Assoc. Dr Sefer Tahiri
Ka ngelur edhe disa muaj që qeveria të shënojë gjysmën e mandatit të saj. Qytetarët kanë pritur më shumë në planin e jetësimit të reformave, sepse premtimet ishin tepër bindëse dhe të mëdha. Gjithmonë kur ka pritje të mëdha, zhgënjimi mund të jetë potencialisht po aq i madh sa pritjet.
Nuk ka qeveri në Maqedoni, që nga ajo e Nikolla Klusevit e deri te kjo e fundit e Zoran Zaevit, e cila nuk është vetëpromovuar si reformatore dhe e cila nuk ka premtuar se do të jetë e fokusuar në zhvillimin e vendit në aspektin ekonomik, demokratik dhe juridik. Kryeministra e ministra, bashkë me këshilltarë e zyrtarë tjerë shtetërore gjithmonë kanë qenë me gojën plot se janë për reforma, saqë të mbërrijmë në fazën që sintagma "qeveri reformatore" të bëhet e bajatshme.
Në vend të reformave, ndodhi referendumi
Maqedonia dhe qytetarët e saj, kuptohet pjesa më e madhe e tyre kaluan plot një dekadë të rëndë, në të cilën përjetuan shumë momente krize, presione politike, procese të montuara dhe frikë se cila do të jetë e ardhmja e vendit. Meqë reformat ishin bllokuar apo nuk kishin realizim me ritmin e parashikuar në një hark kohor relativisht të gjatë, qeveria e re erdhi me parullën "Nuk ka paqe, nuk ka drejtësi" dhe me plot shpresë se do të bëjë reforma të shpejta dhe në interes publik. Zaev shprehej "Vjen koha e re, koha e reformave". Madje u hartua plani i famshëm 3-6- 9 !
Në vend të reformave Maqedonisë i ndodhi referendumi, edhe atë jo çështje dosido, por për emrin e shtetit që garanton ardhmërinë evroatlantike. Në vend që institucionet e shtetit të merreshin me reformimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorisë, administratës publike dhe shtetërore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me riformatimin e shëndetësisë, arsimit dhe mediave, e tërë energjia institucionale e pushtetit dhe e opozitës u fokusua tek referendumi për emrin e ri të shtetit.
Ka ngelur edhe disa muaj që qeveria të shënojë gjysmën e mandatit të saj. Qytetarët kanë pritur më shumë në planin e jetësimit të reformave, sepse premtimet ishin tepër bindëse dhe të mëdha. Gjithmonë kur ka pritje të mëdha, zhgënjimi mund të jetë potencialisht po aq i madh sa pritjet.
Për shkak të sensibilitetit të çështjes së emrit, meqë bëhej fjalë për çështje kruciale, reformat pësuan shumë. Nëse vitin e parë, qeveria justifikohej me emrin dhe referendumin, edhe pse në këtë proces ishin të përfshirë kryeministri dhe tre ministra tjerë, në të ardhmen ajo më nuk ka asnjë "letër xhoker" që do ta përdorte për të bindur popullin se ajo dëshiron të bëjë më shumë në reforma, por fatkeqësisht ato i shmangen agjendës prioritare institucionale. Nuk do të vlejnë më as justifikimet politike të tipit "regjimi i Gruevskit, uzurpimi i institucioneve të shtetit nga VMRO-DPMNE-ja, përgjimet nga klika e ish regjimit".
Burim: makfax.com.mk
Reformat në gjyqësor vendnumërojnë
Nuk është bërë asnjë hap vendimtar që do të reformonte sistemin gjyqësor. Kur të gjithë prisnim se do të fillojë për së mbari procesi i reformave në gjyqësor dhe të kemi sado pak shtet juridik, filluan problemet e zakonshme të natyrës ballkanike. Ministria e Drejtësisë u bëri obstruksion ekspertëve.
U formua Këshilli i ekspertëve për reformat në gjyqësor, por nuk funksionoi, edhe pse qeveria tha se puna e tij ishte e suksesshme. E gjithë kjo katrahurë do të përfundojë me formimin e këshillit të ri, i cili drejtohet nga vetë kryeministri. Zoran Zaev përveç se kryetar i Këshillit të reformave në gjyqësor, është kryetar i LSDM-së, shef i qeverisë dhe shef edhe i Këshillit për reformimin e administratës. Kjo do të thotë se nuk i del koha as sipas formulës së Gruevskit 24/ 7, e cila duhet thënë se ishte joefikase dhe jofunksionale, pasi më tepër ishte truk marketingu politik.
Nuk ka ilustrim më të mirë që evidenton se gjyqësori në Maqedoni është në derexhe se sa fakti që në Këshilli Gjyqësor i Shtetit vazhdojnë të rinë ulur njerëz të cilët nuk kanë as edhe një ditë përvojë pune në gjykata. Absurdet nuk kanë fund në Maqedoni. Ajo nuk është vetëm vend i çudirave natyrore, por edhe shoqërore.
Në vend se reformim të thellë, me qëllim që të kemi gjykata efikase, agjile dhe të pavarura politikisht, kemi gjykatës që siç ka pohuar edhe kryeministri Zaev dërgojnë porosi sms në të cilat pa fije turpi i ofrojnë shërbimet e tyre ! Dinjiteti së bashku me integritetin profesional të gjykatësve treten duke iu nënshtruar pushtetit.
Nëse analizojmë se si funksionojnë gjykatat dhe skemën korruptuese të gjykatësve të lidhur me politikën dhe personat e veshur me pushtet dhe që kanë fuqi, atëherë duhet të heqim dorë nga Evropa, e cila shpesh mbetet gojëhapur edhe pse po tenton të ndihmojë vendin dhe qeverinë.
Nuk janë harruar përgjimet, në të cilat dëgjohej se gjykatësit janë zgjedhur me diktat politik dhe duke blerë dhurata. Gjykatësit "Swarovski" vazhdojnë të ndajnë drejtësi në Maqedoni, ndërsa qytetarët luten që të mos detyrohen të kenë punë me organet e (pa) drejtësisë në Maqedoni.
Jorastësisht në Strategjinë e fundit për integrim në Bashkimin Evropian, nga Maqedonia përveç marrëdhënieve të mira ndër- fqinjësore dhe zgjidhjen e çështjes së emrit kërkohet funksionimi i shtetit juridik dhe sundimi i ligjit, të cilat vazhdojnë të mbeten fiksion. Maqedonia është në një grup me Shqipërinë, ndërsa atje ambasadori amerikan, Donald Lu iu tha gjykatësve të deklarohen se si i kanë blerë orët e dorës që kushtojnë mbi 10 mijë euro dhe nëse kanë marrë mitë duhet të largohen nga profesioni. Këtu tek ne si gjithkund në Ballkan pjesa më e madhe e gjykatësve janë njerëz të pasur dhe si duket në uljen e korrupsionit nuk ka ndikuar as rritja e madhe e pagave mujore.
Administrata e mbingarkuar, por joefikase
Se sa afër apo më mirë thënë larg Evropës jemi flet sjellja e një pjese të administratorëve nëpër sportele, policëve, gazetarëve, motrave medicinale, arsimtarëve e shumë profesioneve tjera, të cilët duhet të jenë në shërbim të interesit publik e jo në shërbim të interesave personale, partiake ose grupore, klanore dhe parciale. Shumë administratorë, natyrisht, jo të gjithë e konsiderojnë pushtetin dhe pozicionet që i administrojnë si "pronë" individuale dhe së këndejmi ndaj qytetarëve sillen me arrogancë, prepotencë dhe me nënçmim, për të cilat dukuri kanë reaguar edhe nga Avokati i Popullit! Reformat në administratë kushtojnë shuma të majme parash, por ndërrimi i sjelljes, një buzëqeshje në fytyrë karshi qytetarit të rëndomte është reforma më e madhe që duhet të ndodh dhe që nuk kushton para! Nuk duhen as fonde IPA, as IPARD ose fonde tjera evropiane.
Shpesh, madje vetëm për punë të zakonshme në mënyrë eksplicite dhe në të shumtën e rasteve implicite kërkojnë mitë, prandaj Maqedonia del e para prej vendeve ballkanike në raportet e organizatave për matjen e korrupsionit. Në cilën do zyrë shteti ose të ndonjë institucioni publik të drejtohen qytetarët, edhe pse nuk jemi në komunizëm, por jemi gjoja në demokraci parlamentare, ballafaqohen me sportelet, të cilat edhe fizikisht e nënshtrojnë qytetarin ! Njëherë i nënshtron sporteli dhe pastaj edhe ata që qëndrojnë në sportele si nëpunës shtetërorë dhe publik. Kur dihet se cila është mendësia e një pjese të nëpunësve, të cilët janë punësuar për shkak të faktit se kanë pasur libreza partiake të partive në pushtet, e jo për shkak të dijes, vlerave dhe kompetencave, por edhe duke pasur parasysh se një pjesë e të punësuarve janë relikte të komunizmit dhe se nuk e kanë harruar poshtërimin që u kanë bërë qytetarëve, duket disi edhe e kuptueshme, ndonëse jonormale, që qytetari ende shkon me drojë në komunë për të marrë një vërtetim, në zyrë të vendit për të marrë çertifikatë ose në polici për të marrë letërnjoftim.
Asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë në reformimin e administratës. Avazi i vjetër vazhdon, ndërsa në zyra realizohet pikërisht e kundërta e asaj që thotë kryeministri Zaev. Nëse porosia e tij do të parafrazohej, nënteksti do të ishte se nuk do të paguhen me rroga mujore ata që do të kalojnë ditën e punës duke qenë në fejsbuk ose duke lexuar gazeta. Të shumtë janë administratorët, që për shkak të afiliciaionit politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe partive tjera opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, krahu i Bilall Kasamit janë pasivë, nuk u jepen detyra ose zgjedhin të rinë "jashtë loje". Nuk zvogëlohet numri prej 160 mijë administratorëve, që për një vend të vogël siç është Maqedonia është jashtë çdo parametri normal statistikor. Ende nuk është bërë deri në fund sistematizimi i 1600 administratorëve të punësuar sipas Marrëveshjes së Ohrit, të cilët me vullnetin e mirë të qeverisë pushojnë në shtëpi dhe marrin paga mujore nga buxheti ! Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të asnjë kontinenti.
Absurde do ishte të thuhet që gjithçka është si në komunizëm. Ka progres dhe kjo është proces historik, sepse tashmë jemi në vitin 2018, ndërsa nga vitit 2005 jemi me statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por Evropa është larg, shumë larg për sa i përket vlerave civilizuese dhe progresive. Evropën si synim, si cak çdoherë e eklipson sjellja e disa nëpunësve, të cilët sillen në mënyrë ballkanike, por duhet thënë gjithashtu se në administratë dhe organe tjera ka vajza dhe djem të ndershëm që uniformën administrative e përdorin për të qenë në funksion të ligjit, të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe nuk e përdorin detyrën e tyre për të bërë nënçmim ndaj qytetarëve.
Drejt BE përmes luftës kundër korrupsionit dhe luftës kundër krimit!
Administrata, policia, shëndetësia, arsimi, gjyqësori e shumë sfera tjera duhen reformuar thelbësisht për të qenë sa më afër Evropës. Për të qenë evropianë, duhet të gjithë t'i shmangim dhe të luftojmë veprimet korruptuese, duhet të denoncojmë krimin, sepse Evropa nuk është mit. Evropa dhe sistemi evropian do të vazhdojnë të jenë mit nëse qeverisja vazhdon të jetë e centralizuar përkatësisht pushteti përqendrohet në disa individë. Që të ndryshojë kjo duhet të ketë "veting" ose spastrim të politikës dhe sferës publike. Por, pa pasur reforma në sistemin zgjedhor kjo katarzë është thuajse e pamundur. Reformimi i sistemit zgjedhor do të thotë zgjedhje e deputetëve me lista të hapura të kandidatëve, që supozon se qytetarët në shtëpinë ligjvënëse do t'i zgjedhin përfaqësuesit e popullit që janë më të përgjegjshëm, më llogaridhënës, më transparent dhe më të vlefshëm. Përderisa liderët e partive do t'i zgjedhin deputetët, demokracia do të zëvendësohet me "demokraturë".
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donatorit.