fbpx

Sa personale janë të dhënat personale në Shqipëri

Jona Koprencka

Politika

28.03.22

Прегледи

Nuk ka më vend për imagjinatën dhe as për hamendësime, tani i dimë rrogën komshiut, shokut, kushëririt, ish kolegut që po punon diku tjetër dhe që ankohet për pagesën, dimë rrogën e shefit e të drejtorit. Në dukje jemi transformuar në një komunitet ku cështjet personale i përkasin kolektivit. Kjo situatë nuk është aspak normale.

Historia e përgjimeve të qytetarëve nuk njeh fund në Shqipëri. Të dhënat personale si pagat mujore, institucionet apo kompania ku është punësuar secili dhe numri i targave të automjeteve private u vendosën në një dosje (file) në formatin Exel ku përbri emër mbiemër të secilit shtetas shqipatarë. Kjo dosje (file) u shpërnda në internet në mënyrë të qëllimshme për të pasur akses publik dhe për të shkaktuar kaos.

Pritet që në javët në vijim të bëhen publike në të njëjtën mënyrë dhe llogaritë bankare të shtetasve shqiptarë. Viti 2021 u mbyll me skandalin e patronazhistëve që prej vitesh kishin përgjuar qytetarët në rrjetet e tyre sociale për bindjet politike, fetare dhe marrëdhëniet farefisnore, madje disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit patronazhistët bënë publike dhe numrat personale të kartave të identitetit.

Përgjimet vijojnë

Historia e përgjimit të qytetarëve nuk ka marrë fund edhe pse prej vitit 1992 zyrtarisht Shqipëria njihet si republikë demokratike. Në kohën e diktaturës komuniste quheshin spiunë të Sigurimit të Shtetit, ndërsa tani quhen patronazhistë, anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët morën përsipër vjedhjen dhe përgjimin e shtetasve shqiptarë. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, që mbas fitores së mandatit të tretë në Prill 2021, ai që i falenderoi publikisht për punën e kryer. Me sa duket puna e tyre qënka më e gjerë sesa përgjimi i orientimit politik, fetar dhe marrëdhëniet farefisnore.

Askush nuk e imagjinonte të gjente në një dosje në të cilën, krahas emrit dhe mbiemrit të qytetarit të bashkangjitej pozicioni i punës dhe paga, aq me pak targa dhe lloji i automjetit personal. Kryeminstri  i vendit Edi Rama e ironizoi situatën duke mos e marrë shumë seriozisht. Ai u shpreh: ‘Rrjedhja e të dhënave personale ka ndodhur edhe në vende të zhvilluara si Rusia dhe Britania e Madhe’. Lideri i opozitës Lulzim Basha e akuzoi qeverinë për vjedhje të të dhënave personale dhe keqpërdorim të  institucioneve shtetërore.

Dy specialistët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Eni Qirjako dhe Andi Agaraj dhe dy shtetas shqiptarë të përfshirë në agjenci kredidhënëse dhe përmbarimore, Klodian Sota dhe Endi Ikonomi, janë katër të ndaluarit e prokurorisë së Tiranës për rastin e skandalit të të dhënave në Shqipëri. Mediat më presitigjoze botërore i bënë jehonë këtij lajmi duke thesuar se Shqipëria po bën hapa pas në demokraci.

Ligji mbi të dhënat personale

Sipas kushtetutës së Shqipërisë “E dhënë personale” është çdo informacion në lidhje me një person fizik, të identifikuar ose të identifikueshëm, direkt ose indirekt, në veçanti duke iu referuar një numri identifikimi ose një a më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij fizik, fiziologjik, mendor, ekonomik, kulturor apo social. Cilido që cënon, mbledh, keqpërdor ose i bënë publike këto të dhëna duhet të përballet me ligjin.

Të dhënat janë pjesë e E-Albania, portalit qeveritar të cilit kryeministri Rama e propagandon si arritjen më të madhe të tij, një portal ku gjendet cdo e dhënë personale.

Burimi: freepik.com

Numri i telefonit, numri i kartës së identitetit, vendi i punës, paga, automjeti dhe targa nuk janë më personale. Tashmë të gjithë i dimë të ardhurat e të gjithëve. Qytetarit i bëhet llogaria sa është pagesa mujore, sa janë shpenzimet mujore, sa mund të kursejë, etj. Për të mos përsëritur që muaj më parë doli në pah skandali me përgjimet e rrjeteve sociale duke bërë publike marrëdhëniet farefisnore duke nxitur konfikte mes familjarëve të afërt dhe të largët.

Nuk ka më vend për imagjinatën dhe as për hamendësime, tani i dimë rrogën komshiut, shokut, kushëririt, ish kolegut që po punon diku tjetër dhe që ankohet për pagesën, dimë rrogën e shefit e të drejtorit. Në dukje jemi transformuar në një komunitet ku cështjet personale i përkasin kolektivit. Kjo situatë nuk është aspak normale.

Konfliktet u ndezën: kolegët e punës shikojnë me zili mes tyre atë që e ka pagën më të lartë, por që kryen të njëtën punë si ata. Bërja publike e pagave ndezi zjarre në mjedisin e gazetarisë, ku paga e gazetarit të terrenit ose e përpunuesit të lajmit është 10 fish më e vogël sesa e spikerit ose e drejtuesit të emisioneve. Skandal brenda skandalit është publikimi i pagave të punonjësve të Shërbimit të Inteligjencës Kombëtare dhe punonjësve të ushtrisë. Disa personazhe publike si opinionisti Baton Haxhiu paguhen në institucione të tjera, ndërsa punën e vërtetë e kryejnë diku tjetër. Doli në pah sa shumë paguhen personazhet  e njohura që janë afër me qeverinë në pushtet dhe sesi këto personazhe janë të përfshira në punë në administratën e shtetit, duke u shpërblyer në këtë mënyrë për bindjet dhe besnikërinë e tyre.

Institucionet shtetërore nuk janë më të besueshme, për të disatën herë po përballemi me rrjedhjen e informacioneve konfidenciale. Situata bëhet më serioze kur nuk merret asnjë vendim i rëndësishëm ose ndryshim i serverave. Qytetarët e intervistuar në media të ndryshme, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile shprehen se nuk kanë pritshmëri se do të merren masa drastike nga organet kompetente dhe urojnë që këto të jenë të dhënat e fundit që behen publike.

Klasa politike po përgatitet për zgjedhjet vendore të pjesshme të muajt mars dhe duket sikur kjo është një histori që i përket të shkuarës. Do të ishte e udhës që inistucione si Avokati i Popullit, zyra e Presidentit si dhe ambasadat e huaja të akreditura në Tiranë të ushtronin më shumë presion ndaj qeverisë që t’i japë kësaj cështje seriozitietin e duhur.

Deri më tash duket se problemi qëndron në portalin qeveritar E-Albania nga i cili ka ndodhur grumbullimi dhe rrjedhja e dhënave. Një hetim i hollësishëm i serverave, përsonave përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre dhe zyrtarëve të E-Albania me shumë gjasa do të ndihmojë në procesin hetimor.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Jona Koprencka

Jona Koprencka është asistente në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin Epoka në Tiranë, Shqipëri. Ajo është ish- zëvendësredaktore e web-portalit on-line “Gazeta Mendimi”, i cili, përveç të tjerash, mbulon çështje që lidhen me konfliktet në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO / SHBA-së në Ballkan.