fbpx

Siguria absolute është një iluzion

Vesna Poposka

Politika

22.05.23

Прегледи
Katër të vërteta në lidhje me origjinën dhe natyrën e kërcënimeve hibride.

Termi kërcënim hibrid i referohet një lloji tjetër aktiviteti që planifikohet dhe koordinohet në mënyrë strategjike nën maskën e aktorëve shtetërorë ose jo shtetërorë, si një taktikë për të ushtruar ndikim në mënyrë që të sjellë ndryshim ose të shkaktojë dëm.

Duke vepruar kështu, "viktimë" mund të jetë çdo individ apo institucion me fuqi vendimmarrëse në nivel lokal, rajonal, shtetëror apo institucional. Veprime të tilla synojnë qëllimisht çdo sferë që është potencialisht e cenueshme, ose që përfaqëson një fushë potenciale për abuzimin e të drejtave dhe lirive qytetare.

E vërteta e parë: Kërcënimet hibride janë një realitet

Kërcënimet hibride dhe lufta hibride janë ndoshta shprehja mediatike më e eksploatuar në kohët e fundit, kryesisht në kontekstin e alarmeve të rreme për bomba.

Por pavarësisht "bombardimit" me informacione rreth alarmeve për bomba dhe ekspertizës së përgjithshme politike, asnjë informacion për kuptimin dhe substancën më të thellë nuk doli në sipërfaqe.

Megjithatë, pjesa më e madhe e asaj që trajtohet si një "kërcënim hibrid" nuk është aspak e re - por një strategji dhe taktikë e zbatuar në një mënyrë të re, ose siç ka thënë Clausewitz dy shekuj më parë: lufta ka një natyrë të ndryshueshme, por një karakter të përhershëm. Kërcënimet hibride në çdo kontekst marrin një formë dhe dimension të ri, veçanërisht për shkak të rritjes së digjitalizimit dhe varësisë që kemi nga shërbimet e internetit.

E vërteta e dytë: Kërcënimet hibride nuk janë asgjë e re

Në kuptimin më të ngushtë, kërcënimet hibride nënkuptojnë një grup të ndryshëm aktivitetesh joushtarake përmes të cilave arrihen qëllimet strategjike. Ato janë një kundërpeshë e kërcënimeve konvencionale, respektivisht kërcënimit nga përdorimi i forcës ushtarake.

Më shpesh, bartës janë shtetet, por ndonjëherë ato vijnë edhe nga aktorë joshtetërorë - grupe të ndryshme terroriste, shoqata kriminale, madje edhe haktivistë. Në një kontekst më të gjerë, termi kërcënime hibride sot i referohet kërcënimeve multimodale, me intensitet të ulët, kinetik, si dhe jokinetik që përfshijnë taktika të ndryshme: luftë kibernetike, skenarë konflikti asimetrik, terrorizëm global, pirateri, krim të organizuar transnacional.

Të njohura në Konceptin e Komandës Bistrategjike të NATO-s 2010, kërcënimet hibride përkufizohen si "ato të paraqitura nga kundërshtarët me aftësinë për të përdorur njëkohësisht mjete adaptive konvencionale dhe jokonvencionale me qëllim arritjen e objektivave të tyre". Termi "kërcënime hibride" përdoret si një "ombrellë" për të mbuluar një shumëllojshmëri të gjerë të formave emergjente të kërcënimeve të sigurisë që mund të vijnë nga aktorë shtetërorë ose jo shtetërorë, dhe si rezultat ekziston vështirësi e madhe në vërtetimin e atribuimit dhe përgjegjësisë.

Në praktikë, kërcënimet hibride janë një sërë operacionesh ndikimi përmes të cilave, nën maskën e demokracisë dhe hapësirës liberale, aktorë të ndryshëm malinj (kryesisht, por jo ekskluzivisht të huaj) arrijnë një qëllim strategjik në favor të tyre.

Ato synojnë gjithmonë arritjen e qëllimeve strategjike, dhe janë të sinkronizuara, domethënë, në këtë rast, telashet nuk vijnë kurrë vetëm, sepse bëhet fjalë për veprime të sinkronizuara që mund të kenë një qëllim specifik, si p.sh., ndryshimi i qeverisë së një vendi të caktuar, apo qëllimi i përgjithshëm për krijimin e panikut në mesin e popullsisë.

E vërteta e tretë: Pjesa ruse e rrëfimit është më e madhja

Zyrtarisht, kjo teori u lançua përmes të ashtuquajturës „Doktrina e Gerasimov-it" dhe i referohet, mbi të gjitha, operacioneve për arritjen e ndikimit përmes aktiviteteve informative, kulturore, humanitare, diplomatike dhe ekonomike. Këto përfshijnë lajme të rreme që ndikojnë në krijimin e opinionit publik, dhe në këtë kontekst edhe alarme të rreme për bomba që synojnë të ngjallin frikë dhe mosbesim.

Burimi: pixabay.com

Doktrina e Gerasimov përdoret më shpesh si një monedhë perëndimore, por ajo rrjedh nga një tekst i gjeneralit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, i botuar pikërisht në periudhën kur, dhjetë vjet më parë, marrëdhëniet ruso-ukrainase ishin mjaft të acaruara, gjë që u pasua më vonë me aneksimin e Krimesë.

Natyrisht, do të ishte e padrejtë që e gjithë barra e luftës hibride t'i atribuohej ekskluzivisht gjeneralit Gerasimov, sepse kjo doktrinë ka zhvillimin e saj historik si në politikën e jashtme ruse ashtu edhe në zhvillimin e shërbimeve të inteligjencës.

Shumë njerëz e konsiderojnë si një version të përmirësuar të "Doktrinës Primakov" me emrin e ish-ministrit të jashtëm dhe kryeministrit Yevgeny Primakov, i cili pohon se një botë unipolare e dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e papranueshme për Rusinë dhe ofron parimet e mëposhtme për ushtrimin e politikës së jastme ruse:

  • Rusia duhet të përpiqet për një botë shumëpolare që mund të kundërpeshojë fuqinë e njëanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
  • Rusia duhet të insistojë në primatin e saj në hapësirën post-sovjetike dhe të udhëheqë integrimin në atë rajon.
  • Rusia duhet të kundërshtojë zgjerimin e NATO-s.
 

Në dhjetë vitet e fundit u krijua përshtypja se kërcënimi nga Rusia bazohej ekskluzivisht në fuqinë e butë që do të realizohej përmes kërcënimeve hibride, por lufta me Ukrainën tregoi se, për fat të keq, ky nuk është i vetmi rrezik që vjen nga lindja - shkalla dhe shtrirja e operacioneve të luftës hibride ruse është zgjeruar me rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve ruse për të ashtuquajturën "fuqi e fortë", respektivisht armatimin dhe përdorimin e forcës.

Lufta Ruso-Gjeorgjiane

Rusia ka një histori të gjatë të operacioneve propagandistike dhe dezinformuese të klasifikuara sipas efekteve të tyre: informatike-teknik dhe të informacionit-psikologjike. Një pikë kthese e madhe për këto përpjekje ndodhi në vitin 2008, kur sulmet kibernetike pro-ruse ndodhën njëkohësisht me operacionet ushtarake ruse në Gjeorgji.

Të dyja palët garonin për të kontrolluar fluksin e informacionit që destinohej për komunitetin ndërkombëtar. Nga këndvështrimi i sotëm, publiku ekspert është pak a shumë dakord që Gjeorgjia e fitoi luftën e informacionit përmes fushatës së saj agresive duke përdorur dezinformimin dhe manipulimin mediatik, që në fakt paraqet një precedent mjaft të rrezikshëm për idenë e demokracisë, lirisë dhe vlerave liberale.

Përveç fushëbetejës, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe Francë janë një shembull eklatant i operacioneve për të ushtruar ndikim në proceset demokratike.

E vërteta e katërt: Askush nuk i ka mundur ende, por askush nuk është dorëzuar

Asnjë vend nuk është i imunizuar dhe nuk mund të thotë se është përballur me sukses me kërcënimet hibride sepse ato vetë po evoluojnë, kurse siguria absolute është një iluzion. Edhe vetë aleanca e NATO-s është objektiv i kërcënimeve të vazhdueshme të kësaj natyre dhe falë një shkrese të falsifikuar të Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg drejtuar ministrit lituanez të mbrojtjes, zbatimi i një stërvitjeje serioze ushtarake me forcat shumëkombëshe ishte kompromituar.

Është absolutisht e neveritshme dhe politikisht e papërgjegjshme të publikohen teza për suksesin e përballjes me kërcënime të tilla, për të fituar pikë politike, aq më tepër që një nga qëllimet e veprimit me kërcënime të tilla është ndërrimi i qeverive që kanë orientim properëndimor. gjeografikisht pjesë e një rajoni për të cilin narrativat ruse shprehin dëshirën për të ushtruar ndikim.

Në një komunikatë të përbashkët nga prilli i vitit 2016, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës trajtojnë kërcënimet hibride si prioritet kryesor dhe një nga hapat e parë, përveç identifikimit të rreziqeve dhe dobësive, është mbrojtja e infrastrukturës kritike.

Pikërisht për këtë arsye ligji i propozuar për infrastrukturën kritike, i cili është në procedurë e sipër, është një hap pozitiv, si hap i parë në ballafaqimin e organizuar të kërcënimeve hibride. Përgjigja në pyetjen se si të mposhten kërcënimet hibride është komplekse dhe e pashtershme, por sigurisht që përfshin ndërtimin e rezistencës, edukimin mediatik, profesionalizmin në shërbimet e sigurisë dhe krijimin e mekanizmave për ndërtimin e besimit në institucione.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Vesna Poposka

Doc. dr. Vesna Poposka është profesoreshë universitare, eksperte e pavarur dhe aktiviste shumëvjeçare. Ajo mbrojti disertacionin e doktoratës me titull "Aspektet juridike ndërkombëtare për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga kërcënimet moderne të sigurisë" në Akademinë Ushtarake në Shkup në vitin 2019. Ajo mban një diplomë Master në të Drejtën Ndërkombëtare nga Fakulteti Juridik "Justiniani i Parë" dhe është autore e disa punimeve shkencore dhe profesionale në fushën e saj. Ajo është një alumni e Shkollës së Politikës të Këshillit të Evropës. Ajo punon në Universitetin Ndërkombëtar Vizion që nga themelimi i tij në vitin 2015, ku në muajin mars 2021 u zgjodh Dekane e Fakultetit të Drejtësisë