Kriptomonedhat tashmë janë dukuri e paanashkalueshme në ekonominë globale. Natyra e tyre specifike që siguron anonimitet të plotë për përdoruesit dhe struktura e decentralizuar e funksionimit janë cilësi unike që qëndrojnë në kontrast të plotë me sistemet e deritanishme tradicionale të funksionimit të monedhave të cilat janë të kontrolluara nga shtetet.
Që nga paraqitja për herë të parë, përdorimi i kriptomonedhave është rritur në shpejtësi, vlerë, vëllim dhe aplikim. Vlerësohet se aktualisht vetëm “bitcoin” ka vlerë kapitale në treg me rreth 330 miliard dollarë - e përafërt kjo me vlerën totale të kompanisë Meta (Facebook). Mirëpo, “bitcoin” nuk është kriptomonedha e vetme në treg. Ajo është me e vlefshmja, megjithatë aktualisht në këtë sektor konsiderohet se ekzistojnë rreth 10,000 kriptomonedha alternative, apo siç njihen si “altcoins”.
Ndërsa përdorimi i kripotomonedhave sjell përfitime të shumta, studiuesit kanë identifikuar elemente negative që lindin si pasojë e rritjes së përdorimit të tyre nga aktorë të ndryshëm shtetëror dhe joshtetëror. Krahasuar me monedhat tradicionale, është dëshmuar që kriptomonedhat janë veçanërisht të dobishme dhe përdoren në masë të madhe nga organizatat e ndryshme terroriste, të cilat mbledhin donacione për financimin e operacioneve të tyre. Apo edhe nga grupet kriminale dhe dilerët e drogës, të cilët shesin substanca narkotike të ndaluara në internet, posaçërisht në atë që njihet si “dark web”.
Për më tepër, përdorues të këtyre kriptomonedhave janë edhe shtete të veçanta, si Rusia dhe Irani, të cilat përdorin strategji të bazuara në kriptomonedha, për të zbutur apo shmangur dëmet eventuale që shkaktohen nga sanksionet ekonomike të vendosura nga shtetet perëndimore.
Si pasojë e mbështetjes së organizatave terroriste dhe zhvillimit të programit të tyre bërthamor, Irani tash sa kohë ballafaqohet me sanksione të rënda ekonomike nga vendet perëndimore-të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara. Si pasojë, bankat e tyre kanë humbur qasjen në sistemin ndërkombëtar të pagesave, SWIFT; asetet e huaja shtetërore apo private janë ngrirë ose sekuestruar; eksporti i naftës,produktit të tyre kryesorështë sanksionuar, kurse importi dhe eksporti i armëve është kufizuar në maksimum. Me qëllim ruajtjen e vitalitetit të ekonomisë, Iranit i është dashur që të eksplorojë rrugë alternative për të mënjanuar sanksionet, apo qoftë edhe për të zbutur dëmin e tyre.
Elementi kryesor i strategjisë së Iranit për të amortizuar sadopak efektin e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare mbështetet në përpjekjen kombëtare multimilionëshe në “mihjen” (mining) e kriptomonedhave. Irani ka licencuar subjekte të veçanta për “mihjen” e kriptomonedhave duke përdorur çmime të favorshme të energjisë elektrike. Dihet se “mihja” e kriptomonedhave shkakton shpenzim enorm të energjisë elektrike. Duke ofruar kushte të favorshme në këtë drejtim, Irani është bërë tërheqës edhe për subjekte të shumta vendase dhe ndërkombëtare që merren me “mihjen” e kriptomonedhave.
Kështu, kompani kineze të këtij sektori kanë rritur prezencën e tyre në Iran, sidomos pasi Kina kishte ndaluar “mihjen” e kriptomonedhave. Me këtë veprim, Irani arriti të konvertojë rezervat e ngrira të naftës në valutë. Vetëm në vitin 2020 Irani ishte në gjendje që të kthejë afërsisht 10 milionë fuçi naftë bruto—që përbënte rreth 4% të totalit të eksportit të tyre për atë vit—në atë që vlerësohet të jetë në vlerë mbi 1 miliardë dollarë në “bitcoin”.
Burimi: pexels.com
Megjithatë Irani nuk ka qenë në gjendje që të anashkalojë plotësisht efektin negativ të sanksioneve me të cilat përballet. Mirëpo, suksesi i tyre i kufizuar po frymëzon edhe shtete të tjera të cilat ballafaqohen me sfida të ngjashme.
Aneksimi i Krimesë në vitin 2014, i pasuar nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në fillim të vitit 2022, bëri që Rusia të përballët me një sërë sanksionesh ndërkombëtare. Bankave ruse nuk u lejohet të përdorin sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT, rreth 600 miliardë dollarë asete që mbahen jashtë vendi janë ngrirë, kurse eksportet e naftës janë ndaluar nga ShBA-të dhe janë kufizuar nga shumica e vendeve evropiane. Megjithëse këto sanksione ekonomike nuk kanë arritur që të ndryshojnë sjelljen e politikës së Rusisë kundrejt luftës në Ukrainë, ato kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike.
Mirëpo, ngjashëm si Irani, edhe Rusia po aplikon një strategji të bazuar në kriptomonedha për të amortizuar sadopak dëmin eventual që shkaktojnë sanksionet ekonomike ndërkombëtare. Rusia fillimisht ishte e rezervuar dhe shumë e kujdesshme për përdorimin e kriptomonedhave, duke konsideruar se ky është një mjet kryesisht për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Mirëpo, në ndërkohë qëndrimi i autoriteteve ruse ndryshoi katërçipërisht. Tashmë kriptomonedhat konsiderohen nga Rusia si mjet shumë i përshtatshëm për amortizimin e efekteve të sanksioneve. Në këtë drejtim, disa kompani ruse të naftës po ndërtojnë qendra për mihjen e kriptomonedhave dhe banka qendrore ruse po punon për të zhvilluar një kriptomonedhë kombëtare të mbrojtur nga sanksionet e cila do mund të shërbente si kripto-alternativë për mungesën e qasjes në sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT.
Ashtu si Irani, Rusia është një shtet i pasur me gaz dhe naftë. Për këtë arsye, një nga objektivat kryesore të sanksioneve ka qenë edhe eksporti i këtyre produkteve. Një ndër kompanitë më të mëdha të naftës të mbështetura nga shteti, “Gazpromneft”, në një forum ndërkombëtar, të mbajtur në Shën Petersburg në vitin 2022, njoftoi se do bashkëpunojë ngushtë me kompaninë “Bitriver” që merret me “mihjen” e Bitcoin-it, me qëllim që të fuqizojë qendrat e “mihjes” së kriptomonedhave në Rusi.
Megjithatë, si edhe në rastin e Iranit, duket se kriptomonedhat janë mjet i pamjaftueshëm për Rusinë për të anashkaluar apo amortizuar sa duhet dëmet e shkaktuara nga sanksionet e ashpra ekonomike të vendosura nga vendet perëndimore. Për zbutjen në nivel domethënës të sanksioneve Rusia do kishte nevojë për tregti në shkallë të gjerë në tregun kriptomonedhave, gjë që është praktikisht e pamundur të ndodhë kur merret në konsideratë vëllimi i pamjaftueshëm i tregtimit me kriptomonedha sepse, ndryshe nga paratë konvencionale, kriptomonedhat kanë një sasi të paracaktuar furnizimi.
Sidoqoftë, të dhënat shpërfaqin një trend të vazhdueshëm të përdorimit të kriptomonedhave nga shtetet që ballafaqohen me sanksione ndërkombëtare. Për më tepër, fakti që Rusia po kopjon strategjinë e Iranit për kthimin e aseteve të ngrira të naftës në valutë përmes procesit të “mihjes”, tregon se shtetet që përballen me regjimin e ashpër të sanksioneve ekonomike po mësojnë nga njëri-tjetri, ndërsa vazhdojnë të gjejnë metoda të reja alternative për të anashkaluar, apo të paktën amortizuar efektet eventuale të sanksioneve.
Kjo do të rritë vetëbesimin e tyre për të ndjekur politika destruktive në skenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht do të amortizojë aftësinë ndikuese të vendeve dhe institucioneve tjera ndërkombëtare për të ndikuar në ndryshimin e sjelljes së shteteve përmes sanksioneve ekonomike.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.