fbpx

Solidariteti i LSDM-së “ra” për 78 për qind

Sonja Kramarska

Politika

09.06.23

Прегледи
Qeveria mundet sa të dojë të mbajë konferenca shtypi se "askush nuk do të mbetet i vetëm në këtë krizë" ose të ngrijë e shkrijë çmimet, kur për funksionarët mundësoi paga për shampanjë dhe havjar, kurse njeriu i zakonshëm që është formalisht në një vend nderi në filozofinë e saj socialdemokratike, është lënë mënjanë në margjina për të blerë mish dhe perime me gram.

“Mos dëgjoni çfarë them, por shikoni çfarë bëj”, thotë proverbi i famshëm që përshkruan në mënyrë të përsosur një nga lëvizjet e fundit të autoritetit gjyqësor-politik, me të cilin ata nderuan veten me paga hiç më pak se 78 për qind më të larta. Një rritje e tillë e menjëhershme e pagave nuk është shënuar në historinë e Maqedonisë dhe rrallë ka ndodhur në ndonjë vend tjetër.

Për më tepër, rritja e pagave të zyrtarëve po ndodh në kohën e një qeverie socialdemokrate, parimet e së cilës duhet të jenë drejtësia dhe solidariteti social, dhe në një kohë krize ekonomike për të cilën qeveria për muaj të tërë ka bërë apel për kursime kolektive.

Ky akt i paprecedentë pasoi Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 21 marsit të këtij viti për shfuqizimin e neneve 1 dhe 4 të Ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili në fakt në vitet e kaluara përcaktonte një shumë fikse që shërbente si bazë për përcaktimin e pagave të zyrtarëve.

Tani mbetet në fuqi neni 11 i të njëjtit ligj, në të cilin si bazë është marrë paga mesatare e paguar në vitin e fundit sipas Entit Shtetëror të Statistikave, e cila është dukshëm më e lartë se shuma fikse.

Sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, 1060 zyrtarë kanë marrë paga më të larta për 78 për qind. Ai vetë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se paga e tij, e cila ishte 71.145 denarë, tani është 125.960 denarë. Kjo media, duke iu referuar të dhënave nga institucionet zyrtare, krahas deklaratës së Besimit, ka bërë të ditur se paga e presidentit Pendarovski me rritjen e re është 164.817 denarë, e Kovaçevskit 156.482 denarë, kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi 166.207 denarë, Grubit 124.826 denarë, Bytyqit 127.111 denarë, Gërkovskës 129.396 denarë, Oliver Spasovskit 153.037 denarë, Mariçiqit 122.541, dhe Slavjanka Petrovskës 124.826 denarë.

Pagat e zyrtarëve llogariten sipas një koeficienti që varet nga pozicioni dhe varion nga 2.2 në 4.5. Shuma e pagës fitohet kur paga mesatare në vend për vitin e fundit kalendarik shumëzohet me një nga këta koeficientë.

Koeficienti më i lartë është 4.5 dhe sipas tij paga marrin kryetari i qeverisë, parlamentit dhe shtetit, për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese aplikohet koeficienti 4 (rritja e pagës prej 78 për qind vlen edhe për krijuesin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese) dhe ministrave, për deputetët në parlament, është sipas koeficientit 3,5 dhe paga e tyre tani është rreth 110.000 denarë. Për gjyqtarët dhe prokurorët llogaritet sipas koeficientit 2.8, ndërsa për kryetarët e komunave vlen koeficienti 2.7.

Është interesante se deri më tani asnjë nga të zgjedhurit dhe të emëruarit, përveç ministrit të Financave Besimi, nuk e ka treguar shumën e re të pagës që merr, ndonëse disa prej tyre iu është parashtruar kjo pyetje. Paga e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar është e dhënë publike sepse paguhet nga buxheti, pra nga paratë e taksapaguesve, por edhe pse Qeveria vazhdimisht e thekson transparencën e saj, të dhëna të tilla mungojnë në faqen e saj të internetit.

Media dhe publiku e nuk e pritën mirë lajmin për rritjen enorme të pagave. Qeveria vendosi të mbrojë veten se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është vepër penale dhe se rritja e pagave nuk do të jetë 78 për qind, si dhe se do të ndryshojë menjëherë Ligjin për pagat dhe madje do të ulë shuma e koeficientëve sipas të cilit llogaritet paga.

Në dy deklaratat e mëvonshme mes furtunës së emocioneve negative në opinion, kryeministri Kovaçevski tha se shuma e pagave të reja është “në pjesën më të madhe spekulim”, ndërsa shefi i shtetit Stevo Pendarovski tha se nëse atyre u rriten pagat për aq shumë “ata nuk e përballojnë dot t'u dalin para syve qytetarëve”. Por e gjithë kjo duket se është harruar pas pagave të reja tashmë të kredituara në llogaritë e zyrtarëve.

Mesazhe të rreme për drejtësi sociale

Megjithatë, ajo që ka mbetur jashtë diskutimeve të nxehta është tradhtia nga socialdemokratët ndaj parimeve mbi të cilat mbështetet platforma e tyre politike. Një nga ndryshimet thelbësore midis partive socialdemokrate dhe konservatorëve është se socialdemokratët kanë në platformën e tyre solidaritetin dhe barazinë dhe promovimin e drejtësisë sociale në ekonomitë me orientim kapitalist siç është ekonomia jonë. LSDM-ja i hodhi poshtë këto vlera dhe parime me të cilat e ka stolisur programin e saj partiak për dekada.

Ndonëse janë anëtarë të Partisë së Socialistëve Europianë dhe të Internacionales Socialiste, motoja e së cilës është “liri, drejtësi dhe solidaritet”, me lëvizjen për rritjen e pagave treguan se kjo moto nuk është më pjesë e politikës së tyre.

Kështu duhet të jetë edhe partia në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e cila në politikat e saj duhet të udhëhiqet pikërisht nga ai parim: mundësi të barabarta për të gjithë dhe solidaritet. Por LSDM-ja i hodhi poshtë këto vlera dhe parime me të cilat e ka stolisur programin e saj partiak për dekada. Ndonëse janë anëtarë të Partisë së Socialistëve Europianë dhe të Internacionales Socialiste, motoja e së cilës është “Liri, Drejtësi dhe Solidaritet”, kjo moto nuk është pjesë e politikës së socialdemokratëve prej kohësh.

Burimi: pixabay.com

Në programin e prezantuar nga kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, me zgjedhjen e tij në krye të partisë në pushtet, u gjetën dhe spikatën mesazhet e luftës për dinjitet, drejtësi, solidaritet dhe barazi. „Lëvizja jonë duhet të forcohet së pari në shtëpi në radhët tona, me qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile, me sindikatat, punëtorët, fermerët, profesorët, arsimtarët, të rinjtë, studentët”, deklaroi Kovaçevski me ardhjen e tij në fronin partiak.

Por tani kemi arritur në nivelin ku kemi punëtorë me pagë minimale prej 20.000 denarë dhe me pagë mesatare prej 35.000 denarë, pagë mesatare për fermerët (sipas statistikave) 28.000 denarë, në arsim 32.000 denarë, kurse studentët luftojnë për të marrë kompensimin për shujtën studentore prej 120 denarë në ditë, krahasuar me 1.500 deri në 2.000 - 2.600 euro me pagat e zyrtarëve.

Arroganca është edhe më e madhe sepse ndodh në një periudhë parazgjedhore kur zakonisht partitë politike janë të kujdesshme në lëvizjet që bëjnë, për të mos shkaktuar dënim dhe zemërim te votuesit.

Jo më pak befasues është fakti se Gjykata Kushtetuese, vendimet e së cilës priten shpesh edhe pas një viti, e përmbylli këtë çështje në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër: kërkesa u dorëzua në nëntor të vitit 2022 nga avokati i Shkupit, Bojan Stoevski, më 25 janar 2023 e njëjta tashmë ishte pranuar, kurse më 21 mars ishte miratuar vendimi për shfuqizim.

Për disa havjar, kurse për disa fasule

Në anën e kundërt të këtij kampi zyrtarësh të paguar mirë janë njerëzit që janë prekur keq nga kriza ekonomike dhe standardi i jetesës së të cilëve po përkeqësohet dita-ditës.

Edhe pse sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika (ESHS), paga mesatare neto në mars të këtij viti është rritur dhe arrin në 34.925 denarë, sindikatat reagojnë se mbi 90 për qind e të punësuarve në administratë ende marrin paga më të ulëta, të cilat janë mesatarisht më pak se 23.000 denarë. Ndërsa të ardhurat e mijëra punëtorëve janë në nivelin e pagës minimale.

Në shumë vende, sindikatat kolektivisht i përkasin partive socialdemokrate dhe socialiste për shkak të komponentit të tyre social të deklaruar në programe. Sindikatat këtu me të drejtë janë të indinjuar dhe nuk mund të zgjidhnin fjalë mjaft të ashpra dënimi për rritjen drastike të pagave të zyrtarëve në një kohë kur qeveria është në duart e socialdemokratëve.

Rreth 110.000 të punësuar në sektorin publik marrin pagë pothuajse sa paga minimale në vend, dhe pikërisht pagat e ulëta janë arsyeja kryesore që punëtorët të shkojnë jashtë vendit, tha kryetari i Sindikatës së UPOZ-it, Trpe Deanoski një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai thotë se pikërisht për shkak të inflacionit të lartë në vitin 2022, ka një rritje të pagës minimale prej 12.5%, por se kjo nuk do të përmirësojë situatën pasi që nga viti i kaluar ka pasur rritje të inflacionit.

Edhe pse Enti Shtetëror i Statistikave thotë se inflacioni është vetëm 14 për qind, të gjithë jemi dëshmitarë se çmimet e disa produkteve bazë jetësore në tregje janë rritur me mbi 100 për qind. Pra, rregullimi apo përafrimi i pagës minimale në shumë prej 2.107 denarë nuk do t'i ndihmojë askujt në vend, sepse shporta minimale e konsumit është mbi 50.000 denarë. Kjo do të thotë se do të mjaftojnë dy paga minimale e gjysmë për të ushqyer një familje katër anëtarëshe, pa makinë, sipas parametrave me të cilët llogaritet paga minimale.

Por këto përllogaritje të dëshpëruara duket se nuk i shqetësojnë zyrtarët. Ata mund të paketojnë me qetësi valixhet për pushime luksoze verore, ndërsa klasa punëtore dhe klasa e mesme kthimin e së cilës ata e paralajmëruan me aq pompozitet, që janë thelbi i platformës socialdemokrate - mbetën me gishtin në gojë. Dhe këtë mund ta themi në një mënyrë tjetër: elita socialdemokrate i tregoi gishtin e mesëm klasës qytetare.

Ndërkohë, shumë pikëpyetje vazhdojnë të shqetësojnë publikun për këtë truk politik të paprecedentë. A ka mundësi që Gjykata Kushtetuese të ketë marrë në mënyrë të pavarur një vendim të tillë, edhe pse për harabelat është e qartë se do të shkaktojë reagime negative në opinion? A ka mundësi që Gjykata Kushtetuese, e cila është pjesë e autoritetit gjyqësor, reputacioni i së cilës në shoqëri është pothuajse zero, për të cilin komuniteti ndërkombëtar i godet çdo ditë me një shuplakë organeve të drejtësisë, të ketë marrë një vendim objektiv, të paanshëm dhe profesional në rastin e pagave të personave të zgjedhur dhe emëruar (zyrtarëve)?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve i dimë të gjithë, por çfarë do të thoshin organet e drejtësisë kur “shkruajnë dhe fshijnë” vendime gjyqësore, nuk mund ta zbulojmë publikisht zinxhirin e provave.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Kramarska

Sonja Kramarska është gazetare, autore e disa fejtoneve dhe publikimeve të tjera, ish kryeredaktore e gazetës “Utrinski Vesnik” dhe e portalit NovaTV. Në karrierën e saj është vlerësuar me çmimin gazetare e vitit dhe çmimin më të lartë “Mito Haxhivasilev Jasmin”. Ajo ka kaluar një vit akademik në Universitetin e Oklahomas në SHBA si pjesë e programit për zhvillim profesional. Ajo ka punuar gjithashtu edhe si këshilltare për çështje politike dhe komunikim në kabinetin e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.