Të rinjtë po largohen nga Maqedonia, kurse masat e marra për të parandaluar largimin e tyre nuk janë të plota. Shoqëria po ndryshon shumë shpejt dhe institucionet dhe shteti duhet të reagojnë edhe më shpejt për të mbajtur të rinjtë të mos largohen.
“Mund të themi lirisht se disa nga profesionet e së ardhmes, “falë” pandemisë, brenda natës u bënë profesione të së tashmes”, fillon rezymeja e politikave (policy brief) të Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike – IDUEP, kushtuar të ardhmes së profesioneve.
Përmbledhja vë në dukje disa gjëra kyçe që mund të përdoren për të ndalur migrimin e fuqisë punëtore nga shteti, kurse zgjidhjet e propozuara duhet të merren seriozisht dhe të jenë një mundësi për të kapërcyer problemet, por edhe për të realizuar hulumtime më të thella për të pasur një qasje më të besueshme për trajtimin e këtij problemi.
Të rinjtë në kufijtë e varfërisë
Bazuar në hulumtimet e kryera më parë, përmbledhja e politikave si pjesë e projektit „Çfarë duan të rinjtë - Profesionet e së ardhmes kërkojnë njohuri dhe aftësi sot“ të IDUEP-së, përmban një sërë rekomandimesh për përmirësimin e situatës me tregun e punës, me qëllim për të zbuluar dhe zbatuar aktivitete specifike për të përmbushur nevojat e të rinjve. Dokumenti në vetvete fillon nga disa kushte tashmë të identifikuara:
- Çdo i katërti person i ri ballafaqohet me varfërinë
- Papunësia afatgjatë ndikon në humbjen e aftësive dhe dijeve
- Ligji i Marrëdhënieve të Punës nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk i përgjigjet nevojave moderne të tregut dhe asaj që të rinjtë më së shumti kërkojnë në vendin e punës.
- Pandemia kontribuoi në ndryshime drastike të tregut të punës
Papunësia është përgjysmuar nga viti 2017 deri më sot, nga 52.3 për qind në 28.3, por kjo nuk e ka ndryshuar faktin që shumë të rinj janë në prag të varfërisë.
Krahas kësaj, me ndryshimet e papritura që ndodhën gjatë krizës së Covid 19, është krijuar një hapësirë boshe që duhet plotësuar nga njëra anë, duke përshtatur arsimin, duke hapur mundësi për përmirësim dhe rikualifikim dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet ndërmarrjeve dhe institucioneve arsimore dhe, nga ana tjetër, përshtatja e kushteve të punës në interes të të rinjve në aspektin e mjedisit të punës, ndryshimit të ligjit dhe lehtësimet tatimore.
Të rinjtë motivohen nga puna që nuk është e lidhur me një vend dhe kërkojnë orar fleksibël të punës dhe uljen e taksës për të ashtuquajturit "freelancer" në 0 për qind, ashtu siç kishte premtuar qeveria për vitin 2023, duke pasur parasysh interesin në rritje mes të rinjve që punojnë nga shtëpia, pra një vend pune që nuk është i lidhur me një zyrë dhe tavolinë fizike.
Burimi: pexels.com
Këto pak aspekte janë me interes të madh për të rinjtë. Me ndryshimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, do të mundësohet legalizimi i orarit fleksibël të punës dhe rregullimi i punës nga shtëpia, por nga informacionet e deritanishme, në ndryshimet e Ligjit për momentin do të gjendet vetëm orari fleksibël i punës.
Papunësia afatgjatë, krahas një sërë problematikash që mund të krijojë për të rinjtë, kontribuon në humbjen e aftësive dhe njohurive. Sa më gjatë që i riu të jetë jashtë procesit të punës, aq më shumë humbet përvojën, aftësitë dhe njohuritë që ka përvetësuar, kurse motivimi ulet dita ditës.
Papunësia krijon probleme të mëdha për të rinjtë, si rënia e produktivitetit, diçka që ishte konstatuar nga Hulumtimi i tendencave të të rinjve, dhe akoma më shqetësuese, njohuritë dhe aftësitë duket se po avullohen te të rinjtë kur ata janë joaktivë për një kohë të gjatë në aspektin e angazhimit me punë.
Hulumtimi i IDUEP-it konstaton një tjetër gjë që tashmë është e njohur gjerësisht tek të rinjtë dhe qytetarët. Këto janë kushtet e punës, rrethanat e vendit të punës dhe çdo gjë që ndikon në ditën e punës së të riut. Mungesa e vendit të punës dhe e të ardhurave nuk janë gjithmonë arsyet e vetme të largimit.
Sistemi shëndetësor i zhvilluar jo mjaftueshëm, korrupsioni dhe (mos)mbrojtja e mjedisit, siç thuhet në hulumtimin e IDUEP, janë disa nga fushat që ndikojnë drejtpërdrejt tek të rinjtë që të mendojnë për largim nga vendi. Pra, qasja për zgjidhjen e problemit të migrimit duhet të jetë shumë më e gjerë sesa vetë situata ekonomike.
Falë hulumtimit të përmendur dhe të dhënave të marra, Qeveria tani ka një gamë të gjerë informacioni në planifikimin e mëtejshëm për të adresuar problemin e migrimit. Qeveria duhet të vazhdojë me kërkime speciale për të rinjtë dhe përfundimet e nxjerra t'i zbatojë menjëherë në praktikë.
Nëse këtyre të dhënave, gjetjeve dhe rekomandimeve nga projekti IDUEP i shtojmë edhe gjetjet e përmbledhjes së politikave të Unionit Rinor – Krushevë „Mekanizmat e qëndrueshëm për pjesëmarrje rinore: Rinia përtej politikave rinore!“, do të kemi një pasqyrë më të plotë se si dhe nga ku të fillohet me zgjidhjen e këtij problemi.
Përmbledhja e fundit e politikave e organizatës Unioni Rinor - Krushevë është gjithashtu e besueshme sepse merr parasysh të dhënat zyrtare nga shteti, përdor të dhënat nga hulumtimet e veta dhe vë në funksion përvojën e saj 24 vjeçare në punën me të rinjtë.
Të rinjtë – të harruar nga institucionet
Mosbesimi ndaj institucioneve, përfshirja e pamjaftueshme, mosdëgjimi i kërkesave të të rinjve nga institucionet dhe vënia e të rinjve në plan të dytë. Konsultimi me të rinjtë nuk planifikohet strategjikisht dhe zbatohet rrallë, kurse në përballimin e pasojave të pandemisë Covid 19, të rinjtë u harruan.
Këto janë pjesë e gjetjeve të organizatës, e cila thekson se ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të rinjtë, gjegjësisht hulumtimi kushtuar të rinjve nuk është i ndarë nga pjesa tjetër. Unioni Rinor - Krushevë thekson disa trende pozitive siç është ulja e papunësisë afatgjatë për 6 për qind dhe progresi në pjesëmarrjen ekonomike të të rinjve.
Futja e orarit fleksibël të punës, legalizimi dhe heqja e tatimit mbi të ardhurat për "freelancer-ët", zbatimi i një procesi rikualifikimi, stimujt shtesë për hapjen dhe komunikimin intensiv midis sektorit të arsimit, tregut të punës, organizatave rinore dhe shtetit janë një fillim i mirë për të dalë në ndihmë të rinjve dhe nevojave të tyre.
Institucionet në nivel shtetëror dhe vendor duhet të mundësojnë përfshirje më të madhe të të rinjve në punën e tyre, të rrisin investimet në arsim dhe të inkurajojnë pjesëmarrjen në procesin e prodhimit.
Planifikimi strategjik për të rinjtë është i domosdoshëm. Ata kanë nevoja që kanë ndryshuar në mënyrë drastike me pandeminë, dhe tregu i punës po evoluon kaq shpejt sa kërkon një përgjigje që do të jetë fleksibël, jo e ngurtë. Nëse duam të reduktojmë migracionin, duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë të rinjve dhe në bazë të të dhënave që disponojmë duhet të ndërtohen politika, të ndryshohen ligjet, të përshtatet sektori privat, kurse sektori i arsimit dhe kompanitë duhet të jenë partnerë të përhershëm.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.