fbpx

Qeveria dhe diskursi politik i përrallave me njëbrirësh dhe pilivesa!

Jana Lozanoska

Politika

27.02.19

Прегледи

d-r Jana Llozanoska

Jana Lozanoska 200x250Kashta e vetme e shpëtimit e atij që po mbytet, i cili ka nevojë për reanimacion, është fraza „do bëhemi“e cila filloi me Marrëveshjen e Prespës, ndërsa kulminoi me ratifikimin e saj. Kjo aludon se ndoshta dikur do të bëhemi, por dikur nuk është tani dhe sot.

Gënjimi në politikë është fenomen global posaçërisht me rritjen e populizmit çdokund nëpër botë. Nuk është as ndonjë risi që në kontekst të Maqedonisë dhe si fenomen ekziston që nga pavarësimi deri më tani, shumë herë në formë të propagandës së organizuar. Kohëve të fundit merr hov me arsyetimet për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. Sepse të gënjyerit në politikë, respektivisht promovimi i një diskursi i cili është përplot fjalë të zbrazëta për njëbrirësh dhe pilivesa të bukura sikur të dalluara nga përrallat, është fenomen i rrezikshëm i cili duhet të njihet dhe demaskohet.

Realiteti kundrejt diskursit

Hana Arent na mësonte se politika është realitet, respektivisht gjykim objektiv dhe i paanshëm i tërë asaj që ndodh në hapësirën politike. Politika është e mirë publike, ku mendimi dhe qëndrimi i qytetarëve janë udhëheqësite vetë asaj politike, e cila është kombinim i pluralitetit të qëndrimeve dhe fakteve. Ndërsa ato, që të jenë të besueshme duhet në vazhdimësi ti nënshtrohen rishqyrtimit në opinion respektivisht nëpërmjet dialogut dhe debatit publik. Në atë drejtim sundimi i së drejtës është rregull, e jo përjashtim në politikë, duke përfshirë edhe përgjegjësinë politike e cila është absolute. Realiteti është pasqyrim i së tashmes, dhe i tërë asaj që ndodh në një shoqëri. Ndërsa e tashmja flet për një realitet tejet të hidhur i cili kulminon me korrupsion, nepotizëm dhe mos-ndëshkueshmërinë e plotë.

Mungon çfarë do përgjegjësie për rrëzimin e plotë të shtetit të drejtë dhe sundimit të së drejtës, nga Prokuroria speciale publike e ngritur në piedestalin e Justicias, deri në fiaskon e saj totale dhe rënien pas ikjes dhe me ikjen e Gruevskit. Ajo që e karakterizon këtë realitet të mundimshëm dhe të hidhur është shtrembërimi i fakteve, mungesa e fakteve, mungesa e shpjegimeve dhe mos-transparenca e plotë. Realitet të cilin establishmenti qeverisës mundohet ta zëvendësojë me diskurs të përrallave për njëbrirësh dhe pilivesa, dhe me fraza të zbrazëta se “do bëhemi”.

Ky diskurs është larg nga të qenit i bindshëm, madje është edhe ofendues për qytetarin i cili shpresonte për ndryshim, përmes rezistencës qytetare autentike parimisht, e cila më vonë u uzurpua dhe ri-brendua në Revolucionin e larmë. Merreni shembullin e Pavle Bogoevskit dhe Mariglen Demirit sot, shembull tipik i drejtësisë selektive. Që të dy pjesëmarrës aktivë në të ashtuquajturin revolucion të larmë, njëri në pozitë, me padi të hedhura poshtë, tjetri ende i bllokuar në labirintet e gjykatave. Në shoqërinë e Maqedonisë, sistemi është aq i kalbur, mos dhashtë Zoti njeriu të gjendet në gjykatë apo në spital sot, ëmbëlsia e tingëllimit të frazës “do bëhemi”, kumbon si ndonjë jehonë tërësisht e ndryshuar nga mutacioni i ndonjë filmi horror. Realiteti i hidhur sot dhe tani, është fotografi për Justician e shtypur e cila nuk gjendet vetëm nëpër gjykatat, por është edhe shoqërore. Kjo e fundit shoqërorja, e keqpërdorur përsëri përmes thirrjeve për pajtime të rrejshme, uzurpohej në mënyrë të njëjtë, siç uzurpohej edhe lëvizja qytetare, ndërsa në llogari të rehabilitimeve dhe amnistive të ndërsjella. Kashta e vetme për shpëtim të atij në mbytje e sipër, të cilit i duhet jo vetëm reanimacion por edhe rigjallërim është fraza “do të bëhemi”e përrallave me njëbrirësh dhe pilivesa e cila filloi me Marrëveshjen e Prespës, ndërsa kulminoi me ratifikimin e saj. Kjo aludon se ndoshta do të bëhemi dikur, por ajo dikur nuk është tani dhe sot, kur secili që merret seriozisht me politikë duhet ta ndërmarrë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e kolapsit të sistemit në të gjitha sferat e jetesës, e posaçërisht në pikëpamjen e gjyqësorit.

Marrëveshja e Prespës si ideologji racore

Slogani “do bëhemi” gjithashtu gjen përdorim në atë që mund të paraqesë edhe analizë fenomenologjike të Marrëveshjes së Prespës, i cili ngjason në ideologji të ndërtuar racore, duke i përmbajtur të gjitha elementet të cilave u referohet Hana Arent. Arent është pionere në dekonstruimin e ideologjive racore, dhe në shpjegimin se si këto me destruktivitetin e vet e infektojnë hapësirën politike e cila duhet të jetë e lirë dhe pluraliste. Në fakt, e tërë vepra e saj Origjina e totalitarizmit është përpjekje për dekonstruktim të ideologjive racore në Evropë, me theks të posaçëm ndaj nazizmit dhe stalinizmit, si e keqja më e madhe e njerëzimit. Elementet e totalitarizmit, janë në fakt portretizimi asaj se si ideologjitë racore funksionojnë, dhe se si e keqja e cila nuk është mitike por reale, përhapet nëpër jetën politike.

Burim: mia.mk

Së pari Arent i ndërlidh racizmin dhe ideologjitë racore me imperializmin, i cili është i përfytyruar përmes superioritetit, pushtetit, ekspanzionit dhe arit. Arent më tej dallon apo bën ndarje të mendimit racor dhe ideologjive racore. Elementi i parë shpjegon se si ideologjitë racore marrin hov përmes doktrinave teorike (Darvin dhe Hobs). Çështja kyç me të cilën merret Origjina e totalitarizmit është se si këto doktrina teorike racore përçohen në sferën politike dhe bëhen armë edhe në politikë, Arent një pjesë të përgjigjes e jep përmes analizës së ideologjive racore të cilat: i kanë të gjitha përgjigjet e universit/botës dhe historisë, përmbajnë dituri të fshehur për natyrën dhe njeriun dhe kanë fuqi të fortë bindëse, që qëndron kundrejt formimit të mendimit dhe qëndrimit, gjë e cila paraqet pjesë të jetës së lirë politike.

Këto tre postulate të cilave u referohet Arent mund të kontekstualizohen edhe në tërë atë që ndodhte me kontestin për emrin që nga fillimi e deri tek nënshkrimi dhe ratifikimi i Marrëveshjes me Greqinë. Postulati i parë është se ideologjitë racore i kanë të gjitha përgjigjet, në rastin tonë të historisë. Historia në këtë rast përdoret për tu përkufizuar dy shtete aktuale, përmes kërkesave për ekskluzivitet dhe posedim të historisë me përkufizim në shtete moderne të kohës së tashme, të cilat tani më janë të de-limituara me kufij dhe sisteme të veçanta. Në mënyrë shtesë Marrëveshja pranon dhe përkufizon identitete kolektive (artikulli 7),të cilat historikisht i lidh me ato territore nga e kaluara përmes shtetit, kombësisë, territorit dhe lindjes (Agamben, 1998 [2003]). Krijimi dhe përkufizimi në identitete, dhe atë kolektive, paraqet një mjet tejet të rrezikshëm në ndërtimin e ideologjive racore. Çështja e identitetit është në fakt kurthi grek në të cilin u kap shumëkush, që të vendosen këto ideologji racore në sferën politike, njëkohësisht duke e përdorur dhe duke e shtrembëruar në mënyrë tejet bindëse të drejtën ndërkombëtare, e cila edhe vetë shpesh herë konsiderohet të jetë racore.

Elementi i forcës së fuqishme bindëse, që është në kundërshtim me qëndrimin dhe mendimin e lirë si pjesë e jetës së lirë politike, është ajo që ndoshta është edhe më e dukshmja nga para dhe post-Prespës. Propagandë mirë e organizuar nga qeveria, organizatat për të drejtat e njeriut dhe intelektualët të cilët bëjnë/bënin presion për pranimin pa rezervë të Marrëveshjes për emrin. Ndërkaq është problematike se ideologjia racore e formuar përmes historisë, më tej lidhet me ideologjinë vijuese të BE-së dhe NATO-s, e cila duhet të jetë përgjigja e vetme dhe dalja në ardhmërinë dhe progresin tonë. Vetë ndërtimi i diskursit dominues me fokus në ardhmërinë dhe progresin, tregon në rrezikun se kjo Marrëveshje paraqet përpjekje për shtyrje të ideologjive racore në politikë. Historia (ndonjë e kaluar e kontestueshme antike) dhe ardhmëria (BE dhe NATO) janë të ndërlidhura me progres dhe zhvillim, ndërsa e tashmja mungon plotësisht.

Progresi dhe zhvillimi janë në fakt pjesë e tërë mekanizmit të operimit të ideologjive racore, gjë për të cilën Arent na paralajmëron në veprën e saj. Kjo, vënë në kontekst të elementeve si funksionojnë ideologjitë racore, flet për nevojën se duhet të jemi të kujdesshëm me diskursin politik të përrallave me njëbrirësh dhe pilivesa, në të cilin e tashmja mungon tërësisht. Sipas Arent ideologjitë racore kanë efekt të bumerangut, që nënkupton rrezikun nga përforcimi i nacionalizmit dhe urrejtjes si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi. Prandaj nevojitet edhe kujdes rreth aspiratave për Çmimin Nobël për paqe, që të mos gjendet komiteti në absurd duke ndarë çmim për Marrëveshje e cila promovon ideologji racore kundrejt pajtimit dhe dialogut të vërtetë dhe afatgjatë.

Mungesa e drejtësisë dhe reformave në shoqëri janë të zëvendësuara me përralla për pilivesa dhe njëbrirësh posaçërisht rreth çështjes së emrit, duke i paraqitur opinionit se ndërmerren reforma dhe hapa të mëdha nga përfaqësuesit e qeverisë. Nepotizmi dhe korrupsioni injorohen, madje edhe promovohen, lëvizja qytetare është plotësisht e shkatërruar, debat publik nuk ekziston dhe në kushte të këtilla të diskursit të konstruktuar realiteti dhe e tashmja mungojnë tërësisht. Ndërkaq mungesa e realitetit, nënkupton prani të gënjeshtrës, e gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra gjë të cilën do ta shohim në zgjedhjet e ardhshme.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donato

Jana Lozanoska

Jana Lozanoska, doktor shkencash në Universitetin e Kombeve të Bashkuara për Paqen në Kosta Rika. Ajo ka përfunduar master në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Universitetin e Gjenevës dhe Institutin për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë, Zvicër. Ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Juridik në Shkup. Ka botuar punime për të drejtat e njeriut, gjinia dhe LBT; çështja e emrit nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare, BE dhe të drejtat e njeriut, etj.