fbpx

Shuarja në heshtje e mbështetjes financiare për letërsinë maqedonase

Politika

12.03.21

Прегледи

Filip Kletnikov

Filip Kletnikov 400x500Parregullsitë dhe pakënaqësitë do të ndjekin çdo program vjetor, kryesisht sepse fondet janë të pamjaftueshme në krahasim me interesimin. Por kjo nuk duhet të jetë një justifikim për disa lëshime të palejueshme dhe zvarritjet e tyre (dhe Zoti na ruajt, duke u thelluar!) nga viti në vit.

Para nesh kemi edhe një program vjetor për, siç thotë formulimi zyrtar "financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë". Koeficienti i absurditetit në Programin vjetor është mjaft i lartë. Natyrisht, nuk po flas për absurdin ekzistencial në filozofi apo letërsi; por për llojin më të keq të mundshëm të absurdit, ai që pretendon të jetë jokundërthënës, i drejtë dhe "parimor": domethënë, absurdin burokratik.

Kush, kujt po i bën rreng(dredhi)?

Para se të filloj me analizimin e fjalimit zyrtar të ministres së kulturës në lidhje me përmbajtjen e Programit vjetor nga njëra anë dhe situatën reale në letërsi dhe botim nga ana tjetër, dua të sqaroj një gjë - me shumë gjasë e vetmja për të cilën të gjithë do të biemi dakord: gjithmonë do të ketë të kënaqur dhe të pakënaqur, kritika dhe ankesa. Kjo gjendje është një fakt i gjallë në çdo sferë të jetës.

Megjithatë, dy gjëra nuk duhet të anashkalohen: neglizhimi i kritikës, veçanërisht nga ana e autoriteteve, dhe ajo që unë e quaj "qasja teologjike" - "oficiozët" (ministritë/institucionet/komisionet) janë në të drejtë apriori (sikur të ishin perëndi); problemi është gjithmonë tek ata që kritikojnë, respektivisht te ata që "ankohen". Në fakt, kritikat e argumentuara mirë, por edhe të ashpra ndaj bartësve të pushtetit politik janë thelbi i mentalitetit demokratik, karakteristike për shoqëritë perëndimore dhe intelektualët e tyre (të paktën deri vonë), drejt të cilëve po aspirojnë në mënyrë deklarative edhe "oficiozët" tanë.

Të fillojmë me radhë.

Në fjalimin e saj, ministrja, ndër të tjera, (në mënyrë ironike) stërmadhoi: “aftësinë e disa prej përdoruesve [aplikantëve] të cilët.... ishin mësuar ndër vite se si të mashtrojnë konkursin. Pra, në mënyra të ndryshme po depërtojnë përmes vrimave të sistemit… njëherë paraqiten si autorë, një herë tjetër si redaktorë, herën e tretë si konsulentë, herën e katërt si pjesëmarrës në manifestime, herën e pestë si anëtarë të jurive/komisioneve… dhe kështu konkursi e kishte humbur shpirtin garues".

Ministrja vështirë se mund të kishte treguar ndonjëherë një injorancë më fundamentale se si funksionon domosdoshmërisht jeta kulturore dhe artistike. Kjo do të thotë që nëse aplikoj këtë vit si autor parësor (i veprës sime), duhet të pres deri vitin tjetër që të jem përkthyes, pastaj anëtar i jurisë/komisionit, dhe për katër vjet të marr pjesë në një festival, vitin e pestë, thjesht të jem një redaktor, etj... Kjo do të thotë që nëse unë konkurroj këtë vit me një vepër autoriale, një shtëpi botuese ose institucion që beson në kompetencat e mia nuk duhet të më angazhojë si konsulent; kështu që, nëse të gjithë autorët që kanë krijuar një reputacion ndodh që të konkurrojnë me veprat e tyre autoriale, ata nuk duhet të konkurrojnë si përkthyes, të jenë konsulentë për ato letërsi që njohin më mirë, të figurojnë si redaktorë, etj. Nëse këtë vit, për shembull, sinologu (studiues i letërsisë kineze) i vetëm në vendin tonë aplikon si përkthyes dhe një shtëpi tjetër botuese ka nevojë për ta angazhuar si konsulent për përzgjedhjen e teksteve nga letërsia kineze, rezulton se ata do të duhet të angazhojnë dikë që nuk ka asnjë ide për letërsinë kineze! Një politikë e tillë, jo vetëm që nuk parandalon domosdoshmërisht shpërdorimet, por në mënyrë të qartë ndëshkon dhe dekurajon kreativitetin, kompetencën dhe konkurrencën cilësore.

Mbi të gjitha, është simptomatike që profesorët/profesoreshat nga komisioni nuk ia treguan këtë absurditet burokratik ministres. Për shkak se ata vetë kishin qenë shpesh një vit si autorë(e), ashtu edhe përkthyes(e) dhe redaktorë(e), anëtarë(e) të komisioneve...

Tivkoto zgasnuvanje na finansiskata poddrska za makedonskata literaturaBurimi: sdk.mk

Llogaridhënia (financiare)?

Por kjo nuk është e gjitha. Vetë mbështetja e veprimtarisë letrare është e ndotur me shtesa burokratike"... në fushën e letërsisë dhe veprimtarisë botuese". Pra, janë ndarë 11 milion euro për të mbështetur aktivitetet vjetore të institucioneve kulturore, shoqatave kulturore dhe individëve nga fusha të ndryshme të artit (muzikë, dramë, folklor, letërsi; mbrojtje e trashëgimisë kulturore, festivale; të mos e harrojmë edhe integrimin e pashmangshëm evropian! ); nga këto fonde, rreth një milion euro (një e njëmbëdhjeta) janë dedikuar për "letërsinë dhe veprimtarinë botuese".

Mirëpo, nën "letërsi dhe veprimtari botuese" hyjnë institucionet, punimet akademike (shumë prej të cilëve nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë), festivalet, konferencat, gjë që e vë krijimtarinë vendore letrare në vendin e fundit. Si korrespondon kjo me "rëndësinë e interesit publik në kulturë" dhe "rëndësinë në jetën e qytetarëve", të renditura si përparësitë kryesore nga ministrja?

Për më tepër, ministrja shpreson që "publiku do ta njohë përpjekjen - për braktisjen e parimit nga pak për të gjithë, sepse një parim i tillë po e bënte kulturën të pakuptimtë dhe po e vriste krijimtarinë". Prandaj, ministrja kishte arritur një zgjidhje Solomoni, e cila është vërtet e dukshme në programin për letërsi dhe veprimtari botuese: më pak për disa, më së paku për letërsinë artistike - më së shumti për punimet akademike! Kjo nuk është për t'u habitur, duke pasur parasysh që të gjitha komisionet janë të dominuar nga akademokracia, kurse autorët parësorë (shkrimtarët, poetët) në rastin më të mirë janë një dekor.

Gjegjësisht, të gjitha punimet akademike janë shpërblyer me fonde jo më pak se 2 - 2.500 euro, ndërsa në literaturën parësore (artistike), diapazoni lëviz nga 50.000 denarë të mjerë (kini parasysh se me këto fonde duhet të financohen shtypja, përpunimi kompjuterik i librit dhe kompensimi i autorit!), deri në mbi 2.500 euro! Dhe ndërsa kriteri etnik po problematizohet gjithnjë e më shumë (natyrisht, lind pyetja se cili grup etnik është diskriminuar në të vërtetë?), rezulton se është në rregull të diskriminohen autorët sipas një kriteri formal-arsimor (autorë akademikë - krijues parësorë) ose thjesht fondet të shpërndahen në mënyrë arbitrare. Nëse jam gabim, atëherë autoritetet të shpjegojnë me argumente mospërputhjet/diferencat e dukshme në fondet e aprovuara dhe të shpjegojnë se si ato stimulojnë "ndërgjegjësimin e lartë të llogaridhënies së ndërsjellë për shpenzimin e çdo qindarke" dhe se si kjo do të mundësojë "vlerësimin real të punës për të mbrojtur dinjitetin e autorit“?!

Shkrimtar, a e dini borxhin tuaj?

Parregullsitë dhe pakënaqësitë do të ndjekin çdo program vjetor, kryesisht sepse fondet janë të pamjaftueshme në krahasim me interesimin. Por kjo nuk duhet të jetë një justifikim për disa lëshime të palejueshme dhe zvarritjet e tyre (dhe Zoti na ruajt, duke u thelluar!) nga viti në vit. Fatkeqësisht, këtu ekziston edhe një klientelizëm i lidhur me mungesën e etikës dhe qëndrimin konsistent dhe të argumentuar të komisioneve.

Në shkrimin tim në „Stozher, unë theksova dhe paraqita propozimet e mia për zgjidhjen e disa prej problemeve më nevralgjike që kanë munduar shkrimtarin maqedonas për vite me radhë: përcaktimi i një kompensimi minimal autorial, pagesa e honorareve/kompensimeve drejtpërdrejt në llogarinë e autorit (për të parandaluar abuzimet nga ana e botuesve), kontroll më të rreptë të sektorit të botimeve për sa i përket mosrespektimit të të drejtave morale dhe materiale të autorit që janë sine qua non. Për më tepër, kemi raste të botimit piraterik të librave nga ana e disa botuesve (pa kontratë autoriale), autorët shpesh ngelin pa kompensimin e tyre autorial - i cili zakonsiht është shumë i ulët gjithsesi ... Këto janë vetëm disa nga abuzimet e vërteta që duhet adresuar dhe trajtuar!

Тë mos ketë asnjë iluzion: më përgjegjësi për situatën e dëshpëruar të shkrimtarit maqedonas është - vetë shkrimtari maqedonas! Më të zëshëm në reagimet ndaj kontradiktave dhe defekteve të vendimeve për subvencione të Ministrisë së Kulturës janë shoqatat botuese, dhe jo ato të shkrimtarëve, të cilët, për ironi të fatit, janë rregullisht një shkronjë pa zë! Ndërsa shkrimtarët nuk e kujtojnë borxhin e tyre (të parafrazoj Zhupançiçin), edhe ky Program vjetor, si ato të mëparshmit, ngrenë pyetjen: vallë lëshimet dhe kontradiktat tendencioze që vazhdojnë sistematikisht për çdo vit kanë për qëllim të dekurajojnë autorët, duke sforcuar gradualisht një zhdukje "të butë" të mbështetjes financiare për shkrimtarin maqedonas?

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Filip Kletnikov ka diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Fakultetin Filologjik "Blaže Koneski" në Shkup. Ka përfunduar studimet e tij të magjistraturës në Studime Ndërdisiplinore Mesjetare (gjermanistikë, filozofi, histori arti) në Universitetin "Otto-Friedrich" në Bamberg, Gjermani, si bursist i DAAD. Përveç se është aktiv si poet, eseist, përkthyes dhe tregimtar, ai ka mbajtur leksione publike dhe ka organizuar tribuna që trajtojnë probleme bashkëkohore shoqërore, të shqyrtuara përmes prizmit të autorëve/veprave/rrymave nga fusha e letërsisë dhe filozofisë. Aktualisht është doktorant dhe ligjërues në Departamentin e Gjermanistikës dhe Skandinavistikës në Universitetin e Oregonit në Eugene, SHBA.