fbpx

E diela si ditë jopune – lëshime dhe zbrazëtira ligjore

Mimoza Bogatinova-Kuzmanovski

E Vërteta

08.11.22

Прегледи

Mund të vërehet se një numër i madh i kompanive dhe dyqaneve nuk punojnë të dielave, por a i ka mbuluar zgjidhja ligjore të gjitha aspektet dhe a i ka vënë të gjithë punëtorët në pozitë të barabartë?

Pas gati dy vitesh nga iniciativa e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, janë bërë ndryshime në aktet ligjore të cilat duhej të mundësojnë që e diela të jetë ditë jopune për punëtorët.

Mund të vërehet se një numër i madh i kompanive dhe dyqaneve nuk punojnë të dielave, por a i ka mbuluar zgjidhja ligjore të gjitha aspektet dhe a i ka vënë të gjithë punëtorët në pozitë të barabartë?

Pushimi javor si e drejtë e një punonjësi përpara miratimit të ndryshimeve

Ligji i Marrëdhënieve të Punës para ndryshimeve parashikonte që një ditë pushimi javor ishte dita e diel ose një ditë tjetër e javës, gjë që u jepte punëdhënësve mundësinë dhe të drejtën të organizonin orarin e punës prej 40 orë në javë në çdo ditë të javës.

Kjo do të thotë që për disa punonjës, java e punës mund të zgjaste, për shembull, nga dita e mërkurë deri të dielën, kurse e hëna dhe e marta të jenë ditët e tyre të pushimit. Gjithashtu, ekzistonte edhe mundësia që punonjësi të punojë 6 ditë në javë, ku numri i orëve si orar i rregullt i punës të ishte gjithsej 40 orë.

Çfarë ndodhi pas ndryshimeve ligjore në muajin dhjetor 2021?

Ndryshimet në lidhje me të dielën si ditë jopune janë miratuar në dhjetor të vitit 2021, duke hyrë në fuqi nga 1 janari 2022 në dy ligje dhe një akt nënligjor, përkatësisht: Ligjin për marrëdhëniet e punës, Ligjin për tregtinë dhe Rregulloren për përcaktimin e veprimtarive ndihmëse ose të shoqëruara të veprimtarisë parësore të punëdhënësit dhe përcaktimi i vendeve të punës në veprimtari që kanë karakter të veprimtarive ndihmëse dhe shoqëruese të veprimtarisë parësore të punëdhënësit.

Në këtë mënyrë, e diela u bë ditë jopune për numrin më të madh të punëtorëve në vend, me përjashtim të atyre vendeve të punës ku nuk mund të ndërpritet procesi i punës.

Përjashtim bën edhe rasti i një aksidenti natyror ose tjetër ose prishjeje dhe rastet e parandalimit të pasojave ose kur një aksident i tillë pritet të ndodhë, kur me kërkesë punëtori është i detyruar të punojë edhe të dielave.

Këtu filluan problemet, të cilat lidhen me disa aspekte.

Paqartësi në dispozitat ligjore - pse dikujt i lejohet e dikujt nuk i lejohet të punojë të dielave?

Një shembull konkret i tregtarëve që lejohen të punojnë të dielave janë qendrat tregtare (Mall) dhe të gjitha dyqanet në përbërje të tyre. Megjithatë, nuk mund të punojnë dyqane me pakicë që shesin rroba, ushqime dhe lloje tjera mallrash, që nuk përbëjnë pjesë të një qendre tregtare (Mall).

Prandaj lind pyetja, pse lejohet të funksionojë një dyqan veshjesh në një qendër tregtare, por jo një dyqan veshjesh që nuk ndodhet në një qendër tregtare?

Lejohet funksionimi i dyqaneve për tregti me pakicë të ushqimeve (pa perime dhe fruta), pije dhe duhan në të cilat tregtia kryhet personalisht vetëm nga pronari i dyqanit. Pse dikush që është pronar dhe punonjës nuk lejohet të punojë në dyqanin e tij të veshjeve, kurse pronari i një dyqani ushqimor lejohet?

Më tej, lejohet të ushtrohen aktivitete për përgatitjen e ushqimeve dhe shërbimin e ushqimit, por nuk lejohet të punojnë kafe-baret që realizojnë fitime të larta gjatë fundjavës. Kjo ndoshta mund të jetë bazuar në faktin se ushqimi është një nevojë elementare e njeriut, por vizita në një restorant në vendin tonë nuk konsiderohet shpenzim i domosdoshëm, madje nuk përfshihet si artikull financiar në llogaritjen e shportës minimale të sindikatës.

Bukëpjekësit që prodhojnë bukë dhe ëmbëlsira, të dielave lejohen vetëm të pjekin, por nuk lejohen të shesin, sepse aktiviteti që lejohet të punojë të dielën është prodhimi i bukës, ëmbëlsirave dhe biskotave të freskëta dhe këto aktivitete nuk janë të regjistruar në atë veprimtari.

Burimi: pexels.com

Të dielave lejohet të funksionojnë tregjet e gjelbra dhe tregjet e luleve, por nuk është saktësuar qartë nëse lejohen edhe dyqanet që ndodhen direkt pranë tregjeve?

Në të shumtën e rasteve ato dyqane që shesin ushqime, produkte higjienike, veshje etj. janë pikërisht pranë tregjeve dhe xhiron më të madhe e realizojnë në orarin e punës së tregjeve, madje edhe orari i tyre i punës është i përshtatur në atë mënyrë. Dhe duke parë ndryshimet ligjore, pasi nga aspekti i vendndodhjes ato dyqane nuk ndodhen në tregjet e gjelbra, nuk lejohen të punojnë të dielave.

Të dielave lejohen të punojnë fotografët, por jo parukierët dhe grimerët, ndonëse dihet se festat dhe dasmat organizohen kryesisht gjatë fundjavës dhe në ditë jo pune.

Punëdhënësit që mund të punojnë të dielave sipas të dy ligjeve kanë detyrime të ndryshme

Punëdhënësi që lejohet të punojë të dielave duhet ta raportojë këtë në Inspektoratin Shtetëror të Punës. Mirëpo, punëdhënësi i cili i lejohet të punojë të dielave në pajtim me Ligjin për tregti, duhet të raportojë orarin e punës edhe në Regjistrin Qendror, nëse deri më tani nuk i është raportuar dhe vendimin t'ia dorëzojë Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës. Pse?

Sepse qendrat tregtare dhe pikat e karburantit (pa të ardhurat nga shitja e derivateve të naftës) do t'i paguajnë shtetit 2% të të ardhurave të realizuara ditën e diel.

Punëdhënësit të cilët lejohen të punojnë sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, nuk e kanë një obligim të tillë.

Kompensim i pabarabartë që punonjësit duhet të marrin për punën e tyre të dielave

Punonjësit që do të punojnë të dielave duhet të marrin kompensim shtesë. Por ky kompensim nuk është i paraparë në të njëjtën masë sipas të dy ligjeve.

Një punonjësi që punon të dielën duhet t'i jepet edhe një ditë tjetër pushim javor.

Kështu, punonjësi që do të punojë të dielën sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës duhet të marrë një kompensim shtesë në pagë që është së paku 50% për çdo orë të kaluar në punë, përveç nëse me ligj dhe kontratë kolektive nuk është përcaktuar një shumë më e lartë e kompensimit.

Ndërsa sipas Ligjit për Tregti, punonjësi që do të punojë të dielën duhet të marrë një kompensim shtesë në pagë që është të paktën 100%, për çdo orë të kaluar në punë.

Ai mund të paguhet më shumë se sa i është përcaktuar, por nuk është e obligueshme.

Mbi çfarë baze dikush që punon të dielave, për shembull në një barnatore që nuk ndodhet në një qendër tregtare, do të marrë 50% më shumë të mëditjes ditore, kurse dikush që punon në një dyqan rrobash në një qendër tregtare do të marrë 100% më shumë se sa mëditja ditore?

Dhe ai që do të punojë në një barnatore jashtë qendrës tregtare, a do të marrë të njëjtin kompensim si ai që do të punojë në një barnatore në një qendër tregtare? Cila është arsyeja që puna të vlerësohet ndryshe në këtë rast? A është kjo një diskriminim mbi të drejtat e punës?

A ka ndryshuar diçka pas më pak se një viti nga zbatimi i dispozitave?

Me hyrjen në fuqi të dispozitave për të dielën si ditë jopune, punëdhënësit e hutuar filluan të kërkonin mendime nga konsulentët dhe institucionet se në cilën kategori subjektesh bëjnë pjesë dhe nëse lejohen të punojnë fare.

Disa punëdhënës (si për shembull kafe-baret) ende punojnë të dielave bazuar në opinionet e brendshme të institucioneve kompetente që nuk janë publikuar askund në mënyrë publike. Pati edhe polemika rreth punës në vendet turistike, pas së cilës u publikua një listë për të mbuluar vendet turistike dhe më vonë ajo dispozitë madje edhe u ridefinua.

Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi, Ligji për Tregti pësoi plotësime dhe ndryshime në pjesën e dispozitave që rregullonin punën të dielave, por të cilat nuk zgjidhën shumë dilema.

Çfarë më pas?

Ideja që e diela të jetë një ditë jo pune për punëtorët, padyshim që i vendos të gjithë punëtorët në pozitë të barabartë. Megjithatë, është e qartë se zgjidhja ligjore për momentin nuk është më e përshtatshme, gjë që çon në diskriminim jo vetëm të punëtorëve që ushtrojnë të drejtat e tyre të punës, por edhe të personave juridikë që operojnë dhe veprojnë në tregun e lirë.

Në këtë moment do të ishte i domosdoshëm rregullimi i sërishëm i akteve ligjore me fokus rishikimin dhe përcaktimin e saktë të subjekteve që lejohen të punojnë të dielave, si dhe unifikimin e kompensimit minimal që duhet të marrë punonjësi që punon të dielave, e më pas për t'iu qasur zbatimit dhe kontrolleve të rregullta nga inspektorë të trajnuar mirë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Mimoza Bogatinova-Kuzmanovski

Mimoza Bogatinova-Kuzmanovski është ekonomiste e diplomuar (drejtimi i kontabilitetit dhe auditimit), kontabiliste e certifikuar dhe konsulente ekonomike me përvojë të gjatë. Është autore e teksteve profesionale dhe redaktore e revistave në fushën e së drejtës së punës, kontabilitetit, tatimeve dhe financave. Ajo është e përfshirë në mënyrë aktive si ligjëruese në trajnime të vazhdueshme për zhvillim profesional për kontabilistë dhe kontabilistë të certifikuar dhe trajnime të tjera profesionale për tema ekonomike dhe juridike.