fbpx

Shëndetësia dhe arsimi: trofetë e partive në tregtinë politike

Sonja Kramarska

Politika

01.03.23

Прегледи
Shëndetësia në Maqedoni shërben për të "shëruar" marrëdhëniet e lëkundura ndërpartiake në qeveri, kurse arsimi - që kryeministrat dhe ministrat të nxjerrin mësime se si të ruajnë paqen e koalicionit.

Vetëm pak orë pas vdekjes së djalit fatkeq Bllagojçe i cili ishte i sëmurë me fibrozë cistike, kryeministri Dimitar Kovaçevski i nervozuar i tha ministrit të shëndetësisë Bekim Sali: “Mendo nëse mund ta vazhdosh mandatin pas kësaj”! Ose, në përkthim, i tha ministrit se pas këtij përfundimi të trishtë - betejës së humbur të Bllagojçes, Bekim Sali nuk ka më të drejtë morale të vazhdojë të kryejë funksionin e ministrit.

Por prisni, të mos e vlerësojmë pozitivisht kryeministrin për guximin dhe ndershmërinë në lidhje me këtë deklaratë. Sepse, për fat të keq, deklarata pasoi pasi që publikisht edhe harabelët tashmë e dinin se në kombinimet e fundit ndërpartiake dhe të koalicionit, ministri i Shëndetësisë po bie sërish. Në të njëjtën mëbyrë si kur Aleanca për Shqiptarët doli nga Qeveria, menjëherë pas hyrjes në vitin 2017-ën, por edhe si shumë herë më parë.

Formula e rikonstruksionit të qeverisë, e quajtur “ndryshoni ministrin e shëndetësisë”, nuk është as e re dhe as e shpikur nga kreu aktual i qeverisë. Kjo po bëhej pothuajse tre dekada dhe ishte e pranishme në të gjitha qeveritë e mëparshme. Kështu u bëmë rekordmen për nga numri i ministrave të shëndetësisë. Gjithsej 16 ministra në tridhjetë e dy vjet, ose një ministër, mesatarisht, ka zgjatur dy vjet, që është saktësisht gjysmë mandati.

Natyrisht, kjo matematikë e përafërt ka devijimet e veta, kështu që kemi dy ministra që zgjatën pesë (Venko Filipçe) dhe gjashtë vjet (Nikola Todorov), por edhe ministra që mezi kishin kohë të shihnin rregullimin e orendive në zyrat e tyre para se të zëvendësoheshin. Për shembull, Arben Taravari i cili ishte ministër vetëm pesë muaj dhe Dragan Danilovski që ishte në këtë pozitë shtatë muaj. Shumë afër këtij rekordi famëkeq është edhe ministri Bekim Sali, i cili për shkak të kombinatorikave partiake u largua nga posti pas vetëm një viti nga emërimi i tij.

Vetëm në dy vitet e fundit Maqedonia kishte tre ministra të Shëndetësisë – Venko Filipçen i cili u largua në janar të vitit 2022 dhe i cili u zëvendësua nga Bekim Sali, karriera e të cilit përfundoi këto ditë dhe pasardhësi i të cilit është Fatmir Mexhiti.

Në margjinat e planeve politike

E njëjta situatë është edhe në resorin e arsimit: 25 ministra parakaluan përmes dy reformave organizative në këtë sektor. Më saktë, gjashtë ministra për arsimin nga viti 1991 deri në vitin 2000 dhe gjashtë ministra për shkencën dhe 13 ministra nga viti 2000 deri në 2023 për arsimin dhe shkencën. Funksioni i Gale Galev ka zgjatur më pak, më pak se një vit, dhe Renata Deskoska - një vit. Aziz Polozhani e mbajti këtë post për kohën më të gjatë - katër vjet. Bie në sy se asnjë ministër, përveç Aziz Pollozhanit, nuk ka shërbyer më shumë se dy vjet si ministër i Arsimit.

Çfarë të themi për këto të dhëna? A mund të fajësojmë kritikët që reagojnë se arsimi dhe shëndetësia i shërbejnë shpëtimit të koalicioneve qeveritare, se janë trofe partiakë në tregtinë politike dhe jo fusha ku duhet investuar më shumë? Dhe çfarë mesazhi dërguan tetë kryeministrat në tre dekadat e fundit për prioritetet e tyre në drejtimin e vendit?

Burimi: sdk.mk

Mbrojtja, siguria dhe politika e lartë kanë ende primatin dhe fushat që përcaktojnë standardin e jetesës dhe perspektivat e popullsisë mbetën në margjinat e planeve politike.

Maqedonia është në vendin e 42-të nga 229 shtete sipas shkallës së vdekshmërisë në botë, gjë që mund të interpretohet shumë keq, por me fakte lehtësuese se Kroacia, Gjermania dhe Italia kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë se ne, ndërsa Shqipëria dhe Kosova kanë shkallë më të ulët të vdekshmërisë Megjithatë, sigurisht në terma absolutë – të jesh në vendin e 42-të për nga vdekshmëria mes 229 vendeve nuk është një shifër mbresëlënëse, madje as e pranueshme. Dhe është një ilustrim i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vendin tonë dhe gjendjes së keqe shëndetësore të popullsisë. Edhe të dhënat statistikore për Covid treguan gjendjen e keqe shëndetësore të popullatës në Maqedoni, pasi nga 347 mijë të sëmurë, virusi ishte fatal për 9653 qytetarë.

"Trikafta" - sinonim i neglizhencës

Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor është fjalë për fjalë në prag të kolapsit. Shëndetësia shtetërore funksionon si në kushte lufte. Pacientët janë të shtrirë në karroca në korridoret e spitaleve, gjithmonë nuk ka ilaçe për pacientët më të sëmurë, spitalet sipas nivelit të higjienës dhe sipas aparaturave duken si të gjitha, por vetëm jo si institucione shëndetësore, madje nuk ka as politikë kadrovike në shëndetësi, prandaj mjekët shkojnë të punojnë jashtë vendit. Sipas të dhënave të Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, Maqedonia ka humbur 2000 mjekë për 10 vjet.

Dhe të kthehemi te fillimi i këtij teksti, dhe te fati tragjik i Blagojçes të ri, që është shuplaka më e madhe për shëndetësinë. Fakti që janë gjashtëdhjetë pacientë me fibrozë cistike, tetë prej të cilëve në gjendje më të rëndë, të cilët presin përditë lajme nga qeveria se ka mbërritur ilaçi "Trikafta", flet më fort për pakujdesinë dhe politikën e keqe shëndetësore që ka qenë prezente prej dekadash.

Mungesa e interesimit për shëndetësi çoi në një histori famëkeqe, se në Kërçovë për tridhjetë e tetë vjet u ndërtua një objekt spitalor! Ndërtimi kishte filluar qysh në vitin 1985, dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ose një tjetër rekord famëkeq: gati 20 milionë euro janë shpenzuar për teste PCR nga xhepat e qytetarëve në shëndetësinë private – të dhëna që flasin për kaosin në sektorin e shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë. Ose, edhe më keq, të dhëna që flasin për dështimin e shëndetësisë shtetërore pikërisht në momentet kur qytetarët kishin nevojën më të madhe për shërbime shëndetësore.

Dështimi për të filluar ndërtimin e një qendre të re klinike në Shkup dhe në disa nga qendrat më të mëdha shëndetësore është gjithashtu një nga shembujt më domethënës të kujdesit shëndetësor të lënë pas dore.

Edhe arsimi, për fat të keq, shërben për të kënaqur interesat partiake dhe jo për të futur përgatitjen cilësore të të rinjve për jetën në të ardhmen. Universitetet maqedonase, për shembull, nuk janë në 1000 të parat e listës së Shangait, që në vetvete është një fakt zhgënjyes për të rinjtë që nuk kanë mundësi financiare për të studiuar jashtë vendit.

Është shkatërruese që në tre dekada të pavarësisë, Maqedonia nuk ka arritur të zhvillojë një institucion të arsimit të lartë që do të konkurrojë ballë për ballë me të parin në botë, ose të jetë në mes të renditjes, por të paktën të hyjë në 1000 të parat, siç kanë arritur të hynë universitetet në Beograd, Athinë, Maribor, Lubjanë, Zagreb, Novi Sad. Dikush do të thotë se kjo është një pritshmëri tepër ambicioze, por le të mendojmë pak: sa nga ky dështim vjen nga zhvillimi i ngadaltë ekonomik dhe rrethanat objektive në 30 vitet e fundit dhe sa nga arsyet subjektive dhe mosinteresimi i të gjitha qeverive të mëparshme për arsimin dhe politizimin e saj.

Secili ministër me politikën e tij

Prandaj, gabimet në tekstet shkollore si ai i fundit i gjetur në një libër historie, ku historianët kishin shënuar data dhe fakte plotësisht të gabuara për Kokino, Heraklea, Nikola Tesla, Maria Kiri e kështu me radhë, nuk janë më surprizë për askënd. Duke kaluar nëpër përvoja të tilla absurde, tashmë jemi dorëzuar nga vonesa e teksteve shkollore. Problemi u përshkallëzua për shkak të tranzicionit ministror dhe përkushtimit të ministres së mëparshme Mila Carovska për futjen e teksteve digjitale dhe vendimit të pasardhësit të saj, ministrit aktual Jeton Shaqiri, që gjithsesi të shtypë tekste.

Është vetëm një ilustrim i vogël se si çdo ministër udhëheq politikën e tij dhe krijon koncepte të reja pa marrë parasysh vazhdimësinë në kurrikul. Ose, me pak fjalë, secila parti vjen me konceptet e veta për arsimin dhe asnjëra prej tyre nuk është zbatuar plotësisht.

Kaosi në sistemin arsimor as nuk mund të përshkruhet, duhen qindra e qindra, në mos mijëra faqe për të paraqitur dështimet e shumta në këtë sferë që përfaqëson thelbin e zhvillimit, jo vetëm të çdo individi, por edhe të gjithë shoqërisë.

Nëse do të duhej të bënim një përmbledhje, do të arrinim në përkufizimin e thjeshtë se shëndetësia në Maqedoni shërben për shërimin e koalicioneve "të sëmura" dhe marrëdhënieve të lëkundura ndërpartiake në pushtet, kurse arsimi shërben për kryeministrat dhe ministrat që të nxjerrin mësime se si të ruajnë paqen e koalicionit dhe si t'i kënaqim orekset e partive. Megjithatë, ky përkufizim është shtrirë mjaftueshëm për të përfshirë interesat e biznesit që kanë zënë vendin e politikës së nevojshme arsimore dhe shëndetësore.

Nëse vazhdojmë në të njëjtin drejtim dhe nuk shohim shenja se kjo nuk do të ndodhë, kujdesi shëndetësor mund të kalojë në sëmundje të përhershme, ndërsa arsimi nuk do të jetë në gjendje të prodhojë as kuadro për ta kuruar atë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Kramarska

Sonja Kramarska është gazetare, autore e disa fejtoneve dhe publikimeve të tjera, ish kryeredaktore e gazetës “Utrinski Vesnik” dhe e portalit NovaTV. Në karrierën e saj është vlerësuar me çmimin gazetare e vitit dhe çmimin më të lartë “Mito Haxhivasilev Jasmin”. Ajo ka kaluar një vit akademik në Universitetin e Oklahomas në SHBA si pjesë e programit për zhvillim profesional. Ajo ka punuar gjithashtu edhe si këshilltare për çështje politike dhe komunikim në kabinetin e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.