fbpx

Mali i Zi: Ndalim i inflacionit në baza vullnetare

Zoran Radulović

Ekonomia

Histori nga rajoni

25.10.23

Прегледи

Qeveria mburret për rritjen më të lartë të PBB-së në Evropë, duke fshehur se kjo është shumë më tepër për shkak të trazirave nga lindja e Evropës sesa politikës së saj ekonomike.

Nga e hëna e parë e tetorit në Mal të Zi është në fuqi aksioni “Stop inflacionit 100+”, i cili sipas njoftimeve do të zgjasë deri në fund të vitit. Në marrëveshje me qeverinë aktuale, distributorët (importuesit), tregtarët me shumicë dhe zinxhirët e shitjes me pakicë (në Mal të Zi janë pesë prej tyre) kanë zgjedhur në baza vullnetare artikujt për të cilët marzhet e tregtimit (me shumicë dhe pakicë) do të bien në pesë përqind ose më pak.

Më pas, po ashtu vullnetarisht, iu bashkuan fushatës edhe disa dyqane të shitjes së teknikës së bardhë dhe pajisjeve shtëpiake, disa shitës të pjesëve të makinave, një kafene nga Danilovgrad (qytet i vogël afër Podgoricës)... dhe pritet që pronarët e farmacive dhe shitësit me shumicë së shpejti të bëjnë kontributin e tyre në uljen e çmimeve.

Qeveria mburret se ky është veprimi më i mirë dhe më i gjithanshëm në rajon. “Shitësit me pakicë duhet të përcaktojnë një listë me të paktën 100 produkte për të cilat do të ulin çmimet duke vendosur një marzh maksimal të shitjes me pakicë dhe shumicë prej pesë për qind, ndërsa për shitësit me pakicë me më pak se 100 punonjës, shporta kundër inflacionit përfshin një listë me të paktën 50 produkte”, njoftuan nga Qeveria.

Pa detyrime dhe sanksione

Megjithatë, për të gjithë është e qartë se tregtarët nuk janë të “detyruar” siç shkruan qeveria, por gjithçka është e organizuar në baza vullnetare (nuk ka asnjë detyrim, as sanksion) ndërsa shteti nuk ka investuar asgjë nga arkat e tij në projekt, përveç rasteve kur nuk llogaritet mbledhje më e ulët e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në të ardhmen, për shkak të principaëit të reduktuar mbi të cilin llogaritet TVSH-ja.

Tregtarët nuk kishin detyrimin të përfshinin saktësisht artikuj të caktuar në fushatë - të paktën një produkt nga gama që ata ofrojnë - siç u bë në Mal të Zi pranverën e kaluar, dhe tani praktikisht në të gjithë rajonin.

Listën e kanë krijuar vetë dhe qeveria thotë se nuk kanë një listë përfundimtare të produkteve me zbritje të etiketuar "Stop inflacionit", por pretendojnë se përfshin 150, e ndoshta më shumë se 200 produkte të ndryshme ushqimore, higjienike dhe kozmetike (këto numrat në njoftimet e tyre rriten rregullisht pa tregues specifik), prandaj qytetarët kanë mundësi të arrijnë kursime të konsiderueshme në shpenzimet që përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit të familjes. Shitësit me pakicë, thonë ata, duan që konsumatorët të vijnë në dyqanet e tyre dhe të shohin vetë se çfarë është më e lirë dhe për sa më e lirë.

“Që qytetarët të kuptojnë se kjo është realisht një ulje e ndjeshme e çmimeve”, njofton Qeveria, “morëm si shembull shportën antiinflacion të kompanisë VOLI, e cila aktualisht ka 148 produkte (ndërsa lista nuk është përfundimtare dhe ka tendencë të rritet) për të cilën konsumatorët deri më tani duhet të shpenzojnë 454.71 euro, ndërsa nga 1 tetori vlera e kësaj shporte me zbritje do të jetë 322.07 euro. Pra, bëhet fjalë për një zbritje që arrin në total 29.17% dhe falë së cilës konsumatorët do të kursejnë 132.64 euro”.

Konsumatorët, nga ana tjetër, pretendojnë se aksioni është me vonesë, lista e produkteve me zbritje është shumë e shkurtër dhe se aksioni mbulon vetëm produktet që kanë çmim më të ulët, prandaj zakonisht janë në listën e artikujve me çmim të reduktuar gjatë periudhës së të ashtuquajturit aksion.

Tregjet dhe pikat e karburantit

Megjithatë, në aksionin “Stop Inflacionit 100+” nuk përfshihen tregjet dhe pikat e karburantit ku, sipas shumëkujt, pasojat e inflacionit dhe vala e rritjes së çmimeve janë më të dukshme. Kështu këtë verë, në tregun e Podgoricës, një kilogram domate kushtonte tre euro. Kaq kushtojnë dhjetë vezë shtëpie ose 2.5 kilogramë patate. Një litër qumësht kushton 1.5 euro, një kilogram djathë shtëpie kushton tetë euro dhe një kilogram mish (më lirë) kushton po aq. Bifteku i viçit në mishtoret e Podgoricës kushton 30 euro. Në bregdet, si rregull, çmimet janë 20-50 për qind më të larta. Dhe diku më shumë. Kështu djathi i përmendur shitet në tregun e Kotorrit me një çmim prej 16 euro.

Në pikat e karburanteve çmimet janë kryesisht uniforme, pas 12 rritjeve që nga fillimi i vitit, për pesë euro mbushni më pak se tre litra karburant. Qeveria njoftoi se nëse rritja e çmimeve vazhdon, atëherë do të ulin sërish akcizat (rreth 55 për qind të çmimit përfundimtar).

Burimi: freepik.com

Aty është edhe tregu i pasurive të paluajtshme dhe i apartamenteve me qira, ku çmimet janë bërë vërtet të egra dhe shteti nuk ka as një regjistër bazë të qiramarrësve (pronarëve), ndaj ata ngrenë supet pafuqishëm ndaj anomalive të regjistruara të përditshme. Qiraja mujore e një garsoniere/apartamenti me një dhomë vlen të paktën 60-80 për qind e pagës minimale (450 euro). Për të marrë me qira një apartament me dy dhoma, të mobiluar në lokacione më të mira në Podgoricë ose në bregdet, duhet të shpenzoni më shumë se paga mesatare në vend (rreth 800 euro). Shpesh, një rrogë e gjysmë.

Ekspertët besojnë se ekzistojnë tre arsye themelore për rritjen e të gjitha çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në Mal të Zi.

Roli i të huajve

Ngjarjet globale - nga pandemia e virusit korona te lufta në Ukrainë - e bënë prodhimin dhe transportin më të vështirë dhe më të shtrenjtë. Kjo është më e dukshme me produktet ushqimore dhe energjitike. Mali i Zi në përgjithësi nuk përdor gaz natyror, kështu që u kursye nga ato lloj goditjesh çmimesh. Çmimet e energjisë elektrike janë praktikisht të njëjta në tre vitet e fundit, ndonëse paralajmërohet se do të rriten nga viti i ri. Kjo është arsyeja pse ushqimi është një problem.

Sipas të dhënave të shtatorit të Administratës Shtetërore të Statistikave (MONSTAT), çmimet e ushqimeve janë rritur që nga viti 2019 me më shumë se 44 për qind. Duke marrë parasysh se prodhimi vendas mbulon vetëm 15 për qind të konsumit, është e qartë se çmimet vendore varen kryesisht nga ato në tregjet dhe bursat më të mëdha. Plus çmimet e transportit, të cilat gjithashtu po rriten.

Prandaj në Podgoricë po bëhen gjithnjë e më shumë krahasime me çmimet në Vjenë, Romë, Barcelonë. Këto krahasime tregojnë se konsumatorët malazezë paguajnë më shumë për të njëjtat produkte. Megjithatë, krahasimet rajonale (Serbia, Kroacia, në një masë më të vogël Bosnja dhe Hercegovina) tregojnë se çmimet në Mal të Zi janë në të njëjtin nivel, nëse jo pak më të ulëta.

Konkretisht, nga fillimi i vitit 2022, me paketën e masave administrative të qeverisë së kaluar (heqja e kontributeve të punonjësve dhe punëdhënësve për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm dhe kalimi i këtyre mjeteve në pagën neto), paga minimale është rritur me 100 për qind (nga 225 deri në 450 euro), kurse paga mesatare nga 550 në 700. Të njëjtën rrugë vazhdoi edhe qeveria aktuale, kështu që falë rritjes së pagave të përfituesve buxhetorë, paga mesatare në Mal të Zi në muajin gusht ishte më e madhe se 800 euro. U rritën edhe pensionet. Paga e garantuar minimale nga 145 në 288, kurse ajo mesatare - pak më shumë se 400 euro.

Duke marrë parasysh se punonjësit vendas dhe pensionistët shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqime, rritja u reflektua menjëherë në kërkesën nëpër tregje dhe supermarkete. Kjo nxiti shpejt prodhuesit vendas që të rrisin çmimet e produkteve të tyre.

Nuk mbaroi këtu: konfliktet politike në Turqi, pastaj lufta në Ukrainë, sollën në Mal të Zi më shumë se 100 mijë (rreth 20 për qind të popullsisë vendase) turq, ukrainas dhe rusë. Disa punojnë këtu - u themeluan më shumë se 1000 kompani IT, pronarët e të cilave janë ish-banorë të Ukrainës dhe Rusisë, dhe një numër i panjohur kompanish tregtare dhe shërbimesh - disa shpenzojnë paratë e tyre të fituara më parë. Në thelb, ato para ushtronin presion shtesë në rritjen e çmimeve, veçanërisht në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kështu kemi arritur situatën e mëposhtme: në pranverën e vitit 2018, kur paga mesatare në Mal të Zi ishte 510 euro, ushqimi i nevojshëm për mbijetesën e një familjeje katër anëtarëshe (e ashtuquajtura shporta minimale e konsumit, d.m.th. sasia e ushqimit të nevojshme për marrjen e nevojshme të kalorive) duhej paguar për 256 euro. Ose gjysma e pagës në atë kohë. Këtë qershor për të njëjtin ushqim është dashur të paguhen 387 euro. Përsëri, pothuajse gjysma e pagës mesatare.

Ato 3-4 për qind përfaqësojnë progresin e arritur për sa i përket standardit të jetesës së banorit mesatar. Ndërsa Qeveria mburret për rritjen më të lartë të PBB-së në Evropë. Por duke fshehur se kjo është shumë më tepër për shkak të trazirave nga lindja e Evropës sesa politikës së saj ekonomike.

 

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut" me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Zoran Radulović

Zoran Radulović është një gazetar nga Mali i Zi i cili punon për të përjavshmen politike Monitor nga Podgorica.