Vendimi i administratës së presidentit Donald Trump për të ndërprerë ose pezulluar financimin e disa prej institucioneve më të rëndësishme që me vite kanë luajtur rol instrumental në diplomacinë publike të Shteteve të Bashkuara – siç janë USAID-i, Zëri i Amerikës (VoA) dhe Radio Evropa e Lirë (RFE/RL) – shënon një kthesë dramatike dhe të rrezikshme në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara projektojnë fuqinë, interesat dhe vlerat e tyre në botë.
Këto veprime zyrtarisht janë paraqitur si pjesë e një reforme më të gjerë të shpenzimeve federale. Një përpjekje për të rikthyer efikasitetin dhe për të garantuar që paratë e taksapaguesve amerikanë përdoren në përputhje me interesat kombëtare. Nga një vështrim sipërfaqësor një argumentim i tillë mund të tingëllojë racional, sidomos për një qeveri që synon riorganizim institucional. Megjithatë, arsyet e këtyre vendimeve shkojnë përtej kursimeve buxhetore. Në fakt këto masa janë pasojë e politikës së administratës Trump, e njohur si “Amerika së Pari” (America First). Kjo politikë mbështet një strategji skeptike ndaj angazhimeve ndërkombëtare dhe institucioneve globale, duke synuar kufizimin ose reduktimin e instrumenteve të fuqisë së butë që konsiderohen “të tepërta” ose “joefikase”. Një qasje e tillë sfidon strategjinë tradicionale amerikane të përdorimit të diplomacisë publike si mjet për të promovuar demokracinë dhe për të zgjeruar ndikimin global të ShBA-ve.
Për më tepër, ajo rrezikon të dobësoj një prej aseteve më të rëndësishme strategjike që Shtetet e Bashkuara kanë pasur historikisht në skenën ndërkombëtare: fuqinë e butë dhe aftësinë për të formësuar opinionin global nëpërmjet ndikimit diplomatik dhe kulturor.
Fuqia e butë si mjet i politikës së jashtme të SHBA-së
Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore Shtetet e Bashkuara kanë kuptuar se fuqia e tyre nuk buron vetëm nga arsenali ushtarak, pozita gjeografike apo numri i popullsisë. Por, edhe nga fuqia e shembullit, e vlerave dhe kulturës së tyre. Ky është koncepti i “fuqisë së butë”, i formuluar nga studiuesi amerikan Joseph Nye, i cili ka të bëjë me aftësinë e shteteve për të tërhequr të tjerët drejt vlerave dhe interesave të tyre, pa qenë e nevojshme të përdoret forca apo kërcënimi. Pikërisht përmes fuqisë së butë, ShBA-të kanë ndërtuar një rrjet aleancash, kanë ndihmuar në stabilizimin e shumë rajoneve dhe kanë përhapur modelet e qeverisjes demokratike.
Në këtë kontekst, USAID-i ka qenë për dekada një nga mjetet më efektive të kësaj qasjeje. Ndihmat për zhvillim ekonomik, mbështetja për shoqërinë civile dhe investimet në arsim e shëndetësi kanë krijuar aleatë, kanë stabilizuar rajone në krizë dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Edhe pse disa projekte globale të USAID-it kanë qenë të diskutueshme dhe jo gjithnjë plotësisht të justifikueshme, si për shembull shpërndarja e mijëra vakteve për luftëtarët e lidhur me organizaten terroriste al-Qaeda në Siri, apo ndarja e gjashtë milionë dollarëve për promovimin e turizmit në Egjipt.
Burimi: freepik.com
Nga ana tjetër, Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë kanë qenë zëra të pavarur dhe të guximshëm që kanë informuar qytetarë në vendet më të shtypura të botës, ku liria e shprehjes është një luks. Mbyllja e këtyre institucioneve dëmton drejtpërdrejt aftësinë e ShBA-së për të qenë e besueshme, për të projektuar vlerat që e kanë bërë atë një model për shoqëritë anembanë botës, por edhe për të avancuar interesat e saj në formë paqësore.
Dobësimi i fuqisë së butë amerikane dhe përfitimi i rivalëve
Çfarëdo kursimi financiar që mund të pretendohet nga mbyllja e plotë e USAID-it apo shuarja e mediave profesionale si Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me dëmin afatgjatë të këtyre veprimeve. Kostoja reale është humbja e besimit, ndikimit dhe prestigjit amerikan në botë, duke dobësuar vetë pozitën ndërkombëtare të ShBA-së si garant i rendit liberal ndërkombëtar.
Në një epokë kur Rusia dhe Kina e kanë kuptuar rendësinë e fuqisë së butë si një armë strategjike po aq të rëndësishme sa arsenalet ushtarake, të dy këto shtete kanë investuar miliarda dollarë në zgjerimin e ndikimit të tyre global. Kina, përmes projektit gjigand “Një Brez, Një Rrugë”, jo vetëm që ka ndërtuar rrugë, porte dhe hekurudha në Afrikë, Azi dhe Ballkan, por ka krijuar gjithashtu varësi të thella ekonomike të vendeve pritëse ndaj saj, duke lidhur zhvillimin e tyre me interesat gjeopolitike të Pekinit.
Por, ndikimi kinez nuk ndalet në fushën e infrastrukturës. Në të njëjtën kohë, mediat e sponsorizuara nga shteti kinez, si CGTN dhe Xinhua, po ndërtojnë narrativa të reja që paraqesin modelin autoritar të Kinës si një alternativë më të “qëndrueshme” dhe “efikase” ndaj demokracisë liberale perëndimore. Nga ana tjetër, Rusia, përmes mediave të saj ndërkombëtare si RT (Russia Today) dhe Sputnik, ka ngritur një makineri të sofistikuar propagandistike që synon të minoj vlerat perëndimore dhe të përhapë dezinformata në rajonet më të cenueshme të botës, përfshirë edhe Ballkanin.
Kjo strategji që bazohet në kontrollin shtetëror dhe kufizimin e informacionit, është në kontrast të plotë me qasjen tradicionale amerikane, e cila historikisht ka mbështetur dhe promovuar median e lirë, pluralizmin dhe vlerat demokratike si mënyra kryesore për të zgjeruar ndikimin global. Ndërsa ShBA-të kanë përdorur fuqinë e tyre të butë për nxitjen dhe konsolidimin e sistemeve dhe vlerave demokratike, Kina e Rusia janë përqendruar në forcimin e ndikimit të tyre duke manipuluar opinionin publik përmes narrativave të kontrolluara dhe të centralizuara.
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga terreni i diplomacisë publike përmes mbylljes së këtyre instrumenteve është më shumë se një tërheqje taktike. Është një dorëzim i vetëdijshëm i hapësirës strategjike ndaj rivalëve gjeopolitikë. Në mungesë të zërit të Amerikës, boshllëku që krijohet do të mbushet shpejt nga propaganda e Moskës dhe Pekinit, të cilët tashmë kanë forcuar praninë e tyre në shumë rajone ku dikur ShBA-të kishin ndikim të pakontestueshëm. Megjithatë, ky dorëzim nuk do të ketë pasoja vetëm për imazhin e ShBA-së, por edhe për vetë arkitekturën globale të vlerave demokratike, e cila mund të cenohet në mënyrë të pakthyeshme nëse mbetet pa mbrojtësin e saj më të fuqishëm.
Efektet e ndërprerjes së fondeve në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor ku ShBA-të kanë investuar fuqishëm që nga fundi i luftërave të viteve të 90-ta, është një shembull i qartë i pasojave të menjëhershme të kësaj tërheqjeje. Që nga viti 2020 deri më sot, ShBA-të kanë ofruar rreth 1.7 miliardë dollarë ndihma në gjashtë vendet e rajonit, duke mbështetur reforma në drejtësi, zhvillim ekonomik dhe median e lirë. Pezullimi i menjëhershëm i këtyre projekteve ka dëmtuar rëndë shumë organizata që punojnë për të drejtat e njeriut, për pavarësinë e mediave, për luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e qeverisjes së mirë.
Në këtë kontekst, organizata si Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) është vetëm një nga shumë institucione në mbarë Ballkanin që është prekur rëndë nga shkurtimet e fondeve të USAID-it. Edhe në Shqipëri janë prekur shumë programe, siç është “Digjitalizimi dhe Rezistenca e Infrastrukturës Kritike të USAID-it (CIDR)”, që ofronte shërbime për testimin e shtrirjes së sigurisë kibernetike, apo edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), e cila që nga krijimi i saj kishte marrë mbështetje të fuqishme financiare dhe logjistike nga administrata amerikane.
Pasojat afatgjata të kësaj politike
Administrata e Presidentit Trump mundet që lehtësisht të justifikoj këto vendime si pjesë e një politike të brendshme fiskale. Por për politikën e jashtme amerikane ato janë një goditje me pasoja të rënda. Në një botë ku sfida e vërtetë është lufta për ndikim, fuqia e butë është më e rëndësishme se kurrë. Nëse ShBA-të heqin dorë nga ky rol, vendin e saj do ta zënë fuqi që nuk ndajnë të njëjtat interesa.
Dëmet e shkaktuara nga këto vendime mund të kenë pasoja që shtrihen shumë përtej mandatit të kësaj administrate. Transformimet e shpejta në sistemin ndërkombëtar, forcimi i ndikimit të regjimeve autoritare dhe dëmtimi i besueshmërisë së ShBA-së në skenën globale, mund të kërkojnë dekada për t’u riparuar, duke imponuar kështu nevojën për një strategji afatgjatë, koherente dhe të qëndrueshme për rindërtimin e aleancave dhe rivendosjen e besimit ndërkombëtar.