fbpx

A do të “bien” pagat e funksionarëve/zyrtarëve?

Sonja Kramarska

Ekonomia

Histori nga rajoni

30.10.23

Прегледи

Ministri Bujar Osmani tha se për të është e rëndësishme paga e tij, sepse ai jeton vetëm me pagën e tij, por me çfarë duhet të jetojnë shumica e qytetarëve të Maqedonisë, pagat e të cilëve janë disa herë më të ulëta se të ardhurat e këtij ministri dhe të gjithë funksionarëve të tjerë?!

Inflacioni nga 19.8% në muajin tetor 2022, në muajin shtator 2023 u ul në 6.6% dhe do të vazhdojë me trend rënës dhe më tej, njoftoi triumfalisht ministri i financave Fatmir Besimi në artikullin e tij të publikuar javën e kaluar (21 tetor 2023). Në të njëjtin shkrim ai bën me dije se ka rënie të papunësisë, e cila në shkurt të vitit 2023 u ul në 13.1%, ndërsa para kohës së pandemisë ishte 17.3%. Dhe në fund, ai ndau me publikun lajmin e mirë se po vazhdon të ulet edhe trendi i uljes së varfërisë.

Pra, ku jeton ministri? Në Maqedoni apo në një vend tjetër? Vetëm pak ditë para mesazheve të tij optimiste, u publikua një analizë ekonomiko-sociale nga ekspertë të lartë, sipas së cilës në vendin tonë po ndodh një kërcim alarmues i rritjes së varfërisë.

Është e njëjta analizë që ka qenë arsyeja pse zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi u justifikua para kamerave të shtypit se nuk mban rroba të markës dhe se xhaketën që kishte veshur atë ditë e kishte qepur “xhaxhi Borçe” me “duart e tij të arta”, kurse këpucët e tij janë prej kompanisë “Bargala" nga Shtipi. Ai madje kishte shfrytëzuar rastin që t'i blejë edhe çorapet që ka veshur atë ditë nga kompanitë e tekstilit nga Shtipi.

I lumtë zëvendëskryeministrit për këtë demagogji kulminante, por kjo nuk e zvogëlon përgjegjësinë e tij si njeri i dytë në Qeveri dhe si njeri i dytë i LSDM-së në pushtet për vonesën e miratimit të ligjit me të cilin duhej të "normalizoheshin" pagat e funksionarëve, i cili me shumë gjasë nuk do të miratohet të paktën edhe për disa muaj. Ose, le të themi - nuk do të miratohet derisa ata janë në pushtet, pra do të miratohet, por do të zbatohet vetëm për qeverinë e ardhshme. Ose, ndoshta para fushatës elektorale, për t'u sjellë atyre një zë më shumë në betejën për të ruajtur pushtetin.

Varfëria po bëhet alarmante

Ndërkohë, mbi gjysmë milioni qytetarë të Maqedonisë janë të varfër dhe nuk kanë para të mjaftueshme as për ushqim, sipas një studimi mbi ndikimin e inflacionit në varfërinë në Maqedoni, të përgatitur nga studiues me përvojë ekonomike, duke përfshirë edhe Branimir Jovanoviçin, një ish-këshilltar në Ministrinë e Financave. Deri në fund të vitit pritet që rreth 80 mijë qytetarë ta kalojnë ditën me 60 denarë, gjegjësisht të mos kenë para as për bukë e qumësht. Më shumë se 440 mijë qytetarë do të kenë në xhepin e tyre vetëm 200 denarë në ditë.

Rezultatet e analizës tregojnë se varfëria ekstreme, si pasojë e kësaj krize, do të rritet me të paktën 12,000 dhe më së shumti 28,000 persona, që është midis 20 dhe 50 për qind rritje në krahasim me situatën e mëparshme.

Para krizës, vendi kishte 56,000 njerëz që jetonin në varfëri të skajshme. Në të ashtuquajturën varfëri të moderuar, shifrat janë edhe më të larta, pra do të rritet nga 80,000 deri në 160,000 njerëz. Para krizës, ky numër ishte rreth 360,000 njerëz dhe sipas të dhënave më të fundit, mund të arrijë deri në 510,000!

Prandaj, kostumi teatror i zëvendëskryeministrit Bytyqi, dhe ne themi teatror, ​​sepse pikërisht ky është qëllimi i tij - të bëjë teatër për publikun, nuk mund ta fshehë faktin se ATA janë të veshur me kostume dhe këpucë të shndritshme, kurse qytetari i zakonshëm është i veshur i arnuar, madje edhe rrobat e veshura nga rrobaqepësi “xha Borce” janë të paarritshme për to sikur të ishin Armani.

Maqedonia së bashku me Ukrainën, Moldavinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Shqipërinë janë pesë vendet më të varfra në Evropë. Por kjo nuk ishte arsyeja që pikërisht në muajin kur shënohet Dita ndërkombëtare për luftimin e varfërisë - 17 tetori, funksionarët tanë ekonomikë dhe financiar nuk fluturuan në Marokun ekzotik për takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që u zhvilluan nga data 9-15 tetor. Megjithatë, ata u kthyen pikërisht në kohë për të “kapur” ditën për të luftuar varfërinë. Në të njëjtën kohë ndodhi “përplasja” e të dhënave – nga njëra anë të dhënat rozë të ministrit të Financave dhe nga ana tjetër parashikimet pesimiste të ekspertëve të ekonomisë të publikuara në studimin e tyre.

Ministri i financave Besimi, në një intervistë si i ftuar në një televizion kombëtar, nën përshtypjet e dukshme nga shoqëria me të pasurit në Marrakeshin mistik në Marok, na siguroi gjithashtu se në kushtet e krizës, vendi ynë arriti të vazhdojë trendin e uljes së papunësisë dhe varfërisë. Po ashtu, thotë ai, pagat po rriten dhe nga prilli e tutje ato po rriten më shumë se inflacioni, prandaj ky është, tha ministri, një sukses i madh për ekonominë dhe shoqërinë tonë.

Burimi: freepik.com

"Kozmetika" e gjendjeve?

Tani kujt t'i besohet? Ministrit apo studiuesve që konstatimet e tyre i bazojnë në kushtet reale në terren. Ose të pyesim - nëse përmirësimi tashmë është i sigurt, atëherë pse po përgatitet një paketë e re, e nëntë e masave prej mbi 4,5 miliardë denarë, e dedikuar për qytetarët dhe kompanitë, për t'u përballur më lehtë me krizën e çmimeve dhe krizën energjetike? A mundet që shoqëria maqedonase të ketë arritur në një fazë ku më të thirrurit për të krijuar një mjedis ekonomik po përpiqen të ngrijnë situatën për të parandaluar trazira të mundshme sociale, veçanërisht pas vendimit egoist të autoriteteve për të pranuar rritjen e pagave dhe duke pretenduar se po krijojnë një ligj për t'i reduktuar ato?

Lidhja e Sindikatave kërkoi që pagat e zyrtarëve të ulen saktësisht me 78, aq sa ishte rritja e tyre. Por vetë sindikata nuk beson në një mundësi të tillë. Aq më tepër që sindikata ka paraqitur një projektligj që ka tre muaj që është në Kuvend dhe për të cilin nuk ka asnjë përgjigje, pra është anashkaluar nga autoriteti ligjvënës.

Është interesant fakti se propozimi është injoruar njëlloj si nga shumica qeverisëse në parlament ashtu edhe nga opozita, e cila zakonisht është e zëshme për të drejtat e punëtorëve dhe dallimet sociale në rritje, por kur është fjala për uljen e pagave të zyrtarëve, ajo ka vendosur që të rri në heshtje. Kjo tregon qartë interesin fitimprurës të deputetëve të opozitës, sepse ulja e pagave do t'i përfshijë edhe ata, por edhe kryetarët nga partia e tyre, të cilët janë në një numër dominues në hartën e vetëqeverisjes lokale.

Për këto arsye, edhe paralajmërimet e qeverisë se po përgatisin ligjin e ri për pagat, që do të nënkuptojë uljen e tyre, janë pritur me skepticizëm në opinion dhe në organizatat sindikale. Nëse autoritetet donin ta korrigjonin atë padrejtësi, ata kishin shtatë muaj kohë për ta bërë këtë. Por nuk e bënë.

Çmime “të ngrira”, por të nxehta

Është për t'u habitur që Qeveria nuk e bën hesap as periudhën parazgjedhore në të cilën gjendet vendi dhe nuk përpiqet aspak t'ua lehtësojë jetën qytetarëve që luftojnë çdo ditë me përkeqësimin e standardit ekonomik.

Masat që u miratuan në muajin shtator nuk patën asnjë ndikim në buxhetet familjare. Ulja prej 10 për qind e çmimeve të orizit, miellit, bukës dhe produkteve të tjera të bukës, si dhe mishit dhe produkteve të mishit dhe qumështit dhe produkteve të qumështit nuk pati efektin e pritshëm pasi tregtarët amortizuan me zgjuarsi uljet duke rritur çmimet e produkteve të tjera që nuk ishin të përfshirë në këtë paketë, produkte që njëashtu përdoren në jetën e përditshme.

Ajo as që ndikoi dukshëm në standardin e jetesës së popullatës. Shporta sindikale në muajin shtator ishte 48.379 denarë, që është për 966 denarë më pak se muaji paraprak. Ky “sukses” është për shkak të të ashtuquajturave çmime të garantuara, por le të jemi realistë, çfarë ndihme janë 966 denarë më shumë në një muaj? Nëse ky është i gjithë efekti i masave të qeverisë, atëherë është logjike të pyesim se çfarë na pret pas datës 30 nëntor, kur do të marrë fund vlefshmëria e masave dhe do të fillojë shpenzimet para Vitit të Ri, kur ethet e konsumit të hyjnë në çdo shtëpi - na pëlqeu apo nuk na pëlqeu.

Jetesa e shtrenjtë kërcënon të shkatërrojë besimin në institucionet shtetërore, por pyetja e vërtetë është nëse i intereson dikujt. Nëse dikur kemi folur për hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, sot flasim për hendekun mes të varfërve dhe zyrtarëve/funksionarëve shtetërorë në Maqedoni.

Raportimet e mediave treguan se paga e kryeministrit tonë, e cila është 2600 euro, është katër herë më e lartë se paga mesatare në vend. Kryeministri maqedonas është ndër më të paguarit në rajon, dy herë më shumë se për shembull kryeministri serb dhe më shumë se ai malazez dhe ai kosovar.

Raporti mes pagës së kryeministrit dhe pagës mesatare është më i mirë edhe në Kroaci, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, ku ky raport është trefish. Ministri Bujar Osmani tha se për të është e rëndësishme paga e tij, sepse ai jeton vetëm me pagën e tij, por me çfarë duhet të jetojnë shumica e qytetarëve të Maqedonisë, pagat e të cilëve janë disa herë më të ulëta se të ardhurat e këtij ministri dhe të gjithë funksionarëve të tjerë?!

 

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut" me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Kramarska

Sonja Kramarska është gazetare, autore e disa fejtoneve dhe publikimeve të tjera, ish kryeredaktore e gazetës “Utrinski Vesnik” dhe e portalit NovaTV. Në karrierën e saj është vlerësuar me çmimin gazetare e vitit dhe çmimin më të lartë “Mito Haxhivasilev Jasmin”. Ajo ka kaluar një vit akademik në Universitetin e Oklahomas në SHBA si pjesë e programit për zhvillim profesional. Ajo ka punuar gjithashtu edhe si këshilltare për çështje politike dhe komunikim në kabinetin e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.