirë për t'u arritur pa votuar edhe shqiptarët. Duke qenë se elektorati në kampusin shqiptar është klientelist, orientimi i votuesve do të varet nga dy koalicionet: Fronti Evropian i BDI-së dhe koalicioni opozitar VLEN.

Skenari i koalicionit VLEN ka siguruar censusin për Siljanovskën

Një nga skenarët që u realizua ishte sigurimi i censusit, që nënkuptonte mbështetjen e koalicionit opozitar VLEN për kandidaten për president, Gordana Siljanovska Davkova.

Instruksioni i këtij koalicioni për aktivistët ishte që të mos bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Mbështetja e heshtur për Siljanovskën është arritur me thirrjen e koalicionit VLEN për strukturat partiake - që ditën e zgjedhjeve të marrin fletëvotimin për zgjedhjet presidenciale. Kështu edhe ndodhi! Në komunat ku jetojnë shqiptarë, sipas të dhënave të KSHZ-së, pjesëmarrja ishte mbi 20%, që është dëshmi se këto zgjedhje nuk u bojkotuan totalisht.

Një mbështetje e tillë indirekte i ka paraprirë marrëveshjes për formimin e qeverisë së re mes liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe njërit prej liderëve të VLEN-it, Arben Taravari, në selinë e opozitës shqiptare. Mickoski dhe Taravari në takim biseduan për parimet për një koalicion të mundshëm të ardhshëm dhe bashkëpunim të përbashkët, kryesisht për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Por një qëndrim i Siljanovkës, pothuajse e bëri të pamundur mbështetjen e koalicionit VLEN. Kandidatja për presidente, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkovka, në një tubim në Kumanovë deklaroi se disa krime kundër njerëzimit nuk skadojnë kurrë. Ndërmjet rreshtave, Siljanovska pohoi se ekziston mundësia e zgjidhjes së krimeve të luftës së 2001 para një gjykate ndërkombëtare.

Për këtë ka reaguar ashpër një nga liderët e koalicionit VLEN Izet Mexhiti i cili theksoi se “Na vjen keq që me afrimin e zgjedhjeve, VMRO-DPMNE po i kthehet praktikave të vjetra, të cilat mendonim se i kishin harruar. VMRO-DPMNE vazhdon me polarizimin me BDI-në dhe kjo është një lojë banale, e vjetër. Shqiptarët janë bashkë kur është fjala për çështjen kombëtare. UÇK-ja është e SHENJTË për të gjithë ne dhe askush nuk lejohet të ngacmojë aty."

Skenari i frontit të Ahmetit me standarde të dyfishta

Kandidati i BDI-së Bujar Osmani në raundin e parë fitoi 120 mijë vota dhe dihet se ndër vite kjo parti ka një elektorat relativisht stabil. Në zgjedhjet e kaluara presidenciale, presidenti Pendarovski ishte kandidat me konsensus, ndërsa në zgjedhjet e këtij viti nuk u përkrah.

Për të mos i mbyllur derën e VMRO-DPMNE-së për formimin e qeverisë, BDI-ja u “tërhoq” nga koncepti i presidentit konsensual dhe nuk e mbështeti kandidatin presidencial Pendarovski, që është edhe për shkak të refuzimit të ofertës së BDI-së nga LSDM-ja për koalicion të përbashkët parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare.

Pati thirrje për bojkot të heshtur, i cili u realizua përmes agjitacionit ndaj të ashtuquajturve “militantë” apo veprimtarë partiakë.

Liderët e Frontit Europian ishin të ndarë për sjelljet politike në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Burimi: sdk.mk

Zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtar i BDI-së, Artan Grubi, nuk ka votuar për president të shtetit. “Unë nuk votova për zgjedhjet presidenciale sepse nuk dua të legjitimoj një president që është kundër UÇK-së, kundër Marrëveshjes së Ohrit, kundër fqinjësisë së mirë me Kosovën, me Bullgarinë, me Greqinë, kundër integrimit në BE dhe amendamenteve kushtetuese, kundër miqësisë me SHBA-në. Nuk dua që presidenti apo presidentja e ardhshme të ketë legjitimitetin e votave të botës demokratike këtu në Maqedoninë e Veriut, duke mundësuar zgjedhjen e një presidenti të tillë. Prandaj kam shfrytëzuar të drejtën time demokratike për të votuar për zgjedhjet parlamentare, por jo për zgjedhjet presidenciale”, tha Grubi.

Dhe lideri aktual i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka votuar vetëm në zgjedhjet parlamentare. Qëndrimet e tilla gjithashtu motivuan disa nga votuesit e pavendosur në bllokun etnik maqedonas që të votojnë dhe të sigurojnë censusin.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili është në koalicion me BDI-në në Frontin Evropian, ka konfirmuar se ka votuar edhe për zgjedhjet presidenciale. Thaçi tha se “Unë qëndroj prapa vendimit të Frontit Evropian të marrë më 2 maj në Strugë, kur qytetarët u thirrëm nga ne që të vendosin vetë se si do të veprojnë në lidhje me zgjedhjet presidenciale”.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të Frontit Evropian, Arbër Ademi, i pyetur se a mund të interpretohet si bojkot i heshtur fakti që BDI-ja nuk i ka thirrur hapur simpatizantët për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, tha se ata kanë lënë që vetë mbështetësit të vendosin në mënyrë të pavarur dhe sipas bindjeve të tyre se si do t'i trajtojnë zgjedhjet presidenciale. Ademi shtoi se në raundin e dytë votuan kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryeministri teknik Talat Xhaferi si dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Qasja e BDI-së ndaj zgjedhjeve presidenciale gjatë historisë

zgjedhjet e mëparshme presidenciale në vitin 2019, BDI-ja për herë të parë në histori e mbështeti idenë e një presidenti konsensual dhe Pendarovski ishte mishërimi i një kreu të tillë shteti. Atë e kanë përkrahur të gjitha partitë qeveritare, gjegjësisht përveç BDI-së e ka përkrahur edhe partia Alternativa. Me 435.000 vota, mes të cilëve disa mijëra shqiptarë, ai u bë president kundrejt kandidates së opozitës, Gordana Siljanovska Davkova, e cila fitoi 377.000 vota.

BDI-ja në vitin 2014 nuk ka nominuar kandidatin e vet, në kurriz të partnerit të saj VMRO-DPMNE, dhe në vendbanime të caktuara ka pasur vota të “dozuara” për Gjorge Ivanov, për të siguruar censusin e zgjedhjeve. Ivanov u bë president me 534 mijë vota, kundrejt Pendarovskit, i cili mori 398 mijë vota. Në këto zgjedhje ka marrë pjesë edhe Iljaz Halimi nga PDSH-ja, i cili kishte fituar 38 mijë vota.

zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, BDI-ja mori pjesë me kandidatin e saj, Agron Buxhaku, i cili fitoi 73 mijë vota, dhe në raundin e dytë, ashtu si në vitin 2014, makineria e votimit siguroi censusin për presidentit Ivanov, i cili fitoi 453 mijë vota, kundër 264 mijë për kandidatin e LSDM-së, Ljubomir Danailov Fërçkovski. Votat e BDI-së ishin më shumë për sigurimin e censusit sesa për Ivanov.

BDI-ja në vitin 2004, performoi me një nga asetet më të forta të saj, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ish-UÇK-së, Gezim Ostreni, i cili në raundin e parë fitoi 134 mijë vota. Në raundin e dytë, kandidati i LSDM-së Branko Cërvenkovski fitoi 550.000 vota, ndonëse në raundin e parë kishte 385.000 vota, që do të thotë se mijëra vota shqiptare i takuan Cërvenkovskit, partnerit të koalicionit të BDI-së, sepse diferenca në raundin e dytë ishte 165.000 vota. Kandidati i VMRO DPMNE-së, Sashko Kedev kishte fituar 329 mijë vota, ndërsa vendimi i partisë së Nikolla Gruevskit për të mos bojkotuar ka siguruar censusin për zgjedhjen e presidentit të shtetit.

20 vjet më vonë, është e vështirë të besohet se një nga skenarët e mundshëm është bojkotimi i LSDM-së dhe moskalimi i censusit, sepse kjo do të nënkuptonte fiasko për “partinë shtetformuese”.

Epilogu

Sipas rezultateve, mbështetja e koalicionit VREDI për Siljanovskën ka qenë në drejtim të sigurimit të një sasie të votave për të arritur censusin dhe në këtë mënyrë respektimit të vullnetit të popullit, i cili ishte i qartë, i padiskutueshëm dhe i dukshëm, qysh në raundin e parë.

Nga ana tjetër, Fronti Evropian ndonëse u bëri thirrje veçanërisht strukturave të BDI-së për bojkot të heshtur të zgjedhjeve presidenciale, për të mos lënë përshtypje negative te ndërkombëtarët se është parti apo koalicion bojkotues, u përpoq të krijojë një perceptim se qasja e tij "duket si bojkot", por nuk është një bojkot."

 
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sefer Tahiri

Sefer Tahiri ka përfunduar studimet e doktoraturës me temën "Ndikimi i partive politike në politikën redaktuese të Shërbimit të Transmetimit Publik - Radio dhe Televizioni i Maqedonisë (1998-2006)". Ai jep leksione në lëndë nga fusha e medias dhe komunikimit në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe në Institutin për Studime të Komunikimit në Shkup. Tahiri ka 15 vjet përvojë gazetarie. Ai ka punuar si gazetar dhe redaktor në gazetën Fakti, në programin e gjuhës shqipe në MTV, ALSAT-M TV dhe ka qenë korrespondent i Radios Evropa e Lirë nga Shkupi - programi në gjuhën shqipe. Ka marrë pjesë në projekte të ndryshme studimore në fushën e mediave dhe komunikimit.