fbpx

Pushtimi rus i Ukrainës përmes prizmit të zyrtarëve dhe mediave të Bosnjës dhe Hercegovinës

Emir Zulejhiç

Dalio Sijah

Histori nga rajoni

Media

14.04.22

Прегледи

Për disa politikanë, media dhe publikun, lufta në Ukrainë perceptohet si agresion që duhet dënuar dhe ndalur, ndërsa nga ana tjetër, në përputhje me narrativën zyrtare ruse, disa e quajnë këtë konflikt një “operacion special ushtarak”. Hapësira publike në BeH, si në të gjithë rajonin, nuk ka mbetur e imunizuar ndaj dezinformatave të shumta dhe narrativave të pasakta.

Edhe pse Bosnja dhe Hercegovina ishte në seancën e OKB-së më 2 mars 2022, ajo kishte një qëndrim të qartë dhe dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës, kurse në skenën e brendshme politike dhe mediatike ka ende një polarizim të qartë në vizionin dhe interpretimin e këtij konflikti.

Pas fillimit të sulmit rus, politikanët më së shumti i shprehën qëndrimet e tyre përmes kanaleve në rrjetet sociale, ndërsa disa zyrtarë, kryesisht nga entiteti i Federatës së BeH, e dënuan drejtpërdrejt agresionin, në një tjetër entitet të BeH, në Republika Srpska, reagimet varionin nga një "qëndrim neutral" deklarativ deri tek një mbështetje e hapur dhe e qartë për Rusinë.

Anëtarët e presidencës së BeH-së, Zeljko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç ishin ndër zyrtarët e parë që dënuan sulmin dhe mbështetën Ukrainën, kurse BeH-ja iu bashkua deklaratës së Bashkimit Evropian mbi situatën në Ukrainë gjatë një sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Deklarata u mbështet nga ambasadori i BeH në OKB Sven Alkalaj.

Anëtari i tretë i Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik, i cili shpesh etiketohet si politikan pro-rus, e vlerësoi veprimin e Alkalajt si jozyrtar dhe për dënimin e sulmit të Komshiqit dhe Xhaferoviqit tha se ishte pikëpamje personale. Sipas mendimit të tij, BeH-ja duhet të jetë neutrale dhe një ditë para votimit për dënimin e agresionit në OKB, ai u përpoq të fuste një pikë në rendin e ditës të seancës së Presidencës për qëndrimin për luftën në Ukrainë, por propozimi i tij u refuzua nga dy anëtarë të tjerë të këtij organi kolektiv ekzekutiv.

Edhe pas kësaj, Milorad Dodik vazhdoi të bënte publike pretendime për neutralitetin e BeH-së në lidhje me luftën në Ukrainë, dhe me një rast të tillë është marrë edhe portali i BeH-së Istinomjer për verifikimin e fakteve.

Narrativa pro-ruse e zyrtarëve të BeH-së

Ndryshe nga Dodik, i cili me kontaktet e shpeshta me zyrtarët rusë këmbëngul në mënyrë deklarative për neutralitet, kolegu i tij partiak dhe nënkryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska Denis Shuliç ndau disa postime në profilin e tij në Twitter që përkojnë me narrativën e palës ruse. Në një nga të fundit, jashtë kontekstit, Shuliç përdori faktin se në vitin 2014 SHBA-ja dhe Ukraina ishin kundër Rezolutës për luftën kundër glorifikimit të nazizmit, neo-nazizmit dhe praktikave të tjera që kontribuojnë në inkurajimin e formave moderne të racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe llojeve të ndryshme të intolerancës,megjithëse për këtë rezolutë Asambleja e OKB-së deklarohet një herë në vit që nga viti 2005.

Midis politikanëve që vijnë nga RS, mbështetje të hapur për Rusinë shprehu delegatja në Dhomën e Popullit të PABiH-së, Dushanka Majkiq, e cila me sarkazëm "kujtoi" se Moska tha vitin e kaluar se do të reagonte nëse BeH do të ndërmerrte hapa drejt anëtarësimit në NATO, por edhe kreu i Klubit të deputetëve të SNSD-së në Asamblenë Kombëtare të Republika Srpska (NARS), Srdjan Mazalica.

Burimi: twitter.com

Udhëheqësi i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ BeH), Dragan Çoviç, nuk e dënoi qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës në fillim dhe më vonë pati një qëndrim disi më specifik. Megjithatë, në seancën e Dhomës së Popullit të mbajtur më 24 mars 2022, ai votoi kundër propozimit për ndryshimin e rendit të ditës me pikën “Miratimi i konkluzioneve të Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të BeH, i cili nga Këshilli i BeH së Federatës së Ministrave kërkon përafrimin e politikave, masave dhe qëndrimeve zyrtare të Bashkimit Evropian rreth pushtimit rus në Ukrainë”, megjithëse në daljet e mëparshme në media ai theksoi se mbështet politikën e BE-së.

Megjithatë, megjithëse pikëpamjet e politikanëve vendas në BeH në lidhje me luftën në Ukrainë kanë qenë të qarta dhe të përcaktuara që në fillim, kryesisht përgjatë linjave të entitetit, ato nuk janë as afër publikut në sasinë e narrativave dhe dezinformatave të përhapura përmes mediave, si atyre private ashtu edhe atyre publike, por edhe masivisht përmes rrjeteve sociale.

Dezinformatat në media dhe në rrjetet sociale

E ngjashme është situata edhe në mediat sociale - ndërsa ato nga FBeH transmetojnë kryesisht informacione, deklarata dhe njoftime nga media dhe agjenci të besueshme dhe përpiqen të raportojnë me përgjegjësi, saktësi dhe etikë, mediat në RS, përfshirë ato publike, kryesisht transmetojnë informacione të njëanshme dhe artikuj nga burimet ruse, por edhe ato krijojnë artikujt e tyre në të cilët përhapen narrativa propagandistike ruse, të cilat kryesisht kanë për qëllim justifikimin e agresionit rus.

Gjatë muajit të parë të luftës, platforma për verifimin e fakteve Raskrinkavanje.ba publikoi më shumë se 50 analiza, në të cilat u vlerësuan pothuajse 300 artikuj dhe publikime mediatike në rrjetet sociale. Dezinformatat për këtë luftë analizohen edhe nga 5 anëtarët e tjerë të rrjetit të portaleve të verifikimit të fakteve SeeCheck në Evropën Juglindore. Rrjeti ka ndërtuar gjithashtu një blog live që përmban një përmbledhje të përditësuar të përditshëm të dezinformatave, i cili tashmë përmban më shumë se 150 analiza të portaleve të kontrollit të fakteve nga BeH, Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia që vlerësojnë dezinformatat rreth luftës në Ukrainë.

Bazuar në këtë material, tashmë është e mundur të vërehen tendenca të caktuara dezinformative si dhe përhapje të narrativave mashtruese.

Dezinformatat pro-ukrainase

Në ekosistemin informativ në BeH, si në media ashtu edhe në rrjetet sociale, bazuar në punën e platformës Raskrinkavanje, u vu re liferimi i një numri të caktuar të dezinformatave pro-ukrainase. Përmbajtja më e zakonshme e dezinformatave pro-ukrainase janë fotografitë dhe regjistrimet e veprimeve të supozuara të suksesshme nga ushtria ukrainase ose skenat në të cilat civilët ukrainas supozohet se kundërshtojnë ushtarët rusë, dhe për të cilat më vonë rezultuan të tregojnë diçka krejtësisht të ndryshme.

Dezinformatat pro-ukrainase lindën ad hoc gjatë vetë pushtimit rus, kryesisht në rrjetet sociale ukrainase, nga ku u përhap në BeH dhe më së shumti synon ngritjen e moralit të ushtrisë ukrainase. Këto dezinformata nuk janë pjesë e propagandës zyrtare të centralizuar, kryesisht nuk ndahen nëpërmjet kanaleve zyrtare por ekskluzivisht nëpërmjet rrjeteve sociale dhe numri, intensiteti dhe shtrirja e tyre nuk janë të rëndësishme dhe as dëmi që shkaktojnë.

Edhe pse pjesa më e madhe e këtyre dezinformatave është rezultat i përdoruesve të rrjeteve sociale, disa prej tyre, pasi u publikuan në rrjetet sociale, u transmetuan në burime zyrtare ukrainase si në profilin e Twitter-it të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, nga ku u transmetuan më pas edhe nga burime të ndryshme në BeH.

Dezinformatat pro-ruse

Nga ana tjetër, dezinformatat pro-ruse janë kryesisht pjesë e propagandës zyrtare ruse, janë shumë herë më të centralizuara, të dizajnuara dhe organizuara se ato pro-ukrainase, kurse krijohen dhe shpërndahen përmes kanaleve zyrtare dhe kanë shtrirje shumë më të madhe dhe pasoja më të mëdha negative.

Analiza e portalit Raskrinkavanje.ba konkludon se dezinformatat proruse dhe narrativat e pasakta e kanë burimin kryesisht në institucionet, zyrtarët dhe analistët rusë dhe mediat shtetërore ose të kontrolluara dhe publikohen kryesisht në formën e deklaratave dhe komunikatave zyrtare.

Pasi u publikuan kryesisht nga agjencitë ruse të lajmeve, ato arritën në media dhe rrjete sociale në BeH kryesisht përmes Sputnik-ut në gjuhën serbe, dhe kryesisht Sputnik Serbia është burimi më i zakonshëm i dezinformatave pro-ruse dhe narrativave manipuluese për pushtimin rus në të gjithë botën, duke përfshirë edhe BeH. Zëri i republikave të vetëshpallura ukrainase DNR dhe LNR në BeH vjen gjithashtu kryesisht përmes deklaratave zyrtare të transmetuara nga burime zyrtare ruse nga publiku dhe media të tjera pro-ruse.

përhapjen e dezinformatave pro-ruse në BeH marrin pjesë edhe mediat vendase, përfshirë mediat publike dhe private, si dhe portalet anonime. Shqetësues i veçantë është fakti se transmetuesi publik i Republikës Srpska, RTRS, praktikisht shërben si mjet lokal i propagandës ruse.

Burimi: depositphotos.com

Kur bëhet fjalë për transmetimin e njoftimeve zyrtare, është shqetësues fakti që një numër i konsiderueshëm mediash transmetojnë pothuajse ekskluzivisht palën ruse. Një shembull është deklarata në të cilën Rusia akuzoi Ukrainën për granatimet dhe shkatërrimin e bazës kufitare brenda territorit të Rusisë vetëm 3 ditë para fillimit të pushtimit. Edhe pse Ukraina mohoi përgjegjësinë për këtë sulm, siç përcaktoi Raskrinkavanje.ba, gjithsej 30 portale e hoqën plotësisht mohimin e këtyre akuzave nga Ukraina dhe transmetuan vetëm narrativën ruse të historisë.

Narrativat më të përhapura të dezinformimit

Kur bëhet fjalë për përmbajtjen e dezinformatave pro-ruse, pjesa më e madhe i referohet justifikimit të pushtimit, si dhe emërtimit dhe paraqitjes së tij në opinion. Pasi Presidenti Putin e quajti pushtimin një "operacion special ushtarak në Donbas", shumë media në BeH morën përsipër këtë narrativë, si RTRS-a, Televizioni Alternativ, Nezavisne novine, Glasa Srpske dhe shumë të tjerë.

Ka një numër të konsiderueshëm artikujsh në të cilët ngjarjet në Ukrainë quhen në këtë mënyrë, megjithëse është e qartë se ky nuk është një "operacion special" por një luftë dhe pushtim dhe se po ndodh jo vetëm në Donbas, por në tërë territorin e Ukrainës. Disa prej këtyre mediave shkojnë aq larg saqë në raportimet e tyre e përhapin këtë rrëfim duke mos e përdoru fare fjalën “luftë”.

Është përhapur ndjeshëm edhe rrëfimi për “denazifikimin” e Ukrainës dhe qeverisë ukrainase, i cili u vendos i pari nga Vladimir Putin. Disa shembuj të pretendimeve të tilla përfshijnë pretendimet se ka nazistë brenda qeverisë ukrainase, se qeveria mbështet nazizmin dhe grupet naziste, se nazizmi është i përhapur në mesin e ukrainasve dhe foto të fotoshopuara të presidentit ukrainas që pretendohet se promovon simbole naziste.

Të tjera dezinformata të rëndësishme dhe narrativa propagandistike janë se Ukraina po kryen gjenocid kundër popullsisë ruse në lindje të vendit, se NATO po shkel marrëveshjet për moszgjerim dhe kërcënon Rusinë, se Perëndimi është agresiv dhe nxit konflikt, se ka laboratorë amerikanë të armëve biologjike në Ukrainë, në drejtim të shkatërrimit të popullit rus, si dhe atyre të njohura më parë, si p.sh. quajtja e ngjarjeve të vitit 2014 një grusht shteti të mbështetur nga Perëndimi, por edhe paraqitja e aneksimit të Krimesë në Rusi si një akt legjitim që është rezultat i vullnetit demokratik të qytetarëve të Krimesë.

Ajo që është një fenomen i ri që nuk është vënë re deri më tani është përhapja e dezinformatave për gjoja dezinformata të burimeve të besueshme perëndimore. Kështu, u pretendua se ishte false fotoja e famshme e ukrainases së plagosur që është bërë në ditët e para të pushtimit rus që bëri xhiron e botës, kinse ajo foto është bërë në vitin 2018 dhe se përfaqëson propagandën perëndimore.

CNN gjithashtu është akuzuar vazhdimisht në mënyrë të pajustifikueshme për publikimin e lajmeve të rreme, dhe shembulli më ekstrem janë padyshim "cicërimat e Twitter-it" nga Serbia, të cilët në mediat sociale u prezantuan si ukrainase dhe shpërndanin lajme të rreme.

Pushtimi rus tregoi edhe një herë cenueshmërinë dhe përçarjen e shoqërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë

Lufta në Ukrainë vuri në dukje edhe një herë cenueshmërinë e shoqërisë së Bosnjë dhe Hercegovinës që janë të dukshme në nivele të shumëfishta. Para së gjithash, dobësitë janë të dukshme për sa i përket ndasive politike në lidhje me qëndrimin ndaj luftës, ndërsa, në përputhje me rrethanat, ndarjet janë të pranishme edhe në skenën mediatike. Për më tepër, vetë qytetarët janë subjekt i besimeve jozgjedhëse dhe jokritike në burime të pabesueshme mediatike dhe politike.

Cënueshmëria vihet re edhe në kuptimin e depërtimit shumë të lehtë të propagandës ruse në hapësirën mediatike të BeH-së, ku ka shumë aktorë vendas që propagandojnë publikisht të njëjtat narrativa dhe vlera.

Edhe pse shoqëria e BeH në tërësi duhet t'i marrë më seriozisht të gjitha këto probleme, shanset për këtë, duke pasur parasysh të gjitha faktet më sipër, janë shumë të vogla.

 

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare " me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni  Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Emir Zulejhiç

Emir Zulejhiç është redaktor i portalit Raskrinkavanje.ba, i cili merret me kontrollin e saktësisë së pretendimeve në media dhe në rrjetet sociale, dhe ai ka shkruar për portalin që nga themelimi i tij në vitin 2017.

Dalio Sijah

Dalio Sijah është redaktori i platformës së parë për verifikimin e fakteve Istinomjer.ba në BeH dhe një anëtar i vjetër i shoqatës civile. "Pse jo".