Ky është një sistem i ndërtuar prej dekadash dhe ka nevojë për një qasje krejtësisht të ndryshme nga të gjithë, duke filluar nga lart. Një qasje ku institucionet do të fillonin të shihnin mbi të gjitha interesin publik.
Të kesh një shtëpi/apartament në Shqipëri ka arritur disi në kufijtë e ëndrrës sesa të realitetit. Çmimet e larta të shtëpive/apartamenteve e kanë bërë të vështirë për familjet që kërkojnë një çati të re mbi kokë për të blerë një të tillë. Ky është një hendek i madh i krijuar nga rritja e çmimeve të industrisë së patundshmërive nga njëra anë dhe nga ana tjetër rritja shumë e ulët dhe e parëndësishme e pagës që secili merr çdo muaj.
Por ajo që po shkakton këtë rritje të çmimit nuk është ndonjë rregull i artë: kur ka kërkesë, çmimi rritet. Në njëfarë mënyre disa zhvillime të tjera po i thyejnë këto rregulla dhe disa ekspertë mendojnë se një prej këtyre rregullave është paraja informale në ekonomi.
Çmimi mesatar në Tiranë arrin në 1200 euro/metër katror
Në tregun shqiptar të pasurive të patundshme, zhvillimet kanë qenë vit pas viti shumë dinamike. Ndërtimi, kryesisht në kryeqytetin e Tiranës, ka shënuar rritje, poashtu edhe çmimet. Qëllimi i ndërtimeve të shumta ka qenë kryesisht për përdorim banesor, por edhe për ndërtime me përdorime të ndryshme që përfshijnë edhe aktivitete biznesi dhe zyra. Janë disa projekte specifike në kryeqytet ku tashmë një metër katror ka arritur në 5 mijë euro. E kemi fjalën për çmime të çmendura në një vend ku paga mesatare është afër 505 euro.
Sigurisht që këto janë disa projekte të përzgjedhura në zonat më të dëshirueshme të Tiranës ku ata që kërkojnë të blejnë një pronë kanë si problem të fundit paratë. Por ajo që është shqetësuese është fakti se çmimet më të larta janë tashmë kudo nëpër Tiranë. Disa vite më parë, mund të gjeje lehtësisht një apartament për 600–800 euro metër katror. Sot, çmimi mesatar në Tiranë, sipas indeksit të Keydata Albania (agjenci që përpunon të dhënat nga pronat në shitje dhe dhënie me qira) është 1200 euro për metër katror.
Në vetëm një vit çmimet kanë shënuar një rritje shumë të lartë dhe këtë e ka konfirmuar edhe Banka e Shqipërisë në një nga publikimet më të fundit në analizën e tregut të banesave.
Sipas Indeksit të çmimeve të Fischer House, të llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i apartamenteve të shitura gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2022 është rritur me 28.4% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% krahasuar me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e indeksit që nga viti 2013 kur Banka e Shqipërisë nisi përllogaritjen e tij.
Rritja e pagave, nga ana tjetër, është shumë më e ulët se ç'duhet për të përballuar shpenzimet në përgjithësi. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në vend u rrit me 7% në tremujorin e dytë të 2022. Nga ana tjetër, kostot për shkak të rritjes së çmimit të ushqimeve dhe produkteve të tjera u rritën me mbi 6.7%, duke bërë që rritja reale e pagave të jetë vetëm 0.3%.
Në një dekadë, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë dyfishuar, duke e bërë më të vështirë pronësinë e një shtëpie/apartamenti. Sipas një përllogaritjeje të bërë së fundmi, për të pasur një shtëpi/aprtament, shqiptari i zakonshëm duhet të punojë 24 vjet më shumë se sa ishte menduar të punonte në vitin 2015.
Përllogaritja ka marrë në konsideratë një rast tipik kur dikush kërkon një apartament 90 metra katrorë në Tiranë. Kështu që sot ai duhet të paguajë 105 000 euro për ta zotëruar këtë apartament. Kjo përllogaritje nuk përfshin asnjë shpenzim tjetër si sigurimi, taksa apo mobilimi. Dikush me një pagë mesatare do të duhej të punonte 64 vjet për të blerë këtë apartament, duke pasur parasysh se 30% e të ardhurave të tij do të shkojnë për të mbuluar një kredi. Për të njëjtin apartament, i njëjti person në vitin 2015 me pagën mesatare të atij viti (rreth 400 euro, një rritje prej vetëm 26% nga paga e sotme) dhe çmimin e tregut për atë vit do t'i duhej të punonte vetëm 40 vjet për të zotëruar apartamentin.
Kjo përllogaritje bazohet në të ardhurat e disponueshme të një familjeje të indeksuar me normën e inflacionit, çmimin mesatar të një metri katror në Tiranë, vlerën kohore të parasë dhe normat mesatare vjetore të interesit të kredive sipas Bankës së Shqipërisë.
Arsyeja "formale" e çmimeve të "çmendura"
Burimi: invest-in-albania.org
Teksa çmimet rriten, kompanitë e ndërtimit kanë shpjegimin e tyre për këtë fenomen. Pas pandemisë COVID-19, ekonomia globale rifilloi me një ritëm më të lartë se sa pritej, duke krijuar një mungesë të lëndëve të para. Po ashtu, kriza energjetike që filloi në vitin 2021 ka luajtur rolin e vet në këtë situatë, duke rritur edhe më shumë kostot e kompanive. Sektori i ndërtimit nuk ishte imun. Ata konfirmojnë se kostoja e çimentos, hekurit dhe materialeve të tjera të përdorura në ndërtim është rritur me 30-50 për qind, por në raste të veçanta edhe dy herë më shumë.
Në një rast të tillë, nëse materialet e ndërtimit kushtojnë më shumë, sigurisht që kjo do të reflektohet edhe në çmimin përfundimtar të çdo prone të shitur. Një arsye tjetër e rritjes së çmimeve, sipas agjentëve imobiliar, është edhe kërkesa. Uria e shqiptarëve për të blerë prona ka ardhur duke u shtuar, duke nxitur edhe rritjen e çmimeve.
Por edhe lejet e ndërtimit kanë qenë në rritje dhe duket se nuk ka qenë e mundur të zbutet në asnjë mënyrë kjo rritje e theksuar. Sipas të dhënave të INSTAT, në kryeqytet, për periudhën janar – qershor 2022, leje ndërtimi janë dhënë për gati 1.2 milionë metra katrorë, me një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ata që ofrojnë shpjegime rreth rritjes së çmimeve shpesh kanë interesin e tyre në këtë situatë, por disa ekspertë mendojnë se rritja e çmimit është shumë më tepër sesa mund të justifikojë kostoja dhe kërkesa.
A janë paratë informale që diktojnë çmimet?
Sektori i ndërtimit është klasifikuar si një nga sektorët kryesorë që paraqet rrezik për pastrim parash. Sipas raporteve vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Shqipëri, te ndërtimet janë identifikuar disa tipologji të përdorura nga njerëz që duan të legalizojnë paratë e tyre informale dhe t'i përdorin në ekonomi.
Por sot askush nuk mund të thotë se sa nga këto para informale janë investuar dhe sa kanë deformuar çmimin dhe tregun. Ekspertët mendojnë se në një fazë Shqipëria mund të përballet me një flluskë shpërthyese në sektorin e ndërtimit.
Çmimet e larta artificialisht u shërbejnë vetëm disa personave që përdorin mekanizmin e blerjes për të legalizuar paratë e tyre dhe duke ndikuar artificialisht në treg. Zyrtarisht autoritetet në Shqipëri nuk e kanë pranuar asnjëherë që nivelet e çmimeve të ndikohen në asnjë mënyrë nga paratë e paligjshme, por kjo nuk do të thotë që deformimi dhe rreziku për ekonominë nuk është i pranishëm.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në misionin e fundit në Shqipëri vuri në dukje diçka shumë të rëndësishme dhe mesazhi i tyre është i fortë për atë që po ndodh në fushën e ndërtimit dhe patundshmërive. “Ne mirëpresim përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të adresuar mangësitë e rëndësishme të të dhënave për pasuritë e patundshme dhe ndërtimet dhe bëjmë thirrje për një mbikëqyrje më të zgjeruar të ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar”, ishte mesazhi. Nëse lexoni në mes të rreshtave, është e qartë se FMN-ja sheh gjithashtu një rrezik për atë që po ndodh tani.
Një raport tjetër nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional i publikuar vitin e kaluar bëri të ditur se fondet e marra kryesisht nga tregtia ndërkombëtare e drogës përdoren në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri. Komisioni Evropian edhe vitin e kaluar në një raport nënvizoi faktin se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të parandaluar pastrimin e parave. Zërat e ekspertëve dhe ekonomistëve që bien dakord se zhvillimet në sektorin e patundshmërive dhe ndërtimit kanë devijuar disi nga rregullat normale, po rriten dita-ditës.
Sigurisht, kjo situatë nuk përfshin të gjithë sektorin e ndërtimit, ku mund të gjesh kompani me një histori të gjatë biznesi dhe me një reputacion të mirë në treg që me siguri luftojnë për të mbijetuar në një situatë të padrejtë.
Kush është duke paguar koston e verbërisë institucionale
Është pjesë e mentalitetit familjar në Shqipëri dhe Ballkan në përgjithësi, të blesh dhe të kesh një shtëpi/apartament. Por, me nivelin e ri të çmimeve, tabloja që kemi sot është se shqiptari i zakonshëm duhet të luftojë gjithë jetën dhe ndoshta ia del të blejë një shtëpi/apartament. Ai që është në kufirin e mbijetesës, mund të ketë vetëm një nga ëndrrat e tij, ndërsa multimilionerët duket se blejnë më shumë se një, por numrat nuk përputhen me realitetin. Në këtë rast shtrohet pyetja: Kush po blen dhe çfarë po i bën që çmimet të shkojnë në qiell?
Përgjigja nuk është aq e thjeshtë. Duhet të kontrollosh një zinxhir zhvillimesh për të gjetur të vërtetën, kurse institucionet duken sikur kanë mungesë vullneti për të bërë këtë, për disa arsye. Së pari duhet të kesh institucione të pavarura dhe kjo është diçka që mbetet vetëm një ëndërr në Shqipëri. Nëse secili do të kishte përgjegjësinë sociale për të bërë punën e tij në mënyrë korrekte, lidhja midis politikës dhe biznesit do të ndërpritet menjëherë, kurse korrupsioni do të çrrënjosej.
Por kjo nuk është diçka që mund ta bëjë një person. Ky është një sistem i ndërtuar prej dekadash dhe ka nevojë për një qasje krejtësisht të ndryshme nga të gjithë, duke filluar nga lart. Një qasje ku institucionet do të fillonin të shihnin mbi të gjitha interesin publik.
Askush nuk thotë se qeveria duhet të drejtojë tregun. Por sigurisht që mund të mbrojë qytetarët nga tregjet dhe çmimet e deformuara të ndikuara nga financimet ilegale, nëse ka të tilla. Për ta mësuar këtë, duhet të punoni për ta vërtetuar atë. Shqipëria ka investuar fillimisht 110 milionë euro për atë që quhet Reforma në Drejtësi. Nga viti 2016 kur u miratua gjithçka e deri më sot, rezultatet janë të pakta.
Në fillim të vitit 2021, SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) një nga institucionet kryesore që doli nga Reforma në Drejtësi nisi një hetim për pastrim parash në sektorin e ndërtimit, por ende nuk ka një rezultat të bërë publik. Reforma në drejtësi është ende në vijim dhe gjatë vitit 2022 Kuvendi i Shqipërisë votoi për zgjatjen e saj pasi mandati i personave që tashmë janë pjesë e institucioneve të reja skadon këtë vit.
Ofrimi i një mjedisi konkurrence të ndershme dhe sundimi i ligjit gjithmonë shpaguhet duke i shpëtuar qytetarët nga kostot që nuk u takojnë. Nuk është edhe aq e vështirë të zgjidhet kjo dilemë, qeveria duhet vetëm “të ndjekë paratë”.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.