Deklarata e zëvendëskryeministrit Bytyqi konfirmoi atë që të gjithë e dimë, se nëse çmimet në BE dhe vendet e tjera janë galopante, në Maqedoni po rriten në mënyrë stratosferike.
Ndoshta askush as në ëndërr nuk ka pritur që zëvendëskryeministri Bytyqi të deklarojë i zhgënjyer: “Nëse çmimet e ushqimeve në bursë në BE janë rritur për 11 për qind, këtu janë rritur për 46 për qind. Kjo nuk është etike”.
Me të vërtetë e çuditshme. Qeveria, e cila tregoi pak kuptim për standardin e ulët të qytetarëve dhe që thelloi dallimet sociale duke rritur pagat e zyrtarëve me 78 për qind, tani është e habitur që shembulli i saj po ndiqet nga tregtarët në përpjekje për të shfrytëzuar sa më shumë krizën në furnizimin me ushqim.
Problemi është me të vërtetë më shumë etik sesa një ligjshmëri tregu, por në të njëjtën kohë i ka rrënjët në dobësitë e politikës e cila nga njëra anë dëshiron të tregojë shqetësim për njerëzit, por nga ana tjetër nuk dëshiron të humbasë mbështetjen e biznesit në të cilin marrin pjesë zinxhirët e mëdhenj tregtarë që rrisin çmimet. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, përveç një gare për të fituar para nëse, le të themi, një kilogram avokado në zinxhirin e shitjes me pakicë me buxhet të ulët Lidl (kjo nuk është reklamë por ilustrim) mund të blihet për 1.5-2 euro, kurse te ne kushton 6.5 dhe deri ne 10 euro per varietetin më të mirë.
Njësoj është edhe me frutat si boronicat, manaferrat, mjedrat, ose arrat, bajamet dhe produktet e tjera të kësaj kategorie, si dhe me perimet dhe produktet e tjera nga lista ushqimore.
Deklarata e zëvendëskryeministrit përndryshe konfirmoi atë që të gjithë e dimë, se nëse çmimet në BE dhe vende të tjera janë galopante, në Maqedoni ato po rriten në mënyrë stratosferike. Nuk ka fjalë tjetër për të shpjeguar se çfarë po ndodh sepse sa herë që hymë apo vizitojmë qendrat ushqimore shohim çmime të reja më të larta.
Sipas bazës së të dhënave MakStat të Entit Shtetëror të Statistikave, nga marsi i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2023, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 45,7 për qind. Por as kategoritë e tjera nuk janë shumë prapa.
Çmimet në transport u rritën me 38 për qind, në banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 32,3 për qind, mobilie, sende shtëpiake dhe mirëmbajtje shtëpiake me 27,4 për qind, restorante dhe hotele me 41,5 për qind, pije alkoolike dhe cigare me 22,7 për qind, rekreacion dhe kulturë 17.8 për qind dhe mallra dhe shërbime të tjera 23.5 për qind. Rritja totale e çmimeve është 33 për qind.
Paga të ulëta, çmime të larta
Inflacioni në BE, nga ana tjetër, po bie. Vitin e kaluar në gusht ishte 10.10 për qind për t'u ulur në 6.10 për qind deri më 31 korrik 2023. Në rënie është edhe inflacioni në Maqedoninë e Veriut, kështu që nëse gjykojmë sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në vendin tonë tani është më i ulët se në vendet evropiane, gjë që përballet drejtpërdrejt me deklaratën e Bytyqit për diferencën enorme në rritjen e çmimeve dhe shtron pyetjen e lakmisë së tregtarëve.
Në gusht të vitit 2022 inflacioni në vendin tonë ishte 14.2 për qind, kurse në gusht të vitit 2023 ishte 5.6 për qind, gjë që tregon një ndryshim drastik në ambient, por vetëm në ambient dhe jo në çmime, sepse ato janë në rritje dhe rrezikojnë të çojnë në katastrofë buxhetet e familjeve.
Për të ilustruar situatën, do të bëjmë një krahasim midis vlerës së shportës së konsumit sot dhe në të shkuarën. Shporta minimale sindikale në korrik 2023 për një familje katër anëtarëshe ishte 48.620 denarë, në korrik 2021 ishte 34.128 denarë, në korrik 2019 ishte 32.653 denarë, dhe në korrik 2016 ishte 32.218 denarë, ndërsa në korrik 2014 ishte 32.083 denarë. Në rregull, edhe paga minimale edhe ajo mesatare panë rritje.
Në dhjetor të vitit 2016, paga mesatare ishte 23.457 denarë, ndërsa tani është 36.527 denarë, ndërsa paga minimale nga dikur 10.080 tani është rritur në 20.175 denarë. Por është e qartë për të gjithë se paga minimale dhe paga mesatare nuk ndjekin koston reale të jetesës së qytetarit mesatar.
Prandaj, të mos i mërzitim lexuesit me më shumë të dhëna, sepse të gjithë e dinë më së miri se si jetojnë tani krahasuar me dy, tre e më shumë vite më parë. Edhe me ndërhyrjen e qeverisë për uljen e çmimeve, qytetari mesatar i Maqedonisë varfërohet dhe kjo mund të shihet çdo ditë në rrugë dhe sipas frekuencë së klientëve në pikat e shitjes me buxhet të ulët.
Nëse dikur ishin të rezervuara vetëm për pensionistët - pa përçmim, por përfundimi është për shumat e ulëta të pensioneve - tani mund të vërehen edhe blerës nga e ashtuquajtura "klasa e mesme".
Burimi: pexels.com
Pa dyshim, në këtë tragjedi ekonomike dhe sociale të sotme, pandemia, e cila ngadalësoi ndjeshëm rritjen ekonomike, si dhe lufta në Ukrainë, e cila goditi me gjithë egërsinë e saj në lëndët e para ushqimore si drithërat dhe në burimet e energjisë pa të cilat jeta moderne nuk mund të imagjinohet, patën ndikimin e tyre. Kësaj duhet t'i shtohen ndryshimet klimatike që ndikojnë drejtpërdrejt në rendimentet në bujqësi, për të cilat qeveritë në Maqedoni, të paktën deri më tani, nuk janë përfshirë në kërkimin e zgjidhjeve.
Një çështje tjetër është kapaciteti aktual i ekonomisë maqedonase dhe politika për t'u përballur me këto sfida. Fakti që lufta kërcënoi mirëqenien ekonomike të vendeve evropiane, vetëm sa i zvogëloi mundësitë e ekonomisë maqedonase për manovra në atë fushë, sepse më të fuqishmit dhe më të pasurit arritën më shpejt në burimet alternative. Dhe kjo nuk duhet të habisë askënd. Ky është pikërisht faktori motivues që shtetet dhe komunitetet të fitojnë pozita ndërkombëtare në mënyrë që ata në çdo kohë të mund të përmbushin interesat e qytetarëve të tyre.
Sanduiçi i Vuçiqit e bëri rajonin të qeshë
Bëmë një krahasim të shpejtë sesi vendet e rajonit po përballen me këtë varfëri të re. Sipas Bloomberg Adria, virusi i uljes së çmimit që preku rajonin filloi nga Mali i Zi, arriti në Serbi dy javë më parë dhe më pas preku Kroacinë dhe Maqedoninë.
Në mars të këtij viti, qeveria e Malit të Zi vendosi “shportën kundër inflacionit” që përfshinte 25 produkte dhe çmime të kufizuara. Tregtarët kishin një zgjedhje nëse do të merrnin pjesë në këtë promovim, si dhe cilat produkte nga shporta do të shisnin me çmime të kufizuara. Modeli u përdor më pas nga qeveria kroate, e cila gjithashtu ngriu çmimet e tre duzina produkteve dhe artikujve ushqimorë.
Por në Kroaci, qeveria të paktën u ka kërkuar tregtarëve që të kthejnë çmimet në nivelin e 31 dhjetorit 2022. Në këtë vend të rajonit, që është edhe anëtar i BE-së, inflacioni aktual është 7.8 për qind.
Në Serbi, duke filluar nga 20 shtatori, 20 produkte ushqimore kanë marrë çmime të reduktuara. Është e pashmangshme të përmendet komedia e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili pranoi sfidën e kryeredaktorit të NIN së bashku me dy ministra për të ngrënë mëngjes me sallam dhe majonezë, për të shijuar i pari produktet me çmime të reduktuara që u ofrohen njerëzve.
Vuçiq e shfrytëzoi këtë ngjarje për të treguar se tre burra mund të hanë për 580 dinarë (rreth 290 denarë) sepse sallami, kosi, buka dhe majoneza janë me zbritje.
Ky incident u prit me tallje në të gjithë rajonin, sepse pasqyronte hipokrizinë e të pasurve dhe të privilegjuarve ndaj qytetarëve të zakonshëm. Sipas hulumtimit të Ipsos të publikuar më 6 shtator, Serbia së bashku me Greqinë dhe Portugalinë janë tre vendet akute në Evropë ku rënia e fuqisë blerëse është dramatike. Në të njëjtin sondazh, 89 për qind e qytetarëve të anketuar në dhjetë vende evropiane kanë treguar rritjen e shpejtë të çmimeve si arsye për uljen e fuqisë blerëse.
Në Bullgari muajin e kaluar u regjistrua sërish një rritje e madhe e çmimeve të artikujve ushqimorë bazë, por qeveria i përqendroi përpjekjet e saj në qetësimin e rebelimit të fermerëve dhe prodhuesve të drithit pas përfundimit të embargos për importin e drithit ukrainas.
Pagat e zyrtarëve të paarritshme
Në Maqedoni, Qeveria ka kërkuar që çmimet e 24 kategorive të produkteve ushqimore të kthehen në nivelin e 1 gushtit 2023 plus të ulen për 10 për qind nga çmimi i atëhershëm. Si mekanizëm kundër rritjes së çmimeve, qeveria do të propozojë edhe një ligj për praktikat e padrejta tregtare, i cili duhet të frenojë tregtarët dhe të jetë i dobishëm për buxhetet familjare, por që nga propozimi deri në miratimin e tij do të duhet kohë dhe sipas përvojës së mëparshme sigurisht se do të vihet në makinerinë e lojërave politike.
Edhe pse kjo masë e qeverisë mund të kuptohet si një akt ndjeshmërie dhe përgjegjësie ndaj qytetarëve, ata sërish e shohin qeverinë si egoiste. Shkak për këtë, siç e përmendëm edhe më lart, është rritja astronomike e pagave të presidentit të shtetit, kryeministrit dhe ministrave, kreut të parlamentit dhe deputetëve, gjyqtarëve, prokurorëve, kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve të tjerë të zgjedhur e të emëruar.
Pagat e tyre mujore tani janë mbi dy mijë euro, që në krahasim me pagën mesatare prej rreth 36 mijë denarë në vend është me të vërtetë një shumë fantastike. Për ta bërë ironinë edhe më të madhe, të paktën deri më tani nuk janë realizuar njoftimet bombastike të kryeministrit Kovaçevski se do të rishikojnë koeficientët për llogaritjen e pagave të zyrtarëve.
E parë në atë kontekst, qeveria, duke ndjekur thënien popullore “Zoti fillimisht krijoi mjekrën për vete e pastaj për të tjerët”, sado që përpiqet të tregojë të kundërtën, i la qytetarët në mëshirë të inflacionit dhe rritjes së çmimeve të ushqimit, duke u hedhur atyre thërrime, ndërkohë që i siguronte vetes përfitime financiare për të kapërcyer këtë krizë të paprecedentë dhe rritje të çmimeve të ushqimeve.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.