fbpx

Gjuha dhe letërsia maqedonase – trashëgimi jetësore e Koneski-t

Sveto Toevski

Arsimi

22.03.21

Прегледи

Sveto Toevski

goran janev 400 500

Në një kohë kur mohohet ekzistenca e gjuhës dhe identitetit maqedonas, është thelbësore që reformat në Fakultetin Filologjik të kryhen në një mënyrë që të mundësojë dhe inkurajojë ruajtjen, e jo shuarjen e tyre.

Në fund të muajit shkurt, në opinionin publik bënë jehonë paralajmërimet e Akademikut Ljupço Kocarev, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, se në këtë vit të 100-të të lindjes së Koneskit "po përgatiten reforma në Fakultetin Filologjik, që mban emrin e Bllazhe Koneskit ... me të cilat do të pushojnë së ekzistuari katedrat për gjuhë dhe letërsi maqedonase". Ai gjithashtu deklaroi se "po fshihet gjithçka që mban një emër maqedonas, po shkatërrohen studimet e gjuhës maqedonase në Fakultetin Filologjik." Kocarev kishte theksuar, se kjo do të ndodhte nëse realizohej programi i propozuar i punës së dekanes aktuale të Fakultetit Filologjik, prof. Dr. Aneta Duçevska.

Pikëpamjet e Kocarev hasën në reagime. Dekania Aneta Duçevska, 15 profesorë dhe personeli tjetër mësimdhënës i fakultetit u deklaruan përmes një „komunikate publike“. Sipas tyre, "pretendimet për heqjen e mundshme të Katedrës për gjuhë maqedonase" paraqesin "të pavërteta dhe manipulime të plota". Në këtë komunikatë, ata shprehin "bindjen e vendosur se në Fakultetin Filologjik 'Bllazhe Koneski' nuk ka dhe kurrë nuk ka pasur një ide për mbylljen e katedrës për gjuhë maqedonase dhe letërsi maqedonase".

Para se Kocarev të deklarohej, paraprakisht me një qëndrim të tillë kishte dalë edhe profesoresha universitare Jasna Koteska e cila kishte thënë se do të mbyllen katedrat për gjuhë maqedonase dhe për letërsi maqedonase pranë fakultetit të lartpërmendur, kurse Simona Gruevska-Maxhovska nga Instituti i Gjuhës Maqedonase në reagimin e saj publik theksoi: "Vetëm një i verbër nuk mund ta shikojë se me ristrukturimin e ri, katedrat NUK ekzistojnë."

Kush ka të drejtë?

Atëherë, parashtrohet pyetja: kush ka të drejtë në këtë situatë kur, nga njëra anë, Kocarev, Koteska dhe Gruevska-Maxhovska tregojnë se katedrat për gjuhë dhe letërsi maqedonase në Fakultetin Filologjik "Bllazhe Koneski" do të shuhen në strukturën e re të këtij institucioni arsimor, dhe, nga ana tjetër, dekania, profesorët dhe personeli tjetër mësimdhënës i fakultetit që pretendojnë të kundërtën?

Zhvillimet aktuale me pandeminë dhe zhvillimet e tjera socio-politike në Maqedoni duket se i larguan përkohësisht pikëpamjet e të dy palëve nga fokusi i vëmendjes së publikut. Megjithatë, shënimi i një shekulli që nga lindja e gjigantit nga Nebregova, i cili do të zhvillohet gjatë gjithë vitit 2021, "mbajnë" ende të hapur temën e reformave enigmatike të Fakultetit Filologjik. Për më tepër, 19 dhjetori, dita kur lindi Koneski, është përfshirë edhe në listën e përvjetorëve të rëndësishëm të UNESCO-s, të cilët do të festohen/shënohen këtë vit.

Çfarë është qëllimi i programit të propozuar të punës?

„Programi i punës së dekanes së Fakultetit Filologjik" (për periudhën mandatuese 15.9.2020 - 14.9.2023) është paraqitur që në datën 9.4.2020. Programi paraqet propozimin për "grupe të reja, të rimenduara studimi me një model të mundshëm strukturor" dhe paragrafin vijues: "... në ekzistencën e tij për gati 75 vjet, Fakulteti Filologjik identifikohet përmes katedrave - bartëse të gjuhëve, letërsive dhe kulturave kombëtare, e që është koha për t'i ndryshuar në identifikim përmes fushave në të cilat ai punon: gjuhët e aplikuara, gjuhësia, letërsia, metodika dhe didaktika, traduktologjia (shkenca e përkthimit).

Askund në këtë version të programit nuk përmenden termat "gjuhë maqedonase" dhe "letërsi maqedonase", as ekzistenca aktualisht e "Katedrës për gjuhë maqedonase dhe gjuhëve sllave të jugut" dhe "Katedrës për letërsi maqedonase dhe letërsive sllave të jugut". Gjithashtu, pa një etiketim të njëjtë kombëtar, figurojnë edhe katedrat e tilla për gjuhën shqipe, turke, rumune, gjermane, angleze.

Lindin dy pyetje. A do të zhduket me të vërtetë komponenti identifikues maqedonas në Fakultetin Filologjik? A ka ndonjë qëllim apo jo, që të zhduket mbiemri "maqedonas" në këtë fakultet? Në lidhje me këtë ka deklarata kundërthënëse, kurse përgjigja e kësaj pyetje është e rëndësishme duke pasur parasysh se Fakulteti Filologjik, por edhe Universiteti "Sh. Qirili dhe Metodi" dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë janë themeluar, në fakt, me qëllimin parësor të edukimit dhe promovimit të gjuhës dhe letërsisë maqedonase.

Makedonskiot jazik i makedonskata knizevnost zivotno nasledstvo na KoneskiBurimi: makfax.com.mk
Fakulteti Filologjik duhet të mbetet një fidanishte e kuadrove maqedonas

Autori i kësaj analize blog-u konsideron se programi i propozuar për reformë dhe prezantimin e një strukture të re në fakultet është në kundërshtim me atë që kanë bërë Bllazhe Koneski dhe themeluesit e tjerë të Fakultetit Filologjik - ngritja e gjuhës maqedonase në nivelin e gjuhës kombëtare të popullit maqedonas dhe prezantimin e gjuhës dhe letërsisë maqedonase për herë të parë në sferën akademike dhe shkencore, menjëherë pas çlirimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky program është gjithashtu në kundërshtim me pozicionin thelbësor të deklaruar në faqen e internetit të fakultetit: "Aktiviteti i tij i përgjithshëm në fushën e filologjisë dhe kulturës lidhet ngushtë me identitetin kombëtar." Në vend që të kontribuojë për identitetin kombëtar maqedonas, në vend që të identifikohet me gjuhën dhe letërsinë maqedonase, i cili është një domosdoshmëri e interesit më të lartë shtetëror-kombëtar për popullin maqedonas, një Fakultet Filologjik i tillë "i ristrukturuar dhe demaqedonizuar", do të duhej të identifikohet me gjuhë të zbatuara të përgjithësuara, me literaturë të përgjithësuar. Që nga fillimi, Katedra për gjuhë maqedonase ka fituar rolin e një fidanishteje kuadrosh, të cilët do të kontribuonin për studimet e gjuhës maqedonase dhe afirmimin e gjuhës maqedonase në botë.

Bllazhe Koneski, në një seri deklaratash të tij, kishte thënë se që në vitet e para ishte menduar që studentët të përfshiheshin në punën shkencore të Fakultetit, në mënyrë që secili prej tyre me tezën e tij të diplomës "të përpunuar më seriozisht" të japë "madje edhe një kontribut të vogël për gjuhën maqedonase". Katedra e gjuhës maqedonase menjëherë pas themelimit të saj kishte filluar edhe me aktivitetet për afirmimin dhe studimin e gjerë ndërkombëtarisht të gjuhës maqedonase.

Në lidhje me këtë, Koneski në një seri deklaratash kishte thënë: "... që nga viti 1950 ... ne kemi vendosur të lidhemi me botën, dua të them studimet sllave, specialitetin tonë. Ndër të parët ishte Rexhinald De Brej (Reginald De Bray), atëkohë profesor nga Londra ... ai përfshiu gjuhën maqedonase në librin e tij për gjuhët sllave, i cili u bë standard për universitetet anglo-amerikane. ... Horast Lant, një profesor në Universitetin e Harvardit ... po mblidhte materiale për Gramatikën e tij të gjuhës letrare maqedonase. "Së shpejti, Gramatika u shtyp".

Me aspirata të tilla, me kontributin e tij të çmuar për gjuhën maqedonase, Koneski u vu re shumë herët dhe shumë më gjerë sesa në Maqedoninë e tij të lindjes, në të gjithë botën shkencore sllave dhe gjuhësore në planet. Në veprën e tij „Studime të maqedonistikës“, Viktor Fridman (Victor Friedman), profesor i gjuhësisë-maqedonist në Universitetin e Çikagos në Shtetet e Bashkuara, shkruan se "ky kontribut do ta veçojë qysh në vitin 1964 nga Edvard Stankieviç (Edward Stankievich), profesor i Departamentit të Gjuhëve dhe Letërsive Sllave në Universitetin e Çikagos duke rekomanduar që Koneski-t t'i jepet titulli 'Doktor Nderi i Shkencave Humane’: ai vendosi standardet për një gjuhë letrare të ekuilibruar dhe të sofistikuar gjuhësisht për bashkatdhetarët e tij, të cilëve deri atëherë u ishte thënë se ishin bullgarë, serbë etj. ... ".

Kur propozimi për dhënien e një doktorate të tillë nderi u miratua nga Këshilli i Universitetit të Çikagos më 1 dhjetor 1967, në ceremeoninë e ndarjes së diplomave, Stankievich paraqiti Bllazhe Koneskin me këto fjalë: "Maqedonia, djepi i shkrim-leximit dhe civilizimit sllav, madje në shekullin tonë ka parë ringjalljen e statusit të saj nga një gjuhë popullore, në statusin e një gjuhe standarde. Shfaqja dramatike e gjuhës maqedonase si një mjet ndihmës dhe fleksibil letrar i adresohet kryesisht arritjeve të Bllazhe Koneskit ... "

Gjuha maqedonase si mjet i fuqishëm i të shprehurit kombëtar

Duke iu referuar "drejtimeve të karrierës monumentale të Bllazhe Koneskit", Kristina Kramer (Christina Kramer), profesoreshë e gjuhësisë në Universitetin e Torontos, Kanada, në artikullin e saj "Ligjërata e Bllazhe Koneskit në vitin 1945", për gjigantin nga Nebregova do të thoshte se "kontributet e tij si një gjuhëtar, shkencëtar dhe shkrimtar, rrënjësisht kanë formësuar zhvillimin e gjuhës maqedonase dhe kahjen e poezisë maqedonase.

Pikërisht që gjuha maqedonase të vazhdojë të luajë rolin e saj si një "mjet i fuqishëm për të shprehurit kombëtar dhe letrar", kaq e nevojshme sidomos në këto kohë kur përsëri mohohet ekzistenca e gjuhës dhe identitetit maqedonas, çdo reformë e nevojshme dhe ristrukturimi i Fakultetit Filologjik do të duhet të kryhet në mënyrë të tillë që gjuha maqedonase dhe letërsia maqedonase të marrin trajtimin më të lartë shtetëror-kombëtar dhe të mos zhduken eventualisht, ose të "shkrihen strukturalisht" në reformat e propozuara tashmë të fakultetit.

Fakultet të veçantë në nder të Koneski-t

Bllazhe Koneski krijoi krijimtarinë e tij si një lloj "mesazhi gjuhësor", me mesazhe testamentale për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm për të marrë gjuhën amtare si një kujdes kolektiv, për ta mbrojtur atë nga çdo rrezik dhe për të kontribuar në mënyrë krijuese në zhvillimin e saj. Prandaj, autori i këtij teksti beson se do të ishte e dobishme për punën dhe personalitetin e Koneski-t që për herë të parë të themelohet një Fakultet i veçantë dhe i ndarë për gjuhën dhe letërsinë maqedonase nën emrin e tij, kurse katedrat e tjera të vazhdonin të ekzistonin si pjesë e Fakultetit Filologjik, duke marrë një emër tjetër, të gjigantit të dytë të madh të gjuhës maqedonase - "Kërste Misirkov".

Fakulteti i veçantë për gjuhën maqedonase, natyrisht, duke kaluar procedurat e parashikuara të akreditimit, etj., do të kishte si bërthamë themelore katedrën e gjuhës maqedonase dhe katedrën e letërsisë maqedonase, por gjithashtu edhe programe studimi (ose njëashtu katedra) për gjuhësinë e aplikuar të gjuhës maqedonase, antropologjinë gjuhësore dhe gjuhësinë antropologjike të gjuhës maqedonase, gjuhën maqedonase në komunikimet publike.

Një fakultet i tillë do të ishte një shtyllë e gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas, sepse stimulimi i interesit për të studiuar tek të rinjtë, për kërkime shkencore, për afirmimin dhe kujdesin e asaj gjuhe - maqedonase, si dhe për kërkime shkencore dhe promovim ndërkombëtar dhe mbrojtja e atij identiteti - maqedonas do të ngriteshin në një rang shumë më të lartë shtetëror, në një përmasë shumë më të madhe sesa tani.

Sidoqoftë, në momentin e caktuar shoqëror në Maqedoni, do të ishte e mjaftueshme që në fazën e parë të ristrukturohen si katedra të veçanta për gjuhën maqedonase dhe letërsinë maqedonase, kurse gjuhët sllave të jugut të transferohen në katedra të ndara. madje edhe në një klimë shoqërore dukshëm të ndryshme, në kushtet e qeverisjes së shtetit të Maqedonisë nga një garniturë tjetër politike, dhe me mbështetjen e vetë gjuhëtarëve - maqedonistë, mund të pritet fillimi i themelimit të Fakultetit të veçantë për gjuhë maqedonase dhe letërsi maqedonase.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sveto Toevski

Sveto Toevski është student doktorature për lingustikë dhe ka përfunduar masterin për shkenca politike, është analist i pavarur politik dhe studiues shumëvjeçar në gjuhësi dhe në shkencat politike.