Tamara Qupeva
Post-Kovid shkolla është e ardhmja që po na ndodh tani. Vetëm për një çast ajo solli me vete sfidat më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi në këtë shekull. Nuk ka një model unik për siguri dhe mësuarje të plotë, por ka arsye për një qasje aktive ndaj të gjitha problemeve.
Efektet afatgjata nga Kovid - pandemia ende janë të panjohura, por përvojat nga pandemitë e ngjashme konfirmojnë se ato do të jenë të përhershme. Kriza ka sjellë pasoja për gjendjen socio-ekonomike, emocionale dhe mendore të komuniteteve të tëra. Statistikat ekonomike, megjithatë, tashmë i regjistruan humbjet e mëdha në ekonomi, madje edhe në vendet më të zhvilluara.
Në raportin e vet, duke përdorur të dhënat nga 157 vende, Banka Botërore konfirmoi që niveli global i cilësisë së arsimit të fëmijëve do të bjerë. Me mbylljen e shkollave, më të goditur do të jenë vendet me zhvillim të ulët dhe me zhvillim të mesëm, ku priten skenare pesimiste dhe rënie e shumë parametrave të vlerës. Kuptohet, nëse problemet nuk parandalohen dhe, veçanërisht, pasojat e këtij procesi.
Të gjitha këto gjendje i alarmojnë qeveritë t'i qasen krijimit të strategjive për mësimin efektiv në distance, duke përdorur zgjedhje (solucione) shumëpalëshe arsimore, siç janë: televizioni, instrumentet mobile / dixhitale, plan-programet mësimore (kurikula), print-materialet për mbështetje të prindërve dhe mësimdhënsve, trajnime për mësimdhënie dixhitale dhe mbështetje profesionale të mësuesve.
Hapja e kujdesshme e shkollave
Të ballafaquar me një gjendje e cila mund të zgjatë më shumë se pritej, një pjesë e madhe e vendeve kanë filluar hapjen e shkollave. Deri më tani më shumë se 70 vende njoftuan për planet për kthimin e fëmijëve në shkollë, duke nxjerrë në pah disa skenarë që do të aktivizohen në rast të ndryshimit eventual të gjendjes shëndetësore në vendin përkatës. Organizimi i procesit rezultoi të ishte një sfidë shumë komplekse dhe e vështirë, por duke i përdorur resurset (burimet) e shteteve të zhvilluara, për momentin, ata mbajnë një farë vazhdimësie. Në ato modele (prania fizike, mësimdhënie e kombinuar, etj.), theksi u vu në zhvillimin e aspekteve psiko-sociale dhe shoqërore të mësimdhënies dhe mbështetjen emocionale dhe mendore të fëmijëve dhe prindërve .
Qasja për hapjen e shkollave në vendet e zhvilluara u krijua si një model fleksibël i të mësuarit , me kombinimin e modeleve - të mësuarit nga shtëpia dhe të mësuarit me praninë fizike. Të gjitha këto qasje ishin planifikuar me kujdes me protokolet përkatëse, me plane, me kërkesa të sigurisë, me organizimin e lëvizjes, me transformimin e hapësirës dhe me procedura sanitare.
Sidoqoftë, u konfirmua se ky grup i masave komplekse nuk mund të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet, për shkak të dallimeve të mëdha në infrastrukturë, kushtet ekonomike dhe veçanërisht, në vetëdijen kolektive, kulturën dhe raportin ndaj ballafaqimit dhe trajtimit me infektimin.
Nëse planet krahasohen për hapjen e shkollave në vendet e rajonit (Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Serbia) dhe në të gjithë botën, pothuajse nuk ekziston asnjë vend i cili në nivel kombëtar e ka miratuar plotësisht modelin e mësuarjes në distancë në mënyrë të barabartë për të gjitha gjeneratat e nxënësve. Në të gjitha planet kombëtare, theksohet problemi me pamundësinë për të integruar të gjithë fëmijët në procesin e plotë të on-line mësimit, por edhe ndryshimet dhe prioritetet për zhvillimin e fëmijëve të moshave të ndryshme. Secili prej vendeve fillon nga statistikat shëndetësore të vendit dhe mbi këtë bazë hapja e shkollave bëhet pjesërisht, sipas rajoneve dhe sipas numrit të të infektuarve. E gjithë kjo mbështetet me respektimin e të drejtave ndërkombëtare të fëmijëve për siguri dhe shëndet, por, gjithsesi, edhe në lidhje me një qasje të barabartë në arsim.
UNESKO, UNICEF dhe Banka Botërore njoftuan se hapja e shkollave duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe të vazhdueshme në secilin vend, por sipas kushteve dhe përgjigjes së vendit ndaj koronavirusit. Vendimet merren nga qeveritë kombëtare , në koordinim me institucionet vendore, por edhe të vetë shkollave sipas kushteve dhe numrit të nxënësve.
Maqedonia Veriore në hartën globale
Në nivel global, rikthimi në shkollë do të jetë i ndryshëm dhe i paarsyeshëm, mbasi pritet që ato të mbyllen përkohësisht për shkak të ndryshimeve të kushteve dhe numrit të personave të infektuar. Pandemia ka krijuar një situatë e cila vazhdimisht po ndryshon, prandaj, strategjitë për arsimin shkollor pritet të jenë fleksibile dhe të gatshme për përshtatje të shpejtë.
Burimi: samoprasaj.mk
Sipas statistikave shëndetësore, deri më 11 gusht, vendi ynë ishte në vendin e 11-të në listen evropiane sipas numrit të të infektuarëve në 100,000 banorë. Para vendit tone janë vendet si Belgjika, në vendin e shtatë dhe Suedia, në vendin e tretë. Këto vende i hapin shkollat me një program të plotë parandalimi dhe në drejtim të kthimit të fëmijëve në hapësirën fizike të arsimit. Kjo na çon drejt faktit se investimet afatgjata në vendin tone, në një lloj dhe vëllim të tillë – nuk arritën që të sigurojnë kushte për zbatimin (implementimin) e masave.
Për nxënësit dhe vendin në përgjithësi, ky është një tregues se do të përballemi me një rritje të të ashtuquajturës "Varfëri arsimore" (rritja e varfërisë në kapacitetin për mësuarje dhe dituri). Me rritjen e analfabetizmit, rritet në mënyrë proporcionale dhe zbrapsje të zhvillimit të vendit në të gjitha nivelet.
Mësimi në distancë është një privilegj e familjeve dhe grupeve më të përgatitur ekonomikisht dhe hap një hendek të madh dhe probleme serioze për fëmijët që do të mbeten të paintegruar në sistemin arsimor dhe social. Prandaj, në marrjen e vendimeve, duhet të niset edhe nga ky fakt.
Me këtë model dhe me infrastrukture të tillë do të kulmohet pabarazia. Pas përfitimeve të mësimit në distancë (on-line mësuarje), në margjinat shoqërore do të mbeten shumë grupe sociale të fëmijëve që nuk kanë kushte për përfshirje aktive në këtë proces. Arsyet janë të natyrës teknike, sociale dhe psikologjike: nga mungesa e internet–konekcionit, mungesës së pajisjeve teknike në shtëpi (desktop / laptop), pastaj ndryshimet në mbështetjen psikologjike dhe emocionale gjatë mësuarjes, kushtet familjare (struktura e hapësirës në shtëpi, familja me vëllanë / motrën, më shumë gjenerata në shtëpi, prind vetushqyes, etj.))
Edhe më shqetësuese është gjendja me përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, mbasi për ata, pikërisht socializimi fizik është parakushti më i rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e tyre. Ky nuk është vetëm problemi ynë , kombëtar, ky është një problem global, me të cilin përballen edhe shumë vende më të zhvilluara. Dallimi është vetëm në pasojat.
Duke marrë parasysh gjendjen aktuale, arsimi në Maqedoni tani është para zgjedhjes së dëmit më të vogël. Mbështetja kombëtare (materiale-teknike dhe psikologjike) për familjet, nxënësit dhe mësimdhënësit do të jetë e domosdoshme dhe urgjente. Çdo subjekt duhet të tregojë përgjegjësi personale dhe shoqërore dhe vetëdije më të gjerë për ekzistimin e grupeve të ndryshme sociale në shoqëri .
Shkolla e së ardhmes
Post-kovid shkolla në plan të parë e vendosi nevojën për një qasje të individualizuar ndaj secilit fëmijë, mbasi që në këtë proces të komunikimit, tashmë janë përfshirë edhe shumë elemente të tjerë (struktura e shtëpisë, ambienti social, aftësitë personale të komunikimit për interakcion (ndërveprim) në internet, menaxhimi i kohës dhe punës, ekzekutimi i njëkohshëm i disa operacioneve, shkrim-leximi dixhital, gatishmëria psikologjike e mësimdhënësve për ndërveprim publik "para kamerës" etj.) Klasa virtuale bëhet hapsira elementare e komunikimit dhe një platformë multimediale për mësuarje të dixhitalizuar.
Klasa tradicionale duhet patjetër të vazhdojë të jetojë, por plotësisht e transformuar (shndërruar) në një hapësirë krijuese për një zhvillim fizik, social dhe psikologjik të fëmijëve. Pandemia në këtë kuptim, vetëm e përshpejtoi procesin e ri-strukturimit të modelit klasik të klasës, duke u dhënë hapësirë modeleve të reja, krijuese.
Post - Kovid shkolla është e ardhmja që po na ndodh tani. Vetëm për një çast, ajo i solli me vete sfidat më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi në këtë shekull. Nuk ka një model unik për siguri dhe mësuarje të plotë, por ka arsye për një qasje aktive ndaj të gjitha problemeve.
Tashmë është e qartë se në këtë normalitet të ri, modeli i vjetër i sistemit arsimor bëhet i paqëndrueshëm. Kreativiteti dhe diversiteti në qasje duhet të jenë veglat bazike të "shkollës të së ardhmes", kurse barazia dhe gjithëpërfshirja (inkluziviteti) janë prioritetet kryesore të saj.
Një ditë, pandemia do të marrë fund. Do të mbeten mundësitë dhe përvojat e vlefshme për krijimin e një shoqërie më të mirë dhe një jetë më cilësore për një zhvillim të shëndetshëm të gjeneratave të reja të fëmijëve.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni apo shkarkoni
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose të dhuruesit.