fbpx

Sa janë të realizueshme premtimet në zgjedhjet presidenciale?

Svetomir Shkariq

Politika

17.04.19

Прегледи

prof. d-r Svetomir Shkariq

Blerim Reka do ta kishte mbyllur Pallatin në Vodno dhe dëshiron të jetë me popullin. E dallon karakterin monarkik të presidentit të tanishëm i cili jeton i izoluar në Vodno, me rrethim të ngjashëm me oborrin dhe një kabinet tejet të madh, pa ekip këshillëdhënës. Gordana Siljanovska – Davkova do ti kishte hequr privilegjet – pensionin e presidentit dhe zyrën e presidentit. Maqedonia është shtet i varfër dhe nuk mund të durojë privilegje të tilla të cilat presidenti i tretë me radhë i gëzon tanimë dhjetë vjet. Ndërsa Stevo Pendarovski i qetëson të punësuarit në Pallatin presidencial të mos druajnë nga revanshizmi partiak. Fushata e deritanishme e tregon qartë dallimin midis kandidatëve.

Të rëndësishëm janë konteksti dhe cilësitë personale të kandidatit

Fushata për zgjedhje të shefit të shtetit zyrtarisht filloi më 1 prill të vitit 2019, me fillimin e fushatës presidenciale të të tre kandidatëve, të gjithë juristë dhe profesorë universitar. Dëgjohet edhe zëri i femrës, njëlloj si gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2009 kur midis gjashtë zërave të burrave dëgjohej edhe zëri i Mirushe Hoxhës, profesoreshë e filologjisë, e propozuar nga PDSH.

Për dallim nga Mirushja e cila në raundin e parë fitoi rreth 30.000 vota, Gordana Siljanovska – Davkova me siguri hynë në raundin e dytë, me dëshirë të fuqishme që të zgjedhet kryetare e parë – grua e Maqedonisë. Mund të ndodh ajo që më 31 mars ndodhi në Sllovaki. Në atë ditë, Zuzana Çaputova, aktiviste për mbrojtje të mjedisit jetësor u zgjodh kryetare e parë grua e Sllovakisë, ndërkaq, 20 vjet më e re nga Siljanovska – Davkova. Në raundin e dytë me 58 përqind të votave e fitoi kundër-kandidatin Marosh Shefçoviç, nënkryetarin e KE i cili fitoi 42 përqind të votave. Ajo fitoi për shkak se në qytetin e saj Pezinok arriti ta ndërpresë ndërtimin e deponisë ilegale e cila e ka rrezikuar shëndetin e bashkëqytetarëve të saj.

Një ngjarje mund të jetë vendimmarrëse, nëse është me domethënie sensitive për qytetarët, ngjarje e tillë siç është ambienti jetësor. Çështje nga e cila mund të bjerë çdo qeveri, nëse qytetarët tregojnë rezistencë të fuqishme dhe nëse pa droje hyn në konflikt me dhunuesit të cilët në mënyrë të vrazhdët e lëndojnë natyrën dhe Nënën - Tokë. Atë duhet ta kenë parasysh kandidatët e tanishëm presidencial, sepse jetojnë në qytete të cilat sipas shkalës së rrezikimit të ambientit jetësor dhe uzurpimit të hapësirës publike i zënë vendet më të larta në Evropë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të varet vetëm nga raporti i kandidatëve ndaj kompetencave kushtetuese të presidentit. Do të varet shumë nga konteksti në të cilin zhvillohet fushata, si dhe nga karakteristikat personale të kandidatit. Ajo shihet edhe nga rezultatet nga raundi i parë i zgjedhjeve në Ukrainë që u mbajt më 31 mars të vitit 2019. Më shumë vota - 30,2 përqind fitoi Vollodomir Zelenski, aktor – komik. Kundër kandidati i tij më i fuqishëm, Petro Poroshenko, presidenti aktual i Ukrainës, fitoi 16,6 përqind, ndërsa Julija Timoshenko, kryeministrja e mëparshme, 13 përqind të votave. Fytyrë televizive që aktron profesor arriti të fitojë dy politikanë të korruptuar të profilit më të lartë.

Zelenski u bë personalitet publik përmes shout televiziv “Shërbëtori i popullit” në të cilën e luan rolin e profesorit që duhet të jetë presidenti i ri i Ukrainës. Nga seriali televiziv, opinioni arriti ta dallojë presidentin e ri të Ukrainës, që dallon nga presidenti Poroshenko. Raundi i dytë, i caktuar për 21 prill, do të tregojë nëse mandati i madh do të arrijë ta fitojë aktorin e popullarizuar i cili si presidenti i ardhshëm dëshiron të jetë “shërbëtori i popullit”, të luftojë kundër korrupsionit dhe me Rusët të negociojë për fatin e Donjeckut dhe Llugansit, e jo me ata të luftojë.

Nuk është vetëm seriali humoristik faktor i cili, për momentin, e formëson ardhmërinë e Ukrainës. Me rëndësi është edhe vetë personaliteti i Zelenskit, i dukshëm nga slogani i tij parazgjedhor “Nuk ka premtime, nuk ka dëshpërime!”. Aktori është i vetëdijshëm se populli i Ukrainës është i stërngopur nga premtimet e shumta dhe se nuk mund të durojë më dëshpërime të reja. Për këtë shkak , përkrahja e tij nga opinioni është tri herë më i madh pra aktit të zgjedhjes se sa përkrahja që e ka kundër-kandidati i tij.

Populli maqedonas nuk dëshiron premtime të reja, e as dëshpërime të reja

Edhe populli maqedonas është i stërngopur nga premtime të dhëna në zgjedhjet e deritanishme presidenciale. Premtime pa realizime të dukshme. Ajo krijon dëshpërim dhe humbje të besimit në politikën, në ata politikanë të cilët nuk e realizojnë atë që e kanë premtuar, për shkak të interesave personale. E harrojnë interesin publik, për shkak të atij privat i cili nën pikëpyetje e sjell edhe qëndrimin e Maqedonisë si shtet. Frika për mbijetesë është e madhe dhe duhet me patjetër të ndalet, që të mos përhapet edhe pas këtyre zgjedhjeve presidenciale.

Burim: magazin.mk

Në kontekst të tillë duhet të analizohen sloganet e kandidatëve të tanishëm në zgjedhjet presidenciale. Sa janë të realizueshme në kontekstin vendor, rajonal dhe ndërkombëtar? Sa janë ato të vërteta? A do ta përjetojnë fatin e sloganit “Një për të gjithë” me të cilin startoi presidenti i tanishëm në marrjen e mandatit të parë në vitin 2009 ose do të kenë ndikesë të njëjtë si slogani “Shteti para së gjithash” me të cilin presidenti i tanishëm e fitoi mandatin e dytë në vitin 2014. Në vend të shtetit normal u bëmë “shtet i robëruar” me piramidë të krimit të organizuar politik.

Slogani “Reka për Republikën” i Blerim Rekës, kandidat i Lëvizjes Besa dhe Aleancës së shqiptarëve, theksin e vë në Maqedoninë si republikë, përkatësisht si të mirë të përgjithshme “Ne jemi për republikë euroatlantike dhe multi-etnike. Maqedonia është shtet, por jo edhe republikë. Do të jetë republikë nëse në vend të sundimit të individit ka sundim të të drejtës, por jo tani kur gjyqësia është e politizuar, administrata është e politizuar, ndërsa Kuvendi i imunizon dhe amniston ata që janë përgjegjës për vepra penale”.

Kërkon që presidenti të jetë njeri i rëndomtë dhe modest, të zbres mes popullit. Pallati Presidencial në Vodno ja përkujton fronin monarkik. I pengon madhësia e tepërt e kabinetit presidencial dhe e kërkon reduktimin e tij në trup të vogël këshillëdhënës, të ngjashëm me kabinetet e tre presidentëve të parë. Nuk e duron shkëlqimin e madh dhe shpenzime të larta për organ i cili nuk i jep efektet e pritura. Nëse zgjedhet president do ta kishte mbyllur Pallatin Presidencial dhe do ta kishte shndërruar në kopsht për fëmijë.

Slogani mund të kuptohet më mirë nëse vendoset në kontekstin e fjalëve të Ciceronit i cili Romën e ka përshkruar si bashkësi e të drejtës (civitas juris) dhe si e mirë publike (res publica) , ”Nëse nuk dëshirohet të barazohet prona, nëse të gjithë nuk mund të kenë aftësi të njëjta intelektuale, atëherë është e sigurt se patjetër duhet të ekzistojnë të drejta të njëjta midis atyre që janë qytetarë të një republike të njëjtë”.

Slogani “Drejtësi për Maqedoninë – atdheu thërret” i Gordana Siljanovska – Davkovës, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit është slogan luftarak, i ngjashëm me atë të luftës për Stalingradin në vitin 1943 ,,Родина - Мать зовет!“. Ajo thërret në korrigjimin e padrejtësive që i janë bërë Maqedonisë me Marrëveshjen e Prespës dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kërkon edhe ndërrim të pushtetit aktual. Mesazhin e dërgon në mesnatë, kur mbisundon errësira “Errësirë çdo kund, njëlloj si edhe në shtetin. Dëshiroj dritë. Mendoj se momentin që ndaj me ju, do të jetë fillimi i fundit të një pushteti. Mesnatë është, e unë qëndroj para shtëpisë ku kam lindur në Ohër. Atje filloi jeta ime, në Republikën Popullore të Maqedonisë. Nëse duhet ta ndërroj letër njoftimin do të duhet të gënjej se kam lindur këtu, në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Slogani filloi të kontestohet menjëherë pas nxjerrjes së tij. Lëvizja qytetare “Civil” paralajmëroi kundërshtim të fuqishëm, me arsyetimin se slogan të këtillë nuk mund të përdor e djathta nacionaliste: ,”Nuk kanë të drejtë të përvetësojnë diçka që nuk është e tyre. Nuk kanë të drejtë të përdorin slogane dhe simbole që janë karakteristike për lëvizjet dhe idetë e majta, ndërsa dëshirojnë ta fitojnë fronin në emër të të djathtës nacionaliste. Kandidatja e tyre nuk ka të drejtë të flet për drejtësinë si eksponente e partisë e cila solli vetëm padrejtësi”.

Slogani i Siljanovska – Davkovës është në funksion të rrëzimit të pushtetit ekzistues përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të pasojnë pas vendosjes së saj në fronin e presidentes. Ajo është e vetëdijshme se vetë nuk mund ta kthejë emrin “Republika e Maqedonisë”, pa ndryshimin e shumicës ekzistuese parlamentare. Prandaj edhe kërkon përkrahje nga partia më e madhe opozitare në bllokun maqedonas. Nga kjo, këto zgjedhje nuk zgjedhje të zakonshme presidenciale. Ato janë të projektuara si pikë kthese, për ti dhënë fund pushtetit aktual dhe në vendin e tij sërish të vijë partia që paraprakisht ka sunduar njëmbëdhjetë vjet.

Slogani “Bashkë përpara” i Stevo Pendarovskit, kandidat i LSDM dhe koalicionit është më i thjeshtë dhe më i kuptueshëm për votuesit. Fton për bashkim të të gjitha forcave në shoqërinë, me dëshirë që të shkohet përpara, duke u mbështetur në spotin “Të gjithë të këndojmë një”. Kërkon unitet më të gjerë në vendin: ,”Koncepti im është për përpara, ai i Siljanovskës për prapa. Nuk guxojmë të lejojmë që proceset të na kthejnë prapa në të kaluarën, në pasigurinë, në izolimin, larg nga UE dhe NATO. Kaluam një rrugë të gjatë dhe të rëndë për të arritur këtu, por bashkë mundemi shumë më tepër”.

Slogani i tij përplaset fuqishëm me sloganin e Siljanovska – Davkovës. Pendarovski dëshiron që realiteti i brishtë të qëndrojë dhe të fuqizohet dhe të shtyhet përpara drejt UE dhe NATO-s, me përkrahje të partive në pushtet (LSDM – BDI). Ndërkaq, Siljanovska – Davkova rregullim të padrejtësive që i janë bërë Maqedonisë si shtet nacional, me përkrahje të opozitës (VMRO – DPMNE). Llogarit edhe në përkrahjen e qytetarëve që nuk janë të përcaktuar për nga ana partiake. Në billbordet e saj të vendosura në mbarë vendin – shenja e partisë (luani) është ngritur më lartë nga shenja e qytetarëve (Perëndesha e drejtësisë me flamur të valëvitur shtetëror). Ajo tregon se është nën presion të fuqishëm të partisë. Nëse tregon pavarësi më të madhe do të kishte pasur gjasa më të mëdha për fitore. Madje mund të jetë më e pavarur nëse dëshiron sepse ajo në këtë moment më tepër i nevojitet partisë se sa anasjelltas.

Rregullshmëria e zgjedhjeve është më e rëndësishme se sa fituesi

Rregullshmëria e këtyre zgjedhjeve presidenciale është çështje më e rëndësishme nga çështja se kush do të fitojë në zgjedhjet. Ka ardhur koha që Maqedonia zgjedhje të tilla në të cilat do të fitojë kandidati i cili nuk do kontestohet nga askush, i cili nuk do të emërohet “qytetari”. Madje kushte për atë ekzistojnë. Komisioni i ri Shtetëror i zgjedhjeve jep shpresë se nuk do të sillet si komisionet paraardhëse. Ekziston edhe Listë zgjedhore më e mirë, ndërsa edhe qytetarët janë më të ndjeshëm në shkeljen e rregullave zgjedhore. Tanimë ka ardhur koha që edhe në Maqedoni të realizohet kërkesa e Monteskiesë, ”Mirë është të krijohet demokraci për popullin, por është shumë më me rëndësi që populli të edukohet për demokraci”.

Edhe kandidatët verbalist tregojnë shenja se nuk dëshirojnë të jenë si paraardhësit e tyre. Kërkojnë zgjedhje të pastra dhe fer garë. Në kushte të sotme nuk kanë nevojë për malverzime, sepse fushata zgjedhore në tërësi financohet me mjete nga buxheti. Nevojitet që vetëm të tregojnë pavarësi më të madhe nga partitë, të mos pranojnë obligim se do ti zbatojnë programet e tyre dhe të mos pajtohen të jenë marioneta të tyre, siç është rasti me presidentin e tanishëm.

Duhet ti kenë parasysh parregullsitë nga zgjedhjet paraprake, si vërejtje. Në vitin 1994 u injoruan mbi 126.000 votues të cilët të drejtën e vet zgjedhore e dëshmonin me dokumente personale në vetë vendin ku kanë votuar. Të ishin respektuar ato vota, Kiro Gligorovi do të duhej të shkonte në raund të dytë dhe të garojë me Lubisha Georgievskin. Nuk duhet ti injorojnë as parregullsitë në zgjedhjet e vitit 1999. Dallimin prej 143.000 vota në raundin e parë, Boris Trajkovski e plotësoi lehtë në raundin e dytë kundër Tito Petkovskit, falë mbushjes së kutive në 200 vend votime. Nuk duhet ta harrojnë as “frikësimin e votuesve” në vitin 2014, e vërejtur nga KE në Raportin e avancimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 2014. Atëherë zgjedhjet ishin të qeta, por nuk ishin të lira.

Në zgjedhjet presidenciale të gjashtat me radhë tanimë është duke u zhvilluar betejë e madhe midis Zeusit, Afroditës dhe Jupiterit. Në raundin e parë, Jupiteri me siguri do të shkojë në pushim të merituar në Fushën e Marsit (Campus Martius), me brengë më të madhe për Romën republikane si bashkësi etnike (patria nature), se sa si shtet civil (patria civitatis). Lufta do të jetë edhe më e fuqishme në raundin e dytë midis Afroditës dhe Zeusit. Perëndesha do të përpiqet ë me sharmin e vet dhe sloganin luftarak ta mposht Zeusin nga Olimpi dhe ta zbres në Dion – qyteti antik i Maqedonasve antik. Ky, ndërkaq, nuk do të dorëzohet lehtë. Do të luftojë me tërë fuqinë, si mbreti i perëndive, me slogan që bashkon dhe Maqedoninë do ta lëviz përmes rrugës së asfaltuar drejt integrimeve euroatlantike.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose ta merrni përmbajtjen.
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i reflektojnë pozitat e Institutit për studime komunikologjike e as të donatorit.

Svetomir Shkariq

Prof. Dr. Svetomir Shkariq lindi në Dojran në vitin 1941, në një familje fshatare. Shkollimin fillor e ka mbaruar në Dojran dhe në Gjevgjeli, dhe shkollën e mesme në Strumicë. Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, dhe mori gradën master dhe atë të doktoraturës në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, nën mentorimin e prof. Jovan Gjorgjeviq. Ai u zgjodh asistent i prof. Evgeni Dimitrov, dhe më pas si asistent profesor dhe profesor i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup. Ai ka qenë për vizitë studimore në Grenobël, Saporo dhe Tokio dhe ka zhvilluar një vizitë si profesor në Bordo. Ai ka dhënë leskione 15 vjet në Shkollën Politike “Josip Broz Tito” në Kumrovec, së bashku me Kiro Gligorov, Predrag Vranicki, Muhamed Filipoviq, Miat Shukoviq, Milojko Druloviq dhe Slavoj Zhizhek. Ai ka marrë pjesë në disa kongrese të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtën Kushtetues (L'AIDC), të Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave Politike (IPSA) dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve për Paqen (IPRA). Punimet e paraqitura janë botuar në librin "Maqedonia në të gjitha kontinentet" (2000). Është autor i librave: Law, Force and Peace - Macedonia and Kosovo (2002), Democratic Elections in Macedonia 1990-2002 (2005), Interpretimi Shkencor - Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë (2014) dhe E Drejta Kushtetuese, Botimi i tetë (2015). Ai për një kohë të gjatë ka punuar për librat shkollorë: "Teoritë politike - një epokë e re" dhe "E drejta kushtetuese e Bashkimit Evropian". Ai është duke përgatitur njëzet ese me rastin e 70 vjetorit të ekzistencës së Fakultetit të Drejtësisë "Justiniani i Parë " në Shkup (1951-2021). Përmes blogjeve, të drejtën kushtetuese e sjell më afër qytetarëve, pozitës dhe opozitës.