fbpx

Treni i fundit për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Hristijan Ilievski

Politika

19.07.21

Прегледи

Hristijan Ilievski

Hristijan Ilievski 400x500Optimizmi i qytetarëve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE po zvogëlohet në mënyrë drastike nga viti në vit. Ky është një tregues i mjaftueshëm që qytetarët nuk duan të presin më gjatë, se ata duan një fillim të shpejtë të negociatave dhe presin reforma të shpejta që do të jenë në dobinë e tyre.

Që nga pavarësia e saj e deri më sot, dy qëllimet kryesore strategjike të Maqedonisë janë anëtarësimi i plotë në NATO dhe BE. Anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut u rrumbullakësua në vitin 2020 me mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë përkatës. Sa i përket pjesës me BE-në, mund të konkludohet se në vitet e fundit, të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë të një ngadalësimi të procesit të integrimit evropian në rajon, megjithëse u bënë kompromise të mëdha që arritën kulmin me marrëveshjet midis Shkupit dhe Athinës në mesin e vitit 2018 , dhe më parë midis Shkupit dhe Sofjes në verën e vitit 2017, të cilat kontribuan në prishjen e besueshmërisë së Bashkimit Evropian, reduktimin e ndikimit të tij dhe zbehjen e perspektivës evropiane në sytë e qytetarëve të vendeve të rajonit.

Ka disa arsye pse fokusi i Bashkimit Evropian për cak kohë nuk ka qenë në zgjerimin. Duhet të theksohet se për një kohë të gjatë Bashkimi Evropian ka qenë/është ende i preokupuar me vetveten:

Brexit

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja ishte një ndryshim tektonik në funksionimin e Bashkimit sa i përket ekonomisë së saj, buxhetit, rregullimit të marrëdhënieve BE-Mbretëri e Bashkuar pas Brexit, regjimit të vizave, kufirit midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut dhe një numër ngjarjesh të tjera që kërkuan vëmendje. Si pasojë, vetë fakti që një nga anëtarët më të fuqishëm të BE-së vendosi të largohej nga Bashkimi ishte një goditje e madhe për të gjithë mbështetësit e zgjerimit të cilët kishin mbetur me më pak argumente në mëngë, pasi vendet kandidate mund të demotivoheshin më tej nga fakti se një një shtet anëtar me ndikim nuk e sheh më të ardhmen e saj brenda Bashkimit, dhe kështu edhe BE-ja mund të mos ishte më aq tërheqëse në sytë e vendeve aspirante të Ballkanit. I gjithë procesi i zbatimit të Brexit ishte i mundimshëm dhe u bënë shumë përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare midis të dy palëve, e cila kontribuoi që BE-ja të mos ishte në gjendje të përqendrohej plotësisht në rajonin tonë.

Lodhja nga zgjerimi

Me kalimin e kohës, bëhet gjithnjë e më e vështirë për një vend kandidat të bëhet një anëtare e plotë, kurse kushtet dhe kriteret bëhen më të rrepta. Vetë fakti që Bashkimi Evropian ka 27 anëtarë, dhe secili vend ka interesat e veta, tregon se është shumë e vështirë për të gjithë BE-në të ketë një qëndrim unanim për çështje të caktuara kryesore pa pasur ndonjë shtet të vetëm anëtar që do të ishte kundër. Ne e dimë këtë në dekadën e kaluar në lidhje me mosmarrëveshjen me Greqinë, e cila ishte një frenim për integrimin evropian të Maqedonisë nga viti 2008 deri në vitin 2018, dhe tani kemi një shembull tjetër konkret me Bullgarinë që konteston historinë dhe gjuhën, megjithëse ato nuk janë dhe nuk duhet të jenë kritere për anëtarësimin në BE. Bullgaria konsiderohet si vendi anëtar më i korruptuar sipas raportit të Transparency International , i cili i bën vendet e BE-së edhe më skeptike për zgjerimin sepse ata nuk do të dëshironin të përballonin anëtarë të rinj në të ardhmen të cilët nuk janë plotësisht të përgatitur për të qenë pjesë e Bashkimit dhe njëherësh të jenë në gjendje të (keq)përdorin veton. Për më tepër, vërejtjet që i ka BE-ja për vendet e saj anëtare të kahershme si Polonia dhe Hungaria në lidhje me shtetin e së drejtës dhe korrupsionin janë një argument plotësues në favor të skeptikëve të zgjerimit. Le të mos harrojmë edhe bllokimin e buxhetit të BE-së nga të njëjtat dy vende, i cili krijoi dhimbje dhe frustrime shtesë në Bruksel.

Franca

Franca kishte shumë vërejtje në lidhje me vetë procesin e negociatave midis vendeve kandidate dhe Bashkimit Evropian. Me iniciativën e Francës, procesi i zgjerimit u vonua për pak kohë në mënyrë që të lejohej një ndryshim në metodologjinë e negociatave. Procesi, sipas metodologjisë së re, u bë i kthyeshëm, që do të thotë se megjithëse plotësoni një kriter të caktuar, nëse për ca kohë keni një prapambetje në zbatimin e reformave të nevojshme, shumë lehtë mund të ktheheni në procesin e negociatave dhe të rinegocioni kapituj që i keni kaluar tashmë. Ky instrument lejon që të ketë një të ashtuquajtur presion pozitiv mbi vendet kandidate që të mos ketë ngecje dhe për të vazhduar zbatimin aktiv të reformave në vend.

Evropskata perspektiva na Makedonija vo cajtnotBurimi: mkd.mk

Përveç kësaj, Kancelarja gjermane Angela Merkel po tërhiqet nga politika këtë vjeshtë, duke i hapur dyert Presidentit Francez Emmanuel Macron për të imponuar vizionin e tij për Evropën dhe zgjerimin, dhe ai të jetë figura për të diktuar ritmin dhe dinamikën e gjërave, si drejtuesi/frontmeni i mundshëm i saj në të ardhmen.

KOVID-19

Pandemia që ka përfshirë tërë botën ka ndikuar padyshim në ndryshimin e prioriteteve të secilit prej nesh, ashtu edhe BE-së. Në plan të parë doli në pah nevoja për të kanalizuar të gjitha burimet e nevojshme për të mbështetur shëndetësinë, ekonominë dhe digjitalizimin. I gjithë fokusi ishte përqendruar në sigurimin e kushteve më të mira të mundshme në institucionet e kujdesit shëndetësor, krijimin e vaksinave dhe fillimin e imunizimit masiv në kohën më të shkurtër të mundshme, ruajtjen e numrit sa më të madh të vendeve të punës, ruajtjen e bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha, reformat urgjente në sistemet arsimore, etj. Mundësia dhe shanset që BE-ja të mund të përfshihej në mënyrë aktive në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor u zvogëluan, por patjetër që pati shumë përpjekje, veçanërisht gjatë presidencës gjermane në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Tranzicioni i pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Përveç Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetësi dhe promovuesi më i madh i integrimit euro-atlantik të rajonit. Në veçanti, në periudhën nëntor 2020 - janar 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në të ashtuquajturin tranzicion të pushtetit pas zgjedhjes së Presidentit të ri Xho Bajden (Joe Biden), kurse emërimi i pozicioneve në administratën e SHBA-ve u bë në periudhën janar-prill të këtij viti. Në këtë periudhë 5-mujore, një angazhim i fortë nga Shtetet e Bashkuara nuk mund të pritej sepse ekipi që do t'i kushtohej politikës së jashtme nuk ishte formuar ende plotësisht. Ajo që kemi parë që nga prilli i këtij viti është një angazhim vërtet i intensifikuar i mbështetjes dhe sinjaleve pozitive nga Uashingtoni në lidhje me fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë në mënyrë aktive me vendin tonë dhe ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbështetjes së ekonomisë - sektorët kryesorë në negociatat me BE-në.

Kur tashmë i dimë arsyet e ngadalësimit të procesit të integrimit evropian, duhet të përmendim gjithashtu cilat do të ishin pasojat e dëmshme nëse vazhdon të ngadalësohet, respektivisht pse është e nevojshme të fillojnë menjëherë negociatat me BE për Shkupin dhe Tiranën. 

Demotivimi shtesë për Maqedoninë dhe Shqipërinë do të nënkuptojë demotivim që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë të bëjnë përpjekje më intensive për të zgjidhur mosmarrëveshjen që kanë, dhe kjo do të kontribuonte në një humbje të plotë të ndikimit dhe legjitimitetit të BE-së në Ballkan, duke hapur një vakum për ndikimin e fuqive të treta me interesa në kundërshtim me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Për më tepër, humbja e perspektivës dhe narrativës së anëtarësimit të plotë në Bashkim një ditë do të nënkuptojë destabilizim të mundshëm të rajonit mbi bazën e etno-nacionalizmit, të cilin e shohim përmes prezantimit të non-papers të ndryshëm, me shumë gjasë të prodhuara në kuzhinat e faktorëve të tretë që duan destabilizimin e këtyre zonave. SHBA-të ishin të qarta se rajoni duhet të jetë i qëndrueshëm, i prosperuar, me një vizion të qartë për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike dhe se duhet të ketë një klimë pozitive dhe marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkan, e jo një ndryshim të kufijve.

Deri më tani shumë kohë ka humbur dhe nëse marrim parasysh përqindjen e qytetarëve që mendojnë se vendi do të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit brenda 5 viteve, do të shohim që optimizmi po ulet në mënyrë drastike nga viti në vit. Ky është një tregues i mjaftueshëm se ne jemi në të ashtuquajturin tren të fundit të integrimit evropian, respektivisht që qytetarët nuk duan të presin më shumë, se ata duan një fillim të shpejtë të negociatave dhe presin reforma të shpejta që do t'u sjellin atyre dobi. Sfida me të cilën përballet Maqedonia, e cila është mosmarrëveshja bilaterale me Bullgarinë fqinje, është kritikuar ashpër nga shumë udhëheqës evropianë dhe botërorë të cilët besojnë se çështjet historike nuk duhet të përfshihen në kornizën e negociatave sepse ato nuk janë një kriter për anëtarësimin, gjegjësisht duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale.

Për më tepër, nëse historia do të ngrihej në piedestal si një kriter po aq i rëndësishëm sa kriteret e Kopenhagës, ka shumë të ngjarë të kishte një efekt domino në procesin e negociatave, posaçërisht për vendet e Ballkanit, ku të gjithë do të kërkonin koncesione historike dhe do të impononin versionin e vet të historisë mbi atë të një vendi tjetër. Rajoni do të hynte në grindje dhe përleshje të panevojshme dhe primitive në vend që të përqendrohej në kritere reale siç janë: luftimi i korrupsionit, ofrimi i drejtësisë, paga më të larta dhe një standard ekonomik.

Realiteti është se Sofja ka një qeveri zyrtare (të përkohshme) që nuk ka shumë pushtet dhe prandaj pritjet nuk duhet të rriten shumë, dhe duke pasur parasysh rezultatet e ngushta të zgjedhjeve të 11 korrikut, është mjaft e sigurt që Bullgaria do të ketë një qeveri teknike të paktën deri në nëntor dhe se një zgjidhje e mundshme duhet të kërkohet pas formimit të një qeverie të qëndrueshme, mbase pas disa zgjedhjeve të treta parlamentare të këtij viti. Presioni pozitiv nga Uashingtoni dhe qendrat evropiane për gjetjen e një zgjidhje pritet të vazhdojë.

Se çfarë do të jetë rezultati, do ta mësojmë për një periudhë të shkurtër kohore.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Hristijan Ilievski

Hristijan Ilievski është ambasadori i ri i GLOBSEC për Ballkanin Perëndimor.