fbpx

Rruga e Maqedonisë drejt BE-së: Dyfish lakuriq

Malinka Ristevska Jordanova

Politika

09.12.22

Прегледи

Është e qartë se partitë politike në pushtet në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kanë demotivuar dhe shkatërruar cilësinë dhe integritetin e çdo aspekti të pushtetit, madje edhe të shoqërisë më gjerë, në favor të klientelizmit partiak. Dhe këtë metastazë të përhapur nuk do ta ndalojë askush nga jashtë.

Pasi u qetësuan protestat dhe filloi “faza e fillimit të negociatave” me BE-në, thuajse menduam se do të rrjedhë mjaltë dhe qumësht dhe se do të bëheshim vërtet anëtarë të BE-së deri në vitin 2030. Sepse ne jemi shumë më të mirë dhe më të shpejtë se të tjerët. Sepse skriningu jo vetëm që do të bëjë një radiografi të gjendjes së shoqërisë maqedonase, por BE-ja pothuajse me siguri do të zbatojë administrimin e detyruar dhe nuk do të na lërë të lëvizim nga reformat. Dhe kur të bëhemi anëtarë, në të njëjtin moment do të zgjohemi në një "botë të re".

Që nga ajo ditë, e gjithë rinia jonë do të qëndrojë këtu, kurse prosperiteti do të jetë i garantuar. Në të njëjtën kohë do të lulëzojë edhe kultura jonë, bazuar në identitetin maqedonas të përforcuar dhe të garantuar nga BE-ja (reduktuar në gjuhën maqedonase). Për një imazhd të tillë u kujdes propaganda e Qeverisë sonë, si dhe një sërë përfaqësuesish zyrtarë të BE-së dhe vendeve anëtare.

Në fakt, duhet pranuar që deklaratat e tyre i paketojnë më me kujdes, por gjithsesi riciklojnë përzemërsisht mesazhe të tipit “për në Bruksel nëpërmjet Ohrit” apo “në Bruksel nëpërmjet Prespës”, pastaj “në Bruksel nëpërmjet Sofjes”, respektivisht “përmes ndryshimeve kushtetuese”.

Është për të ardhur keq që Bullgaria vazhdon të shqetësohet për këtë imazh idilik të krijuar me kujdes që shpërndahet si xhami i thyer. Kurse pyetja më e madhe është se kush do të besojë në një botë të tillë paralele.

Taktika e “sallamit” dhe ndryshimet kushtetuese

Qasja e qeverisë ndaj negociatave duket qartë se zbatohet si një taktikë „sallami“. Pritet sallami (pako politike e vështirë për t'u gëlltitur përnjëherë) në feta të holla për ta shpërndarë atë dhe për të thyer rezistencën. Ose, "përdoren fait accomplit të përsëritura dhe të kufizuara (akte të kryera) për të zgjeruar ndikimin në një kontekst lokal, në këtë mënyrë duke shmangur përshkallëzimin e mundshëm". Madje edhe parimi që është themeli i kësaj taktike "përçaj dhe sundo" është i vjetër dhe i njohur.

Deri më tani, si akte/fakte të kryera janë “gëlltitur” konkluzionet e Këshillit, dy qëndrimet e Këshillit të BE-së, së bashku me kornizën negociuese, Protokolli me Bullgarinë... Janë gëlltitur gjithçka dhe gjithçka, përfshirë edhe deklaratat e njëanshme për gjuhën maqedonase, dakordimi për anëtarësim në BE të varet nga përfundimi i punës së Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore... Por, meqë kjo do të ndodh diku rreth vitit 2030, atëherë për këtë do të mendojmë kur të vie koha.

Tani është radha e një cope më të madhe të sallamit – amendamenteve kushtetuese, për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë. Ato nuk ishin pjesë e kushteve fillestare bullgare, por janë një kusht shtesë dhe një pikë hyrëse për realizimin e qëllimeve bullgare përmes procesit të negociatave.

Duket se kreu i shtetit ende nuk ka marrëveshje se kur t'i fillojë - Presidenti thotë të mos nxitohet, zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane - se ka një vit deri në përfundimin e skriningut, kurse ministri i Punëve të Jashtme - të mos vonohet. Asgjë për t'u habitur, pritet që në fund të pajtohen, ndoshta duke e futur këtë çështje në ndonjë paketë negociatash ose, më mirë thënë, pazare brenda Qeverisë.

Megjithatë, duket sikur po bien edhe disa tulla nga muri për ndryshimet kushtetuese të vendosura nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Pas qëndrimit fillestar të prerë se asnjë deputet i kësaj partie nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese, lideri i kësaj partie doli me dy kushte mjaft të paqarta (dhe të rrezikshme) që kjo parti të pajtohet me ndryshimet kushtetuese: që BE-ja të parashikojë garanci për identitetin dhe Bullgaria të mos vendosë veto të reja sa i përket çështjeve dypalëshe. Me vetë mundësinë e pranimit të ndryshimeve kushtetuese, kjo parti dërgoi një mesazh të keq, veçanërisht për të gjithë ata që edhe pse nuk janë ithtarë të verbër të VMRO-DPMNE-së, janë të vendosur kundër ndryshimeve kushtetuese.

Është e dukshme që partitë politike e trajtojnë çështjen e ndryshimeve kushtetuese nga aspekti i matematikës së tyre elektorale. Në përgjithësi, e gjithë vendosja e ndryshimeve kushtetuese në kontekst të zgjedhjeve është neveritëse dhe demotivon ata qytetarë që me të drejtë e konsiderojnë këtë çështje si interes kombëtar jopartiak.

Në bindjen për të pranuar ndryshimet kushtetuese, tentohet që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë të reduktohet në një lëvizje të padëmshme. Epo, kështu do të futen edhe kroatët, malazezët, e të tjerë... Por vendet e tyre nuk e mohojnë identitetin maqedonas dhe i njohin maqedonasit në vendet e tyre. Ndryshe nga ata, Bullgaria ende e mohon hapur identitetin maqedonas.

Kur kërkesat e deritanishme nga shteti bullgar bëhen kërkesa e një pakice në shtet, bëhet fjalë për zbatimin e rendit kushtetues, e jo një kërkesë dypalëshe ndërshtetërore. Kur ndryshimet kushtetuese të bëhen realitet (fait accomplit) do të jetë tepër vonë.

Kohëzgjatja e reformave lidhur me BE-në

Nga çdo paketë vjetore të dokumenteve të zgjerimit, më të rëndësishmet janë disa fjali nga konkluzionet e Strategjisë së Zgjerimit, të cilat, si rregull, duhet të nxirren nga gjetjet më të rëndësishme të Raportit. Ato janë "qershia politike" e Raportit dhe zakonisht janë pikënisja për konkluzionet e Këshillit të BE-së që do të pasojnë. Në konkluzionet e këtij viti të Strategjisë së Zgjerimit, thuhet shkurt se kjo fazë e re në proces kërkon një konsensus të gjerë për reformat në lidhje me BE-në. Më pas, në prioritetet e reformës, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar renditen si fusha kyçe.

Burimi: euronews.al

Kjo pasohet nga deklarata se "vendi është shembull i mirë për një shoqëri multietnike" dhe se "amendamentet kushtetuese, në përputhje me detyrimet e marra të Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojnë të avancojnë të drejtat themelore".

Megjithatë, nëse kërkoni një bazë dhe argumentim, rekomandim, çfarëdo qoftë, për konstatimin e fundit në vetë tekstin e Raportit në lidhje me ndryshimet kushtetuese në seksionin për të drejtat themelore, nuk do ta gjeni një gjë të tillë. Prandaj, në seksionin për Parlamentin, që në fillim, qeveria dhe opozita thirren të punojnë së bashku dhe të fokusohen në mënyrë konstruktive në hapat konkretë në procesin e negociatave, duke përfshirë edhe “përmes promovimit të reformave që lidhen me BE-në në interes të qytetarëve”. Dhe në fund të tekstit për Parlamentin, ritheksohet se “Parlamenti dhe Qeveria kanë marrë përsipër të iniciojnë dhe të prioritizojnë ndryshimet kushtetuese përkatëse, për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit”.

Nga këto konstatime dhe të formuluara jo aq mjeshtërisht, a rezulton se ndryshimet kushtetuese janë pjesë e reformave që lidhen me BE-në? Jo. Ato janë një kërkesë politike, e bazuar në pëlqimin tonë, respektivisht detyrimin e marrë përsipër për të ndryshuar Kushtetutën.

Kërkesat për reforma në lidhje me BE-në rrjedhin nga acquis e Bashkimit Evropian. Ato (sipas Kornizës së miratuar por jo zyrtarisht të publikuar) i prezanton, por edhe vlerëson përputhshmërinë e vendit me to – Komisioni Evropian i skriningut. Në pjesën e parë tashmë të përfunduar të skriningut – shqyrtimit analitik/prezantimit të acquis, Komisioni Evropian nuk përmendi fare ndryshimet kushtetuese dhe as ndonjë gjë tjetër që rrjedh nga kërkesat bullgare.

Përfaqësuesit maqedonas të skriningut dypalësh duhet të prezantojnë se çfarë do të bëjnë në lidhje me atë që Komisioni e prezantoi si acquis të Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, ne nuk e dimë se çfarë po prezantojnë dhe çfarë angazhimesh do të ndërmarrin - nëse janë vetëm ato që kanë të bëjnë me atë që është prezantuar nga Komisioni apo edhe "angazhime të tjera të ndërmarra" dhe në çfarë mase, sipas logjikës së "akteve/fakteve të kryera", do të lehtësonin politizimin dhe bilateralizimin e mëtejshëm të "reformave në lidhje me BE-në". Sepse në mënyrë të pashmangshme kjo do të intensifikohet, madje në momentin që dosja të kalojë nga Komisioni në Këshill.

Në periudhën nga kjo verë e tutje, ai politizim dhe bilateralizim në vetë procesin nuk ishte aq i dukshëm. Kjo pasi negociatat janë ekskluzivisht në duart e Komisionit Evropian deri në raportet e skriningut, gjegjësisht deri në propozimin për përcaktuesit fillestarë.

Raportet do të mund të publikohen vetëm pas ndryshimit të Kushtetutës dhe vetë dinamika e publikimit të tyre është në duart e Komisionit (sigurisht, jo pa ndikimin e shteteve anëtare). Më pas dosjet kalojnë në duart e shteteve anëtare, të cilat duhet të bien dakord unanimisht për përcaktorët. Në kapitullin Themelet, përcaktorët kryesorë janë udhërrëfyesit për sundimin e ligjit (Kapitujt 23 dhe 24) dhe për reformën e administratës publike, por është e mundur të vendosen përcaktorë edhe nga kapitujt e tjerë.

Udhërrëfyesi i shtetit të së drejtës (sundimit të ligjit) supozohet të përmbajë "prioritetet kryesore të reformës dhe të drejtojë negociatat e pranimit në këta kapituj dhe përgatitjet për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit." Por këtu është edhe Plani i bashkëngjitur i Veprimit për pakicat/komunitetet, me përmbajtje të dallueshme nga kërkesat bullgare, i cili do të shqyrtohet dhe do të monitorohet në konferencat ndërqeveritare.

Dhe atëherë do të ketë një situatë krejtësisht të ndryshme nga ajo aktuale – kur çdo shtet anëtar do të ketë mundësinë të bllokojë procesin në shumë faza dhe faza të ndërmjetme. Sigurisht, do të jetë më e lehtë nëse ata kanë një bazë për bllokim në përcaktorët.

Bullgaria, natyrisht, në këtë fazë kur nuk ka vetëm një rol formal në negociata, nuk do të qëndrojë në heshtje. Vazhdon me propagandën e bazuar në zëvendësimin e tezave. Ajo vendos prita dhe kurthe që do t'i mundësojnë në procedurat e mëtejshme të negociatave në Këshill të vendosë dhe të përfshijë kërkesat e saj, të kërcënojë dhe të vendosë veto.

Pas triumfalizmit të dukshëm për futjen e kushteve të saj në procesin e negociatave, vazhdoi edhe demonstrimi i supremacisë. Vetëm një nga shembujt është këmbëngulja e institucioneve bullgare në qëndrimin e tyre për ndalimin e shoqatave, qëllimi i të cilave është njohja dhe mbrojtja e pakicës kombëtare maqedonase, edhe pse kjo është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndryshe, aktgjykimi OMO Ilinden-Bullgari (lënda 59491/00) është në listën e 97 të ashtuquajturave "vendime kryesore" për këtë vend, të cilat përmenden edhe në Raportin e Komisionit Evropian për sundimin e ligjit për Bullgarinë.

Reformat e vërteta në rënie

Paralajmërimi se rreziku më i madh i futjes së kërkesave bullgare në procesin e negociatave është dëmtimi i reformave reale që procesi ka shkaktuar dhe jo inkurajuar, fatkeqësisht është realizuar. Ironia më e madhe është se pikërisht përpara skriningut dypalësh për Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, po ndodh ndoshta katastrofa më e madhe në gjyqësor që nga pavarësia. Problemi më i vogël është se historia për fuqinë magjike të skriningut, pra "fillimin e negociatave" po dështon.

Tashmë është e sigurt se zgjedhja e kreut kundër krimit të organizuar, rrethanat e zgjedhjes dhe dorëheqja e kryetares së Këshillit Gjyqësor, funksionimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë, provimet e jurisprudencës pa diplomë, kthimi i paralajmëruar i reklamave qeveritare. ...dhe për të mos numëruar më tej, për ta thënë më butë, nuk do të regjistrohen si progres në reforma. Mjafton paralajmërimi i Ambasadës Amerikane dhe zhgënjimi i shefit të Delegacionit të BE-së me zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit.

Një pjesë e publikut maqedonas ishte më e drejtpërdrejtë në kritikat e tyre. Është e qartë se partitë politike në pushtet në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kanë demotivuar dhe shkatërruar cilësinë dhe integritetin e çdo aspekti të pushtetit, madje edhe të shoqërisë më gjerë, në favor të klientelizmit partiak. Dhe këtë metastazë të përhapur nuk do ta ndalojë askush nga jashtë. Sido që të kthehet, topi është sërish në fushën/terrenin tonë.

Qeveria duket se ka llogaritur gabim se koncesionet ndaj Bullgarisë do t'i japin asaj mjaft "sukses në reforma" dhe hapësirë ​​të mjaftueshme për manovrim për të luajtur me reformat. Realiteti është “dyfish lakuriq” – edhe bilateralizimi i procesit të negociatave, edhe një regres të reformave të vërteta.

 

Blogu është pjesë e serisë së teksteve "Pengesat e fqinjësisë në rrugën drejt BE-së" të Res Publika dhe Samo Prashaj për në marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, pas bllokadës të integrimit evropian të Maqedonisë nga ana e Sofjes zyrtare.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Malinka Ristevska Jordanova

Malinka Ristevska Jordanova është angazhuar në procesin e integrimit në BE që nga fundi i viteve 1990, duke mbajtur pozicione të larta si pjesë e administratës publike në Parlamentin dhe Qeverinë e Maqedonisë. Si Këshilltare Shtetërore në Sekretariatin për Çështjet Evropiane, ajo kryesoi Nënkomitetin MK-EU SAA për Drejtësi dhe Punë të Brendshme nga 2002-2008 dhe Komitetin e MSA nga 2008-2010 dhe ishte koordinatore e programit kombëtar për miratimin e ligjit të BE. Ajo dha një kontribut të veçantë në pranimin e vendit të saj në BE, duke përmbushur rekomandimet për fillimin e negociatave të pranimit dhe zbatimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Dr. Ristevska-Jordanova është themeluese dhe ish-drejtoreshë (shkurt 2011 - shkurt 2017) e institutit mendimor maqedonas Instituti për Politikë Evropiane - Shkup, ku ajo tani është anëtare jo-ekzekutive e bordit. Në kërkimin e saj, Dr. Jordanova përqendrohet në zbatimin e politikës së kushtëzimit të BE-së në rajonin e Evropës Juglindore, si dhe në transpozimin e ligjit të BE-së.