fbpx

Si mund të bëhet Maqedonia më rezistente ndaj kërcënimeve hibride?

Hristijan Ilievski

Politika

11.04.22

Прегледи

Terreni më pjellor për kërcënimet hibride janë demokracitë në zhvillim dhe ato vende ku ndarjet politike janë të dukshme.

Gjithnjë e më shpesh në kontekstin politik dhe të sigurisë, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, dëgjojmë shprehje si "luftë hibride", "kërcënime", "rrezik", por rrallëherë hyjmë në thelbin e çështjes dhe kuptimin e terminologjisë së tyre.

Këto janë kërcënime jokonvencionale që prodhohen për të minuar ose dëmtuar reputacionin dhe statusin e dikujt, pavarësisht nëse është individ, kolektiv, institucion, shtet etj. Shembuj të shumtë të operacioneve hibride janë sulmet e hakerëve, dezinformatat, lajmet e rreme (sidomos në rrjetet sociale). Ajo që i bën ato të rrezikshme është fakti se ato zakonisht janë produkt i qendrave të caktuara që nuk ndodhen fizikisht në territorin që synohet sulmi, dhe për rrjedhojë janë shumë më të vështira për t'u parandaluar.

Para së gjithash, që të ketë kërcënime të tilla, duhet të ketë një arsye për to. Domethënë, toka dhe terreni më pjellor për arritjen e qëllimeve të tilla është kur në një shoqëri të caktuar, veçanërisht në vendet e botës demokratike, në tavolinën politike është një çështje e caktuar politike e cila është vendimtare për atë vend dhe e cila në mënyrë të pashmangshme krijon polarizim mes popullsisë.

Në një rast të tillë, qendrat e pushtetit që përfitojnë nga destabilizimi i demokracive, përpiqen në mënyrën më të paskrupullt, përmes lajmeve të rreme, dezinformatave dhe gjysmë të vërtetave të kontribuojnë në gërryerjen e besimit të qytetarëve tek institucionet, dhe në këtë mënyrë të zvogëlojnë edhe fuqinë dhe rezistencën e tyre.

Shembuj të temave të nxehta përfshijnë krizën e emigrantëve, dërgesat e armëve në Ukrainë, problemin e e furnizimit me gaz, rritjen e çmimeve të naftës dhe tema të tjera të ngjashme të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës.

Maqedonia – mes proceseve të vështira politike dhe sulmeve hibride

Vitet e fundit në skenën politike maqedonase ka pasur ndryshime dramatike si: nënshkrimi i marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, referendumi për Marrëveshjen e Prespës, vetoja në rrugën evropiane fillimisht nga Franca e më pas nga Bullgaria, anëtarësimi në NATO, organizimi i Regjistrimit të popullsisë.

Për një vend që është ende një demokraci e re, këto procese mund të jenë vërtet të mundimshme dhe të krijojnë polarizim të madh në baza partiake, etnike apo fetare, gjë që është një terren pjellor për destabilizimin e vendit dhe minimin e besimit te institucionet. Në fakt, le të kujtojmë se në 2-3 vitet e fundit kemi pasur një sërë sulmesh hakerësh që synonin të depërtonin në institucionet, të cilat ndikuan që besimi i qytetarëve ndaj tyre të gërryhej.

Shembuj të tillë ishin tentativat për sulm hakerësh ndaj Bankës Popullore, sulmet e hakerave ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe rënia e faqes së internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 15.07.2020, gjë që hodhi dyshime në rezultatet e zgjedhjeve.

Vetoja e Bullgarisë - dora e Rusisë?

Vetoja nga Bullgaria fqinje po zvarritet prej disa vitesh dhe çështja e integrimit evropian të Maqedonisë ende po qëndron në ajër. Duke marrë parasysh deklaratën e Joseph Borrell-it ëtu në Shkup, ku ai nuk flet më për një datë specifike për negociata, por vetëm për vullnet të mirë, është logjike të pritet një rritje e euroskepticizmit dhe një rënie e besimit në Bashkimin Evropian.

Mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ka rënë në dhjetë vitet e fundit, nga 92% e mbështetjes në vitin 2011, në pak më pak se 70% në vitin 2022. Duke parë këto shifra, forcat që kundërshtojnë anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, padyshim që pakënaqësinë e popullatës dhe aneminë e Bashkimit do ta shfrytëzojnë në dobi të tyre, për të arritur ndikim brenda kornizës politike.

Një shembull konkret për këtë mund të marrim nga Bullgaria fqinje ku kryeministri Petkov filloi temën e ndërhyrjes së Federatës Ruse në destabilizimin e marrëdhënieve Shkup-Sofje përmes spiunëve dhe oficerëve të tyre të inteligjencës që punonin në Agjencinë Bullgare të Sigurisë dhe synonin ta bllokonin zgjerimin e Bashkimit Evropian në këto hapësira.

Strategjia e Federatës Ruse do të ishte që të mos ketë një perspektivë eurointegrimi për rajonin, dhe në këtë mënyrë qytetarët të zgjedhin neutralitetin ose strukturat politike pro-ruse që do të ndiqnin një politikë më të afërt me Kremlinin. Në Maqedoni, Partia e Majtë, edhe pse e shpallur një parti pro BE-së, angazhohet për marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe është kundërshtare e drejtpërdrejtë e NATO-s.

Çdo rritje e rejtingut të saj mund të komplikojë procesin e formimit të çdo qeverie të ardhshme duke pasur parasysh faktin se asnjë parti nuk mund të formojë shumicën e vetme, nëse shikojmë shifrat nga zgjedhjet e fundit.

Regjistrimi - një operacion statistikor apo një temë përçarjesh?

Një tjetër temë që ngjall shumë reagime në opinion është Regjistrimi (Censusi), më saktë rezultatet e tij. Forcat kryesore politike, si VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, bënë thirrje për regjistrim të popullsisë, por shumë qytetarë vendosën ta bojkotojnë procesin, duke e njollosur këtë proces.

Burimi: freepik.com

Përkatësisht, 7,2% e popullsisë nuk kanë dashur të deklarohen, me shumë gjasa e nxitur nga fushata “Nuk e hap derën” e cila është zhvilluar para fillimit dhe gjatë regjistrimit të popullsisë dhe e udhëhequr nga Partia e Majtë. Fushata kishte për qëllim t'u tregojë qytetarëve se, siç thonë ata, numrat janë të "akorduar" paraprakisht dhe se mospjesëmarrja në regjistrim është i vetmi mekanizëm mbrojtës, i cili më vonë u konstatua si katastrofik.

Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se në Maqedoni në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të tensioneve etnike, nuk duhet të përjashtohet mundësia dhe rezultatet e regjistrimit, gjegjësisht përqindjet e etnive, të keqpërdoren për qëllime politike, për të ndërtuar rejtingun e tyre bazuar në nacionalizëm. Mirëpo, nëse shikojmë realisht, sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale ku patëm koalicione VMRO-DPMNE – Aleancë për Shqiptarët dhe Alternativa nga njëra anë dhe LSDM – BDI në anën tjetër, gjasat për disa tronditje më dramatike janë vërtet të vogla, sepse blloqet në sistemin politik të shtetit tashmë kanë filluar të ndahen mbi baza ideologjike, e jo etnike.

Megjithatë, mund të pritet një rritje e nivelit të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale nga njerëz që nuk pajtohen me shifrat e regjistrimit, dhe këta votues mund të kanalizohen tek ata që ishin kundër procesit të Regjistrimit.

Fakti që Maqedonia nga viti në vit bie në të gjitha renditjet botërore për sa i përket cilësisë së arsimit është tregues i mjaftueshëm për mosgatishmërinë e institucioneve arsimore maqedonase për të ndërtuar gjenerata të ardhshme që do të jenë rezistente ndaj dezinformatave, hulumtimeve dhe shkrim-leximit mediatik. Alarmi i kuq duhet të ishte dhënë shumë kohë më parë për të zbatuar reforma rrënjësore në arsim, por fatkeqësisht nga përvoja jonë shihet se më së shpeshti sillen zgjidhje ad-hoc që janë të paqëndrueshme në planin afatgjatë.

Është një numër i madh i qytetarëve që mund të mashtrohen lehtësisht me tituj tërheqës, pa lexuar të gjithë përmbajtjen e asaj që shkruhet, qytetarë që besojnë në teori konspirative. Interesimi për përcjelljen e zhvillimeve politike është vërtet i vogël, gjë që përbën një problem shtesë sepse qytetarët krijojnë një perceptim për një politikan, personazh publik, parti të caktuar, pa depërtuar në thelbin dhe të vërtetën.

Më shumë se gjysma e të rinjve nuk kan interes të ndjekin atë që po ndodh politikisht, duan të largohen përgjithmonë nga vendi dhe shpesh nuk shkojnë në qendrat e votimit, gjë që është gjithashtu një fakt shqetësues dhe një pikë e dobët për demokracinë, planifikimin strategjik, ekonominë tonë dhe kështu me radhë.

Si të çrrënjosim rreziqet hibride

Maqedonia, si anëtare e NATO-s, ka obligim që t'i përgatisë institucionet dhe të rrisë rezistencën ndaj kërcënimeve hibride, dhe për këtë qëllim vitin e kaluar është miratuar Strategjia nacionale për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe ballafaqimin me kërcënimet hibride. Bashkëpunimi me NATO-n në sektorin e sigurisë është një nga hapat kyç të ndërmarrë në lidhje me këtë çështje, dhe fakti që Aleanca ka sistemin më modern të sigurisë në botë është shumë i dobishëm, kështu që Maqedonia me anëtarësimin e saj ka përfitim të drejtpërdrejtë.

Maqedonia, natyrisht, nuk është i vetmi vend i prekur nga kjo çështje. Kërcënimet hibride janë një rrezik jo vetëm për demokracitë e brishta si ato në Ballkan, por edhe për vendet më të fuqishme në botë, si Shtetet e Bashkuara, ku gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 pati akuza të shumta për lajme të rreme, dezinformata dhe sulme hakerësh në favor të kandidatit të atëhershëm për President të Shteteve të Bashkuara, e më pas Presidentit - Donald Trump. Ky është një tregues i qartë se kjo luftë nuk është vetëm një luftë e një vendi kundër fenomeneve të tilla, por se problemi është global dhe duhet veprim i përbashkët.

Gjithashtu, nevojiten urgjentisht reforma rrënjësore në arsim, përmes të cilave brezat e ardhshëm do të mësojnë të dallojnë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Edukimi mediatik duhet të jetë në piedestalin e reformës, së bashku me edukimin financiar, shëndetin mendor dhe tema të tjera që nuk trajtohen fare në modelin aktual arsimor.

Sa i përket mediave, ato mund të stimulojnë dhe inicojnë një fushatë për këtë temë, ku përveç gazetarëve do të përfshihen edhe përfaqësues të qeverisë, opozitës, shoqërisë civile, institucioneve arsimore dhe palëve të tjera relevante për të hapur një debat dhe për të inkurajuar qytetarët të kontrollojnë informacionin që u është shërbyer.

Është e pashmangshme që kërcënimet hibride të bëhen më të shpeshta në dekadat e ardhshme, duke pasur parasysh se ato janë më të lehta për t'u realizuar se luftërat tradicionale, më efektive dhe të vështira për t'u parandaluar. Ajo që na duhet është të rrisim efikasitetin dhe cilësinë e institucioneve tona përmes profesionalizimit të stafit, bazuar në meritokraci dhe jo në partitokraci. Ne kemi nevojë për një edukim që do t'u mundësojë qytetarëve të mendojnë në mënyrë kritike.

Rezistueshmëria dhe fuqia e institucioneve dhe qytetarëve është çelësi për funksionimin e një shoqërie që do të bazohet në besim, e jo në përçarje.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni  Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Hristijan Ilievski

Hristijan Ilievski është ambasadori i ri i GLOBSEC për Ballkanin Perëndimor.