fbpx

Ambla e vogël dhe mesazhi i madh që ajo transmeton – inkluzioni përballë iluzionit

Ivan Durgutov

Arsimi

14.02.22

Прегледи

Nëse të drejtat e njeriut dhe trajtimi i qytetarëve të margjinalizuar janë një provë e arritjeve civilizuese të një komuniteti të vogël, e vogla në moshë por e madhe në shpirt Ambla, na dëshmoi edhe një herë se si shoqëri dështojmë atëherë kur duhet të tregohemi më së shumti.

Dora e zgjatur simbolikisht nga Presidenti, pavarësisht se është një akt i njëhershëm çasti, megjithatë nënkupton një gjest që aludon dhe çon në një mesazh që do të jetë i fuqishëm vetëm nëse e dërgojmë të gjithë së bashku - një "po" të madhe për përfshirje të vërtetë dhe një "jo" me zë të lartë për iluzion. E bukura e jetës është në diversitetin dhe brezave që do të vijnë, ne jemi të detyruar moralisht, minimalisht, të sigurojmë jetë në një mjedis që do të respektojë dallimet që ekzistojnë mbi çdo bazë mes nesh si bashkëqytetarë.

Nëse të drejtat e njeriut dhe trajtimi i qytetarëve të margjinalizuar janë një provë e arritjeve civilizuese të një komuniteti të vogël, e vogla në moshë por e madhe në shpirt Ambla, na dëshmoi edhe një herë se si shoqëri dështojmë atëherë kur duhet të tregohemi më së shumti. Mosmarrëveshja mes vetëqeverisjes lokale nga njëra anë dhe organizatave joqeveritare dhe të prekurve drejtpërdrejt, prindërve të vajzës, nga ana tjetër, tregon edhe më shumë se si kolektiv nuk mund të ndërtojmë një qëndrim konsensual për çështjet me vlerë, që janë më të cenueshme për disa nga bashkëqytetarët tanë.

Një fillim i turpshëm i vitit shkollor

Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të këtij viti 2021/22 për nxënësit dhe stafin mësimdhënës, përveç vonesës për dhjetë ditë për shkak të pikut të valës omikron të koronavirusit, u shënua edhe me një ngjarje tejet të pakëndshme. Është dita që për një moment arriti të na bëjë të vetëdijshëm se shoqëria maqedonase po “vuan” edhe nga shumë gjëra të tjera, përveç infeksionit viral që ka tre vite që po përhapet në vendin tonë, por edhe në botë. Pikërisht në qytetin e Gostivarit, i cili ndër të tjera është një mjedis në të cilin është i pranishëm diversiteti gjuhësor, ku do të dëgjoni maqedonisht, shqip, turqisht e madje edhe një gjuhë tjetër, ishim dëshmitarë të një ngjarjeje zhgënjyese, përmes së cilës në mënyrë famëkeqe mësuam për një vajzë të quajtur Ambla.

Është vajza me sindromën Down ajo që ashtu si edhe prindërit e saj prej disa kohësh ndjejnë në lëkurën e tyre stereotipet e popullatës në këtë zonë. Por, jo vetëm kaq, ata kanë mbajtur mbi supe për një kohë të gjatë mosgatishmërinë e autoriteteve - ministrisë përkatëse, inspektorëve të arsimit, zyrtarëve të arsimit, drejtorive komunale të arsimit, drejtorëve të shkollave, për të zbatuar atë që aq shumë deklarativisht e mbrojnë dhe ofrojnë si një mjedis të shëndetshëm dhe të pranueshëm për rritjen dhe zhvillimin e të gjithë fëmijëve.

Që ironia të jetë edhe më e madhe, ngjarja zë vend dhe zhvillohet brenda sistemit të arsimit fillor. Ajo që është faza e parë e arsimit dhe mosha shkollore që të gjithë ekspertët e arsimit thonë se është shtylla e ndërtimit të njohurive, por edhe sistemi i vlerave të individëve. Klasat tetëvjeçare maqedonase prej kohësh janë bërë nëntëvjeçare, përmes tyre dëgjuam për programin e Kembrixhit i cili nuk ishte saktësisht nga Kembrixhi, për herë të fundit dëgjuam një debat rreth pikëpamjeve të kundërta për tekstet e shkruara kundrejt teksteve digjitale, por ajo që dëgjojmë dhe lexojmë shumë pak është se çfarë pikëpamjesh vlerësojnë, cilës matricë dhe sa mendjehapur janë për nxënësit tanë të shkollës fillore. Sikur të kemi harruar që shkollat ​​janë institucione edukativo-arsimore, jo vetëm arsimore, dhe përveç teorisë së zhveshur, nxënësit duhet të fitojnë edhe aftësi jetësore dhe një mënyrë të menduari që do t'i bëjë ata tolerantë, miqësorë dhe të hapur ndaj njerëzve që me cilëndo karakteristikë dallojnë prej tyre.

Është koha për shkolla të vërteta të shekullit të 21-të

Ambla, për fat të keq, shkruan një histori të re të trishtuar për sa i përket asaj se sa si komunitet jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të tjerë të ndryshëm nga ne, në radhë të parë brenda shkollave. Nxënësja dhe trajtimi i saj në shkollën e Gostivarit, në mënyrë më plastike tregoi dhe nxori në pah të gjitha mangësitë që sistemi ynë arsimor në vazhdimësi dhe pandërprerje vazhdon të prodhojë.

Koha në të cilën jetojmë në një mënyrë shumë të qartë tërheq një trajektore në të cilën njohuritë teorike tejkalohen shpejt dhe vjetërohen, kurse aftësitë praktike, të buta dhe sociale marrin shumë më tepër në vlerë dhe bëhen prioritet. Në të njëjtën kohë, ndërsa ne si shoqëri pothuajse kemi hiperinflacion të masterave dhe doktorëve të shkencave, vërejmë një rritje të përqindjes së njerëzve me arsim të lartë në strukturën e përgjithshme të popullsisë, padyshim që do të dështojmë në testet bazë që joformalisht duhet t'i kalojmë. Këto janë testet jashtë tavolinave shkollore që bëhen në emër të humanizmit, solidaritetit, përfshirjes së të tjerëve. Në këtë fushë, qytetarët dhe autoritetet maqedonase, së bashku, kurrë nuk duhet të ndalojnë së “ngecuri prapa” botës moderne dhe gjithmonë të përfshihen dhe të jenë në hap me trendet moderne.

Burimi: pretsedatel.mk

Në të njëjtën kohë, në anën tjetër të botës, për shembull, të gjitha universitetet që konkurrojnë për renditje të larta në listat prestigjioze, bëjnë çmos për të përfshirë diversitetin në gamën më të gjerë, njerëz me zhvillim tipik dhe atipik, me këtë apo atë origjinë gjeografike, me një ose një status tjetër shoqëror. Përkundrazi, peticioni dhe peripecitë përreth, përveçse tregojnë një interpretim të përgjithshëm të kushteve shëndetësore dhe prioritete të përcaktuara gabimisht brenda prindërimit, tregojnë edhe mënyrën se si ne të gjithë mendojmë dhe flasim për njerëzit atipikë. Aty ku duhet të luftojmë më shumë për ndryshim, pra në arsim, këto ditë kemi parë një foto që nuk duket aspak një foto e një formati të denjë të një shkolle që përpiqet të jetë një shkollë e shekullit të ri.

Kur mungon presioni publik, institucionet heshtin

Jetët e njerëzve me zhvillim atipik përballen veçanërisht me sfida të panumërta. Rasti i fundit i Amblës së vogël tregon një gjendje tjetër alarmante, për të cilën shpesh edhe nuk jemi të vetëdijshëm. Është ndjesia që për të sensibilizuar publikun dhe shtetin, për të marrë mbështetjen e tyre që gjithsesi duhet t'ju jepet, megjithëse në fakt thuhet se institucionet duhet të funksionojnë më mirë kur qytetarët nuk dinë për këtë, ne në kontekstin maqedonas, thjesht jemi të dënuar të "ekranizojmë" jetën tonë të përditshme.

Në fakt, për të arritur përmbushjen e disa prej të drejtave të tyre më elementare njerëzore, siç është e drejta për arsimim, në një vend ku arsimi fillor dhe madje edhe i mesëm është i domosdoshëm me ligj, ata domosdoshmërisht duhet të shoqërojnë jetën e tyre me mediat. Ata duhet të lejojnë publikun e gjerë të shikojë në intimitetin e tyre dhe vetëm atëherë institucionet kompetente mund të dalin nga ambientet e tyre komode të zyrave dhe të shohin se sa përfshirja e deklaruar nga shteti është në të vërtetë (jo) funksionale në terren dhe jashtë zonës së rehatisë së sallave të bukura plenare dhe të konferencave.

Situata nga fillimi i këtij muaji, përsëri ekspozoi në shesh qartë të gjitha anomalitë sistemike dhe paralajmëron fuqishëm se mund të shfrytëzojmë mundësinë e mbetur për të rishqyrtuar rolin e institucioneve, prindërve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave në procesin arsimor. Këta të fundit, si të parët në radhë mes të barabartëve, ka ardhur koha të kuptojnë dhe të mbajnë përgjegjësinë e tyre objektive për traumat e tilla që përjetojnë fëmijët e pafajshëm.

A do të vazhdojë që çdo mrekulli të zgjasë tre ditë?

Efektet anësore të konstatuara në edukimin e të rinjve në Maqedoni, të cilat janë të dukshme edhe nga shumë këndvështrime të tjera, qofshin ato vlerësime të vazhdueshme të ulëta të universiteteve vendase apo rezultatet nën mesatare të nxënësve maqedonas sipas testeve PISA, konfirmojnë tezën se shumë nga reformat e mëparshme arsimore ishin më shumë deforma se sa reforma. Këto ndryshime thjesht nuk ia arritën qëllimit dhe nuk na afruan realisht aty ku synojmë të arrijmë - një sistem edukimi të përshtatshëm për shekullin në të cilin jetojmë dhe punojmë. Ndonëse, të mos harrojmë se përfshirja (inkluzioni) në arsimin maqedonas ka filluar më shumë se 20 vjet më parë, por rezultatet mungojnë.

Një shkollë padyshim nuk e meriton të quhet shkolla fillore “Edinstvo-Bashkimi”, kur në vepër tregon se si duket përçarja dhe mosbashkimi. Reagimet e disa institucioneve kompetente, edhe pse zakonisht vijnë post-festum siç dihet tashmë, janë ende të mirëseardhura, përfshirë zërat apo reagimet e Avokatit të Popullit, Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Kabineti i Presidentit të shtetit. Kujtojmë se roli i atij që na pëlqen ta quajmë baba i kombit qëndron pikërisht në atë, që të veprojë për të bashkuar qytetarët, për të kapërcyer dallimet ekzistuese dhe për të jetuar me njëri-tjetrin, në vend të njëri-tjetrit.

Nuk janë më pak të vlefshëm personat me gjendje zhvillimore dhe psiko-fizike apo fizionomi të ndryshme nga e jona. Shumë prej tyre janë kolegë tanë sot në vendin e punës, disa prej tyre kanë qenë kolegë tanë në bankat e shkollës dhe universitetit në të kaluarën, dhe është e jona se sa kemi arritur t'u afrohemi atyre. Paragjykimet e rrënjosura, stereotipet dhe mitet kanë qenë një luftë e lodhshme për çdo shoqëri progresive, por nuk janë një mision i pamundur nëse ka një vendosmëri në institucionet kompetente, por edhe te njeriu i zakonshëm për të njohur të ndryshmet në dukje dhe për të hapur mendjet e tyre.

Bindja se mendja është si një parashutë dhe funksionon më mirë kur është e hapur, çon në faktin se është koha e duhur, që secili prej nesh, të paktën në botën tonë mikro, të fillojë të promovojë përfshirjen (inkluzionin), në vend të përjashtimit, të shndërrohet gradualisht në adhurues dhe admirues të vërtetë të diversitetit. Në fund të fundit, le të pranojmë dhe të biem dakord se individët me aftësi të kufizuara, individët me zhvillim jotipik, nuk e meritojnë të izolohen dhe bojkotohen, sepse, në fakt, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa mund të kërkohet në një vend të denjë - një shans për mundësi të barabarta për fillim dhe trajtim.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Ivan Durgutov

Ivan Durgutov ka mbaruar masterin në shkencat juridike në Fakultetin e Drejtësisë "Justiniani i Parë " në Universitetin "Shën Cirili dhe Metodij" në Shkup. Specialiteti i tij është e drejta penale, dhe veçanërisht çështjet e të drejtave të njeriut, me fokus në gjuhën e urrejtjes dhe krimin në bazë të urrejtjes. Ai është një anëtar aktiv dhe pjesë e menaxhimit të Shoqatës Evropiane të Studentëve të Drejtësisë (ELSA) - Republika e Maqedonisë.