fbpx

Ndërsa çmimet rriten, standardi i jetesës bie

Sanja Velkakova

Ekonomia

16.02.22

Прегледи

Çmimet po rriten brenda natës, kurse lista e produkteve, çmimet e të cilave janë jashtëzakonisht të larta po bëhet gjithnjë e më e gjatë.

Duke pasur parasysh tendencat botërore, agjenda e gjelbër në Evropë, rënia e energjisë së prodhuar me qymyr, prodhimi relativisht i ulët i centraleve me erë në Evropë, rritja e shpejtë e tregjeve në tremujorin e fundit dhe rritja enorme teë çmimeve të gazit natyror në bursat botërore, si dhe sëmundjet e kafshëve dhe zvogëlimi i numrit të kafshëve kanë ndikuar në rritjen e çmimit të ushqimeve, e veçanërisht të mishit dhe produkteve të qumështit.

Ekziston frika se rritja e çmimeve të drithërave, farave vajore dhe lëndëve të tjera të para do të shkaktojë rritje edhe më të madhe të çmimeve të ushqimeve nëpër dyqane, gjë që do të rrezikonte standardin jetësor të qytetarëve. Raftet janë plot me produkte, por gjithçka është më e shtrenjtë. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk bën përjashtim nga trendi global i rritjes së çmimeve.

Trendi i rritjes së çmimevederi kur?

Duke pasur parasysh rritjen shumëfish të kostove të lëndëve të para në proceset e prodhimit, ndërprerjen e prodhimit dhe pushimet e punëtorëve nga puna, është e mundur që të stimulohet ekonomia gri e cila do të krijojë çmime shumë më të larta se ato reale dhe kjo do të shkaktojë pasiguri në cilësinë e tyre.

Çmimet e ushqimeve janë tashmë në nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit. Ato do të mbeten të larta edhe në vitin 2022, kjo sipas raportit të fundit të bankës holandeze Rabobank.

Sipas deklaratës së kryeministrit Kovaçevski në vitin 2021, janë dhënë udhëzime që të gjitha objektet energjetike, në Manastir, Osllomej dhe Negotinë, të vihen menjëherë në funksion, duke theksuar se shteti nuk do të lejojë goditje apo rritje çmimi.

Çmimet e ushqimeve u rritën me 3.6%

Kompanitë vendase në industrinë përpunuese po përballen me rritjen e çmimeve të lëndëve të para. Në muajin tetor të vitit 2021, kostot bazë të prodhimit të fermerëve u rritën me 70 – 80 për qind, paralelisht u rritën gjithashtu edhe çmimet e energjisë. Kostot direkte në industrinë e qumështit u rritën me 10-11%. Situata është e ngjashme edhe në industrinë e mishit. Të gjithë janë në favor të pagesës për cilësinë, por tani për tani ky transformim është i ngadalshëm. Çmimet e drithërave dhe farave vajore janë shumë më të shtrenjta dhe ato janë 20-100% më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

Burimi: freepik.com

Rritja më e madhe e çmimeve, prej 3.9% në bazë mujore, është shënuar te produktet e qumështit në muajin mars të vitit 2021. Sipas të dhënave statistikore, çmimet e ushqimeve në tremujorin e tretë të vitit 2021 shënuan një rritje vjetore prej 3,6 për qind.

Deri në fund të vitit 2021, mielli është rritur me 20 për qind për 12 muaj. Në të njëjtën kohë, çmimi i miellit serb të importuar, nga 212 euro për ton në vitin 2020, është rritur në 280 euro këtë vit, ose për 68 euro më shumë. Shumë prodhues të qumështit janë të tmerruar kur konstatojnë se çmimi i një kilogrami ushqim për kafshë po i afrohet çmimit të një litri qumësht, madje për t'u bërë edhe më keq, ka ardhur duke u ulur muajt e fundit, duke u krijuar atyre humbje më të mëdha.

Oda Ekonomike vlerëson se ka nevojë për ndërhyrje të shtetit në pjesën e subvencioneve. Në këtë kuptim, ajo propozon që në vend të prodhuesve, mbështetja t'u jepet përpunuesve, por në mënyrë të kontrolluar.

Makinat po lëvizin me çmim shumë të lartë karburanti

Sipas Bankës Kombëtare, rritja e çmimit të naftës është një reflektim i rënies së nivelit të rezervave të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëzhguar në bazë vjetore, çmimi i naftës ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 69.5 për qind, që më së shumti vjen si pasojë e bazës së ulët nga viti i kaluar.

Burimi: nbrm.mk

Sipas ekonomistëve vendas dhe botërorë, inflacioni pritet të ngadalësohet vitin e ardhshëm – por rreziqet mbeten dhe lëvizjet do të varen nga më shumë faktorë.

Me rritjen e fundit të çmimit të derivateve, veturat për shumicën e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut po bëhen luks. Benzina pa plumb e ka tejkaluar kufirin psikologjik prej 80 denarë për litër, ndërsa dizeli me një çmim prej 74 denarë për litër.

Në vitin 2016, dizeli është shitur për 39 denarë për litër, Eurosuper BS-95 për 57 denarë, ndërsa Eurosuper BS-98 për 59 denarë për litër.

Në çmimin e derivateve janë përfshirë edhe 22 denarë akcizë që shkojnë në buxhetin e shtetit, por për momentin Qeveria po hesht nëse planifikohet një ulje e akcizës së derivateve. Përveç akcizës, për çdo litër derivate paguhen gati 5,5 denarë për shpenzime operative përmes depove dhe marzhit tregtar, 0,75 për transport, 0,80 për mjedisin jetësor dhe për rezerva të detyrueshme të naftës dhe pothuajse 1 denar për derivatet e naftës.

Burimi: alfa.mk

Zbutja e ndikimit nga rritja e çmimeve

Sipas ekspertëve, Qeveria dhe Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë duhet të përgatiten me simulime dhe parashikime, sepse çmimet do të vazhdojnë të rriten, madje mbi parashikimet. BPRM-ja duhet të rrisë nivelin e monitorimit të nevojës për aktivizimin e instrumenteve monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Paralelisht, qeveria duhet të përgatitet me masa fiskale për të amortizuar ndikimin e çmimeve të reja të produkteve bazë.

Në vend të ngrirjes së çmimeve të produkteve bazë, duhet të merren parasysh dhe të aplikohen masa për ndërhyrje nga rezervat e mallrave. Problemet me prodhimin primar, përpunimin dhe rritjen e çmimeve duhet të trajtohen në dy fronte që shpeshherë nuk janë të rakorduara, si nga Ministria e Bujqësisë ashtu edhe nga Ministria e Ekonomisë.

Zgjidhjet që do të zbusnin ndikimin e goditjes nga rritja e çmimeve janë investimi sa më parë në prodhimin vetanak të energjisë për të reduktuar cenueshmërinë e kompanive nga goditjet aktuale dhe të ardhshme të çmimeve në tregjet e energjisë elektrike, ngrirja e çmimit të gazit dhe energjisë elektrike, ngrirja e çmimeve të energjensëve, produkteve ushqimore bazë, lëndëve të para si dhe nxjerrja në qarkullim e rezervave shtetërore. Në pjesën e prodhimit vendor, çmimi mund të ndikohet drejtpërdrejt përmes subvencioneve për produkte të caktuara. Në fushën e tregtisë me shumicë dhe pakicë, është e nevojshme të reduktohen marzhet për supermarketet e vogla dhe të mëdha.

Serbia, për shembull, ka ngrirë çmimet e produkteve ushqimore bazë, por ka ngrirë edhe çmimin e gazit, rrymës, vuri në qarkullim rezervat e mallrave, dhe ka ulur çmimin e miellit. Edhe qeveria kroate gjithashtu ka vendosur të ngrijë çmimet e karburanteve, duke i çliruar qytetarët nga kjo goditje çmimi.

Trendet botërore të rritjes së çmimeve do të vazhdojnë edhe më tej, por sa do të jenë këto çmime, më së shumti do të varet nga vetë vendi/shteti dhe çfarë vendimesh do të merr i njëjti.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sanja Velkakova

Sanja Velkakova ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Goce Dellçev, në degën Menaxhment dhe Ndërmarrësi. Ajo ka ndjekur disa trajnime mbi lidershipin, zhvillimin e karrierës dhe sipërmarrjen sociale.