fbpx

Përgjigja bullgare ndaj pandemisë: Hedhja e parave në boshllëk

COVID-19

Ekonomia

Histori nga rajoni

02.10.20

Прегледи

Milla Kisjova

Mila Kisjova 200x250Në pamje të parë duket se vendi po përballet mirë me pandeminë, por realiteti është shumë më i frikshëm.

Sipas opinionit të përgjithshëm, Bullgaria ka dhënë rezistencë të fortë ndaj koronavirusit nga pikëpamja shëndetësore. Por, për përgjigjen ekonomike ndaj krizës nuk mund të thuhet e njëjtë. Po, duket se vendi nuk është goditur shumë rëndë nga problemet e shkaktuara nga armiku i padukshëm. Por, kjo ka të bëj jo aq shumë me programin antikrizë të qeverisë, sesa me biznesin bullgar, i cili është mësuar të luftojë dhe mbijetojë gjatë të gjitha llojeve të kataklizmave.

Ekonomia e Bullgarisë është zvogëluar për 10% në tremujorin e dytë të vitit, raportoi Instituti Kombëtar i Statistikave (NSI). Periudha prill-qershor ishte më e vështirë për vendin në kushtet e një pandemie. Më 13 Mars, qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në një përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit, duke bllokuar numër të madh të bizneseve. E ndaloi plotësisht punën e të gjithë restoranteve, qendrave të mëdha tregtare. Udhëtimet turistike dhe pushimet u ndaluan, u pezulluan një numër i madh i shërbimeve, u mbyllën teatrot dhe kinematë, muzeumet, sallat e koncerteve dhe të sporteve, qendrat e fitnesit dhe spa-komplekset. Transporti i humbi pasagjerët e tij.

Bullgaria ishte një nga vendet e para në Evropë që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit. Kjo vazhdoi deri në mesin e muajit maj, me ç'rast bizneset e mbyllura gradualisht rifilluan funksionimin brenda dy ose tre javësh.

Në periudhën prill-qershor, statistika shënoi përkeqësimin e të gjithë treguesve makroekonomikë. Konsumi përfundimtar u zvogëlua për 2.1%, investimet u zvogëluan për 7.9%, eksporti i mallrave dhe shërbimeve u zvogëlua për 22.1% kurse importi për 20.4%.

Bullgaria, megjithatë, shmangu një rënie ekonomike dy-shifrore në nivel vjetor - për dallim nga shumë vende të tjera në Evropë. Bruto prodhimi vendor në tremujorin e dytë, krahasuar me të njëjtin tremujor në vitin 2019, u zvogëlua për 8.5%. - nën rënien mesatare të ekonomive evropiane, e cila ishte 14,1%, sipas të dhënave të Eurostat-it.

Humbësit më të mëdhenj

Pasojat e pandemisë KOVID goditën së pari industritë që punojnë kryesisht për eksport dhe varen shumë nga furnizimi me lëndë të para dhe të komponentave nga Kina. Problemet filluan në fund të vitit 2019 dhe u thelluan në muajt e parë të vitit 2020, kur Kina i ndërpreu plotësisht kontaktet tregtare.

U prekën rëndë prodhuesit bullgarë të komponentave për industrinë e automobilave. Ka më shumë se 40 fabrika në Bullgari që janë nënkontraktorë të gjigantëve evropianë në industrinë e automobilave. Për shkak të kolapsit të shitjes botërore të automobilave, shumë fabrika të prodhimit në Evropë u mbyllën, më së shumti në Gjermani, dhe kjo çoi në ndërprerjen e punës për disa javë të shumë prej nënkontraktorëve të tyre bullgarë. Dhjetëra mijëra punëtorë u liruan në pushim me pagesë ose pa pagesë.

Përkohësisht ndaluan me punë edhe shumë kompani për makina ndërtimi - për shkak të dërgesave të bllokuara të vendeve siç janë Rusia dhe Italia, të cilat, gjithashtu, i mbyllën kufijtë e tyre në mars dhe prill. Pas kësaj, "korridoret e gjelbërta" të siguruara, e të planifikuara për transportin ndërkombëtar të mallrave në Evropë ua mundësuan kompanive të fillojnë të punojnë relativisht në mënyrë normale në kushtet e koronavirusit.

Rritje e papunësisë

Më së shumti u prek sektori i shërbimeve, me ç'rast kryesisht vuanin bizneset e vogla. Më 13 Mars, thuajse për një orë u mbyllën të gjitha restorantet në vend, parukeri, palestra, teatro, kinema, qendra tregtare. Kjo çoi në humbje të 103.000 vendeve të punës në prill dhe maj. Papunësia në Bullgari u rrit në 9% - nga 6.2% në fillim të vitit. Pas kësaj, nga muaji qershor me hapjen e druajtur të sezonit turistik veror, niveli i papunësisë filloi të bjerë dhe në muajin gusht arriti 7,5%.

Për rritjen e papunësisë një "meritë" të madhe ka edhe sektori shumë i goditur turistik. Në fund të muajit mars, hotelierët dhe agjencitë turistike mbetën pa klientë për shkak të ndërprerjes së fluturimeve ajrore të avio-kompanive dhe kufijve të mbyllur të shumë vendeve. Sektori nuk mund të llogariste as në turistët bullgarë, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pothuajse deri në fund të muajit maj, u ndaluan udhëtimet në vend për turizëm.

Madje në muajin korrik rifilluan disa nga avio-fluturimet me turistë të huaj drejt bregdetit bullgar në Detin e Zi. Megjithatë, ulja e tyre mbeti më shumë se 80% deri në fund të sezonit. Tregjet tradicionale si Britania e Madhe, Rusia, Izraeli, Gjermania mungonin këtë verë në bregdetin bullgar. Dy të tretat e hoteleve në vendpushimet e mëdha Slonçev Brjag, Zllatni Pjasci dhe Albena fare nuk u hapën. Megjithatë, nuk funksionoi subvencioni i aprovuar shtetëror prej 35 euro për secilin të huaj që ka arritur me një çarter fluturim për pushim në Bullgari. Vetëm hotelet e vogla dhe bujtina gëzonin një plotësim të mirë - kryesisht nga turistë bullgarë.

Plani antikrizë i Sofjes

Një javë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme më 13 Mars, kryeministri bullgar Bojko Borisov, njoftoi për një anti-krizë paketë me vlerë prej 4.5 miliardë leva (2.25 miliardë euro). Pesë muaj më vonë, shumica dërrmuese e këtyre fondeve janë ende vetëm një premtim në letër.

Një nga masat e para ishte sigurimi i 700 milion levave (350 milion euro) për Bankën shtetërore bullgare për zhvillim, e cila duhet të jetë garant për bankat tregtare për dhënien e kredive të lira kompanive të prekura dhe punëtorëve të liruar në pushim të papaguar.

Bugarskiot odgovor na pandemijata Frlanje pari vo praznoBurimi: dailysabah.com

Kjo masë u kritikua ashpër nga komuniteti i biznesit dhe qytetarët, të cilët prisnin grante në vend të kredive që do t'i kthejnë më vonë. Nga 200 milion leva (100 milion euro) të destinuara për kredi pa interes për të punësuarit në pushime të detyruara dhe të papaguara, si dhe për njerëzit me profesione të lira që e kanë të vështirë t'i praktikojnë, në fund të muajit gusht u shpërndanë vetëm 70.7 milion leva (35, 4 milion euro) për rreth 17.000 njerëz. Ndihma maksimale sipas këtij programi është 4.500 leva ose 2.250 euro.

Mbështetja për bizneset e vogla dhe të mesme me kredi të garantuara nga shteti me interes të ulët filloi madje në muajin korrik dhe për momentin fondet e akorduara janë shumë të vogla. Me azhurnimin e buxhetit, u ndan 1 miliard leva (500 milion euro) për ruajtjen e vendeve të punës në sektorin privat. Për këtë qëllim, filloi, ndoshta, programi më i madh anti-krizë me të cilin shteti ndërmerr pagesën e 60% të pagës të punëtorit.

Komuniteti i biznesit nuk ishte i kënaqur. Kompanitë, aktiviteti i të cilave ishte bllokuar nga masat kufizuese, nuk kishin mundësi të paguanin madje as një lev të vetëm për t'i mbajtur punonjësit e tyre. Është domethënëse që deri më tani vetëm 20% e buxhetit është përdorur për këtë lloj mbështetjeje. Nga muaji shtator, skema, e cila fitoi popullaritet si "60 me 40", u bë "80 me 20", dmth., shteti do të sigurojë më shumë mbështetje, por vetëm për dy nga sektorët më të prekur - turizmin dhe transportin e autobusave.

Koalicioni qeverisës i përbërë nga GERB dhe "Patriotët e Bashkuar" mori edhe një tjetër masë të diskutueshme anti-krizë – TVSH-ja u zvogëlua për shërbimet në restorante nga 20% në 9%. Bullgaria ishte një nga vendet e pakta në Bashkimin Evropian me një normë të sheshtë të TVSH-së (Tatimi mbi vlerën e shtuar/VAT) prej 20% për të gjitha mallrat dhe shërbimet, me përjashtim të akomodimit turistik, të tatimuar me 9%. Qeveria shpjegoi se me zvogëlimin e normës për ushqim dhe pijet joalkoolike, restorantet do të mund të gjenerojnë më shumë fitim dhe kjo do t'i kompensojë humbjet nga mbyllja e tyre për dy muaj gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Një pjesë e madhe e shoqërisë, si dhe shumë ekonomistë dhe financues, u revoltuan nga nderimi i shtetit për sektorin, i cili njihet si një nga sektorët më informal në ekonominë bullgare. Madje, edhe ministri i financave tha se ai nuk e mbështet këtë masë, por ajo u votua nga mazhoranca në parlament me validitet deri në fund të vitit 2021.

Si pasojë e kësaj, me një normë të zvogëluar të TVSH-së, fituan edhe shitja e librave, ushqimi për fëmijë dhe pelenat, shërbimet në palestra, në pishina dhe të gjitha llojet e objekteve sportive. Siç pritej, ulja e tatimit nuk çoi deri në çmime më të ulta, por mbetet të shihet se si kjo do të ndikojë në të ardhurat e buxhetit.

Shtyrja e kthimit të kredive bankare - masa më efektive?

U vendos një moratorium për pagimet e kësteve të kredive për një periudhë prej 6 muajsh që në muajin prill. Deri në shtator, kompanitë dhe amvisëritë i kanë shtyrë detyrimet ndaj bankave me 9.061 miliardë leva (4.5 miliardë euro). Më shumë se 14.100 kompani e kanë shtyrë pagesën prej gati 7 miliard leva (19% e të gjitha kredive të dhëna kompanive nga nga ana e bankave). Pak më shumë se 93.000 individë fizikë i kanë shtyrë këstet prej 2 miliard leva, që është 8.3% e të gjitha kredive të dhëna amvisërive nga ana e bankave.

Në të njëjtën kohë, grantet e pritura nga programe të ndryshme evropiane vonohen në mënyrë drastike. Qeverisë iu deshën disa muaj për t'i riorientuar paratë e papërdorura nga programet evropiane të miratuara vite më parë drejt masave të krijuara posaçërisht për koronavirusin. Qysh në muajin maj, 27.000 ndërmarrje mikro dhe të vogla aplikuan për grante deri në 10.000 leva (5.000 euro), por aplikimet e disave prej tyre janë ende në "procesin e shqyrtimit". Grantet për ndërmarrjet e mesme, gjithashtu, janë në vonesë - vetëm në muajin gusht filloi aplikimi i tyre për shpërndarjen e 200 milion levave.

Gjatë të gjithë verës nuk mundi të fillojë skema e miratuar e kuponëve (vauçerëve) për mbështetjen e turizmit, sipas së cilës shteti subvencionon pushim njëjavor në Bullgari me 210 leva (105 euro). Qeveria e kufizoi ashpër fushëveprimin e kësaj mase dhe e bëri atë të pakuptimtë në praktikë. Kuponat (vauçerët) janë në dispozicion vetëm për punëtorët shëndetësor, policët dhe personelin tjetër të përfshirë në frontin e luftës kundër KOVID-19. Përveç kësaj, ata do të mund të pushojnë vetëm në një numër të vogël të vendpushimeve shtetërore.

Turbulenca politike

Bullgaria, ndërkohë është tronditur nga protestat politike që nuk janë shuar tashmë tre muaj. Që nga fillimi i muajit korrik, çdo natë mijëra qytetarë të pakënaqur dalin në protesta dhe marshe në Sofje dhe në qytetet e tjera të mëdha, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Bojko Borisov dhe të kryeprokurorit Ivan Geshev. Nën presionin e protestave dhe kërkesave për dorëheqje, kabineti i kryeministrit Borisov iu drejtua transferimeve bujare shtesë të qindra miliona levave në strukturat shtetërore, komunat dhe grupet e ndryshme të tatimpaguesve. Shpesh këto kosto të jashtëzakonshme justifikohen me korona krizën, por është e qartë për të gjithë se arsyeja kryesore është fitimi i simpatisë dhe kohës.

Çuditërisht, qeveria vendosi të rrisë me 30% pagat e më shumë se 33.000 të punësuarve në administratën shtetërore. U vendos që të jepen edhe nga 50 leva shtesë për tre muaj rresht - gusht, shtator dhe tetor, grupit më të madh social në Bullgari - pensionistëve, të cilët janë mbi 2.1 milion njerëz.

Me vitin e ri shkollor, qeveria, gjithashtu, ka rritur shumën e ndihmës për prindërit e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç të cilët duhet të mësojnë në shtëpi për shkak të karantinës. Nëse këta prindër detyrohen të shkojnë në një pushim pa pagesë për t'u kujdesur për fëmijët e tyre të vegjël dhe t'ju ndihmojnë në mësuarje në distancë, ata do të marrin 610 leva (305 euro) në muaj - e njëjtë me pagën minimale në Bullgari, ose 915 leva ( 457 euro) nëse kanë dy ose më shumë fëmijë. Në prill dhe maj kjo mbështetje ishte 375 leva dhe pothuajse 2.000 familje e shfrytëzuan këtë.

Deri më tani, falë hyrjes së parave për paga, shtesa dhe pensione, konsumi i brendshëm në tërësi mbetet pothuajse në nivelin e vitit të kaluar dhe kryesisht mbështet formimin e bruto prodhimit vendor. Duket se amortizerët e qeverisë kanë filluar të shterren, kur bëhet fjalë për marrjen e kredive të jashtme. Më 15 shtator, shteti lëshoi bono në tregjet e huaja për 2.5 miliardë euro.

Festë në kohën e murtajës dhe blerjes së besimit politik

Taktikat e qeverisë për ballafaqimin me problemet po shkaktojnë gjithnjë e më shumë kritika. Instituti joveretirar për ekonominë e tregut (IPE) paralajmëron për një periudhë të rrezikshme ndaj "mirëkuptimit mashtrues se Bullgaria mund të rikuperohet nga kriza dhe të shkojë drejt rritjes së shpejtë ekonomike vetëm përmes masave për stimulimin fiskal të kërkesës së brendshme".

„Festë pas kohës së murtajës“, kështu Oda Bullgare e Tregtisë dhe Industrisë (BTIK) përcaktoi pagat e rritura të të punësuarve në administratën shtetërore nga 1 gushti. "Të gjithëve u është e qartë se koalicioni qeverisës dëshiron të fitojë më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, ngarkimi i buxhetit me kosto shtesë, duke përfshirë edhe rritjen e paligjshme të pagave të të punësuarve në administratën e fryrë shtetërore, pa ekzistimin e e-qeverisë dhe pa shkurtimin e aparatit administrativ, e rrezikon të gjithë buxhetin e shtetit në kushtet e rënies së ekonomisë, mbylljes së ndërmarrjeve "dhe zvogëlimit të tregjeve ndërkombëtare", paralajmëroi BTIK.

Situata duket alarmante. Dhe ka sinjale të qarta që dimri ekonomik do të jetë i gjatë dhe i vështirë - jo vetëm për Bullgarinë ose për Evropën, por për të gjithë botën. Kjo kërkon reformë. Pyetja është nëse ka forca politike në Bullgari që mund ta bëjnë këtë.

 

Iniciativa "Tregime nga rajoni #2" zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit – IKS (Maqedonia), në bashkëpunim me Analizo.ba (BeH), Sbunker (Kosovë) nisma qytetare Ne davimo Beograd“ (Serbi), ABCnews.al (Shqipëri), Prlija (Kroacia), SEGA (Bullgaria) dhe PCNEN (Mali i Zi).

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni apo shkarkoni
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose të dhuruesit.